Home » Lajme, Ndërkombëtare » Dy shqiptarë dhe një zviceran marrin çmimin “Prix Courage” për guxim

Dy shqiptarë dhe një zviceran marrin çmimin “Prix Courage” për guxim

Në mesin e kandidatëve për këtë çmim ka qenë edhe Hysen Tahiri i cili kishte shpëtuar një grua duke e nxjerrë nga automobili që po digjej

Beobachter.ch: Fituesit e çmimit: Dines Xhaferi, Ramon Amrhein dhe Shqiprim Olluri

Tre tinejxherët: Shqiprim Olluri dhe Dines Xhaferi nga fshati Badasingen i Thurgaut dhe Ramon Amrhein nga Pfäfikoni i Cyrihut, kanë fituar çmimin e lartë për guximin dhe vetëmohimin e treguar duke i shpëtuar jetën një babai 46 vjeçar të dy fëmijëve, i cili po mbytej në ujët e lumit Rajna në Diesenhofen.

Çmimet i ka ndarë deputetja e SP-së në Dhomën e kantoneve të Parlamentit të Zvicrës, dhe ish kryetare e parlamentit, Pascale Bruderer.

 

“Ndërkohë që të tjerët bënin sehir dhe nuk ndërmerrnin asgjë, Shqiprimi, Ramoni dhe Dinesi vepruan për të shpëtuar një jetë njeriu. Këta tre të rinj kanë merituar çmimin “Prix Courage”. Ata i japin një fytyrë rinisë së përgjegjshme dhe të gatshme për ndihmë. Një fytyrë që dallon aq shumë për të mirë, në krahasim me kryetitujt negativë, që tepër shpesh u kushtohen të rinjve” ka thënë Bruderer në cilësinë e kryetares së jurisë.

 

Tre të rinjtë, bashkë me çmimin fitojnë 25 mijë franga. Ndërsa çmimi i publikut në këtë solemnitet i është ndarë 95 vjeçarit Rolf Sigg, i cili 30 vjet më parë kishte themeluar organizatën “Exit”. Ky çmim ka vlerën 10 mijë franga.

Në mesin e kandidatëve në rrethin e ngushtë për çmimin “Prix Courage” ka qenë edhe shqiptari tjetër, taksisti nga Biel-Bienne Hysen Tahiri. Ai kishte shpëtuar një grua duke e nxjerrë nga automobili që po digjej në autostradë.

 

Dinesi e Shqiprimi 15 vjeçarë dhe Ramon 16 vjeç, ishin takuar në një paradite të nxehtë të gushtit të vitit 2011 për të kërcyer nga ura 8 metra e lartë mbi Rajnë, që bashkon Diesenhofenin e Zvicrës me Gailingenin gjerman. Pasi kishin dëgjuan një klithje nga lumi, ata kishin parë një notues, të cilin, e kishte kapur paniku nga një ngërç që kishte përjetuar.

 

Pa pritur asnjë sekondë, Ramon dhe Dines kërcejnë menjëherë në ujërat e lumit për të ndihmuar njeriun që po mbytej. Ata dy së bashku ia dolën që ta tërheqin rreth 20 metra drejt bregut, kundër rrjedhës së lumit, gjermanin 46 vjeçar. Në breg ata i priste Shqiprim Olluri i cili ndërkohë kishte alarmuar shpëtimtarët për ta nxjerrë të shpëtuarin në breg./albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch