Home » Lajme » Edi Rama: Dialogu vazhdon, Merkel e Macron do të angazhohen personalisht

Edi Rama: Dialogu vazhdon, Merkel e Macron do të angazhohen personalisht

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka parë Samitin e Berlinit që mblodhi liderët e Ballkanit dhe Bashkimit Evropian si një zhvillim pozitiv për shqiptarët.

“Mendoj që përkundër të gjitha atyre që kam parë të ziejnë në kazanet e Tiranës dhe Prishtinës, ky ka qenë një moment jashtëzakonisht pozitiv”.

“Ka pasë një rëndësi të veçantë për shqiptarët sepse është diskutuar gjerësisht për vënien në lëvizje me një ritëm të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Gjërat janë folur hapur dhe qëndrimet kanë qenë të qarta”.

“Në fund konkluzioni ka qenë shumë i qartë – presidenti francez (Emmanuel Macron) dhe kancelarja gjermane (Angela Merkel) angazhohen në vetë të parë në këtë proces me ekipet e tyre”.

Rama në një intervistë për Zona B të Klan Kosovës ka thënë se do të ketë një proces dialogu intensiv mes Kosovës dhe Serbisë dhe se i njëjti do të zhvillohet pa kushtëzime.

“Është vendosur një datë për ta rimarrë gjithë procesin pasi të bëhet një punë intensive dhe është përcaktuar qartë që dialogu do të zhvillohet pa kushte dhe pa paragjykime që është shumë e rëndësishme”.

Por, a i përmbushi Samiti i Berlinit pritjet e kryeministrit shqiptar?

“Unë personalisht nuk kam pritur asgjë më shumë, madje kam pritur më pak. Nuk e kam pritur që Gjermania dhe Franca dhe posaçërisht të dy liderët (Angela Merkel dhe Emmanuel Macron) do të tregonin gatishmërinë dhe do të angazhoheshin që të përfshihen vet në këtë proces”.

“Kjo është një gjë e re në proces – sigurisht që është një proces i BE-së – por tani më Gjermania dhe Franca janë pjesë e procesit dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch