Home » Lajme » Epopeja e Jezercit, tregoj se UÇK-ja ishte gjallë

Epopeja e Jezercit, tregoj se UÇK-ja ishte gjallë

Epopeja JezercitNë pesëmbëdhjetë vjetorin e betejës së Jezercit, dhe rënies së dëshmorëve, Gursel e Bajram Sylejmani, në një Akademi përkujtimore, u vlerësua lartë heroizmi, atdhedashuria, e dy vëllezërve të cilët ranë për të mos vdekur kurrë për lirinë e Kosovës. Përfaqësues të institucioneve, e bashkëveprimtarë të Gurselit e Bajramit thanë se vëllezërit e pesë motrave ranë për lirinë e popullit të Kosovës.

Me këtë rast, ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tani Ministër i FSK-së, Agim Çeku, në emër të Qeverisë dhe kryeministrit Hashim Thaçi, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin më të madh institucional për një nga betejat më të lavdishme, betejën e Jezercit.

Çeku ka thënë se gjendet në këtë akademi për të shprehur mirënjohjen për dëshmorët që janë të pavdekshëm në këtë epope, vëllezërit Gursel dhe Bajram Sylejmani, që ishin të pandashëm dhe pranë njëri-tjetrit, ashtu edhe ranë, si në legjenda.

“Sot kur përkujtojmë me respekt të lartë 15 vjetorin e betejës së lavdishme të Jezercit, Kosova ka bërë më shumë se pesë vite shtet. Në themelet e këtij shteti qëndron gjaku i dëshmorëve të epopesë së Jezercit, dhe mijëra dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Jezerci i ka dhënë Kosovës luftëtarë dhe prijës të shquar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjeti në Jezercë një bazë të sigurt. Jezerci ishte një linjë më e sigurt e furnizimit, e kalimit dhe lëvizjes së luftëtarëve të UCK-së. Ishte vend ku u morën vendime shumë të rëndësishme për luftën tonë”, ka thënë Çeku.

Ish komandanti i UÇK-së, ka shtuar se gjatë luftës ka pasur fatin që të qëndrojë në Jezercë për dy javë me luftëtarët e Zonës Operative të Nerodimes, duke thënë se Jezerci do të bëhej streha e mijëra civilëve. Ai ka thënë se banorët e kësaj ane meritojnë respektin dhe nderin më të madh, derisa rezistenca që bënë ushtarët e UÇK-së në betejën e Jezercit ishte e jashtëzakonshme, ashtu siç ishte e jashtëzakonshme jehona e kësaj beteje. Sipas Çekut, kjo epope tregoi se UÇK-ja ende ishte gjallë pas betejës ku ranë Fehmi e Xhevë Lladrovci.

Ndërsa, në anën tjetër bashkëveprimtari i dy vëllezërve Gursel e Bajram Sylejmani, Bajrush Xhemajli me emocion kujtoj rënien e këtyre luftëtarëve, derisa ishte duke vuajtur burgun në qelitë e burgut të Mitrovicës së Sremit. Ai ka thënë se në fillim të janarit të vitit 1999, kur po vuante burgun politik me shokë, në vizitën që i kishte bërë nëna dhe bashkëshortja e tij, përveç lajmeve të hidhura për luftën, ai mori edhe lajmin me të hidhur që kishte dëgjuar deri atëherë.

“Si rrufe me goditi lajmi për rënien e Gursel dhe Bajram Sylemani. Ishte goditja më e rënd që kisha marr deri atëherë. Mu duk se mu shqye zemra, e për një moment mu ndal truri. Që të dy jo vetëm që i kisha djem të tezës, por shok të idealit me të cilët kishim kaluar kohë në ilegale, ndërsa me Gurselin në Vranjë kishim ndarë edhe qelinë e burgut se bashku. Me dolën përpara karakteret e tyre të fuqishme. Gurseli gjithherë i dashur, i qeshur e i gatshëm për t’u rrekur me problemet edhe me të rrezikshme për të mirën e përgjithshme, njëri i përkushtuar e i përgjegjshëm në punë atdhetare duke dhënë jetën e tij”, ka thënë Xhemajli.

Me tutje Xhemajli u shpreh se Gurseli e Bajrami ishin dy intelektual të rinj, njëri piktor e tjetri inxhinier, bashkëshort e prind shembullor, e shembull brilant se si dy vëllezër duhen, si punojnë dhe veprojnë së bashku, e mbi të gjitha, atij nuk i hiqet nga mendja se tezja më nuk kishte fëmijë të tjerë, as djem e as vajza, sa do që nipërit e mbesat që i kishin lënë Gurseli e Bajrami, por, burri tashmë veç i kishte vdekur. Me tutje, ai ka thënë se pas këtij lajmi u mërzit shumë, ndërsa shokët e qelisë e ngushëllonin, kurse edhe ai iu kishte drejtuar me pak fjalë, se lufta për liri edhe veç këta dy dëshmorë po t’i merrte, vërtetë është e shtrenjtë.

Në këtë akademi një fjalë rasti mbajti edhe vajza e Gurselit, Kaltrina Sylejmani, e cila fjalimin e saj filloj duke e cituar babanë e saj.

“Njeriu që jep jetën për atdhe, nuk vdes, por jeton në zemrat e njerëzve liridashës. Dhe përnjëmend duke ju parë juve sot, tregon se ai është i gjallë…Prezenca juaj tregon edhe si nderohet vepra e një dëshmori. Me krenari të thellë deklaroj se babai im Gurseli nuk është vetëm heroi im, i motrës pranverës, dhe vëllait Diellit, ndërsa xhaxhi Bajram nuk është vetëm hero i Gentit dhe Jonës. Ata janë hero të të gjithë fëmijëve dhe gjithë popullit tim që sot e gëzon lirinë në këtë tokë të shenjtë”, u shpreh Kaltrina Sylejmani.

Ajo ka thënë se ata nuk ranë që ne të ndihemi borxhlinj ndaj tyre, por ne duhet të ndihemi të tillë karshi ruajtjes së paqes dhe zhvillimit të vendit, sepse ky ishte vizioni dhe ëndrra e tyre.

Dëshmorët tjerë të epopesë së Jezercit, ishin edhe Bashkim Vishi, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Sali Baliu, Sejdi Sejdiu, Nazif Fevziu dhe Kemajl Kurteshi.

Kjo akademi u organizua nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Po sot, në ambiente të Teatrit kombëtar, është hapur një ekspozitë me veprat e dëshmorit, njëherësh piktorit, Gursel Sylejmani.
(Kosovapress)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch