Sipas njoftimeve, një tërmet prej 2,4 shkallë sipas Rihterit sot pasdite është regjistruar në Shkup dhe në rrethinë. Edhe një tërmet tjetër është regjistruar në mesditë .
Pas një qetësie disa ditore, dy tërmete me intensitet të ulët e kanë goditur sërish kryeqytetin e Maqedonisë-Shkupin. Sipas njoftimeve, një tërmet me magnitudë prej 2,4 shkallë sipas Rihterit sot pasdite në orën 15:56 minuta është regjistruar në Shkup dhe në rrethinë.
Observatori sizmologjik pranë Fakultetit natyror-matematikor në Shkup informoi se epiqendra ka qenë në pjesën lindore të rajonit të Shkupit. Por, gjithashtu në orën 13 e 20 ishte regjistruar tërmet me magnitudë prej 1.9 ballësh sipas shkallës së Rihterit.
Këto dy tërmete të ditës së sotme vijnë pas disa lëkundjeve që ndodhën javën e shkuar. Tërmeti më i fuqishëm i këtyre ditëve ishte 4.4 shkallë të Rihterit, që u regjistrua me 11 shtator. Ky tërmet shkaktoi panik të madh tek qytetarët, një nunër i të cilësve kanë fjetur nën tenda nga frika se po përsëritet viti 1963.
Ndryshe, rajoni i Maqedonisë, Kosovës dhe një pjesë e Serbisë së Jugut janë të rrezikuara nga dridhjet e tokës. Në Shkup, disa qytetarë të moshuar akoma e kanë të freskët tërmetin tragjik që ndodhi në vitin 1963, i cili la të vdekur më shumë se 1000 persona, ndërsa u lënduan 3.000 të tjerë.
Atëbotë nga tërmeti u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. Nga tragjedia e Shkupit u trondit dhe u angazhua e gjithë bota.