Home » Lajme, Opinione » Drejtësia me dy kute

Drejtësia me dy kute

XHAVIT ÇITAKU1Praktika gjyqësore e shqiptuar për të akuzuarin Sami Lushtaku nuk mund të jetë analoge bazuar me hetimet e zhvilluara dhe dëshmitë e ofruara, ndërkaq në anën tjetër kriminelin serb Oliver Ivanoviqin, edhe pse i dënuar me nëntë vite burg, e rehatojnë në arrest shtëpiak

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Procesi gjyqësor në shkallën e parë për grupin e Drenicës do të mbahet mend si një shembull i keq në fushën e jurisprudencës. Përfundoj “ pamëshirshëm “ dhe me fakte jo të bindshme që i kishte në shqyrtim trupi gjykues i EULEX-it. Pra, ndaj tyre u shqiptuan 65 vjet burg. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se a e” mirituan” këtë dënim kaq të rëndë këta luftëtar të lirisë. Ka edhe shumëçka për të thënë e për të dyshuar se mos vallë është ky një proces i montuar politik i porositur nga “kuzhinat” e Beogradit që shpifin e hartojnë skenar të rrezikshëm kundër shqiptarëve e sidomos ndaj ushtarëve e eprorëve të UÇK-së. I gjithë opinioni jo vetëm i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar e di  se ende qëndrojnë akuzat e ngritura nga gjykatat serbe për udhëheqësit e ushtrisë çlirimtare, akuza këto që janë shpërndarë në të gjitha institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe të organeve tjera ndjekëse.

“ Trillimi” rreth praktikës gjyqësore

Në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në fushën e gjyqësisë janë të parapara në rastet  e rralla edhe praktika gjyqësore, ashtu siç po arsyetohet EULEX-i për rastin e Sami Lushtakut, kryetar aktual i komunës së Skenderajt. Mirëpo, për t’u bërë kjo gjë rasti duhet të hetohet e argumentohet me fakte përmbajtësore në shumë dimensione që ofron drejtësia “ moderne”, të cilat me në fund do të mund t’ua mbushin mendjen jo vetëm gjyqtarit por edhe opinionit të gjerë. Do të thotë se rasti konkret është hetuar aq shumë sa që janë hequr të gjitha dilemat se vrasja vërtetë është kryer nga i akuzuari. Edhe EULEX-i kishte angazhuar hetues të shumtë dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të nxjerr e të gjejë fakte nga banorët e atyre tri fshatrave të Drenicës, në mesin e të cilave pretendohet se është kryer vepra. Posaçërisht hetuesit nuk kanë mundur të argumentojnë se në këto fshatra është vrarë bashkëfshatari i tyre në vendin e supozuar nga EULEX-i. Së këndejmi, një praktikë gjyqësore e marrë parasysh nga trupi gjykues i EULEX-it ndaj Sami Lushtakut, komandant i Zonës së Drenicës në kohën e luftës çlirimtare, nuk ka mundur të aplikohet sepse nuk është analog karshi gjithë procedurës hetimore që është zhvilluar dhe të “ fakteve”që u paraqitën në seancën gjyqësore. Pra, nuk mund të aplikohet një praktikë gjyqësore e bazuar vetëm në dëshmitë e një dëshmitari, i cili do të mund t’i hynte kësaj aventure kundër këtij eprori për çështje hakmarrëse, inati apo për çështje të tjera personale. Do të duhej të dëshmonin edhe përcjellësit e Sami Lushtakut, sepse si një komandant që ishte ai në asnjë rrethanë nuk ka mundur të ishte i vetëm gjatë rrugëtimit të tij dhe drejtimit të operacioneve luftarake në terren. Kjo gjë me sa e kam përcjell me vëmendje këtë proces gjyqësor nuk është bërë.

Përse më shumë po ndiçën ushtarët shqiptar se sa kriminelet serb

Është numër i madh i të vrarëve shqiptar gjatë luftës së pabarabartë të zhvilluar në Kosovë. Janë vrarë rreth 15 mijë shqiptarë. Të zhdukur edhe rreth dy mijë të tjerë. Edhe më keq: u përdhunuan rreth 20 mijë vajza e gra, shumë prej tyre u vranë e u masakruan në mënyrën më mizore. U dogjën e u shkatërruan me themel mbi 180 mijë shtëpi. U plagosen, u torturuan e ndoqën nga trojet e tyre mbi një milion shqiptarë. Për të gjitha këto krime të luftës dihet me emër e mbiemër se kush i ka krye e kush i ka urdhëruar të kryhen. Këtë gjë e dëshmojnë edhe pjesëmarrësit serb në ato krime, në atë tragjedi shqiptare, në atë skenar të kobshëm për shqiptarët. Edhe këta, pra, e drejtojnë gishtin kah ata që kanë kryer krime, i kanë paraqitur në prokurori të ndryshme serbe, por edhe i kanë njoftuar edhe organet e drejtësisë evropiane me emër e mbiemër se kush janë ata gjakpirës që kryen aq shumë krime në Kosovë. Mirëpo, për çudi askush nuk ndërmerr asgjë. Këto dëshmi nuk i merr parasysh askush. Organet gjyqësore e hetimore serbe jo se jo, por as ato evropiane e ndërkombëtare nuk po bëjnë asgjë, po e injorojnë këtë gjë. Më shumë po iu intereson, disave qarqeve, që para bankës së të akuzuarëve të dalin luftëtarët e lirisë së Kosovës se sa ata që kryen krime të rënda lufte në kosovë. Pra, kriminelet serb shëtisin të lirë, bile mbajnë edhe poste të rëndësishme në Serbi siç është rasti me eprorin e lartë të ushtrisë serbe Dikoviq, ndërsa ushtarët e UÇK-së tash po edhe në të ardhmen do të përballen me akuza të pa argumentuara ashtu siç e kërkon një sistem i mirëfillt i drejtësisë. Se drejtësia ndërkombëtare është është orientuar vetëm ndaj komunitetit shumicë në Kosovës, përkatësisht eprorëve dhe ushtarëve shqiptar tregon edhe një shkrim i gazetës serbe “ Danas”, e cila kishte arritur të marrë informacione se tashmë të gjithë dëshmitarët që do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale janë vendosur në disa shtete dhe çdo gjë do të jetë e gatshme që sivjet të ulën në bankën e të akuzuarve pjesëtarët shqiptar të UÇK-së. Pra, kjo gjykatë do të jetë kryesisht e orientuar kundër ushtarkëve të një etnie, e jo edhe të atij serb që kryen aq shumë krime ndaj shqiptarëve. Rasti më eklatant i kësaj pabarazie është edhe dënimi i Oliver Ivanoviqit me nëntë vjet burg, i cili do ta pret vendimin e shkallës së dytë në arrest shtëpiak në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës. Arsyetimet e  EULEX- it kur është fjala për serbet i gjejnë edhe në birë të minit, mirëpo kësaj nuk i thonë drejtësi, por i thonë shkurt e shqip privilegj që i jepen këtij komuniteti në çdo fushë të jetës dhe të punës. Misioni evropian del edhe me një “ konstatim” se nuk kishte ndonjë presion për të shqiptuar këtë formë të pritjes se vendimit përfundimtar, por opinioni është i njohur se çfarë reagimi bëri qeveria serbe, e cila ka paralajmëruar se për këtë rast do të bisedohet edhe në Bruksel. Derisa Ivanoviq është “ rehatuar” në arrest shtëpiak, Sami Lushtakut, jo vetëm që nuk iu mundësua kjo gjë si një kryetar komune që është, por atij nuk po i lejohet që të këtë as trajtim adekuat mjekësor.

Në vend që ne të mësojmë nga “ profesionistët” e EULEX-it, po ndodh e kundërta

Qytetarët e Republikës së Kosovës kishin besim të madh së më në fund misioni evropian  do të punoj e veproj në frymën e një demokracie të mirëfilltë, sidomos, në fushën e drejtësisë. Aq shumë u premtua se më në fund ka ardhur momenti i fundit për luftuar më “ ashpërsi” shumë dukuri negative në vendin tonë dhe se shumë shpejt “ peshqit” e mëdhënjë do të gjenden në bankën e të akuzuarve. Se ku qëndrojnë pengesat që ato paralajmërime “ bombastike” asnjëherë nuk u realizuan nuk mund të dimë, por një gjë dihet se situata në fushën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar vetëm sa po shkon e po thellohet edhe më shumë. Thënë konkretisht, të gjithë menduam se, sidomos, juristet, përkatësisht gjyqtarët tanë do të mësojnë shumë nga “ profesionistët” e EULEX-it, por duke parë se si ky mision ndanë drejtësinë në dy kute dhe nuk konkretizoj ato shumë premtime që pati dhënë në fillim, lirshëm mund të themi se po ndodh e kundërta. Pra, po japin shembuj jo të mirë në disa raste që lindin dyshime se mos po ndikon aq shumë politika dhe në këtë mënyrë EULRX-i po bien në pozitë të palakmueshme karshi opinionit .  

Dhe krejt në fund: Nisur nga një pabarazi e tejdukshme që po ndodh pas luftës së zhvilluar në Kosovë në aspektin e ndjekjes së atyre që kryen krime, është e kuptueshme që edhe reagimi i qytetarëve është i arsyeshëm të cilët me të drejt  pyesin: si është e mundur që për luftëtarët e lirisë të formohen kaq shumë gjyqe paralele, ndërsa për kriminelet serb iu është besuar që me ta merren organet e atij shteti që ishte nxitësi i luftës ku ushtria si dhe të gjitha grupet e ndryshme kriminale kryen gjenocid mbi popullatën shqiptare dhe popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. Këto eksperimente të një sistemi të këtillë të drejtësisë mund të ndodhin vetëm në Kosovë e akund tjetër. Në emër të asaj se ju kemi ndihmuar për t’u çliruar nga okupuesi serb, kjo nuk do të duhej të ndodh. Tehu i aktivitetit do të duhet të orientohet shumë më tepër kah kapja e dënimi i atyre që vranë e masakruan qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, që përdhunuan mijëra vajza e gra, që shkatërruan e pasurinë e qytetarëve, që shumë vështirë e patën të mëkëmben. Nuk pretendoj t’i mbroj ata që eventualisht kanë kryer ndonjë vepër të ndëshkueshme, por siç thotë një fjalë popullore “ katundi që shihet kallauz nuk do”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch