Home » Lajme » Edhe presidentit Thaçi i konfirmohet aktakuaza, jep dorëheqje nga posti i presidentit

Edhe presidentit Thaçi i konfirmohet aktakuaza, jep dorëheqje nga posti i presidentit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një konferencë për media ka bërë të ditur se sot i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent se gjyqtari i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Janë këto momente të vështira për mua dhe familjen time dhe për juve që më keni mbështetur për këto tri dekada në kuadër të përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Ai ka bërë të ditur se do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment do të jetë në dispozicion të drejtësisë.

“Duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë. Prandaj, sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos humbni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada. Kemi fituar lirinë, pavarësinë dhe tani po ndërtojmë dhe zhvillojmë vendin tonë”, ka shtuar Thaçi.

Ai tutje ka theksuar se aktakuza kundër tij dhe bashkëluftëtarëve të tij është çmim i vogël i radhës që kërkohet ta paguajnë për lirinë e vendit dhe popullit tonë.

“Shumë lehtë sikur edhe të tjerët kam mundur të mos jem fare këtu sot në këtë botë, sikur edhe mijëra bashkëkombës tonë që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Unë jam me fat që jam gjallë dhe kam parë me sytë e mi dhe e kam përjetuar ëndrrën tonë shekullore duke u bërë realitet. Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së, vlerës më sublime të kombit shqiptar. Jam krenar që së bashku me Bashkësinë Ndërkombëtare, me aleatët tanë me NATO-n kemi luftuar regjimin gjenocidial të Millosheviqit dhe që bashkërisht e kemi fituar lirinë”, ka deklaruar tutje presidenti.

Ai tutje ka ftuar për tolerancë, bashkëjetesë dhe unitet politik në vend. “Fitorja jonë e përbashkët gjithmonë ka nënkuptuar edhe përgjegjësi. Prandaj, menjëherë kemi qenë të përkushtuar për shtetndërtim dhe pajtim ndëretnik. Vetëm toleranca, respekti dhe bashkëjetesa janë ato që e çojnë vendin dhe shoqërinë tonë përpara. Jemi popull liridashës, por jo popull hakmarrës. Prandaj, asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima, Serbia ka qenë agresori, andaj kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar në vend dhe duke thelluar bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare. Të dashur qytetarë, ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet e bashkim. Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë. Suksesi ynë është Kosova e lirë, shtet i gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnik. Jemi shtet demokratik dhe shoqëri ku sundon ligji dhe drejtësia. Kosova është storie e suksesit, e suksesit qytetar e institucioneve të vendit por edhe e përkushtimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkësinë Ndërkombëtare. Duhet ta ruajmë besimin në dialog të brendshëm, në dialog ndërfqinjësor dhe në paqe në rajon”, është shprehur Thaçi.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në konferencën për media ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga ky post pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

“Ashtu siç kam premtuar nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit dhe popullit të Kosovës dhe duke respektuar edhe partneritetin me Bashkësinë Ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se ndihet shumë krenar me përgjegjësitë që ka bartur në këto tri dekada në pozicione, kapacitete dhe përgjegjësi të ndryshme institucionale të besuara nga vullneti i votës së lirë të qytetarëve të Kosovës, teksa ka ftuar partitë politike për maturi dhe unitet.

“Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha. Të qëndrojmë të bashkuar e të mos lejojmë të thellohemi në kriza kushtetuese apo institucionale. Të vëmë interesat e shtetit mbi ato personale dhe ato partiake. Vendi dhe shoqëria jonë nuk ka kohë për të humbur, prandaj ftoj dhe lus që ta ruajmë orientimin atlantik të shtetit dhe shoqërisë sonë. Iu ftoj dhe ju lus që të besoni në shtetin e Kosovës dhe Kosovën e re e evropiane, në atë të rendit dhe ligjit, në Kosovën në NATO dhe raporte special e të përhershme me SHBA-në”, ka nënvizuar Thaçi.

Ai shprehu mirënjohje dhe falënderim për miqtë ndërkombëtar, për siç tha rrugëtimin e përbashkët prej tri dekadash.

“Falënderim i përhershëm për SHBA-në, shtetet e BE-së dhe aleatëve tanë në tërë botën. Asnjë sfidë nuk do të mund të cenojë partneritetin e Kosovës me aleatët perëndimor, në rrugën tonë drejt vlerave atlantike. Të dashur qytetarë iu falënderoj për solidaritetin që keni treguar dhe mbështetjen në këtë periudhë kohore, por edhe ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të shmangni çdo lloj manifestimi publik, me motiv mbështetës apo protestues. Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por në ballafaqim të argumenteve. Iu falënderoj përulësisht për besimin që më keni dhënë. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe miqtë ndërkombëtar”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi menjëherë përfundimit të konferencës për media është paraqitur në zyrën e EULEX-it për procedurat administrative të parapara nga Gjykata Speciale.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch