Home » Opinione » Eksperimentet e dështuara “titiste” nuk guxojnë të na përsëriten

Eksperimentet e dështuara “titiste” nuk guxojnë të na përsëriten

Shkruan: Nehat Hyseni

Ftesa e z. Thaçi  ne facebook për t’u deklaruar “kosovarë” paraqet një zë të frustruar dhe të dëshpruar nga dështimet e shumta në vitin 2013, të shkaktuara nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni marrmendës, si dhe me tradhëtinë ordinere dhe kapitulimin e pakusht të Kosovës ndaj Serbisë në dialogun e Brukselit, si dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes famëkeqe të 19 prillit 2013 në Bruksel.
Aty, pra në Bruksel, nuk u tradhëtua vetëm Kosova, por edhe Lugina e Preshevës, e cila nuk u përmend fare askund në 22 raundet e bisedimeve, e as në Marrëveshjen e nënshkruar, duke ia hapur dyertë Serbisë që ta realizoj Çamërinë e dytë, me boshatisjen e atij rajoni të Shqiptarisë, ashtu si ndodhi edhe me shpërnguljet dhe ekzodin nga sanxhaku i Nishit, me dëbimin e shqiptarve nga reth 750 fshatra dhe nga një territor më të madh se Kosova e sotme, gjatë çerekut të fundit të shekullit XIX.
Duke i marrë parasysh faktet dhe ndodhitë e përmendura,  me lëshimin pe ndaj Serbisë deri në pafundësi, madje që rrezikon seriozisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, që z. Thaçi i arsyetonte me “afrimin e Kosovës me BE-në, duke përsëritur vazhdimisht, si “disku i prishur”, se me këtë “Kosovës i është hapur rruga europiane”, se Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave dhe broçkulla të tjera.
Kurse, në fakt iu bënë shërbime përulëse Serbisë për marrjen e ftesës për fillimin e bisedimeve të saj për anëtarësim në BE, që do të fillojnë më 21 janar 2014. Ndërkaq, Kosova mbeti akoma shteti më i izoluar në Europë, duke mos iu mundësuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) dhe liberalizimi i vizave.

Madje, zyrtarja e lartë e parlamentit  europian, zonja Unrike Lunaçek, gjatë vizitës së fundit javën e kaluar deklaroi se “kosova nuk mund tam err liberalizimin e vizave para 2-3 viteve, që do të thotë se Kosova do të mbetet plotësisht e izoluar dhe getoizuar nga Europa së paku deri në vitin 2016-2017! , duke mos premtuar se  do të ndodhë edhe pas këtyre viteve, poqese nuk plotësohen një mori kushtesh të caktuara nga Këshilli i  BE-së.

Meqë iu bë e qartë opinionit mbarëshqiptar performansa serviliste dhe përulëse ndaj Serbisë dhe në dëm të Kosovës, tani z. Thaçi nuk i ka mbetur gjë tjetër pos ta nisë fushatën për formimin e “kombit Kosovar”, me ftesën e tij “patriotike” për t’u deklaruar të gjithë banorët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare: shqiptare, serbe, malazeze, turke, boshnjake, rome, egjiptase, ashkali, etj., si “kosovarë”.

Pra, duke pretenduar që të gjithë banorët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike: shqiptarë, serbë, turq, romë, ashkali, boshnjakë, malazezë, egjiptas, etj.
sipas z. Hashim Thaçi, do të quheshin “kosovarë”, meqë” jetojnë në territorin e Kosovës!”Në këtë mënyrë, nuk do tē ketë më shqiptarë, serbë, romë, etj. por vetëm “kosovarë”!
Mbështetjen teorike, sa duket, z. Thaçi e ka marrë nga “sociologu” i “gjithanshëm” dhe “gjenial” i Kosovës, .Nexhmedin Spahiu dhe nga publicisti Halil Matoshi, të cilët gjatë kohë përpiqen të na bindë se pse e kanë shpikur kombin “kosovar”.

Madje, duke pretenduar për të na bindur me “fakte shkencore” për domosdoshmërinë e përqafimit të tezës së tyre, me flakjen e përkatësisë sonë kombëtare shqiptare, pikërisht ashtu si u hodhë poshtë dhe u flak nga përdorimi zyrtar flamuri kombëtar kuq e zi..

Sa duket, këta zotërinjëu kanë arritur që ta bindin vetëm z. Thaçi në teorinë e tyre dhe eventualisht ndonjë “titist” tjetër të vonuar,  që mund ta ketë humbur rrugën në oborr të vet në fillimshekullin XXI.
Por, kurrësesi nuk ia kanë arritur dhe nuk do t’ia arrijnë kurrë që ta bindë popullin e Kosovës në eksperimentin e tij shkombëtarizues!

Sepse, ky eksperiment kohë më parë, që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar ishte provuar nga Josip Broz Tito me shpikjen e kombit “jugosllav” dikur.
Pikërisht ashtu si Thaçi sot, që pretendon me kombin “kosovar” ta bëjë tërë Kosovën një komb të vetëm, dmth. “kosovar”.
Kështu, mendonte Tito atëherë, ashtu si Thaçi sot, që ta “zgjidhë një herë e përgjithëmonë çështjen kombëtare. Natyrisht, duke i zhdukur kombet!
Titoja atëbot kishte probleme me shtetin e tij shumëkombësh, të përbërë nga gjashtë kombe shtetëformuese të organizuar në gjashtë republika nacionale: Serbinë, Kroacinë, Slloveninë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnen e Hercegovinën. Me deklarimin (vullnetar) si “jugoslloven” me kombësi, Jugosllavia e Titos kishte pretendime se do ta tejkalonte laramaninë kombëtare dh eta evintente rrezikun permanent nga konfliktet eventuale midis tyre. Por, përpjekjet e tij që “vëllazërim-bashkimi të ruhet si sytë e ballit”  si dhe shndërrimi i shtetit të tij në shtet njëkombësh, dështuan, me shpartallimin dhe zhbërjen e Jugosllavisë.
Pretendimet e vonuara, do të thioja Don Kishotiane të Thaçit për ta përsëritur eksperimentin e dështuar titist në truallin e Kosovës, në shekullin XXI,  nuk kanë gjasa për t’u realizuar kurrë.
Sepse, ato  janë johistorike dhe utopike, duke pretenduar se serbët, malazezët, romët e Kosovës, që masakruan, vodhën, dogjën e përdhosën e çnderuan nënat dhe vajzat shqiptare, sipas Thaçit, na qenkan më të afërt se shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë, Malit të Zi e Shqipërisë, të cilët janë të një gjaku, gjuhe, tradite dhe historie, që i hapën dyertë dhe zemrat për t’i shpëtuar nga masakrat e bashkëkombasve të tyre (sipas Thaçit) “kosovarë” gjatë  vitit 1999, dhe jo vetëm.

Ky pretendim shkombëtarizimi i Thaçit, që filloi me dëbimin e flamurit kombëtar shqiptar nga përdorimi zyrtar në Kosovë, duke pranuar një flamur tjetër pa kurrëfarë identiteti kombëtar, si dhe mohimi i shqiptarve të Luginës dhe të tjerëve, nuk do të kaloj tek shqiptarët, kudo që janë!

Edhe Enver Hoxha dikur i quante kinezët, rusët, serbët dhe komunistët e tjerë “vëllezër”, kurse shqiptarët e Kosovës “miq kosovarë”!
Pra, djallëzia shkombërarizuese e shqiptarve të Kosovës, në emër të kinse  shtetësisë “kosovare”, nuk guxon të ndodhë dhe  t’i përsërisë eksperimentet e dështuara komuniste të Titos dhe të tjerëve në truallin e Republikës së Kosovës, për hirë të interesave pragmatike të pushtetmbajtësve aktualë apo të ndonjë ideologjie kuazishkencore e utopike, me pasoja të rënda  antishqiptare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch