Home » Intervistë » ENTELA BINJAKU: SHKRIMET E MIA PARAQESIN TABLO NGA JETA SHOQËRORE SHQIPTARE

ENTELA BINJAKU: SHKRIMET E MIA PARAQESIN TABLO NGA JETA SHOQËRORE SHQIPTARE

Nga: Prof. Murat Gecaj,

publicist e studiues-Tiranë

ENTELA BINJAKU 

 

1.Nga një shikim i shpejtë, në artikujt që ke publikuar, si në shtyp e Internet, mesojmë se numri i tyre, në këta vitet e fundit, është i lartë…Cila ka qenë tematika kryesore e tyre?

-Faleminderit për interesimin e treguar! Artikujt e mi janë botuar në disa nga të përditshmet shqiptare, në median online dhe  atë të shkruar. Guximin për të shkruar e kam gjetur te nxitja, që më kanë dhënë njerëz, të cilët e njohin gazetarinë dhe që kanë besuar në formimin tim. Ndërsa besimin për të vazhduar,  e kam krijuar nga mendimet e lexuesve. Jam ndjerë e vlerësuar për hapësirën, që më është dhënë dhe u jam mirënjohëse që më kanë ndihmuar në rrugën e afirmimit tim, përmes fushës që me dëshirë e kam zgjedhur, pjesë të sakrificës sime. Por, pa lexuesit, çdo përpjekje nuk do të kishte kuptim dhe unë u jam thellësisht mirënjohëse.

Artikujt dhe intervistat e mia flasin për tematika nga  jeta shoqërore shqiptare, përmes  këndvështrimeve   të mbështetura  në parimet e studimeve  sociologjike.  Familja, gruaja, rinia, edukimi, papunësia, varësitë, shëndeti,  karriera, vetëvrasja, dhuna, kriminaliteti, fëmijët, kultura etj., kanë qenë disa prej shqetësimeve të mia.  Herë  falë vëzhgimeve, herë falë intervistave të drejtëpërdrejta, jam përpjekur të sjell tablo të jetës shoqërore shqiptare, sëbashku me rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të saj. Shumë sociologë kanë në jetëshkrimin profesional artikuj dhe botime që synojnë ndihmesën në shoqëri, përmes profesionit.

2. Natyrshëm, një autor i mbledh shkrimet e veta në një libër. Ke botuar një të tillë, “Ligjet e Mërfit” (Tiranë, 2008). Shkurtimisht, për çfarë flet ai?

-Ai libër ishte një përpjekje në përkthim, përgatitur në shtëpinë botuese “Vatra”, në Maqedoni. Kjo ishte sprova e parë, ndërkohë që jam duke punuar për të sjellë në shqip një figurë nga historia botërore, në bashkëpunim me një shtëpi botuese, këtu në Shqipëri.

“Ligjet e Mërfit” janë një përmbledhje aforizmash dhe aksiomash, që kanë dalë nga  një koleksion përvojash jetësore në botë,  por  që kishin lënë gjurmë  tek unë, gjatë viteve studentore.  Ndaj, e  ndjeva se duhej t’i sillja si ndihmesë edhe për të tjerët, që ndoshta mund ta gjenin me vlerë, siç i  kisha gjetur unë, në rininë time të parë.

Në fundin e vitit 2013, u botua në  variantin elektronik libri im,  “Një copëz Shqipëri”, që është një tablo e shkurtër e jetës shqiptare. Ky libër u përgatit nga botuesi i  saj në Prishtinë dhe, deri në këto caste, është pritur mjaft mirë.

Libër, në variantin elektronik, nga Entela Binajku

 

Libër, në variantin elektronik, nga Entela Binajku

 

Aktualisht, kam gati për botim librin me titull “Sociologjia: hyrje”, një cikël paraqitës, për këtë fushë të mrekullueshme të dijes njerëzore, me të cilën jam e lidhur dhe falë së cilës e kam njohur më mirë shoqërinë, ku jetoj dhe pjesë së cilës jam.

3. Po, tërë shkrimet, për të cilët folëm në fillim të kësaj bisede, sigurisht më të zgjedhurit, a ke ndërmend t’i tubosh në një libër tjetër?

– Sigurisht, ato  janë shkrime të botuara dhe ai lexues, tek i cili kanë mbërritur  dhe që  ka treguar  interes, është njohur me to.

Qëllimi im ka qenë të shprehurit e një shqetësimi, detyrimi për ta dhënë ndihmesën time modeste, përmes rekomandimeve për zgjidhje, si  dëshira për të ndarë me të tjerë mendime, që shkojnë në drejtim të përmirësimit të jetës sonë shoqërore.

Mendoj t’i risjell edhe të sistemuara në një libër, ku shkrimet të gjejnë një lloj rregullsie ose vijimësie të arsyeshme  në renditje, për t’i afruar me të tjerë lexues, që ndjehen të lidhur me librin. Pra, besoj, do ta gjej një kohë të përshtatshme për ta realizuar këtë qëllim.

4.Tashmë, ke një përvojë të mirë nga studimet e larta, për socologji e pedagogji,  në Bukuresht të Rumanisë…Çfarë mbresah ke nga ai vend, i cili na kujton jetën e mjaft  atdhetarëve e intelektualëve shqiptarë? Po lidhjet me të, a i vazhdon dhe  si?

-Është e saktë, unë i kam kryer studimet e larta në Rumani, nga të cilat një vit në Universitetin e Oradeas dhe katër të tjerë në Universitetin e Bukureshtit. Po ashtu, më tej, kreva  edhe studimet master, në Universitetin e Bukureshtit, të cilit i detyrohem mjaft për formimin tim. Ndjehem shumë e lidhur me atë vend dhe me atë kulturë të tij, të cilën pata fatin ta njoh përmes gjuhës rumune. Atje kam miq, që më kanë dashur dhe mirëpritur në ditë të vështira për mua,  që më kanë ndihmuar dhe mbështetur në mënyrë të sinqertë. Prandaj,  për ata ndiej dashuri të sinqertë dhe mirënjohje. Por, dinamika e jetës, mënyra si ka vijuar ajo për secilin, nuk lejon të jesh në mënyrë të pandërprerë në lidhje me shumë nga miqtë e mirë rumunë,  që do të doja t’i kisha pranë. Megjithatë, ata e kanë gjithnjë një vend në zemrën dhe kujtesën time. Tashmë, teknologjia na lehtëson shumë në këtë drejtim dhe unë, aq sa mundem, i ruaj miqësitë, edhe në largësi.

5.Je sociologe dhe, që prej vitit 2006, jep mësim në arsimin e lartë shqiptar, pra njëkohësisht je pedagoge. Si e vlerëson përvojën e fituar, në këtë fushë të jetës?

-Përvoja pedagogjike është e bukur dhe e pazëvendësueshme. Ajo më ka dhënë  mundësinë të jem  njeri i vlerësuar  për punën që kryej dhe më ka nxitur  të jem më  kërkuese ndaj  vetes.  Potenciali i studentëve, nga njëra anë, më ka ndihmuar ta shtoj optimizmin për jetën dhe, nga ana tjetër, më ka nxitur të jem më kritike ndaj gjendjes aktuale të bashkatdhetarëve të mi. Sakrificat e familjeve të studentëve shqiptarë më kujtojnë pikërisht ato, të prindërve të mi për mua. Ky fakt më ka bërë të jem më e ndjeshme dhe më kërkuese ndaj punës sime, duke respektuar sakrificat, që bëjnë ata për t’u shkolluar, në një kohë jo aq të lehtë.

6.Nga leximi i jetëshkrimit tënd, mësova se je dhe veprimtare e palodhur shoqërore…Ndër të tjera, çfarë mund të tregosh për Fondacionin “Harriet Martineau”?

-Ky fondacion është një nismë e institucionalizuar e disa intelektualëve, për ta dhënë ndihmesën në shoqërinë shqiptare, në drejtim të çëshjeve, që lidhen me gratë e të rinjtë, me edukimin, kulturën e njerëzit në nevojë. Fondacioni është frymëzuar nga një personalitet femëror, me  ndimesa të njohura dhe të rëndësishme në mendimin sociologjik botëror, me dëshirën për të ndihmuar edhe lartësimin e figurës së grave veprimtare shqiptare.

Sëbashku me kolegë, nën “ombrellën” e këtij Fondacioni,  kemi kryer një sërë veprimtarish. Jemi pjesë e aktivizmit civil shqiptar dhe japim ndihmesën tonë, përmes ideve të konkretizuara në hartimin e projekteve, që synojnë përmirësimin e jetës shoqërore të vendit, ku jetojmë. Puna me projekte në Shqipëri ka nevojë të konsolidohet më tej dhe të tregojë potencialin ndikues në jetën shoqërore të atyre njerëzve, që e duan vendin, ku jetojnë e punojnë.

7.E fundit, por jo nga rëndësia, a mund të tregosh diçka për jetën familjare dhe sa e si të ndihmon ose “pengon” ajo (ha,ha),  në të gjitha punët e veprimtaritë tua të përditshme?

-Jeta ime familjare është ajo e një njeriu të zakonshëm, që ruan traditën shqiptare të familjes, dashurinë e pakufishme për të afërmit, respektin për një regjim të kultivuar në  kohë, angazhimet e përbashkëta për të përballuar vështirësitë, që jeta shqiptare  nuk t’i kursen, emocionet dhe gëzimet ndaj arritjeve të secilit dhe shpresën për të ardhmen më të mire, për të gjithë sëbashku. Mirëkuptimi dhe mbështetja e familjes sime  kanë qenë dhe janë një forcë e madhe për mua. Ato më kanë dhënë qetësinë të përqëndrohem në rrugën e bukur, por dhe të vështirë,  që vetë e kam zgjedhur dhe besimin që investimi i kryer, në kohë, një ditë do të evidentohej. Edhe kjo bisedë është një ilustrim i kësaj, që sapo thashë.

8.Ndonjë fjalë tjetër e jotja, në fund…

-Ju falënderoj për bashkëbisedimin dhe vlerësimin e treguar ndaj meje. Nuk është në natyrën time të flas për veten. Mendoj se njeriu flet më shumë përmes punës që kryen dhe ndihmesës që jep, asaj që lë pas dhe që nuk humbet në kohë. Lexuesve, ju  dëshiroj vetëm të mira dhe shëndet! Faleminderit nga zemra!

-Ishte kënaqësi që e zhvilluam bashkë këtë Bisedë, Entela. Me këtë rast, të falënderoj dhe të uroj gjitha të mirat e arritje të reja, në tërë punët dhe veprimtaritë e shumta!

Tiranë, 15 shtator 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch