Home » Lajme » Dr. Përparim Demi: Disa ide për shpenzimet e diplomacisë shqiptare

Dr. Përparim Demi: Disa ide për shpenzimet e diplomacisë shqiptare

Në artikullin ”Kriza ekonomike prek diplomacinë”(1) ngrihet një problem sa real aq dhe proekupues për mbulimin e nevojave të diplomacisë shqiptare në kushtet e austeritetit ekonomik dhe të nevojës së uljes së shpenzimeve buxhetore, për të mbajtur në nivelin e duhur investimet që sigurojnë rritjen ekonomike të vendit. Nuk ka problem pa zgjidhje dhe nuk ka zgjidhje pa pasoja. Nevoja e vedit tonë tani është të mbështesim planin e investimeve, sado ambicioz që është, kjo ka përcaktuar njëkohësisht dhe masat e duhura të karakterit kursyes për uljen e difiçitit buxhetar nën nivelin 3,5 %, si dhe të kontrollit të borxhit të jashtëm në kufijt e përcaktuara ngaMinistri Ridvan Bode, nën nivelin 59 %.

Detyra që vihet para qeverisë së Tiranës është e vështirë, por jo e parealizueshme. Shkurtimi i administratës është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet gradualisht duke optimizuar dhe informatizuar sistemin administrativ. Bëhet fjalë për optimizim dhe efiçientizim, për rritje të rendimentit të punës të funksionarëve publikë të çfardo niveli. Nga ana tjetër nevoja e shtetit tonë për të përballuar mbajtjen e një sistemi të shërbimit diplomatik në një hapësirë globale dhe me detyra në rritje, të duket sikur vjen në kundërshtim me procesin e uljes së shpenzimeve buxhetore. Unë e konsideroj si një problem fals, të paqenë, dhe të parë me syzet e vjetra. Do mundohem të shpjegoj më poshtë idenë dhe këndvështrimin tim për këtë problem.

Tradicionalisht jemi mësuar që diplomatët të jenë funksionarë shqiptarë, punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët dërgohen në vendet e tjera për të kryer funksionet e përfaqësisë së ngritur në atë vend. Çdo diplomat, simbas ligjit, gëzon disa të drejta lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet që përballohen nga buxheti i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Këtu, përveç pagës në valutë, hyjnë qiraja e shtëpisë ku do jetojë, ngrohja, telefoni dhe telefoni mobil, transporti, benzina, taksa të ndryshme vendore, e deri tek shpenzimet e protokollit. Të gjithë funksionarët, e deleguar në rolin e diplomatit, kanë të drejtën të marrin me vete dhe familjet e tyre, bashkëshorten me gjithë fëmijët. Kuptohet se familja ka shpenzime të tjera, një pjesë e të cilave rëndojnë gjithashtu mbi buxhet. Pa hyrë në hollësira të marr vetëm shpenzimet e rrugës, të pushimeve, etj.  Në të njëjtën kohë, më duket absurde të shpenzohet për qirara të shtrenjta mbi dyfishin apo trefishin e qirave të zakonshme. Kështu njoh raste të qirave 1500 euro/muaj kur qiraja e zakonshme nuk e kalon 500 euro/muaj. Gjithashtu, nuk ka pse të shpenzojmë për një luks të pajustifikuar dhe të ekzagjeruar, i cili nuk sjell asnjë dobi për vendin tonë.

Nga përvoja, të gjithë, sidomos ne të diasporës që jetojmë pranë tyre, dimë se çfarë ndodh në fakt dhe sa abuzime janë bërë në këto shpenzime të paguara nga kontribuesi shqiptar. Kemi parë mjaft raste të funksionarve të pandërgjegjshëm të cilët kanë përfituar maksimalisht nga këto fonde buxhetare. Po kështu kemi parë mjaft funksionarë të cilët nuk e kryejnë detyrën dhe nuk kanë nivelin dhe kulturën e nevojshme për atë funksion që marrin përsipër. Pra shpenzimet buxhetare të miratuara me ligj për të mbuluar disa nevoja të politikës së jashtme të vendit tonë nuk janë të justifikuara plotësisht në shumë raste.

Si në çdo degë të administratës, ashtu dhe në diplomaci, shpenzimet duhet të ballafaqohen me rezultatet. Çdo para e shtetit duhet të justifikohet me rezultatet e arritura, të cilat të vlerësohen periodikisht dhe jo formalisht. Kur hartohet buxheti për diplomacinë, duhet të të justifikohet me një plan objektivash dhe rezultatesh të pritshme. Zakonisht në praktikën administrative të Ministrisë të Punëve të Jashtme, ushtrohen periodikisht kontrolle kontabile, të cilat verifikojnë nëse shpenzimet e kryera inkuadrohen si eligibile dhe a përputhen me legjislacionin fiskal apo urdhëresat e brendshme. Këto kontrolle nuk verifikojnë rezultatet e punës dhe nuk bëjnë bilancin nëse shpenzimet e kryera justifikohen me aktivitetet e realizuara. Këtu qëndron thelbi i një problemi, të cilit shpesh i shmangen raportet e kontrolleve administrative. Nuk ekziston akoma një metodologji dhe një praktikë e tillë në sistemin diplomatik shqiptar. Madje ekzistojnë raste të diplomatëve të dështuar, të cilët transferohen nga ambasada në ambasadë, nga një vend në një tjetër, pa kurfarë suksesi në realizimin e detyrave, ndoshta më keq, kanë krijuar pakënaqësi dhe skandale të brendëshme apo të jashtme.

Si objektiva për një diplomat, sipas mendimit tim, duhet të jenë marrëveshjet e realizuara, aktivitetet e ndërmarra, studimet dhe analizat e kryera, përmirësimi i imazhit të vendit, shkalla e aktivizimit të diasporës shqiptare dhe numri i iniciativave diplomatike etj. Kur një diplomat nuk njeh gjuhën e vendit ku shkon dhe të paktën një gjuhë tjetër internacionale (anglisht, gjermanisht, frëngjisht) nuk ka çfarë kërkon në atë detyrë, pasi dihet që në start se mossuksesi i tij është i garantuar. Një diplomat i cili nuk ka nivelin e kulturës së nevojshme për të përfaqsuar në mënyrë dinjitoze vendin nuk ka pse të ngatërohet me diplomacinë. Një diplomat konsiderohet si një intelektual, pra puna e tij imponon krijimtarinë. Aftësia për të grumbulluar informacion selektiv, analiza shoqërore, ekonomike, politike që ai duhet ti bëjë informacionit bruto të grumbulluar për atë vënd është punë krijuese. Idetë e një diplomati dhe konkluzionet e tij duhet të vlerësohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të miren për bazë lidhur me nivelin e marrëdhënieve të shtetit tonë me atë vend. Informacionet që dërgojnë ambasadat shqiptare nuk duhet të trajtohen si material mbushës për arkivën e saj. Fatkeqsisht kjo ndodh, pasi personeli i Ministrisë duke e vlersuar si të paaftë një diplomat, i cili është dërguar për konjukturë apo shpërblim për ndonjë shërbimn të kryer, nuk i vlersojnë fare materialet e dërguara nga ata dhe kërkojnë burime të tjera informacioni.

Në këto raste asnjë shpenzim i kryer nga ajo përfaqësi diplomatike nuk e justifikon veten. Një diplomat ka për detyrë të krijojë lidhje direkte miqësore me homologët e tij të vendeve të tjera si dhe të krijojë rrethin e miqve të vendit ku shkon. Kuptohet kjo kërkon nga ai njohje të gjuhëve dhe shumë kulturë në fusha të ndryshme. Rrethin miqësor duhet ta zgjedhi në qarqet intelektuale me ndikim në administratën shtetërore të vendit. Një ambasador i izoluar që rri gjithë ditën në zyrën e tij nuk mund të krijojë rrethin e miqve të nevojshëm, që tu imponohet me personalitetin dhe kulturën e tij. Një rast i tillë është tipik për ata që kanë vajtur thjesht për të bërë kursime dhe për të përfituar nga detyra, që të kthehen pas mandatit katër vjeçar me një kapital të shtuar. Kuptohet ky është një rast i dështuar që në start, nga ai nuk ke çfarë të kërkosh dhe as të presësh.

Ambasadat përveç detyrave dhe aktiviteteve diplomatike, kanë dhe një sërë detyrimesh administrative siç janë ato konsullore, arsimore, të gjendjes civile etj. Në personelin e ambasadave gjejmë punonjës të ndryshëm si shofera, sekretare, llogaritare etj., të cilët gjithashtu kanë status të veçantë pa qenë diplomatë të mirfilltë dhe nuk mbulojnë asnjë aktivitet dipllomatik. Këta gjithashtu marrin familjet e tyre, strehohen me qira, pra duan një buxhet jo të vogël, i cili e ngarkon mjaft buxhetin e përgjithshëm të ambasadave dhe të Ministrisë së Jashtme.

Lidhur me sa parashtrova më sipër unë do shpreh disa konsiderata dhe ide, të cilat mund të lehtësojnë mjaft shpenzimet buxhetore të diplomacisë shqiptare. Në rradhë të parë do theksoja si kryesore rritjen e cilsisë së personelit diplomatik. Kjo mund të realizohet nëse do zbatohet një politikë e kompetivitetit si kriter i përzgjedhjeve të tyre dhe njëkohësisht ti jepet fund praktikës së dërgimit të njerëzve inkompetentë mbi bazë njohje apo interesash. Së dyti këtyre duhet tu shtrohen detyra, objektiva dhe rezultate të pritshme konkrete, të cilat duhen monitorizuar dhe verifikuar periodikisht. Kontrata e angazhimit të tyre duhet të ketë afate dhe penalizimet eventuale për rastet e mossuksesit. Një diplomat nuk duhet transformuar në një roje ambasade me rogë të majme. Ministria e Jashtme duhet ta dijë dhe t’i përcaktojë saktësisht se çfarë kërkon nga një diplomat i emëruar, kjo bën pjesë në strategjinë dhe politikën e shtetit në përgjithësi. Ajo duhet të kërkojë dhe të zgjedhë njeriun për detyrën që ka dhe jo t’u gjejë vendin njerëzve të ”privilegjuar”.

Të gjitha funksionet e tjera administrative nuk ka pse të mbulohen nga ”diplomatët” e dërguar nga Tirana, kur këto detyra mund t’i kryejnë mjaft mirë shqiptarët e diasporës, që gjenden gjithandej nëpër Europë e gjetkë. Punonjësit e ambasadave që jetojnë në diasporë nuk kanë nevojë për strehim, pasi e kanë atë. Atyre mund t’u paguhet vetëm paga, sipas vendit dhe detyrës dhe asgjë tjetër. Këtu bëhet një kursim shumë i madh në buxhetin e diplomacisë shqiptare. Kam vënë re se në shumë ambasada të vendeve perëndimore gjen punonjës vendas, të cilët kryejnë gjithëfarë detyrash kundrejt një pagese. Mesa di dhe në ambasadën amerikane në Tiranë punojnë mjaft shqiptarë të angazhuar nga shteti amerikan. Kur këto vënde kanë praktika të tilla, ne pse vazhdojmë me luksin që të çojmë edhe shoferin nga Shqipëria. Për mendimin tim vetëm ambasadori mund të vijë nga Shqipëria, pjesa tjetër duhet zgjedhur nga diaspora jonë që jeton në ato vende. Ndoshta në raste të veçanta dhe vetë ambasadori mund të përzgjidhet nga diaspora, e cila ka plot intelektualë me emër në ato vënde. Nga historia, kemi rastin e Faik Konicës si ambasadorin më me emër në Amerikë, i cili kishte krijuar deri marrëdhënie miqësore familjare me presidentin Willson. Një ambasador i Shqipërisë duhet të vlersohet dhe për nga rrethi miqësor që ai krijon në atë vend ku zhvillon aktivitetin. Është e natyrshme që një ambasador të penetrojë në rrethet akademike, apo në mjedisin e biznesit të atij vëndi. Ai ka për detyrë të promovojë Shqipërinë në ato rrethe, të bëjë loby, por dhe anasjelltas të transmetojë në vendin e tij praktikat e mira dhe të inkurajojë shkëmbimin e eksperiencës. Ai duhet të jetë ura ndërlidhëse e miqësisë ndërmjet dy vendeve. Duhet të ketë kurajon intelektuale të nevojshme për të ndërmarrë iniciativa produktive në favor të marrdhënieve dy palëshe me interes reciprok. Një ambasador spektator, inaktiv, nuk e kryen dot detyrën e tij dhe nuk është produktiv. Shpenzimet për të janë të pajustifikueshme para taksapaguesave shqiptarë. Kam besimin se këto ide vlejnë dhe për shërbimin diplomatik të shtetit të Kosovës. (Bukuresht,12.07.2010)

1. http://www.shekulli.com.al/shekulli/2011/07/12/kriza-ekonomike-prek-diplomacine/

It frees up valuable class time for interactions and formative assessments with your essaydragon.com/ students

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch