Home » Histori » Elmaz Dokle – Kukësi i Vjetër, Qyteti që u bë kurban për t’i dhënë dritë Shqipërisë

Elmaz Dokle – Kukësi i Vjetër, Qyteti që u bë kurban për t’i dhënë dritë Shqipërisë

Elmaz Dokle

 Kukësi i Vjetër-kopertinat

 

Kukësi i Vjetër

Qyteti që u bë kurban për t’i dhënë dritë Shqipërisë

Kukës 2013

 

f.142

Në vitin 1945 filluan konfiskimet, e nisën me pasurinë e Muharrem Bajraktarit, Tahir Kolgjinit. Pastaj u konfiskua pasuria e Halim Spahisë, Tahir Zajmit, Cin Ndukës, Krist Shirokës e Xhemal Didës, etj. Mallrat e konfiskuara grumbulloheshin në një magazinë dhe prej aty transportoheshin për në Jugosllavi.

Nazmi Ҫarkaxhia, në atë kohë magazinier, me të cilin kam punuar në vitet 60 në punishten e ëmbëlsirave më ka tregue:

Pas luftës kam punuar si magazinier i mallrave që u ishin konfiskuar tregtarëve të qytetit tonë. Komisioni i konfiskiimit, pasi i inventarizonte, i sillte me dokumente të rregullta në magazinën ku unë punoja. Pasi i ripaketonim sipas artikujve, me anë të disa makinave që drejtoheshin nga shoferë serbë e malazezë i dërgonim në Jugosllavi.

Mallrat e konfiskuara përfshinin një gamë të gjerë artikujsh nga kozmetika franceze, stofrat angleze, mëndafshat japonezë, vegla pune gjermane e italiane, ato ishin prodhime të markave më prestigjioze të këtyre vendeve.

Një ditë prej ditësh, më lajmëruanqë të pres një ngarkesë që vinte nga Jugosllavia me katër kamionë dhe të përgatisja ngarkesën për në Jugosllavi. Në ditën e caktuar erdhën katër kamionë me ngarkesë të mbuluar me mushama. Pasi u përshëndeta me shoferët, e pyes përgjegjësin e tyre në gjuhën sllave:  “Drugare Milorad. Shta si doneo za nama?” (Shoku Milorad, çfarë ke sjellë për ne?)- Ai me përtesë m’u përgjigj: -Neshto dobro za Allbancu! (Diçka të mirë për shqiptarët!)- Unë me padurim e pyeta:- Shta? (Ҫfarë?)- Ai m’u përgjigj:- Gumene opanci (Opinga gome)- Kur e hoqëm mushamanë, pashë se kishte sjellë opinga gome me taban dhe suprinë kopertoni të gomave të makinës, që rëndom i quajnë “opinga fancish”. Trampo (këmbim) allasoj nuk kisha parë e dëgjuar, merr stofrat angleze e sill “opinga fancish” për t’i sakatuar nga këmbët shqiptarët!

Kukësi i Vjetër-2

 

 

Ura e Vezirit

f.161

Partia shtet, e angazhuar deri në marrëzi për të luftuar “kapitalizmin”, oborrin kooperativist e shpalli si fole ku zhvillohej kapitalizmi në fshat dhe vendosi për shkurtimin drastik dhe heqjen e tij, duke kaluar në formimin e arëzave dhe tufëzave. Kjo masë ka qenë fatale për furnizimin e popullatës me artikuj ushqimorë. Pazari javor u mbyll. Tregu i qytetit u boshatis, sistemi i triskave u zëvëndësua me sistemin e listave. Buka përzihej me patate, buka e misrit jepej me detyrim, për raste festash, dasmash e mortash, jepej nga 200 g kafe. Kur bëhej festa e brigadës 24 – S, familjeve që ishin caktuar për të pritur ish partizanët, u jepej nga 2 kg mish, 1 l raki dhe 5 shishe birrë.

Si tani më kujtohet odiseja e listave që i përpilonim ne të zgjedhurit në këshillin popullor të lagjeve çdo fillim viti. Ja njëri nga episodet që unë e kam përjetuar personalisht:

Në janar të vitit 1972, i zgjedhur si antar i KP të lagjes nr 1 mbuloja sektorin e tregtisë. Në këtë kohë shpërndarja e artikujve ushqimorë bëhej me listë, vetëm për banorët që kishin pasaportizimin në qytet. Luljeta Domi (Spahiu), në atë kohë kryetare e degës ushqimore pranë NTSH, më lajmëroi për të bërë rakordimin e listës së banorëve rezidentë në lagjen tonë. U paraqita në kohën e duhur, sapo filluam nga puna në zyrë hyri pa trokitur Selim Domi, drejtor ndërmarrjeje. Ai iu drejtua Luljetës:

-Shoqja shefe, ju me Elmazin keni shumë punë, a ka mundësi të mbash shënim kërkesën time?

– Fol shoku Selim!

-Unë sivjet kam bërë nijet që të martoj djalin e parë, më duhet që të kaparoj lokalin.

– Në cilin lokal ke menduar që ta bësh dasmën?

– Më duhet “Lokali i Zabelit” mbasi më mblidhen rreth 200 të ftuar.

Në këtë kohë Luljeta hapi sirtarin e skrivanisë, nxori një shkresë dhe ju drejtua Selimit:

– Shoku Selim, ky është Urdhëri i Ministrit të Tregtisë së Brëndëshme Osman Murati, në bazë të të cilit në dasma dhe morte nuk lejohet që të thirren më shumë se 80 veta.

Selimi, i vënë në befasi, filloi arsyetimin:

– Unë kam hangër bukën e dynjas, tani e kam radhën që t’ua kthej miqve e shokëve, por nuk arrij ta kuptoj se kur ky Osman Murati është bërë zot në shtëpinë time, që të më caktojë sa veta të thërras në dasëm?!

Pas kësaj Selimi e mbylli derën me tërsllëm dhe doli.

 

f.42

Qemal Dokle:

Një nëpunës i pushtetit lokal (i sapokthyer nga BRSS, ku kishte shkuar për një kurs njëvjeçar të Komsomolit, i veshur “alla rusçe” me kokore mbi sy, shkon për të inspektuar lokalet e shërbimit komunal dhe të prodhimit artizanal. Gjatë kontrollit kthehet edhe te Ismail Sokoli, rrobaqepës që qepte rroba nusesh. Mjeshtrin e gjen të ulur në minder duke punuar një jelek, nëpunësi me kokore në kokë, pasi e përshëndet mjeshtrin, i shikon me andje ornamentet mbi jelekun, që ai qendiste, mbasi nuk pati çfarë me i thanë për punën, i bën një vërejtje, duke i thënë: “Baca Ismail, për punën që bën të lumshin duart, por atë qeleshen e bardhë që ke në kokë duhet ta heqësh se i ka ikur koha.

Ismaili “i rrahur me vaj e me uthull” që kishte ikur nga Prizreni për nderin e atij plisi, për mos me e ndërrue plisin me shajkaçën serbe, e heq qeleshen nga koka dhe pa e lëshuar nga dora i përgjigjet me qesëndi:

“Hiqe ti kokoren se qeleshja është e jona!”

Nëpunësi që e kishte ndërruar qeleshen me kokoren ruse, i befasuar nga kjo përgjigje, instinktivisht i kujtohen barbaritë e “shajkaça mbajtësve” në Lumë, nuk reagon por largohet i turpëruar.

 

f.76-77

Aeroporti i Kukësit

Në vitin 1932 në fshatin Gostil, në vendin e quajtur “Trojës” në rrafshën prapa ish SMT, me nismën dhe mbështetjen financiare të afaristit kosovar Halim Shaqir Spahia me banim në Kukës u ndërtua një pistë bari për uljen e aeroplanëve të vegjël, që përdoreshin për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave. Kjo datë e shenon vendosjen e linjës ajrore Tiranë- Kukës.

Në fillimet e veta kjo linjë u përdor vetëm për transportimin e postës dhe nevojat urgjente të shtetit. Nga sa më sipër del se Kukësi është lidhur me kryeqytetin me linjë ajrore e më pas në vitin 1938 me rrugë automobilistike.

Pas pushtimit fashist, komandës së ushtrisë italiane për nevojat e saj operacionale dhe synimet për të “liruar tokat e zaptueme të Kosovës” i duhej vendosja e një ure ajrore Tiranë- Kukës- Fushë Kosovë. Për këtë vendosi spostimin e pistës së avionëve në një vend më të përshtatshëm për ndërtimin e një aeroporti definitiv.. Pas studimeve u zgjodh rrafsha e quajtur “Meteor”, pronë e fshatrave Shtiqën, Krenzë dhe nangë. Pasi u bë shpronësimi i një sipërfaqe toke bujqësore prej 14 ha, filloi ndërtimi i pistës definitive prej bari me gjatësi 1400 m dhe gjerësi 100 m për uljen dhe ngritjen e avionëve. Pranë saj u ndërtua një godinë për personelin ushtarak të aeropoprtit dhe stacioni definitiv metereologjik. Në vitin 1940, shoqëria italianë ajrore “Adria Aero Lloyd” mori licensën për vendosjen e linjës ajrore të udhëtarëve Tiranë- Kukës- Tiranë, që funksiononte një herë në javë; me këtë linjë distanca Kukës (Meteor)- Tiranë përshkohej për 40 minuta.

Kjo linjë ajrore ka funksionuar deri në kapitullimin e Italisë Fashiste (1943). Me këtë linjë kanë udhëtuar njerëz të zakonshëm. Por mbresëlënës ka qenë udhëtimi i nxënësve të shkollave fillore të organizuar në shoqatën “balila” (organizatë fashiste e fëmijëve) që shkonin çdo vit sipas radhës  për pushime verore në Itali.

Në fillim të viteve 70 u bë rikonstruksioni i fushës së aviacionit. Pas një pune intensive me mjete të rënda motorrike u arrit nivelimi, ngjeshja e dherave, rrethimi me tel gabion dhe mbjellja me bar të posaçëm i fushës së aviacionit. Tanimë në gjendje optimale për uljen dhe ngritjen e avionëve të mesëm me motorr. Zbritja e parë në fushën e rikonstruktuar u bë nga aeroplani qeveritar IL- 18 që pilotohej nga Faik Babaçe.

Në fund të viteve 90, gjatë krizës kosovare, kjo pistë shërbeu për krijimin e urës ajrore Rinas- Kukës- Prishtinë ku janë ulur me dhjetëra avionë me krahë dhe helika.

Aerporti “Zayed bin Sultan Al Nahyan” nisi të ndërtohej në maj 2002, me kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 ha, 3 km larg qytetit të Kukësit. Është i kategorisë C, me gjatësi të pistës 1900 m, gjerësi 70 m dhe ka një kapacitet për 100 mijë pasagjerë në vit. Ai përbëhet nga terminali i pasagjerëve, pista, brezi anësor, rrugët lidhëse, vendqendrimi i avionëve si dhe vendparkimi i mjeteve private. Aeroporti është pajisur gjithashtu me të gjitha mjetet e kontrollit të hapësirës ajrore. Ai është aeroporti i dytë civil në Shqipëri, i përuruar më 25 qershor 2010.

f.89-90

Radio Kukësi

Ka qenë radioja e dytë për nga rëndësia pas radio Tiranës, që nga 1959 e gjer sot.

Kjo radio i afirmoi vlerat në ruajtjen e ndjenjës kombëtare, të gjuhës, të kulturës dhe historisë, sidomos te shqiptarët jashtë kufijve, në Kosovë e Maqedoni, për të cilët u ngrit edhe ky radiostacion..

 

f.124-125

Halim Shaqir Spahia (1897-1946)

Lindi në Gjakovë, në një familje me tradita atdhetare. Gjithë jetën dhe pasurinë e vuri në shërbim të çështjes kombëtare. Për t’u shpëtuar raprezialjeve të çetnikëve serbë, pas vitit 1918 u vendos familiarisht në Shqipër, në fillim në Krumë ku hapi një rrjet  të gjerë dyqanesh në fshatrat e Malsisë së Gjakovës, Hasit, Lumës dhe Malziut, për furnizimin e popullatës me artikuj ushqimorë dhe industrial për nevojat e zejtarëve. Në Krumë hapi të parën punishte për prodhimin e kaçkavallit dhe prodhimeve të tjera të qumështit, ndihmoi blegtorët për përmirësimin racor të bagëtisë.

Në vitin 1925 me kalimin e qendrës së prefekturës nga Kruma në Kukës, u vendos familjarisht në Kukës, ku ndërtoi kompleksin e dyqaneve, magazinave dhe të banimit. Me aftësitë e tij dhe mbështetjen e vëllëzërve themeloi kompaninë “Vllazën Spahia” me aktivitet tregtinë me shumicë e pakicë, spedicionin e mallrave dhe njerëzve, industrinë ushqimore e të përpunimit të drurit si dhe aktivitet financiar si aksionier në bankat e vendit e më gjerë. Me fondet e veta ndihmoi në përmirësimin e rrjetit rrugor që lidhte Kukësin me qendrën dhe qytetet fqinjë.

Njihet kontributi i tij për ndërtimin dhe vënien në punë të aeroportit civil të Kukësit, ku ai ishte ndër donatorët kryesorë, që dhuroi mjete financiare pa kthim.Në vitet e krizës botërore 1929-1933 Halim Spahiu i urdhëroi menaxherët që drithin, kripën dhe vajgurin t’ua shesin malësorëve të Kukësit, Malësisë së Gjakovës, Mirditës, Pukës dhe Hasit, pa fitim, me çmimin e faturës së blerjes.

Me kohë kompania “Vllazën Spahia” aktivitetin e saj tregtar, ndustrial, spedicionar e financiar e shtriu në tërë territorin e Shqipërisë, për nga kapitali u rendit e gjashta në shkallë vendi me një fitim neto 1 300 000 franga ari.

Në periudhën 1935-1939 Halimi zgjidhet deputet i Hasit në Parlamentin Shqiptar. Në mbledhjen e fundit të Parlamentit me qëllim që të organizohej rezistenca ndaj pushtuesit italian, ai i vuri në dispozicion mbretit Zog të gjithë pasurinë e tij dhe i garantoi mbështetjen e vet dhe të përkrahësve të vet të shumtë në zonën vri-lindore.

Pas lirimit të tokave të zaptuara dhe krijimit të Shqipërisë Etnike në vitin 1941, Halimi u vendos familjarisht në Prizren duke e shtrirë aktivitetin e vet tregtar, industrial edhe në Kosovë. Familja e tij u lidh me luftën nac- çlirimtare në Shqipëri e Kosovë. Pas lufte u zgjodh kryetar i Këshillit Krahinor Nac-Ҫlirimtar të Prizrenit dhe antar Këshillit Krahinor Nac- Ҫlirimtar të Kosovës. Në mes të majit 1945 në një takim që pati me Mehmet Hoxhën në Tiranë, ky i fundit i komunikoi se ishte shkarkuar nga detyra e Kryetarit, pas kësaj u vendos në Kukës ku kishte shtëpinë dhe dyqanet.

Duke mos pasur besim te forcat komuniste, Halim Spahija së bashku me Selman Rizën, Ejup Binakun, Tahir Dedën themeluan në Gjakovë ONDSH. Në konferencën e këshillave popullore të rretheve të Kosovës që u mbajt më 19-24 mars 1945 në Prishtinë, ai ju kundërvu energjikisht aneksimit të Kosovës në kuadrin e Federatës Jugosllave dhe kthimit të kolonëve serbo-malazezë në Kosovë. Halimi ishte antar i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës që më 4 prill 1945 shkoi në Beogard  për t’u takuar me Josip Broz Titon. Në takim ai kundërshtoi hapur aneksimin e Kosovës nfa Serbia federale dhe kërkoi bashkimin e saj me Shqipërinë. Pas arsyetimit të Titos se ishte marrë vesh me Enver Hoxhën që Kosova të mbetej edhe për një kohë në përbërje të Jugosllavisë, Halimi parashtroi kërkesën për konstituimin e një republike të veçantë të shqiptarëve në Jugosllavi. Për këtë ai kërkoi edhe përkrahjen e Enver Hoxhës në takimin që pati me të në qershor 1945. U arrestua me 4 qershor 1945 në Kukës nga OZNA jugosllave dhe menjëherë u ekstradua nga shteti shqiptar dhe ju dorëzua oficerëve të OZNA- Ҫedo Mijoviq deh Nazmi Kursani.

Me datën 25 shtator 1945 gjyqi ushtarak i emërtuar si gjyqi popullor krahinor i Kosovës dhe Metohisë, nën kryesinë e Hivzi Sulejmanit dhe paditësve Ali Shkukriu, Kolë Shiroka  dhe koloneli i APJ Qamil Brovina, në bazë të aktakuzës së përpiluar nga prokurori publik i Kosove- Metohisë, Ali Shukriu, me vendimin nr K. 99/45 datë 27 shtator 1945, e dënoi Halim Spahinë bashkë me pesë anëtarë të KQ të LNDSH me vdekje (pushkatim) dhe konfiskimin e tërë pasurisë familjare dhe me humbjen e të gjitha të drejtave politike e qytetare. Me 16 shkurt 1945 Halim Spahia u pushkatua së bashku me Tahir Dedën, Rexhep Kabashin, Kajtaz Ramadanin dhe Rexhep Krasniqin, në Taukbashçe të Prishtinës.

Me vendimin nr 2 datë 14/01/1947 të komisionit lokal për konfiskimin e pasurive private të Prefekturës Kukës i formuar nga Hysni Shehu, prokuror publik. Malo Rexhepi, përgjegjës i financës dhe Braho Karasani përgjegjës i bujqësisë vendosi për konfiskimin e pasurisë së tij në prefekturën e Kukësit, të cilën ai e kish ndihmuar për ta fituar luftën kundër okupatorëve të huaj.

 

f.126

Tahir Shaban Zajmi (1897-1971)

Ai ka qene pjesëmarrës aktiv në përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për t’u çliruar nga zgjedha serbe. Rrjedh nga një familje gjakovare, e cila detyrohet të shpërngulet në Shqipëri. Me krijimin e prefekturës së Kosovës me qendër në Krumë ju ngarkua detyra e sekretarit të saj të përgjithshëm.

Tahiri në rini ka qenë sekretar i Bajram Currit, që e ka shoqëruar atë në udhëtimin e fundit tragjik të 29 marsit 1925 në malet e Dragobisë. Një kohë Tahiri qëndroi në Krumë dhe pastaj në Shkodër.

Ka qenë bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe veprimtar i shquar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitin 1941 kthehet në Kosovë dhe angazhohet në jetësimin e Shqipërisë Etnike. Ishte njëri ndër drejtuesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nga fundi i 1944 si dhe shumë atdhetarë të shquar detyrohet të marrë rrugën e mërgimitarit politik.

Kalon në Austri, Gjermani, Itali dhe vendoset në Izmir të Turqisë, ku disa vjet bëri jetë të mjerueshme duke punuar si punëtor i materialit ndërtimor, jetonte në një shtëpi prej balte.

Disa vite më vonë kaloi në Belgjikë, ku pati kushte më të mira dhe mundësi për kontakte me bashkëveprimtarët e tjerë shqiptarë në këtë vend dhe në vendet e tjera perëndimore.

Pas lufte u shpall armik i popullit dhe u përfshi në listën e njerëzve që nuk u lejohej kthimi në atdhe, ja konfiskuan tërë pasurinë.

Në vitin 1956 me dekretin nr 2205 datë 5/1/1956 mbi amnistinë e shtetasve shqiptarë të arratisur jashtë shtetit, u amnistua duke iu kthyer e drejta për të ardhë në atdhe, por ai duke e nuhatur rrezikun nuk u kthye më kurrë.

Vdiq në vitin 1971. Ideal i iti ka qenë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Është autor i veprës së njohur “Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit shqiptar për mbrojtjen e Kosovës”, Bruxelles 1964 dhe i veprës “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, Bruxelles, 1970.

 

f. 153

Dervish Hamiti i Kolshit

Ishte një burrë që bënte një jetë asketi. Sjellja dhe jeta e tij në pamje të parë dukej si e veshur me misticizëm. Qarkullonin hamëndje për të kaluarën e tij, mënyrën se si silleshin dhe batutat që bënin kur hynin në bisedë. Nuk kishte banesë, verës flinte nën urën e Drinit të Zi, dimrit ku të gjente ndonjë strehë të harruar. Nuk ishte i sëmurë, as fizikisht, as mendërisht, nuk kërkonte punë, nuk pranonte lëmoshë nga njerëzit që u dukej se e përbuznin, nuk krijonte probleme për rendin dhe qetësinë e qytetarëve, nuk futesh nëpër lokale.. Me sa duket në rrethana të caktuara të jetës është shkëputur nga trungu familiar dhe ka zgjedhur si mënyrë jetese e si formë proteste ndaj fatit të keq këtë jetë. Po s’e ngacmoje nuk të ngacmonte. Kur dikush e provokonte me fjalë, ishte hazër xhevap, duke e detyruar tjetrin ta ulë kryet i turpëruar. Shikonte punën e vet dhe bënte jetën që kish zgjedhur. Si ai kanë qenë Shaban Hoxha dhe Ali Koliçi.

 

f.421

Muharrem Bajraktari 1894-1989

U lind në fshatin Domaj të Ujmishtit. Shkollën fillore e kreu në Kolesjan. Në vitin 1916, mobilizohet nga austrohungarezët për të kryer shërbimin ushtarak, ku dallohet dhe gradohet rreshter. Pa e kryer shërbimin ushtarak dërgohet në Vienë, Austri, në një shkollë ushtarake, të cilën e mbaron me sukses në vitin 1918 dhe merr gradën nëntoger këmbësorie.

Në vitin 1921 merr gradën toger dhe emërohet zëvëndëkomandandant e më vonë komandant i xhandarmërisë së prefekturës së Kosovës (me qendër në Krumë). Gjatë trazirave të vitit 1923, të udhëhequr nga Bajram Curri kundër Zogut, luftoi kundër tij duke i qendruar besnik Ahmet Zogut. Në vitin 1924 pas rënies së qeverisë së Zogut, qendroi në Shqipëri për të organizuar rezistencën kundër qeverisë së Nolit. Në dhjetor 1924 kthehet në Tiranë së bashku me Zogun.

Gjatë viteve 1925-1927 u caktua komandant i zonës ushtarake veriore, ku dha kontribut për eliminimin e “bandave” në Tropojë e Dukagjin të Shkodrës.

Në periudhën 1927-1932 punon si komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare, në fillim me gradën nënkolonel e pastaj kolonel.

Gjatë 1932-1934 emërohet adjuntant i mbretit Zog, duke u bërë një nga njerëzit e tij më të afërt. Në këtë periudhë Muharrem Bajraktari krijoi një armiqësi të fortë me tre persona që ishin shumë afër me mbretin, me Musa Jukën, ministër i brëndëshëm, Lalë Krosin dhe Abdurrahman Dibrën, në konfliktin e pabarabartë një me tre. Muharremi humbi besimin e Zogut dhe u detyrua ta lërë detyrën dhe të largohet në Jugosllavi.

Në vitin 1935 Muharrem Bajraktari në bashkëpunim me Gjon Marka Gjonin organizojnë një revoltë që përfshiu gjithë veriun. Kjo revoltë në thelb ishte kundër Musa Jukës. Qeveria e Tiranës mobilizoi 4 batalione dhe arriti ta neutralizojë revoltën. Me 8 janar 1935 Muharremi u largua për në Kosovë. Aty u çarmatos dhe u internua në Gjakovë. Gjatë viteve 1935-1939 qendroi në Jugosllavi e në Francë. Në vitin 1939 kthehet në Shqipëri. Gjatë periudhës 1940-1944 u angazhua në luftë kundër italianëve, gjermanëve dhe komunistëve. Bashkëpunoi me Abaz Kupin, vëllezërit Kryeziu dhe me Ballin Kombëtar. Pas vendosjes së pushtetit popullor me 29 nëntor 1944, doli në mal dhe luftoi me forcat speciale të ndjekjes. Në këto luftime vëllavrasëse humbi dy djemtë, Hamidin dhe ibrahimin dhe shumë nga bashkëluftëtarët e vet. Në shtator 1946, së bashku me 55 persona të tjerë, të gjithë nacionalistë të kërkuar nga organet shqiptare dhe jugosllave e la atdheun duke u nisur nga “Lera e Sorrave” në drejtim të Maqedonisë dhe më tej vendoset në Greqi e Belgjikë, ku nuk e ndërpret luftën kundër komunizmit.

Kukësi i Vjetër-3

Ushtria serbe ne nentor 1915 terhiqet ne Shqiperi duke kaluar neper Uren e Vezirit. Ne krye eshte mbreti.

f.396-397

Masakrat serbe 1912-1913

Dimitrije Tucoviq në librin e tij “Serbia e Shqipëria” shkruan:

Kryengritja shqiptare e shtatorit 1913, për shkak të së cilës Serbia u detyrua të mobilizojë përsëri afro tre divizione, është një shembull klasik që tregon se si shkaktohen luftrat koloniale. Okupimi i ushtrise serbe shtrihej prej lindjes e deri në dyert e grykave dhe qafëmaleve shqiptare. Ky okupim e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullosave, kopetë prej lugjeve, fshatin prej mullirit, blerësin e shitësin prej tregut, rrethinën prej qytetit, kurse tërë popullsinë malore prej qendrave ekonomike dhe drithoreve të saj. Shqiptari i andejshëm (i Shqipërisë Londineze) nuk guxonte të shkelte më në tokën e tij që i kishte mbetë në këtë anë (në Kosovën e pushtuar). Të gjitha burimet e jetës iu prenë.  Populli i dëshpëruar dhe i uritur pa masë, së pari u lut të vijë lirisht në tregje. Por, kur iu ndalua edhe kjo, ndërmjet vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, zgjodhi këtë të dytën (plumbin).

Gazeta e Zagrebit “Hrvatska Novosti” shkruante:

Ҫudi e madhe?! Serbët jo vetëm në kohën e luftimeve, që bënë aq çudira mbi shqiptarët e Kosovës sa gjithë bota u neverit, por edhe sot pas vendimeve të Konferencës së Londrës, kudo që kanë shkelur, vrasin, presin, vjedhin, burgosin, dhunojnë e plaçkisin popullsinë e pafajshme vetëm pse janë shqiptarë.

 

Gazeta Daily Telegraph shkruante:

Historia nuk njeh persekutime më të fëlliqura se sa pasojën e llahtarës së duarve dhe shpirtit të trupave (reparteve) të gjeneral Jankoviqit

Në gazetën Radniçke Novine nr 212, Beograd, 9 tetor 1913 një ushtarak serb shkruan një letër për masakrat në Lumë:

Mund të them se këtu ndodhin gjera të lemerishme. Unë rrënqethem nga e gjitha kjo dhe gjithnjë e pyes vetveten, vallë është e mundur që njeriu të jetë kaq barbar dhe të bëjë kështu? Kjo është e tmerrshme e llahtarëshme..Nuk guxoj dhe s’kam kohë që të shkruaj gjerësisht. Mund të them se Luma nuk ekziston më. Gjithçka ështe shndërruar në kufoma, hi e pluhur. Kishte fshatra me nga 100-150-200 shtëpi, në të cilat nuk ngeli absolutisht askush gjallë…I mblidhnin tubë, 40 deri 50 njerëz, dhe ashtu si ishin grumbull i therrnin të gjithë me thika. Plaçkitja ordinere u bë kudo. Oficerët plaçkitën kope të tëra bagëtish dhe i shitën përmes ushtarëve në Prizren.

 

Po në atë gazetë Dimitrije Tucoviq shkruante :

Kur trupat serbe shkatërruan fshatin Topojan aty s’kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhëra të djegin fshatin dhe të therrin me thika, kot kundërshtonin, kot i përsërisnin fjalët “të gjithë a?” Të gjithë ishte përgjigjia e njëfarë kapiten Jurishiqit. Për dy orë u vranë 500 shpirtra…Shqiptarët e “egjër” ushtarët tanë të zënë rob i çarmatosnin dhe i lëshonin, kurse ushtria jonë e “kulturuar” e shekullit XX po i vret edhe fëmijët e tyre..

 

Një ushtar i quajtur Vuksanoviq rrëfente:

Shqiptarët në fillim i vritnin me pushkë dhe patllake, por së shpejti erdhi urdhëri se nuk kishte leverdi të shpenzohet municioni, prandaj shqiptarët do të therren me thika. Dhe kështu ndaheshin në grupe grupe…rreshtoheshin në rreshta me fytyra të kthyera kaj njëri tjetri dhe atëhere oficerët dhe nënoficerët i therrnin shqiptarët një e nga një në qafë. Këta njerëz, fatkeq as që luanin nga vendi, as nuk bërtisnin, as nuk mbroheshin, thuajse nuk ishin qënie njerëzore të vetëdijshme, por shikonin të qetë si i therrej shoku pranë dhe thika po ia shpërthente fytin e tij. Nuk mund ta merrja me mend një gjakftohtësi dhe qendrueshmëri të këtillë njerëzore, të cilët e shikonin vdekjen me sy të hapur. Është kjo njëra nga skenat më të llahtarëshme që e përjetova gjatë luftërave. Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohen ato.

 

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch