Home » Opinione » Dritë shprese

Dritë shprese

Ismet TAFILI Plisi i bardhë mbi trupin e tij pak të kërrusur, simbolizonte majën e bjeshkës të  mbuluar me borë që nuk shkrihet kurrë, ndërsa poshtë plisit, nga djersa e ballit dhe pluhuri ishin formuar breza të vegjël me ngjyrë të përhimët në të zezë, të cilët, sikur, tregonin brazdat e punuara jo mirë të tokës, që edhe ashtu nuk ishte frytdhënëse fort.

          Ecja e ngadaltë e këtij burri me moshë mesatare, si dhe pozicioni i tij i  kërrusur, se ç’ta vret shikimin me dhembjen barrë që peshon sa një kodër e këtij vendi. Kur ecte nuk shikonte anash, dhe po të takonte ndokënd rrugës, shpesh nuk i fliste, e kur fliste ndonjëherë, mezi i dilte zëri nga goja. Ndonjë i huaj mund ta merrte për mendjemadh, ama e vërteta është krejt ndryshe.

Ishte i urtë, i sinqertë, i drejtë, bujar, edhe punëtor  burri i halleve. Po asnjëra veti nuk hahej me bukë. Se përballja nuk bëhej për të mirën, por për mbijetesën.

Rrugët për jetën zgjateshin pa fund: herë në arat e tokës jo pjellore, herë në pyll për dru, herë në oborr për artizane të ndryshme. A thua bënte gjumë ndonjëherë! A mos edhe në ëndërr përballej me mbijetesën.

Vetëm të premtave mund ta shihje tek ikte për në treg. Një rrugë e dy punë, si i thonë fjalës

Edhe mund të shiste a të blinte në Pazar, edhe mund t’i lutej Zotit. Sa nevojë kishte për lutje. Se kujt t’i drejtohej më parë?! Ai zgjodhi Zotin para njeriut.

Edhe në treg, edhe në xhami. I duheshin rreth dy orë këmbë që të arrinte ku bëhej tregtia e falej xhumaja.

Ndryshe nga të tjerët, Zamiri, rrugën nga shtëpia e tij  e deri te xhamia e tregu, e bënte sikur t’i kish ikur koha e botës, sikur nuk donte t’i falte asgjë ndejës, pasaktësisë. Në oborrin e xhamisë hynte duke thirrur hoxha ezanin e drekës.

Kishte arsye. As një vit s’e kish që ishte ndarë nga i vëllai. Të gjitha vareshin vetëm nga ai. Fëmijët i kishte ende të vegjël. Jo se vëllai ishte më mirë, po ndarja në varfëri, sikur e shton edhe më skamjen.

Me  ndihmën e fshatarëve kishte ndërtuar një shtëpi përdhese, prej dy dhomash, me një korridor të vogël në mes, të cilën e kishte mbuluar me kashtë dhe fieri.

Mjaftonte që kishin kokën mbuluar.  Se përndryshe, kur binte shi e kur shkrihej  bora,  uji i kalonte përmes shtëpisë, nëpërmes një kanali të vogël që e kishte hapur ai vet, për të mos  u përhapur në  gjysmën e dhomës që e kishte shtruar me kashtë, ku flinte ai me fëmijët.

Varfëri që ta këpuste shpirtin. Ndonjëri, bile kishte kafshë, e i gjori Zamir, vetëm në njërën prej dhomave mbante  një ose dy dhi, një gomar ose një lopë të vogël. Nuk po e shtonte dot numrin e tyre!

Edhe tokë kishte pakë, edhe ajo ishte gurishtë dhe nuk prodhonte, nganjëherë as aq sa investohej në të.

Se ku e gjente atë gjallëri për jetë ky njeri! Se çfarë e shtynte të ngazëllehej ndonjëherë, edhe pse rrallë! Mbase shpresa për të ardhmen. Mbase vullnetin për jetë ia shtonin pesë fëmijët (tre djem e dy vajza), të cilët edhe pse me kushte të vështira jetese ishin të shëndosh, po mbi të gjitha  mësonin shumë mirë në shkollë. Ai mësuesi i urtë i shkollës, sa herë e takonte i fliste për ta. I fliste për të ardhmen e fëmijëve shkollarë. E Zamiri, sikur i shihte tek i ngjiteshin dijes e jetës më të mirë.

Dhe e shtynte diçka që të punonte ditë e natë, në mënyrë që t’i shkollonte, sepse e dinte, se vetëm duke qenë të ditur do të kenë mundësi më pas ta ndihmojnë atë, dhe do ta kenë të sigurt jetën e tyre. Duke e ditur rëndësinë e shkollimit, e ndante për ta kafshatën e gojës. Rropatej duke punuar tokën për të siguruar ushqimin për fëmijët dhe për ata pak krerë kafshë që kishte. Përveç që  punonte në tokën e vet, ai më shumë punonte në arat e huaja, të fqinjëve për të marrë pak drithë ose ushqim  për kafshë, sepse nga toka e tij nuk mund të siguronte as për një të katërtën e vitit. Kjo ishte puna që e bënte ditën, ndërsa, pothuajse tërë natën punonte  diçka tjetër, merrej me punimin e drurit; përgatiste nallanet, të cilat i shiste, ndonjë në fshatin e tij e shpesh i dërgonte edhe në fshatrat përreth. Nga ato fitime të pakta siguronte ndonjë kg. miell për tre katër ditë ose një javë.

Edhe pse nën presionin e vazhdueshëm të mbijetesës dhe frikës për të siguruar kafshatën e gojës ai kishte arritur që, djemve t’ua sigurojë kryerjen e  shkollës së plotë fillore, ndërsa vajzat kishin mbaruar vetëm katërvjeçaren.

Fëmijët e tij të nuk dalloheshin shumë në veshmbathje, në sigurimin e librave dhe fletoreve nga fëmijët tjerë. Gjëja me e gëzuar ishte se, fëmijët,  të gjitha klasat i kishin mbaruar me pesa.

Vajzat, nuk e kishin ndërprerë shkollimin për shkak qëndrimeve prapanike të babait të tyre, por këtë e kishin bërë për shkak të varfërisë, për shkak që nuk mund t’u siguronte veshmbathje, libra e fletore, por pak edhe për shkak të rrethit, ngase frikohej që vajzave të tij t’u dal një fjalë e keqe, sepse kishte edhe vagabond, që mundoheshin të njollosnin njerëzit e urtë, të drejtë, punëtorë e të pa krahë.

Kjo dhe frika për mos mundësinë e shkollimit të të gjithë fëmijëve e mundonte shumë. Megjithatë, përkundër vështirësive që i kishte përpara për jetën, për sigurimin e mbijetesës, djemtë, kishte vendosur t’i dërgojë në shkolla të mesme.

E filloi me djalin e madh, të cilin e dërgoi në një qytet të Kosovës, në shkollën normale, një shkollë që përgatiste kuadro për mësues. Në këtë  shkollë e kishte dërguar, duke menduar se do t’ia dilte me lehtë me mbajt dhe do ta kryente më shpejt djali shkollën, në mënyrë që posa ta mbarojë, të fillojë të punojë. E kishte menduar mirë, sepse atëherë në fshatin e tij dhe në fshatrat tjera përreth, pothuajse të  gjithë mësuesit që punonin në këto shkolla, ishin të pa diplomuar.

Në luftën e brendshme të dy forcave; (i cili në këtë rast ai ishte në mes), në mes dëshirës së madhe për t’i shkolluar fëmijët dhe kërcënimit të mbijetesës, kishte fituar e para. Kështu, edhe djalin e dytë e kishte regjistruar në shkollë të mesme, në një qytet tjetër, që ishte me Serbi, duke menduar se do ta mbaj më lehtë, por shumë shpejt, iu deshtë të dorëzohet. U detyrua t’ia ndërpresë shkollimin, ngase nuk kishte mundësi t’i plotësonte as një kusht elementar:  blerjen e librave, pagesën e qerasë etj., ndërsa djalin e tretë as që pati mundësi ta regjistrojë në shkollë të mesme. Atë, pasi e mbaroi filloren, edhe pse ishte i ri  dhe i dobët nga shëndeti,  e dërgoi në një  dyqan ëmbëltoreje, për të marrë zanat, se zanati, mendonte, do t’i gjendet më vonë vetë djalit e familjes.

Këto raste e mërzitën shumë, por “luftën” e vazhdoi për ta shkolluar djalin e madh. Dhe për këtë ishte i vendosur.

Vetes i tha: – Duhet të punojë edhe më shumë  që të mos pësojë djali i madh si dy djemtë e tjerë. Kishte hequr dorë nga shumë vizita, nga pushimet e kota nga fjalët e shumta me fshatarë etj. dhe të gjitha këto i kompensonte me punë. Edhe gjumin e kishte pakësuar.

Në njërën dhomë, (aty ku e kishte një dhi dhe gomarin), kishte futur një trup (cung) druri. Aty, pothuajse për çdo natë, deri pas mesnate punonte pa ndërpre. Herë me sharrë e herë me teslicë, përgatiste një numër të caktuar të mallit, për t’i dërguar në fund të javës te pronari me të cilin ishte marrë vesh paraprakisht që t’ia merrte të gjitha që i punonte. Ishte detyruar t’i jap më lirë se çmimi i tregut, vetëm e vetëm të mos humb kohë nëpër tregje, apo edhe mos t’i mbeten ndonjëherë pa u shitur, sepse, në çdo fund jave, i vinte djali në shtëpi, nga qyteti, dhe atij i duheshin pak para për ushqim, për libra fletore e veshmbathje, edhe pse gjithmonë pothuajse ia blinte të vjetra.

Tash edhe ditëve të premte ( që ishte edhe ditë tregu) nuk shkonte për çdo javë, shkonte në çdo dy apo tri javë, ashtu si i kishte mundësitë, ashtu si arrinte të bëjë gati numrin e caktuar të nallaneve, që duhej t’i dërgonte te pronari, për të marrë parat, aq sa i takonin për t’ia dhënë në fillim javë djalit për shkollë.

Ditëve të tregut takoheshin edhe me të afërmit, bisedonin dhe bënin edhe vizita te njëri tjetri nga një, apo më shumë net, ngase ishin pothuajse në gjysmë të rrugës.

Zamiri një të premte u takua me nipin e madh të tij, Ramazanin. Pasi ndërruan disa fjalë dhe cigaret, Ramazani i thotë:

  – Dajko, ti sonte ki me ardhë te na pa çare, se qe ni kohë t’gatë nuk je kanë, dhe motra jote a mërzit.

          Ndërsa Zamiri i shpjegonte se,  nuk kam kohë, kam punët e mia, pa i treguar shkakun pse nuk donte të shkonte, nipi i tij kishte ngul këmbë që të shkojë dhe në fund ia kishte hedhur krahun në qafë dhe insistonte që me çdo kusht të shkonte tek ai. Por, për një moment, Zamiri kishte filluar t’i bërtas nipit të tij duke i lëvizur edhe krahët që të shkëputet prej tij. Dhe po të mos largohej Ramazani pak, do ta godiste. Dhe deri sa lëvizte krahët i  thoshte:

          -“Ik, ik m’lsho, mos m’prek e mos m’ thuj  t’vi e t’rri. Djali m’vjen nesër n’shpi  prej shkolle, duhet me i  dhanë  pare për n’i javë, e unë nuk e kam ba  mallin gati, nuk kam mujtë  ketë javë t’ bajë  sa duhet nallane, ai vjen e unë nuk kam me i dhanë pare. M’duhet t’punojë këto di (2) ditë edhe natën, që bile t’i bajë gjimsën (gjysmën) e pareve. Ik , ik, ik,  se nuk vi”.   

          Ashtu duke i bërë lëvizjet ende me dorë dhe duke folur ishte larguar paksa i hidhëruar me nipin.

Nipi i tij e njihte si njeri të qetë të urtë, dhe jo vetëm ai, dhe i tillë ishte.

Ramazani mbeti i habitur dhe i shtangur nga sjelljet e tilla, nuk e kishte parë asnjëherë kështu dajën Zamir. Çka e kishte gjetur, as ky nuk mund ta kuptonte në këtë moment.

Zamiri nën psikozën e mungesës së parave, në luftë me vetveten që nuk kishte arritur të bëjë gati parat për shkollë, nën frikën se do t’i mbetej djali në shtëpi pa e kryer shkollën, kishte dal nga qenia e tij, kishte shpërthyer pa vetëdije kundër nipit të vet duke harruar se rreth e përqark tij kishte shumë njerëz. Ramazani paksa i zemëruar e kishte lenë të qetë, nuk i kishte folur më dhe ishte nisur kah shtëpia e tij.

Ndërsa Zamiri këtë herë kthehet më herët se herëve tjera nga tregu Rrugës për në shtëpi e mbante një shpresë se do t’ia dalë ta shkollojë djalin e madh dhe një buzëqeshje e hollë,  që vetëm ai e ndjeu, iu shfaq në buzë.

 

Janar 2014

Ismet Tafili

 

(u botua ne 2lonline.com,  )

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch