Home » Lajme, Ndërkombëtare » Dy maturantë nga Zvicra ndihmojnë fëmijët në Shqipëri

Dy maturantë nga Zvicra ndihmojnë fëmijët në Shqipëri

Gjatë qëndrimit të tyre dy javor në Shqipëri, Imer Pnishi dhe Sovran Shala kishin parë nga afër kushtet e vështira nëpër shkollat e zonës së Mirditës.

Dy maturantë shqiptarë nga Kosova në Zvicër, Imer Pnishi dhe Sovran Shala kanë zgjedhur një temë pak më ndryshe dhe shumë më  interesante për temën e tyre të maturës në përfundim të gjimnazit në Baden..

Të prekur nga gjendja e mjerueshme e arsimit në Shqipëri, maturantët shqiptarë në Zvicër në temën e tyre të diplomës krahasojnë kushtet nëpër shkollat e një rajoni malor të Shqipërisë me ato të Tiranës.

Përveq kësaj,  dy maturantët shqiptarë për të ndihmuar shkollat në disa zona të Shqipërisë  do të organizojnë edhe një aksion humanitar për të mbledhur fonde në një eveniment bamirësie që do të mbahet më 28 qershor në shkollën  e tyre në Baden.

Përgatitjen tashmë janë bërë. Një grup i valltarëve “Shota” do të jetë i pranishëm në këtë ngjarje humanitare , thonë organizatorët.

Por, pse kanë zgjedhur Shqipërinë, kur edhe Imeri dhe Sovrani vijnë nga Kosova?

Askund nuk ka dallim më të madh ndërmjet të varfërve  dhe të pasurve sesa  në Shqipëri, thonë ata.

Në fokus të studimit të tyre të maturës  është zona e Mirditës në Shqipëri, ku procesi arsimor zhvillohet në kushte të vështira.

“Qytetet e mëdha si Shkodra, Durrësi ose Tirana kanë ndryshuar shumë për 20 vite, dhe kan ec shumë  përpara. Por  në zonën e Mirditës, ku në shumë vendë  ska as rrugë, as rrymë e as ujë. Njerëzit atje jetojnë sikur me një botë të panjohur për në.  Shumë fëmijë ndërpresin shkollimin dhe numri  i analfabetëve po rritet vazhdimisht”, thonë dy maturantët shqiptarë në një bashkëbisedim për albinfo.ch.

Dy të  rinjtë, njëri i lindur në Kosovë e tjetri në Zvicër në realizimin e projektit të tyre kishin gjetur mbështetjen edhe të organizatës “Projekt Albanien”,  e cila punon mbi 20 vite në këtë zonë.

Zef Shtinja nga  organizata “Projekt Albanien” kishte shëtitur dy të rinjtë maturantë nga Zvicra nëpër familje të varfra që jetojnë gjendje  të vështirë në këtë zonë të prapambetur të Shqipërisë.

Nga vizita e tyre në Shqipëri dy manturantët kishin mësuar se shkollat në këtë pjesë janë  në gjendje të mjerueshme në krahasim me  ato të qyteteve të mëdha.

“ Nxënësit bëjnë rrugë të gjatë më shumë se 1 orë për të shkuar në shkollë. Shkollat nuk kanë as nxehje e as drita.  Mungojnë pajisjet elementare  për  zhvillimin normal të mësimit . Në Malaj  shkolla është para mbylljes madje mungojnë edhe tualete për nxënësit”.

Janë këto përshtypje e para nga Shqipëria të dy maturantëve shqiptarë nga Zvicra .

Imeri dhe Sovran ishin për herë të parë në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit të tyre dy javor në Shqipëri kishin parë nga afër sesi shkollohen moshatarët e tyre nëpër shkollat e Shqipërisë.

Imeri dhe Sovrani gjatë verës do ta vizitojnë sërish Shqipërinë por këtë herë jo për inspektimin e shkollave por për rregullimin e tualeteve në një shkollë në  Malaj.

Megjithatë problemet në Mirditë nuk janë vetëm shkollat.

“Edukimi gjithashtu  tregon se në çfarë  pozite gjendet  gruaja në këtë zonë. Shumicës së grave  nuk u lejohet shkollimi e as punësimi. Dhe pa edukim nuk ka mundësi t’i  gëzojnë të drejtat e tyre. Përfundimisht edukim i mirë është zgjidhja e shumë problemeve”, thotë Imeri.

Dy maturantët shqiptarë në Zvicër, Imeri dhe Sovrani janë optimist se projekti i tyre për të ndihmuar nxënësit në Shqipëri do të jetë i suksesshëm.

“Projekt Albanien” sipas tyre i ka ndihmuar dhe sot ndihmon në Mirëditë të Shqipërisë duke realizuar shumë projekte që e kanë bërë më të lehtë e jetën e banorëve të  kësaj zone.

Sovran Shala  është 21 vjeç,  ka lindur në Mushtisht të Kosovës . Jeton në Spreitenbach të Zvicrës. Ai planifikon pas gjimnazit të studiojë juridikun.

“Edukimi të ndryshon dhe të jep mundësi  të arrish diçka. Unë dëshiroj që e rinia e Mirditës të jetë në gjendje të vendos dhe të ndryshojë mentalitetin në atë zonë”, thotë Shala.

Imer Pnishi, 19 vjeç, kam lindur ne Baden të Cyrihut dhe jeton në Berikon. Vjen nga  komuna e Gjakovës. Pas gjimnazit ai planifikon të studijojë psikologjinë.

“Këtë projekt e kam mbështetur gase dëshiroj që  fëmijët të gëzojnë një edukim të mirë si une që e kisha si fëmijë. Me një  edukim të mirë, kemi  shumë dyer të hapura për të ardhmen”, thotë Pnishi.

Për të qenë projekti i tyre humanitar i suksesshëm, Imeri dhe Sovrani kanë lansuar edhe një portal, ku mund të ndihmohen me donacione  nxënësit e Mirditës në Shqipëri.

http://sovmer.wix.com/bildungalbanien

Sevdail Tahiri
/albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch