Home » Opinione » Dyfytyrësia e Serbisë, naiviteti i Kosovës dhe tragjedia e Luginës së Preshevës

Dyfytyrësia e Serbisë, naiviteti i Kosovës dhe tragjedia e Luginës së Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni
Serbia është duke vepruar në dy binarë, ose më mirë me thënë, ka dy fytyra. Njërën fytyrë, atë të “qengjit” e paraqet në raport me ndërkombëtarët dhe me BE-në, kinse është duke insistuar për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e serbëve në Kosovë, “sipas standardeve europiane”.  Mirëpo, ato standarde nuk i aplikon, bile as që lejon që të njejtët të vlejnë edhe për shqiptarët në Serbi, e sidomos në Luginë të Preshevës, në raport  me të cilët ajo paraqitet  me fytyrën e “ujkut”.

Ndërkaq, pala kosovare sillet me inferioritet të pashpjegueshëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj serbëve të Kosovës. Kjo aq më tepër na duket disi e  çuditëshme, meqë dialogun me Serbinë në Bruksel janë duke e udhëhequr pikërisht ata të cilët pretendojnë se ishin “çlirimtarët” e Kosovës. Madje, kjo ndodhë duke i harruar plotësisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikur ata të mos ekzistonin fare!

Natyrisht se qasja e tillë nuk i sjellë asgjë të mirë as Kosovës, meqë qasja problemit kombëtar të shqiptarve është fund e krye e gabuar. Sepse, nuk kanë vendosur raport normal midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke mos aplikuar parimin e reciprocitetit midis tyre. Sepse, pyesim ne, vallë, a thua serbi vlen më shumë se shqiptari? A thua shqiptarët janë qytetarë të rendit të dytë? Kurse serbët na qenkan  popull “qiellorë”? Me cilën formulë politike Thaçi dhe Daçiqi e  filluan  Dialogun e  Brukselit? Duke diskriminuar shqiptarët e Luginës dhe duke aplikuar standard “sui generis” për sebët e Kosovës?

Pra, pyetjet janë të pafund, ashtu si dhe trishtimi i kësaj pjese të Shqiptarisë. Kjo aq më parë, nga se kryenegociatori I Kosovës, z. Hashim Thaçi pati deklaruar me pompozitet para foltores së Parlamentit  të Kosovës,  se “Kosova do të jetë gardian për të gjithë shqiptarët në ish Jugosllavi”. A thua  ai këtë e deklaroi sa për ta shtypur opozitën, duke bërë gara se kush po bën deklarata më pompoze dhe më të papërgjegjëshme, apo kishte sadopak sinqeritet në deklaratat e tilla?

Mjerisht, realiteti i hidhur në Luginë na e dëshmon se asgjë nga këto fjalë nuk u realizua. Tani këta shqiptarë të mjerë, të cilët Kryeministri i Kosovës nuk e pa të denjë që së paku t’i thërrasë dhe t’i informoj se çka është duke u biseduar në Bruksel dhe cila është perspektiva dhe fati i Luginës së Preshevës. A janë duke u përmendur edhe këta shqiptarë të shkretë, apo Zoti ua ka mbyllur sytë dhe vetëm serbët i shohin para vetes si problem që kërkon zgjidhje?

Ndoshta pala kosovare ka menduar se ata e fituan lirinë dhe tani u duhet qetësi, paqë e mirëqenie, prandaj, këta “shqiptarë të Serbisë” nuk duhet t’ua prishin terezinë? Dikush me siguri ka kalkuluar se është në pushtet me votat e kosovarëve dhe vetëm atyre u përgjigjet dhe nuk ndien kurrëfarë obligimi ndaj askujt tjetër.

Por, mendojmë se, megjithatë, “harresa” e Kosovës zyrtare ndaj shqiptarve të Luginës zor se mund t’i sjellë rehati e qetësi edhe vet Kosovës. Sepse, poqese nuk e kushtëzon me asgjë Serbinë, Kosova nuk mund t’ia dal me kërkesat e pangopura dhe të pafund të serbëve të Kosovës dhe të Serbisë. Përkundrazi!
Vendimi i Qeverisë së Serbisë për të themeluar “institucione të përkohëshme vetëqeverisëse” në Kosovë është konform Kushtetutës së Republikës së Serbisë, meqë Serbia akoma e trajton Kosovën  si pjesë të sovranitetit territorial të saj!
Pra, me zgjedhjet e datës 3.11.2013 Serbia synon që Kosovën edhe formalisht, në mënyrë “të butë”,  ta inkuadroj në sistemin kushtetues të Serbisë, duke e bërë pjesë të pandarë të saj.
Ky do të ishte triumfi serbë i shekullit XXI, duke i kthyer humbjet e Hitlerit serb, Sllobodan Millosheviqit në fitore të saja në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Prandaj edhe si kryenegociator i palës serbe është caktuar pasuesi i Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq, përkundër faktit se është forcë e tretë politike, minore në Serbi, me reth 17% të votave të fituara nga elektorati i Serbisë.
Por, këtu nuk përfundon “magjia” e shndërrimit të “ujkut” në “qengj” në politikën serbe, që i ka “magjepsur” ndërkombëtarët, në rend të parë Komisioneren e lartë të BE-së, Baroneshën Catherine Ashton, si dhe disa shqiptarë të Kosovës, e sidomos politikën zyrtare të saj, duke pohuar se më në fund “serbët do të integrohen në sistemin kushtetues të Kosovës, duke pranuar sovranitetin e saj”, paçka se kriminelët dhe mafiozët e deridjeshëm i legalizon dhe i “futë në rendin kushtetues e ligjor të Kosovës”, duke legalizuar dhe legjitimuar bashkë me ta edhe krimin e organizuar dhe kriminelët.
Ndoshta këtu duhet gjetur sqarimin e kësaj “mrekullie” që edhe partia e deridjeshme dhe shokët politikë të Vojisllav Sheshelit, SNS-i janë duke e mbështetur këtë projekt, duke e shpallur si “plan patriotik serb”, që mundëson që Serbia atë që e humbi në luftën e vitit 1999, ta kthej në paqe, në tavolinën e bisedimeve, apo si po quhet zyrtarisht në “Dialogun e Brukselit”.

Kështu, nga pala kosovare në krye të bisedimeve janë “çlirimtarët” e Kosovës, ashtu si nga pala serbe janë ata që “okupuan” Kosovën, dmth. patriotët dhe shpëtimtarët e Kosovës dhe  ata të Serbisë, duke mos na sqaruar se si është e mundur kjo punë.
Ata që sadopak merren vesh nga politika, nuk e kanë shumë të vështirë ta “sqarojnë” këtë “mrekulli të patriotizmit serbo-shqiptarë” që po ndodhë aktualisht, si në kohën e “vëllazërim-bashkimit”,dmth. në kohën e Titos, që aq shumë e kishin kritikuar dikur “patriotët” e tillë, duke përfituar në atë mënyrë me marrjen dhe pastaj edhe uzurpimin e pushtetit.  Por, tani ky “patriotizëm” na është “modernizuar” dhe “europianizuar” dhe na shitet jo më me pushkë , por me kollare dhe me luksin europian, në fotelet e buta dhe sallonet e bukura të Brukselit.
Dhe derisa qeveritarët e Kosovës bëjnë përpjekje dhe koncesione aq të mëdha, sa që i mbyllin sytë para mospranimit të sovranitetit dhe rendit kushtetues nga serbët e Kosovës, nuk tregon as interesimin dhe kujdesin minimal ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke i lënë ata nën mëshirën dhe arrogancën e Serbisë. Daçiqi i ka ftuar ata në Beograd, ditën e enjte, më 10 tetor 2013 për t’ua kumtuar detyrimin mbi ndryshimin e flamurit kombëtar të shqiptarve, Regjistrimin e jashtëzakonshëm të shqiptarve të Luginës, ku pretendohet që reth 30.000 shqiptarë të shlyhen nga evidenca si banorë të vendlindjes së tyre stërgjyshore, ku i kanë shtëpitë, pronat, vatanin dhe farefisin, etj.

Shqiptarë e Luginës do të shkojnë në Beograd pa kurrëfarë konsultimi paraprak as me Kosovën e as me Shqipërinë zyrtare. Bile, ata nuk kanë mbajtur asnjë takim të përbashkët midis veti, me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve, që kos të del se do të veprojnë atje të çakorduar, duke i mëshuar “njëri thumbit e tjetri patkoit”!
Zyrtarët kosovarë mundohen ta shesin mosinteresimin e tyre për gjendjen dhe fatin e shqiptarve të Luginës së Preshevës para opinionit shqiptarë si “domosdoshmëri” dhe “europianizëm”, kurse shqiptarët e Luginës po e përjetojnë këtë tepër rëndë, si mospërfillje, zhgënjim dhe tragjedi kombëtare, duke u ndjerë krejtësisht të harruar dhe të tradhëtuar nga “Kosova nënë”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch