Home » Lajme » Ekskluzive: Jonuz Musliu, lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik dhe kryetar i Asamblesë komunale në Bujanoc

Ekskluzive: Jonuz Musliu, lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik dhe kryetar i Asamblesë komunale në Bujanoc

KOLAPSI  POLITIK

 

 

Ngërçi politik që ka mbërthyer shqiptarët këndej e matanë kufirit me Shqipërinë, na jep me kuptuar se nuk i kemi punët mirë. Luginës së Preshevës, nuk i nevojiten këto zënka politike, në momentet kur proceset për zgjidhjen e problemeve nacionale janë në kulminacion. Kujtimi i dëshmorëve të kombit është një kulturë dhe një kujtesë për mos me harruar se në këto vise ka pasur luftë, është derdhur gjaku për liri, të cilën sado e vogël po e gëzojmë ne sot. Militarizimi i rajonit, ngritja e bazës ushtarake në Cepotin, afër Bujanocit dhe paraqitja e uniformave ushtarake nëpër rrugët e Luginës së Preshevës, jep të kuptoj se Lugina e Preshevës është një karantinë e forcave policoro-ushtarake. Çdo lëvizje që bëhet për kinse ndarje të Kosovës, ne jemi të gatshëm ta aktualizojmë verdiktin e popullit të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për bashkëngjitje me Kosovën.

 

 

Nga Bujanoci.net

 

 

Përvjetorët

* Zotëri Musliu, po e fillojmë këtë intervistë me pyetjen rreth organizimit dhe mbajtjes së manifestimi tashmë tradicional “Ditët e Komandant Lleshit”. Cili është opinioni i Juaj rreth këtij manifestimi?

 

Përvjetorët me dëshmorët e kombit, tashmë janë bërë tradicionale në Luginën e Preshevës. Epopeja e ish UÇPMB-së, solli ndryshime të reja në këtë rajon deri dje të përfshirë në flakët e luftës. Kujtimi për dëshmorët e luftës tashmë është bërë tradicional. Në këtë drejtim bëjnë pjesë edhe manifestimi tradicional “Ditët e Komandant Lleshit”. Ky manifestim fillon, më 23 maj dhe zgjat tre ditë. Në këto aktivitete marrin pjesë një numër i madh njerëzish, të cilët kujtojnë me devotshmëri veprën heroike të dëshmorëve tanë e në radhë të parë të Komandant Lleshit, alias Ridvan Qazimi, i cili ishte udhëheqës i negociatave për krijimin e paqes në Luginë. Pjesëmarrja në këto manifestime nuk është sikur në vitet e mëparshme, por megjithatë nuk është harruar gjaku i dëshmorë, të cilët dhanë më të shenjtën për këtë pak liri që gëzojmë ne sot.

* Si është statusi i sh pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe komandantëve të tyre, ku edhe Ju bënit pjesë si shef i shtabit politik të kësaj ushtrie?

– Kurrëfare. Në fillim u arrit një amnisti e cila asnjëherë nuk u respektua si duhet. Luftëtarët e lirisë lëre që nuk u integruan në jetën politike dhe ekonomike të vendit, por ata u arrestua, u burgosën për motive politike.

Me ndihën e OSBE-së filloi reforma në polici, por edhe këtu hasi sharra në gozhdë. Nuk ka përparim në zgjidhjen e statusit politik të ish ushtarëve të UÇPMB-së. Ata, mjerisht, janë kategoria më e rrezikuar e shoqërisë sonë.

* Si e komentoni lajmin e mirë për lirimin nga burgu të prijësit të luftës së ish UÇPMB-së komandant Shefket Musliu?

– Po ditën kur mbahej akademia përkujtimore kushtuar Ditëve të Komandant LLeshit, u lirua nga burgu i Dubravës, komandanti i UÇPMB-së Shefket Musliu. Komandanti suprem vuante dënimin e padrejtë të  shqiptuar nga një trup gjykues nderkombëtar (UNMIK), për shkak të akuzave absurde të  ngritura nga Serbia. Gjykata e UNMIK-ut e dënoi komandantin Shefket Musliu me 13 vjet heqje lirie, ndërkaq vitin e kaluar në një rigjykim atij i “zvoëglohet” dënimi, nga 13 ne 10 vjet. Lirimi I komandantit nga burgu është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për shqiptarët e Luginës.

 

Militarizimi

 

* Si e vlerësoni gjendjen politike në vend?

 

Gjendja politike dhe e sigurisë në vend nuk është e kënaqshme. Militarizimi i sërishëm i rajonit, ngritja e bazës ushtarake në Cepotin, afër Bujanocit dhe paraqitja e shumë uniformave nëpër rrugët e Luginës së Preshevës, jep të kuptoj se Lugina e Preshevës është një poligon strukturash policoro-ushtarake. Arrestimet dhe moszbardhja e shumë vrasjeve të ndodhura më herët, janë elemente, të cilat shqetësojnë jo vetëm subjektet politike, por edhe qytetarët në përgjithësi. Qarkullimi jo i lirë i qytetarëve në kufi me Kosovën, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, janë edhe një argument më shumë rreth shqetësimit të qytetarëve. Interesi i të gjithëve, që jetojnë në Luginë është krijimi i një ambienti të shëndoshë të sigurisë së qytetarëve, të cilët mjaft kanë pësuar në të kaluarën.

* Në çka më tepër ankohen qytetarët dhe nëse ankesat e tyre nuk zgjidhen për shkak kompetencave që ka pushteti lokal si priten ato në qarqe më të larta?

 

Armiku i përbashkët i të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në komunë tonë është varfëria. Kjo komunë dhe të tjerat si kjo që shtrihen në Luginë prej kohësh paraqesin vendet me një pazhvillueshmëri ekstreme. Në një vend si ky me një prapambeturi ekonomike, rritje të papunësisë dhe problemeve të tjera sociale, natyrisht se ka probleme motivesh të ndryshme. Disa nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët komunat kanë kompetenca për zgjidhjen e tyre, por ka edhe probleme me të cilat duhen të merren organet shtetërore, në mungesë kompetencash të kuvendeve komunale.

 

 

(Mos)bashkëpunimi

 

* Cili është bashkëpunimi me organet shtetërore e posaçërisht me Trupin Koordinues?

 

Ne kemi theksuar disa herë se kemi nevojë për një Trup Koordinues, efikas, stabil dhe përgjegjës. Mirëpo, që nga themelimi i tij ne kemi pasur vërejtje në punën e këtij institucioni të lartë shtetëror. E kemi thënë qartë se pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë institucion, nuk ka progres, sepse fundi fundit ai është formuar për zgjidhjen e probleme në Luginë. Kemi pasur takime me përfaqësuesit e Trupit Koordinues dhe jemi në fazën e parë të formimit të grupeve punuese. Falë angazhimit të ambasadave të akredituara në Beograd asaj të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe si dhe ambasadori i OSBE-së në Beograd, i cili është edhe nënshkrues i marrëveshjes për ristrukturimin e Trupit Koordinues, për t’i zgjidh problemet si: zgjidhja e statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zgjidhja e simboleve kombëtare, zbatimi në praktikë i dygjuhësisë, arsimi i lartë, nostrifikimi i diplomave nga Kosova, krijimi i kushteve orët kthimin e të të zhvendosurve në vatrat stërgjyshore, lëvizja e lirë e gjithë qytetarëve etj. Është e vërtetë se në fillim ka pasur hezitim nga disa subjekte për të participuar në këtë organ shtetëror, por me kalimin e kohës e kanë kuptuar se roli i tij dhe i faktorit ndërkombëtar është i domosdoshëm në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në këtë rajon. 

* Po, për Këshillin Nacional, çfarë do të thoshit?

– Lëvizja e Progresit Demokratik, nuk merr pjesë në punën e Këshillit Nacional, por edhe nuk e pengon atë. Arsyet e mospërfshirjes së LPD-së në këtë institucion janë të shumta dhe të bëra publike për opinion. Në këtë institucion nuk janë përshirë as edhe shumë parti të tjera. Dëshira jonë në fillim ka qenë që të kemi një Këshill Nacional të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, e jo një apo dy partiak.

 

* Kohëve të fundit, po qarkullojnë opsionet “ndarje” dhe “bashkim” me Kosovën?

 

– Gjithmonë kanë ekzistuar këto opsione. Çdo lëvizje që bëhet për kinse ndarje të Kosovës, ne jemi të gatshëm ta aktualizojmë verdiktin e popullit të shprehur me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për bashkëngjitje me Kosovën. E gjithë kjo varet prej qendrave të vendosjes Prishtinës dhe Beogradit. Ne kemi kërkuar që të jemi pjesë e delegacioneve për bisedime, por një e drejtë e tillë na është mohuar, na është thënë se në këto negociata nuk debatohet për kufij. Po presim se si do të rrjedhin gjërat në vijim. Ne jemi të gatshëm për çdo lëvizje e cila  i sjell perspektivë të shëndoshë Luginës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch