Home » Lajme, Vendore » E kemi ditur që shqiptarët e gjallë e pengojnë Daçiçin, po nuk e kemi ditur se edhe emrat e të vdekurve e irritojnë aq shumë

E kemi ditur që shqiptarët e gjallë e pengojnë Daçiçin, po nuk e kemi ditur se edhe emrat e të vdekurve e irritojnë aq shumë

Se Daçiçi ka mbetur prapa në mesjetë  e tregon edhe ky prononcim i tij plot urrejtje kundër qytetarëve me përkatësi tjetër kombëtare e posaçërisht ndaj shqiptarëve. As edhe librat e krishterë  as  edhe asnjë libër fetar në botë nuk shkruajnë se një popull duhet të jetë rob i një populli tjetër, nuk shkruajnë se një popull duhet ta urrejë një tjetër  dhe se shenjat kombëtare e fetare duhet shkatërruar, veç pse në momente të caktuara  historike gjendet i administruar nga pushteti i një populli tjetër, aq më keq, kur  sot në këtë zhvillim të demokracisë,  që aq shumë thirret pushteti serbë e  Daçiçi.

 

Kjo urrejtje, kjo deklaratë ku shprehet ndalimi i  shprehjes së lirë qoftë ai  edhe me ndalimin dhe rrënimin e busteve, përmendoreve e shenjave tjera të qytetarëve, grupeve qytetarësh apo të një populli, është e dënueshme dhe e ndaluar edhe  me konventa ndërkombëtare, nënshkruese  e të cilave është edhe vet Serbia.

Sipas tij ky lapidar me emra të ushtarëve të rënë të UÇPMB-së në tokat shqiptare, tokat  e stërgjyshërve, gjyshërve e baballarëve tanë qenka provokim. Shtrohet pyetja: kënd po e provokon ky lapidar në Preshevë, në vendin ku janë duke jetuar shqiptarët?

Nëse është provokim vendosja e një lapidari me emra të të vdekurve, çka është, vrasja e shqiptarëve nga ana e strukturave kriminale serbe në Veriun e Kosovës pas përfundimit të luftës (1989/99), vendosja e hedhja e bombave në shtëpitë  e shqiptarëve, djegia e pikave kufitare, vendosja e barrikadave dhe pengesa e lëvizjes së lirë, të shtënat e përçdoditshme,  shpërthimi granatave me qëllim frikësimi i shqiptarëve në pjesën  veriore të Kosovës etj etj.  Nuk qenkan provokime këto!? Natyrisht, nuk janë vetëm provokime, por janë edhe krime.

Po  sa e sa lapidar e përmendore serbe janë të ndërtuara në Kosovë e në tokat shqiptare? Ato jo vetëm që nuk janë dëmtuar  po edhe janë ruajtur  nga vet shqiptarët.

Të gjithë e dimë, e dinë edhe bashkësia ndërkombëtare se dje Kosova ishte  robëruar nga Ju (Millosheviqa e Daçiqa), por sot  me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, drejtësia  deri diku erdhi në vend, dhe do të vijë koha, sigurisht që edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja, toka shqiptare të okupuara në vitin 1878 e 1912 do të jenë të lira, do t’i rikthehen Kosovës ashtu siç ka qenë gjithmonë që nga koha Pellazge, Ilire e Shqiptare. Do të vijë koha, që vërtetë  do të vendoset drejtësia për të gjithë shqiptarët kudo që janë duke jetuar.

Se, me forcë,  mund ta pengojë shprehjen e lirë të shqiptarëve në Kosovën Lindore, se mund t’i shtyp edhe më tutje shqiptarët ashtu siç është duke e ndodhur sot, se mund të rrënojë përmendoret, se edhe mund të dëmtojë nesër edhe objektet fetare të shqiptarëve Daçiçi, nuk kemi dyshim, sepse është pasardhësi i denjë i Millosheviqit i cili  e dimë se çka bëri në tokat e popujve të ish Jugosllavisë, deri sa e futën në burgun e Hagës.

Përveç terash Daçiçi deklaron: “Nëse vendosim pllaka përkujtimore duke i respektuar ata të cilët vranë policë dhe ushtarë në jug të Serbisë atëherë le të themi se ai territor nuk është pjesë e Serbisë”. Ne nuk kemi asnjë dilemë se Presheva apo Medvegja janë pjesë e Serbisë, por nëse bashkësia ndërkombëtare ka atëherë le të përgjigjet. Mos të thuhet mandej se është përdorur forcë e tepruar, pasi heqja e pllakës mund të na çojë deri te probleme të caktuara të sigurisë”.

Po, çka mund të thotë Serbia  për Kosovën, kur në luftën e fundit në Kosovë (1989/99) vrau  15000 shqiptarë,  zhduku 3000 e më shumë të pafajshëm, dogji mbi 120000 shtëpi, dhunoi mbi 20000 gra e largoi afër 1000000 shqiptarë nga Kosova.

Sipas logjikës së Daçiçit, nëse shqiptarët nuk kanë çka të kërkojnë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, çka  po kërkon atëherë ai në Kosovë pas kaq vrasjeve, shkatërrimeve, dhunimeve e dëbimeve të shqiptarëve që i ka bërë dje?!

Këto deklarime dhe eventualisht veprimet negative të tij në dëm të shqiptarëve nesër,  nuk i bënë nderë askujt e më së paku serbëve e posaçërisht të rinjve, të cilët sot e  nesër, për shkak hapësirës gjeografike në të cilën jetojmë, nuk mund të ikin nga shtëpitë e pronat në të cilat janë duke jetuar.

23. 11. 2012, SHSHKL “VATRA”

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch