Home » Lajme, Vendore » Elvis Naçi: Familjes Abazi do t’i ndërtohet shtëpia e re dhe do t’i jepet pension

Elvis Naçi: Familjes Abazi do t’i ndërtohet shtëpia e re dhe do t’i jepet pension

Elvis Naçi, i njohur me për aktivitetin e tij human, ka njoftuar se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i shtëpisë për familjen Abazi nga Gjilani dhe po ashtu kjo familje do të përfitojë një pension prej 1000 eurove.

“Ne Familjen Abazi ne Gjilan ku vdiqen nga termeti dy vellezerit qe ndodheshin ne Durres, Qofshin te Xhenetit dhe shume shpejte fillon Shtepia e re per tu ndertuar dhe nje pension 1000 euro per 6 Jetimet. Amin”, shkruan Naçi në Facebook.

Familja Abazi nga Livoçi i Gjilanit, e cila nga tërmeti i së martën në Shqipëri, ka humbur dy djemtë Shemsedin dhe Isa Abazin, po vizitohet nga shumë qytetarë e përfaqësues të institucioneve të cilët përveç ngushëllimeve po ndihmojnë në mënyra të ndryshme.

Tërmeti që goditi Shqipërinë la të vdekur dy vëllezërit Abazi, të cilët mbetën nën rrënojat e një hoteli në qytetin e Durrësit.

Qytetarë të shumtë, biznese dhe institucione komunale e shtetërore, janë zotuar për t’i ndihmuar familjet e dy të ndjerëve.

Shemsedini, 32 vjeçar pas vetës ka lënë gruan dhe katër fëmijë, ndërsa, Isa 29 vjeçar ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Kushtet në të cilat jetojnë familjet nuk janë të mira. Ndërsa, të dy vëllezërit kishin punuar si mekanik në Shqipëri për të siguruar bukën e gojës.

Axha i dy të ndjerëve, Ramadan Abazi, për KosovaPress, ka thënë se kushtet në të cilat jetojnë familjet e dy të ndjerëve nuk janë të mira.

Ai tregon se vetëm dy vëllezërit kishin punuar për të mbajtur pjesën tjetër të familjes, derisa thotë se bashkëshortet e tyre nuk kanë punuar asnjëherë.

“Kushtet dihet sa të mira i kanë pasur. Ata për bukë kanë shkuar, ata dy nipat për një kafshatë buke, me punuar e me fituar një kafshatë bukë me ua pru fëmijëve. Por dashtë Zoti do të na ndihmojnë edhe institucionet shtetërore, sigurisht jam i bindur, se kanë mbetur 6 jetimë, vëllai im është i paaftë për punë, e kanë edhe një axhë, se këta e kanë humbur edhe një vëlla më herët para 12 viteve, edhe dy tash, veç tre, një ka mbetur prej tyre edhe ky është me do operacione, jo boll i aftë për punë, po dashtë Zoti presim ditë të mira”, tha ai.

Axha i vëllezërve Abazi ka falënderuar të gjithë ata që po i ndihmojnë për të kaluar këto ditë të vështira për ata, derisa ka bërë të ditur se familjes i është premtuar se do t’i ndërtohet një shtëpi.

“Falënderoj të gjithë shqiptarët që po na vizitojnë, po na ndihmojnë me ndihmat më të mëdha, vetëm që po vijnë po na ndihmojnë e po na vizitojnë. Po na e heqin gjysmën e dhimbjes. Tragjedi e madhe, po nuk kemi çka bëjmë dhe iu kisha shprehë ngushëllime edhe atyre vëllezërve në Shqipëri që kanë humbur jetën. Po na ndihmojnë, falënderoj Zotin dhe ata që po i ndihmojnë këtyre jetimëve. Na kanë dhuruar një shtëpi mbrëmë, ju ka fal një shtëpi, thanë a doni banesë me ua ble apo shtëpi me iu ndërtu, pranuan një shtëpi me ua ndërtu këtyre jetimëve, se e kanë vendin ku me iu ndërtuar, kështu që kush po vjen po na ndihmojnë”, tha ai.

Abazi tregoi se Shemsedin Abazi kishte jetuar në shtëpi të vete, ndërsa, Isa Abazi kishte jetuar së bashku me babain dhe një vëlla tjetër.

“Deri më tani kanë jetuar ai i dyti Isa ka jetuar me babai dhe vëllain, e Shema ka qenë i ndarë prej tyre. Po dashtë Zoti presim ditë të mira”, tha ai.

Familja Abazi është vizituar nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi në përballimin e kësaj humbjeje kaq të madhe.

Për ngushëllime familjen Abazi e ka vizituar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderaj Bekim Jashari, përveç që ka qenë për ngushëllime kësaj familje i ka ndarë 5 mijë euro.

Ditën e sotme edhe Qeveria e Shqipërisë ka ndarë 15 mijë euro për familjet e dy vëllezërve Abazi që vdiqën si pasojë e tërmetit.

Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me bizneset e kësaj komuna u kanë dhuruar 5 mijë euro familjes Abazi nga Gjilani, që ka humbur dy djemtë në tërmetin e të martës që ka goditur Shqipërinë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u shpreh se duke qenë se aksioni për mbledhjen e parave po vazhdon do të ndajnë edhe mjete të tjera për këtë familje.

“Ne ishim sot për ngushëllime në familjen Abazi këtu në Livoç të Gjilanit. Dhimbja është e pakrahasueshme edhe për këtë familjen këtu edhe për vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri atje. Neve si komunë kemi marrë një aksion së bashku me të gjitha bizneset e komunës sonë dhe kemi nda një shumë simbolike edhe për familjen Abazi në vlerë prej 5 mijë euro. Po shpresoj, sepse aksioni është duke vazhduar në komunën tonë dhe pasi që të përmbyllet si aksion në tërësi po shpresoj që do të ndajmë edhe një shumë tjetër për këtë familje”, tha Jashari.

Tërmeti që ndodhi në Shqipëri ka lënë të vdekur 51 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch