Nga: Mimoza Agalliu -Tiranë
Ashtu si Hëna , që lind e shuhet në udhëtimin e saj përtej reve, edhe pulset e zemrës fillojnë aritminë e mungesës së dashurisë.
Vjen nje moment, kur ti i ke thënë të gjitha dhe aty fillon disfata.
Cili është problem?! Ai apo ajo?!
Askush, përveç faktit, që njeriu nuk duhet të lodhet së dashuri …..Po, po ndodh edhe kështu…
Ti e largon vete atë, e shtyn për tutje, sa për të qëndruar pak vetëm në meditimet e tua. Gjen njëmijë e një arësye, që t’i fshihesh, pa menduar që rrezikon ta humbasësh.
Ka shumë “viktima”, mes gjetjes e mosgjetjes përsëri , të asaj që ti e quajte çast të “tepërt”.
Fillon dhe gjen njëmijë e një arësye, për ta vrarë me fjali të egra, të ashpra, duke e goditur pa mëshirë…Ajo fillon e zbehet, duke marrë plagët , që ti i krijove vetë, për të kënaqur egon tënde…
Mundohesh të gjesh parajsen tënde, në mijëra copa emocionesh të
shpërndara nëpër vendet , ku shkel, por pa arritur ta arkitekturosh një të tërë, zemër të vërtetë… Se një gjysëm, nuk mund të quhet një e vetme.
Kur retë fillojnë të lëvizin me shpejtësi në qiell, trupi të futet mes tyre dhe rrokulliset në mijëra dritë yje larg. Shikon sesi ndjenjat copëzohen në grimca të imta, duke formatizuar lotin e nxehtë..
Loti është mall, por është dhe inat. Dikush e fsheh, dikush e pi me gllënka. Shija mbetet në pusin e thellë të ndjenjave, pa kuptuar rrëshqitjen e saj të nxehtë nëpër kohë…
Eshtë e vërtetë që jeta të rrokullis në mijëra rropatje edhe atëherë, kur ti mendon se je në çaste magjike të ekzistencës tënde…
Pikërisht atëherë, ti ke humbur shumë, por jo veten .Vetja nuk mund të shuhet nga disa lëndime, as të gjakoset, pse u rrëzove ashpër.
Koha pastron udhët e ferrat kalben, bëhen pleh për një rilindje…
Pas kësaj, lindin mijëra yje, që të rrëfejnë se ku të hedhësh hapin ,- te balta apo te bari.
Por, përsëri njeriu, si qënie e çuditshme , shkon të prekë gjithçka, që i del përpara, kërkon të provojë …
Kjo është zgjedhje, që bën për të qëndruar pastër a baltosur. Do të provojë sa i fortë është përballë ndjenjës.
Nuk njoh diçka më të fortë se ndjenja, njoh vetëm humbës betejash me të… Humb më shumë ai, që është më egoist , në fakt humbin të dy.
Atëherë, futesh në oqeanin e thellë, ku ozonet mungojnë , ku masat e përzierjes së ndjenjës ftohen, si një akullnajë, që nis udhëtimin në rrugë të panjohura..
Atëherë, ti kujton kur ishe valë dhe dallgët e pendesës fillojnë të të mbysin ngadalë, derisa asfiksimi ta le në mëdyshje ekzistencën përsëri.
Rrallëkush e gjen burimin e nxehtë ta shkrijë, vetem prej egos së sëmurë.
Ne pyesim: Pse ndjenja na vret?!
Ndërkohë , ne e degdisim atë në labirinthe të errëta dhe, kur na mungon, e thërrasim të vijë, kur ajo nuk ka më kthim pas. Edhe kur tentojmë, përsëri ajo e ka humbur shkëlqimin natyror, por ne e trukojmë për të kënaqur përsëri egon tonë.
Aty nis tatëpjeta, kur fjalët janë heshtje e heshtja vret…
Fillon rropatja e ndjenjës…
Ti, ti, ti e ke fajin, jo egoja ime!
Por ç’faj ka ndjenja, kur ajo është frymë dhe fryma jetë?!
Për egon tonë vrasim jetën çdo ditë, ngapak . E duam jetën, e duam frymën, por përse e sakrifikojmë, kur buzës mund t’i veshim një puthje të njomë?!
Harron se ndjenja është vazhdimësi jete . Pa këtë, je një pemë me rrënjë të shtrira në sipërfaqe, ku shkelet dhunshëm nga çdo këmbë.
Kush e mbjell keq pemën, rritet me deformime në trung dhe kjo prish bukurinë, që i ofrohet shpirtit.
Ndaj, nëse ti, ke vendosur t’i arratisesh ndjenjës, e ke shfytyruar atë, duke rrëzuar para këmbëve tua një rrogoz petalesh të bardha, të cilat nesër kthehen në baltosje për të të nxirë të nesërmen.
Çdo ego është kaq e vogël, para ndjenjës.
Ndaj, paqja me të është arratisje, në skajet e pafundme qiellore.
Tiranë, korrik 2014