Home » Lajme, Vendore » E ardhmja e Luginës në duart e liderëve – Mustafa pesimist nga takimi me Daçiqin

E ardhmja e Luginës në duart e liderëve – Mustafa pesimist nga takimi me Daçiqin

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka qenë shumë më i prerë në qëndrimet e tij për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginë.

“Nëse doni të integroheni në Serbi urdhëroni bisedojmë dhe zgjidhim problemet, nëse nuk doni atëherë rrugën e keni të hapur dhe bëni çfarë të doni”, është shprehur Daçiq brenda takimit.
Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës pas takimit ka deklaruar se Daçiq ishte i gatshëm t’i dëgjonte kërkesat por për zgjidhjen e tyre ka kushtëzime.
Mustafa nuk është optimist se gjërat mundë të ndryshojnë në të mirën e qytetarëve të Luginës.
Ndërsa në anën tjetër Riza Halimi, deputet popullor në Serbi shpreson se takimi i sotëm ishte më frytdhënës dhe sipas tij nuk është tentuar gjatë takimit që të shtrohet kërkesa që pakica shqiptare në Serbi të fitojë të njëjtat të drejta që kanë serbët në veri të Kosovës, transmeton rtv presheva.
Gjatë kësaj bisede intensive që zgjati më shumë se 1 orë e gjysmë është shprehur mbështetja e qeverisë së Serbisë se do të zgjidhen problemet e shqiptarëve në 13 ministrit që funksionojnë brenda qeverisë së Serbisë dhe se në tetor pritet që do të kenë takimin e parë me ministren e shëndetësisë së Serbisë Slavica Gjukiq Dejanoviq ku do të diskutohen problemet shëndetësore.
Shefi i Trupit Koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc Zoran Stankoviq i ka thënë gazetarëve se janë marrë vesh që delegacioni i shqiptarëve çdo tre muaj të takohet me kryeministrin dhe t’i diskutojnë problemet.
Takimit të sotëm i ka paraprirë takimi i djeshëm me kryeministrinë e Kosovës nga ku përfaqësuesit politik shqiptar të Luginës kanë marrë mbështetje për heqjen e taksës administrative për qarkullim të lirë të njerëzve dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme që ka popullata shqiptare në këtë rajon.
Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa,nuk i beson fjalëve të kryeministrit Serb, Ivica Daçiq pasi sipas tij kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në drejtim të Beogradit zyrtar, janë adresuar për vite me radhë.

“Përderisa nuk kemi një zgjidhje konkrete, nuk kemi edhe shumë shpresë se do të ketë zgjidhje të problemeve të shqiptarëve të Luginës. Kjo Serbi, nuk është e ditëve të sodit, sepse këto tema është dashur që të zgjidhen qysh prej vitit 2001, me mbarimin e luftës në Luginë të Preshevës. Kanë kaluar përlot 12 vite, dhe nuk ka ndonjë përparim në drejtim të zgjidhjes së problemeve, e në radhë të parë të identitetit kombëtar”,ka thënë Mustafa.

Kryetari i Preshevës ka theksuar se Dacici takimet do ti shfrytëzoj për arsye politike, në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare, të krijoj bindjen kinse është i gatshëm që të bisedojë me shqiptarët e Luginës. Ndërkaq, heqjen e taksës doganore nga Qeveria e Kosovës për banorët e Luginës së Preshevës, Mustafa e ka quajtur një akt të duhur, dhe kjo sipas tij, është e kuptueshme sepse ekzekutivi kosovar, është zotuar se do të kujdeset për shqiptarët e asaj pjese.
Ish lideri politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, i cili ishte pjesë e delegacionit të Luginës së Preshevës në Beograd, në takimin e djeshëm me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, ka thënë se ky i fundit nuk është i interesuar t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve të Luginës.
Musliu tha për gazetën Epoka e Re se Daçiqi gjatë takimit e ka kërcënuar atë, pasi ky ka kërkuar me ngulm zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të Luginës.

“Daçiqi e humbi kontrollin dhe kaloi në fazën e Millosheviqit. Ai më tha se ka forcë. Unë ia bëra me dije se, edhe pse jam në Qeverinë e Serbisë dhe në Beograd, mund të më arrestosh, por assesi të më frikësosh”, ka deklaruar Musliu, duke shtuar se pa praninë dhe monitorimin e ndërkombëtarëve takimet me Daçiqin nuk mund të kenë sukses.

/RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch