Home » Lajme » Edhe veriu i Kosovës drejt zgjedhjeve lokale

Edhe veriu i Kosovës drejt zgjedhjeve lokale

Prishtinë, 22 qershor – Pajtueshmëria e përgjithshme për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen në vjeshtë edhe në veri të Kosovës (më 3 nëntor), e cila është arritur në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, ka nxitur reagimet e liderëve të serbëve të veriut të vendit dhe njohësve të zhvillimeve politike atje.

Sipas tyre, përderisa organizimi i këtyre zgjedhjeve në veri tashme është i sigurt, pikëpyetje mbetet nëse do të arrihet një klimë pozitive dhe gatishmëri e qytetarëve serbë atje për të marrë pjesë në zgjedhje.

Marko Jakshiq, një nga të ashtuquajturit lider i serbëve të veriut, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë tha se qytetarët serbë nuk do të pranojnë ta ndërrojnë shtetin dhe se shumica e tyre vështirë që mund ta ndryshojnë mendimin në këtë pikë.

“Marrë parasysh atë se si mendon populli, mendoj që vetëm një numër i vogël i serbëve do të paraqitet në ato zgjedhje. Mbase një numër i njerëzve do të blihen, do të thotë se do t’u ofrohen para për të dalë në zgjedhje. Por, në esencë, mendoj se shumica absolute e serbëve nuk do t’i përgjigjet, pavarësisht që Daçiq, Vuçiq dhe Thaçi janë marrë vesh që serbët të dalin në këto zgjedhje. Mendoj se ata nuk do t’i përgjigjen kësaj”, vlerësoi Jakshiq, i cili i përket partisë së Koshtunicës, që në Serbi tashmë nuk dihet se a mund të hyjë fare në parlament në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Por, ndryshe mendon njohësi i zhvillimeve politike nga Leposaviqi, Dragisha Kërstoviq. Ai tha se është fakt që atmosfera aktuale ndër serbë për pjesëmarrje në zgjedhjet që do t’i organizojnë institucionet e Kosovës, nuk është pozitive.

Por, sipas tij, qasja e serbëve pritet të ndryshojë deri në muajin tetor dhe kjo është e mundur nëse atyre u shpjegohet në esencë rëndësia e këtyre zgjedhjeve.

“Mendoj që tash për tash disa liderë politikë, që e kundërshtojnë në tërësi marrëveshjen e Brukselit, do të kenë ndikim dhe do ta mohojnë një disponim pozitiv për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe do të ndikojnë që deri te një gatishmëri e tillë të mos arrihet. Por, me kalimin e kohës, do të ketë interesim nga serbët e veriut që të dilet në ato zgjedhje, sepse do të kuptohet që çështja është e përfunduar në mënyrë definitive dhe se një gjë e tillë është në interesin e tyre”, theksoi Kërstoviq.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut, kohë më parë, në mbledhjen e kuvendeve të katër komunave paralele në veri, patën marrë vendim që asnjë prej tyre të mos kandidojë dhe të mos marrë pjesë në zgjedhjet që mund t’i organizojnë institucionet e Kosovës.

Jakshiq tha se ai personalisht mbetet pranë këtij vendimi, por, sipas tij, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe përfaqësuesit tjerë serbë. Kërstoviq, ndërkaq,  pret që vendimi kundërshtues ndaj zgjedhjeve i përfaqësuesve serbë, i cili kohë më parë është shprehur si vullnet politik, do të ndryshojë.

“Mendoj se në periudhën nga sot e deri në tetor, do të bëhen disa aktivitete politike në këtë drejtim dhe se do të arrihet deri te pikëpamja se dalja në këto zgjedhje është me interes”.

Ai shtoi se mbajtja e zgjedhjeve në veri do të ndikojë në mënyrë esenciale në ndryshimin pozitiv të gjendjes në atë pjesë të vendit, ku tash e më shumë se pesë vjet, që nga shpallja  e pavarësisë së Kosovës, institucionet e vendit nuk kanë arritur ta shtrijnë pushtetin dhe sovranitetin e plotë.

(KOHA)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch