Home » Lajme, Vendore » EKSKURSIONI 24-29 MAJ 2014

EKSKURSIONI 24-29 MAJ 2014

Gjatë tërë vitit i kemi pritur me padurim ditët e ekskursionit. Më në fund erdhën! Në mëngjesin e hershëm te së shtunës, si dukej askush nga ne s’kishte vënë gjumë në sy nga entuziazmi. Diku para orës 6, pasi i mbushëm katër autobusët, e nisëm rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë.

Kalonim kohën duke biseduar, bërë shaka e kënduar. Ashtu siç na kishin paralajmëruar ata që kishin qenë para nesh, edhe kësaj radhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, edhe këtë herë pati ca defekte me autobusët. Kështu që herë pas here bënim pak pushim për t’i pritur ata që kishin mbetur mbrapa.

Ekskurzioni - Gjimnazistet-1            Kur mbërritëm në Vërmicë, u ndalëm për një pushim gati 30minutësh në një lokal buzë liqenit. Pamja që kishim para syve ishte thjesht mahnitëse! Malet e gjelbërta, liqeni i kaltërt, ajri i pastërt dhe era e fortë që fryente e na dukej sikur do të na lëvizte vendit, na dhuruan freski. Tani ishim më të relaksuar dhe gati për të vazhduar rrugëtimin.

Kur kaluam kufirin shqiptar, mund të vërenim nga larg, aty-këtu, ca njerëz që punonin tokën pa i patur mjetet e nevojshme. Kishte edhe ca detaje të vogla që na shtynë të diskutonim dhe të kujtojmë realitetin e hidhur, që tashmë e dimë të gjithë, se Shqipëria ashtu si edhe Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit, janë vende të varfëra. Ekonomikisht. Sepse për ndryshe natyra e begatshme e Shqipërisë, është një pasuri në vete, e veçantë. Peisazhet që na shfaqeshin rrugës të linin pa frymë. Male të larta, të thepisura, kodrina, lumenj e liqene, na bënin të kuptojmë sesa e bekuar është Shqipëria për natyrën që ka dhe sa dora e njeriut duhet ta ruaj gjënë më të çmuar që ka, ashtu siç është, origjinale.

Ekskurzioni - Kruja Pazari            Para se të mbërrinim në Durrës, së pari do të ndalonim në Krujë. Për shumë prej nesh, ishte hera e parë që shkonim në këtë qytet. Do të vizitonim Kalanë e Krujës dhe Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Dukej që larg dhe pasi bëmë pak rrugë me autobus, u ndalëm për t’u ngjitur pastaj në këmbë. Rruga për në kala ishte e shtruar me gurë dhe kalldrëm. Kryesisht ishte e ngushtë, anash ishin ca dyqane të vogla ku shisnin veshje kombëtare, plisa, pëlhura, artizanate dhe bizhuteri të ndryshme. Pamë dhe turistë të huaj!

Ekskurzioni - Kruja Kalaja

 

Kalaja ishte shumë e bukur. Muzeu gjithashtu ishte ndërtuar dhe mbajtur për mrekulli. Kishte skulptura, piktura dhe monedha që nga koha ilire e deri në kohën e Skenderbeut. Pamë edhe një zyre të improvizuar të Skenderbeut, citate nga heroi i madh dhe prekëm më për së afërmi pjesë të ndryshme të historisë sonë. Teksa ciceroni tregonte për bëmat e Gjergj Kastriotit, dukej sikur të gjithë u futëm në një botë tjetër, u kthyem shumë kohë mbrapa, bashkëjetuam për pak çaste me Skenderbeun dhe Shqipërinë mesjetare. Nga jashtë, muzeu ofronte pamje mahnitëse të qytetit. Madje po të jetë moti më i kthjellët, që aty mund të shihet edhe Ulqini, bile edhe Bari i Italisë. Të impresionuar nga gjithçka pamë në kala, u ndamë nga Kruja dhe vazhduam rrugën drejt Durrësit.

Nuk kishte si të mos na binin në sy shtëpitë pa kulme, ngjyra-ngjyra, jeshile, të kuqe, të pembta…tipike anembanë Shqipërisë.Rreth orës gjashtë pasdite, arritëm te Shkëmbi i Kavajës, ku ndodhej edhe hoteli në të cilin do të vendoseshim. Hoteli dukej i mirë. Kishte një ashensor të veçantë, që çonte vetëm në katin e gjashtë, ku gjendej një restaurant i bukur me një pamje të mrekullueshme të detit. Pasi u shpërndamë nëper dhoma dhe pushuam pak, zbritëm poshtë për të ngrënë darkën. Realisht ushqimi nuk na pëlqeu shumë. Ecëm edhe pak buzë detit për të ndjerë aromën që na kishte munguar tash e ca kohë. Meqenëse atë natë ishte edhe finalja e Ligës së Kampionëve ne futboll, u mblodhën plot vetë për të shikuar ndeshjen. Ne që ishim në dhomë, dëgjonim nga dritarja brohoritjet e tifozëve- herë të Realit e herë të Atletikos. Në fund morëm vesh se fitues ishte Real Madridi.

Pas përfundimit të ndeshjes,  shkuam të gjithë në party për tu argëtuar. Pas party-t vazhdonim të rrinim të gjithë së bashku, e tërë klasa, deri në orët e hershme të mëngjesit, duke biseduar e bërë shaka. E njejta gjë ndodhte çdo mbrëmje!

Të nesërmen, disa prej nxënësve ngaqë dita e parë ishte shumë lodhëse, vendosën të qëndrojnë në plazh në vend që të bashkohen me neve për destinacionin e radhës. Mua personalisht, kjo m’u dukë e paarsyeshme, sepse e bukura e ekskursionit, përveç se të kalosh kohë me shoqërinë e shkollës, është edhe të vizitosh vende ku nuk kemi qenë më parë. Ata që nuk deshën, nuk erdhën! Klasa jonë nuk u nda, të gjithë së bashku vazhduam tutje…

Ekskurzioni - Lezha Skenderbeu           Kështu, ditën e dytë shkuam në Lezhë, te varri i Skenderbeut. Posa dolëm nga autobusi, erdhën dy fëmijë të vegjël romë të kërkonin lëmoshë. Jo se nuk kishim parë më herët fëmijë lypsarë, por këtë herë u habitëm! Ata nuk na linin të kalonim rrugën, duke na ndjekur nga pas, duke na u ngjitur nga rrobat e duke kërkuar me çdo kusht para. Mezi arritëm t’i heqim qafe, qëndruam nja 10 minuta te varri i Skenderbeut, pamë shpatën dhe helmetën e heroit, njejtë si në Krujë- jo origjinale, sepse ato të vërtetat janë në Austri. Kur dolëm që aty, prapë u ndeshëm me fëmijët lypsarë, hipëm në autobus dhe u nisëm drejt Shkodrës.

Kalaja e Rozafës! Jo pak njerëz e dinë legjendën e kësaj kalaje madhështore. Ndërtimi i saj kishte nisur herët që nga shek.V-VI p.e.s. Pavarësisht lashtësisë, ajo kishte arritur t’i rezistojë kohës, duke përballuar vështirësira, stuhi e luftëra, për të qëndruar edhe sot e kësaj dite stoike, magjepsëse dhe simbol i qytetërimit. Ndërkohë që përshkonim kalldrëmet që na çonin lart e më lart dhe na ofronin një panoramë të bukur të Shkodrës, dielli përvëlonte në kupën e qiellit…u lodhëm, por ja kishte vlejtur.  Kaluam portën e madhe që shënonte hyrjen në kala dhe vazhduam drejt oborrit.

Ekskurzioni - Shkodra Kalaja

 

 

 

 

 

 

Ekskurzioni - Shkodra Kalaja2

 

 


 

 

 

Në fakt kështjella kishte tre oborre që ndaheshin me mure. Tek oborri i tretë, që ishte dhe hapësira më e lartë, ndodhej edhe muzeu. Mu në hyrje të muzeut ishte një shitës librash e fjalorësh të ndryshëm. Më ra në sy libri i Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë”. Pa menduar dy herë e bleva. Më kishte bërë përshtypje që herën e parë kur e kisha parë në TV promovimin e tij, andaj dhe në rastin e parë që mu dha, e bleva menjëherë… Pastaj ecëm nëpër ambientet e muzeut. Edhe ky ishte i bukur, me piktura, harta e buste. Një prej tyre ishte edhe ai i mbretëreshës Teutë. Pasi kaluam pak çaste në muze, bëmë disa foto nga muret e kalasë dhe nisëm të ktheheshim. Tani e kishim më të lehtë, rruga ishte teposhtëz!

Ekskurzioni - Shkodra           Pasi u larguam nga Kalaja e Rozafës, ndaluam në qytetin e Shkodrës, tek qendra. Ishte hera e parë që vija në Shkodër. Kisha dëgjuar që e quanin qyteti i biçikletave. Dhe ashtu ishte në të vërtetë. Pashë aq shumë biçikleta, sa u binda edhe vetë! Ecëm nëpër sheshin apo Pjacën në rrugën Kol Indromeno.  U ulëm për pak minuta në njërën nga ato lokalet e hijshme që e zbukuronin vendin, për t’u freskuar me nga një pije. Nuk mundëm të qëndronim gjatë, andaj pasi ndenjëm rreth një orë në qytet, u kthyem në autobus. Po largohesha nga Shkodra me dëshirën që të kisha pasur edhe pak kohë më shumë, por ndoshta ishte më mirë ashtu. Ndoshta do të mund të zhgënjehesha, andaj mjaftonte Kalaja e Rozafës dhe “Piazza” për të më lënë përshtypjen se Shkodra është me të vërtetë një vend i traditës dhe kulturës.

…Ditën e tretë na ishte premtuar se do ta kalonim të tërën në plazh. Kështu që nuk e prishëm gjumin dhe u zgjuam vonë. Kishim ardhur për pushime në Durrës edhe më parë, me familje ama. Me shoqëri ishte disi më ndryshe. Atmosfera ishte tepër e këndshme. Por ja që, rreth orës 16 na lajmëruan se plani kishte ndryshuar, do të vizitonim qytetin e Durrësit! U bëmë gati shumë shpejt dhe shkuam!

Në Durrës, zbritëm tek sheshi “Taulantia”. Pasi ecëm pak atypari, donim të provonim ndonjërën prej atyre lojërave, por për fat të keq asnjëra nga to s’punonte. Më duket se s’kishte energji elektrike! Andaj vendosëm të shkonim te “Kolonat”për të ngrënë. Kujdestari na rikujtoi dhe ne e dinim se kur të ktheheshim do të hanim darkë në hotel. Por darkat aty, nuk na entuziazmonin fare! Pasi bëmë edhe një shëtitje u kthyem tek autobusi. Gjatë rrugës për në hotel, çuditërisht shoferi ngatërroi rrugën dhe kështu na u desh të bënim edhe ca xhiro shtesë. Kjo në fakt neve nuk na mërziti aspak. Përkundrazi, e shijuam edhe më tepër me të qeshura dhe barcoletat që i tregonim, ndërkohë që dielli perëndonte!

Dita e katërt doli sipas planit! Qëndruam tërë ditën në plazh. U kënaqëm shumë duke biseduar, notuar në det, ngrënë akullore e duke marrë rreze dielli. Dikush merrte anije, dikush motorrë deti apo mjete tjera lundrimi. Unë për vete, meqë nuk jam aq e guximshme për këto gjëra, nuk i provova. Në fakt doja shumë të hipja edhe unë në barkë, por duke e shtyrë për më vonë, koha kaloi shumë shpejt dhe mbeta pa hipur fare. Shëndosh…

E rëndësishme është se kaluam një ditë të mrekullueshme, duke shijuar gjithçka na ofronte uji, dielli, rëra… Diku pak para orës 18 shkuam në hotel për t’u bërë gati për rutinën e zakonshme: darkën, e cila për habi ishte hera e parë që më pëlqeu; dhe pastaj party-n për tu dëfryer nën tingujt e muzikës.

Në ditën e pestë, destinacioni i radhës dhe i fundit për në Shqipëri ishte Tirana!  Kur mbërritëm atje, kishin dalur të na prisnin shumë studentë nga Presheva, familjarë të maturantëve. Kështu që nxënësit u shpërndanë. Dikush me vëllain, motrën apo kusherinjtë, të tjerët ashtu siç ishin, me shoqërinë. Unë me shoqet e mia vazhduam bashkë, sepse s’kishim dikë në Tiranë! Normalisht ecëm nëpër qendër të qytetit. Ja që edhe këtu, në mes të kryqytetetit, takuam fëmijë romë, me të njejtat sjellje si në Lezhë. Realisht nuk di a do të duhej të na dhimbseshin për varfërinë e tyre apo të na acaronin me sjelljet e tyre të padurueshme. Mendoj se ishin të dyja bashkë. Por sidoqoftë një kryeqyteti të bukur si Tirana, nuk i ka hije një dukuri e tillë negative, e dyfishtë. Nejse…

Shkuam në një lokal ku na pasqyrohej një pamje e mirë e qytetit. Pasi u relaksuam pak duke parë një Tiranë panoramike, hëngrëm drekë dhe vazhduam shëtitjen nëpër qendër. Kaluam nga presidenca, ecëm pranë piramidave, pamë edhe tendat e grevistëve që ishin larguar nga puna, hymë edhe në ca dyqane bizhuterish…kështu koha ikte shumë shpejt. Rrugët e gjëra të Tiranës, pemët që bënin hije (ndonëse qytetarët ankohen për mungesën e gjelbërimit, qendra e qytetit nuk të lë  një përshtypje të tillë), ëmbëltoret dhe kafeteritë, ndërtesat tipike të saj: të ulta dhe të gjëra, e bënin Tiranën të dukej jashtëzakonisht e bukur atë pasdite të mërkureje. Meqë jemi dhe në prag studimesh, më zgjoi jo pak dëshirën për të studiuar atje!

Kur dielli nisi të perëndonte, u nisëm për në Durrës. Në radio ishte një muzikë e lehtë, ndërkohë që në qiell ishte vizatuar një mozaik ngjyrash: portokalli, kuq, verdhë; nga rrezet që depërtonin lehtë nëpër xhamat e autobusit e mua më çonin lloj-lloj kujtimesh: ishte dita e fundit e ekskursionit, më vinin në mendje edhe ngjarjet më pikante që na ndodhën gjatë këtyre ditëve, shakatë dhe të qeshurat më të mëdha që i patëm, në anën tjetër ishte edhe fundi i katër viteve të gjimnazit, dilema mes Prishtinës dhe Tiranës për të studiuar, vendet që më mbetën pa i parë në Tiranë e shumëçka tjetër.  Ai 30 minutësh i rrugës Tiranë-Durrës m’u duk më melankolik se kurrë!

Edhe mbrëmja atë natë ishte më e mira! Meqenëse ishte edhe e fundit, donim me çdo kusht ta shijonim në maksimum. Kënduam e vallëzuam deri vonë. Të veçanta ishin sidomos këngët e fundit, kushtuar maturantëve. Disave madje dhe iu mbushën sytë lotë! Si çdo herë, ndenjëm të gjithë bashkë, për të përfunduar në mënyrën më të mirë ekskursionin!

Në ora 10 të mëngjesit u mblodhëm në oborr. Ishte fare e dukshme “hija e pikëllimit”që i kishte kapluar të gjithë maturantët. Ishim kënaqur aq shumë, saqë ditët e ekskursionit kishin kaluar pa u kuptuar fare. Tani që duhet të niseshim për në shtëpi, ndiheshim disi të mërzitur.

Megjithatë, me kalimin e kohës në autobus atmosfera nisi të gjallërohet. Edhe duke u kthyer, ndaluam në Vërmicë në të njejtin vend. Kësaj radhe nuk pati frymë aq të madhe, kështu që ishim më të “qetë”. Hëngrëm nga një sanduiç që i kishin marrë nga hoteli dhe vazhduam tutje.

Ekskurzioni -PrizreniPrizren! Nuk kishim si të mos e vizitonim një prej qyteteve më të bukura shqiptare. Lumbardhi siç dihet është zbukurimi më i madh i qytetit. Ura e Gurit, Kompleksi i Shatërvanit, dyqanet e shumta zejtarësh, qebabat …të gjitha këto përbëjnë një stil dhe karakteristikë të veçantë të Prizrenit. Pasi i pamë nga afër të gjitha këto, hymë në një dyqan bizhuterish ku edhe bleva një palë vathë të kaltërt, që do t’i vesh në mbrëmjen e maturës dhe njëherit do të më mbesin kujtim nga Prizreni. Pasi kaloi një orë, u nisëm drejt stacionit të autobusave! Shumë prej nesh nuk e dinim saktë ku ndodhej ai, meqenëse kur erdhëm autobusi nuk ndaloi aty por përskaj udhës. Megjithatë arritëm disi ta gjejmë dhe vazhduam rrugën drejt Preshevës.

Gjatë tërë pjesës tjetër të rrugës, në autobus mbretëronte një gjallëri, ndërkohë që të gjithë shokët e shoqet këndonim. Këngët u bënë edhe më të zëshme dhe më me volum sidomos kur arritëm afër vendlindjes.Rreth orës 22 mbërritëm në Preshevë! Si dukej këtu moti nuk kishte qenë shumë i mirë, kishte rënë dhe shi! Familjarët kishin dalë të na prisnin tek shkolla. Ishte shumë bukur! Të gjithë duke u çmallur, dukeshin të lumtur që u ritakuan. Pas disa minutave, u përshëndetëm me shokët dhe shoqet dhe u nisëm secili në shtëpinë e vet.

Ekskursioni mbaroi, por ne akoma kujtojmë edhe detajet më të vogla, batutat, të qeshurat, këngët, vallet, gjithçka pamë dhe përjetuam në Vërmicë, Krujë, Lezhë, Shkodër, Tiranë, Durrës, Prizren. Ato do të mbesin edhe për shumë gjatë kujtime të bukura që do t’i ruajmë në mendje, në zemër dhe në fotografi.

 

AFRORE SHAIPI

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch