Home » Histori » Fakte dokumentare – Zef Ashta

Fakte dokumentare – Zef Ashta

Në thelb më intereson komunikimi me lexuesin në formën më të qartë dhe interesante të kërkimeve të mia, me shpresë se mund ta ndihmoj të kuptojë ma mirë ngjarjet e treguara historike. Kërkoj të shpalos fakte dokumentare duke i lënë ato të flasin, duke besuar në ndërthurrjen e narratives të interpretimit. Unë ndjek një histori koherente përshkruese  dhe jo analitike. Mendoj se detyra parësore e historianit është që të tregojë përvojat njerëzore të së kaluarës duke rrëmuar midis sensibilitetit të bashkëkohësve për të kaluarën, duke shmangur rënien në më të keqin e mëkateve historiografike, të mbivendosjes mbizotëruese të historianit mbi subjektet që ai studion. Ne na takon të dimë se çfarë ka ndodhur brenda ne kokat e njerëzve dhe si jetonin ata jetën e tyre në të kaluarën e afërt, pyetje të cilat në mënyrë të pashmangshme, çojnë në përdorimin e narrativës.

Kritiku i madh Italian F.De Sanctis në veprën “Sprova kritike” (Napoli 1920) thotë:

Eshtë një lloj fatalizmi që unë do të thoja njerëzore, të lindësh në një vënd të tillë dhe në një kohë të tillë, të marësh një edukatë të tillë, të rrish afër njerëzve të tillë, ja konditat fatale që tërheqin nga pas të ardhmen e një njeriu

Materiali i mëposhtëm është marë nga Arkivi i Ministrisë së Brëndëshme Fondi Gjyqësor Dosja Nr 1162/A.

Interesante është se pothuaj të gjitha pyetjet e hetuesve janë përqëndruar në marrjen e informacionit historik nga i pandehuri i tyre Zef Ashta. Ky material historik i ka mbetur besnik tekstit origjinal edhe në gërmëzimin e shkronjave. Shijoheni!

 

Astrit Jegeni

Mars 2018 Tiranë

 

 

 

 

 

 

 

H E T U E S i A

 

 

Vdekje Fashizmit                                                                                               Liri Popullit

 

Proçes verbal

 

Sot me datë 6/3/1947 në Zyrën e Seksionit Sigurimit të Shtetit Shkodër, u muar në pyetje nga Oficeri Pyetës N/Toger Bilo Bregu, tue pasë pranë dhe Sekretarin Fadil Rexhepin, kundra të pandehurit Zef Ashta, i biri i të ndjerit Cin e Lules, i datlindjes 1913 lindur e banues në Shkodër, lagja e Lekaj, rruga e Gurazesve, numëri i shtëpisë 6, me shtetësi e kombësi shqiptare, shtresë e ulët qytetare.

 

 

 

Pyetje: Ç‘shkollë ke kryer, ku e ke kryer?

Përgjigje: Qysh në vjetin 1921 kam filluar mësimet fillore, dhe në vjetin 1926 kam vijue mësimet në Gjimnazin Françeskan në Shkodër, ku kam studjuar për 5 vjet rrjesht. Në gjimnazin e Françeskanëve kemi pasun tre profesora italian që na jipnin mësim mbi landë të ndryeshme. Njani nga këto profesora e quanin Gjyzepe Skiro i cili na mësonte (nuk lexohet Aj) kemi dy të tjerë që nuk ja mbaj mend emrin njani na jipte mësim mbi gjuhën Italishte  dhe njani na mësonte matematikë, përpos këtyne kemi pasur dhe Patër Anton Fishtën, Patër Justin Rrota, Patër Fran Kiri, Patër Anton Kiri e Patër Ambroz Marlaskaj që na mësonin mbi landë të ndryeshme, ky i fundit na mësonte mbi gjuhën shqipe.

Pyetje: A e keni patur të detyruar Kishën nga shkolla, a u dënojshin fretnit profesora po të mos shkojshit?

Përgjigje: Gjatë kohës që kam vijuar mësimet në Gjimanzin Françeskan, e kemi pasë të detyrueshme të shkonin të gjithë nxanësit në rrjesht me pa meshë në Kishë. Ndonjë nxënës që nuk paraqitej në orarin e caktuar që të shkonte me shokët për të parë meshë, merreshin masa dënimi nga fretinit që ishin profesora në klasa të ndryeshme të gjimnazit.

Pyetje: Ke vazhduar Kolegjin Ushtarak në Itali, ke shku me ndërmjetësimin e Padër Gjergj Fishtës?

Përgjigje: Në muajin Shtator të vjetit 1931 fillova mësimet në Itali në Kolegjën ushtarake. Për vijimin e mësimëve në degën ushtarake jashtë shtetit më ashtë dhanë burs prej qeverisë të asaj kohe, me ndërmjetësinë e Patër Gjergj Fishtës të cilit Zogu i kish siguruar për çdo vjet që të zgjidhte katër pesë nxanësa nga të gjimnazit Franceskan të cilët dëshironin me vijue mësimet në Akademinë Ushtarake jashta shtetit, për të dalë oficera. Kështu që unë pata rast të shkonja në Itali, ku kam kryer Akademinë ushtarake dhe në muajin Shtator 1936 kam dalë nga Akademija me gradën N/Toger. Mbasi jam gradue N/Toger, kam ba dhe një vjet shkollën e aplikacionit dhe në muajin Korrik të vjetit 1937 jam kthyer në Shqipëri.

Pyetje:Kur u ktheve në Shqipëri ç’gradë kishit sa kohë i shërbeve Zogut?

Përgjigje: Me të ardhur në Shqipëri jam futun me nji herë në kuadrin e Oficerave në komsori si Togkomandant në Kompaninë ushtarake të Batalionit Seman në Elbasan, ku kam shërbyer vazhdimisht deri me ardhjen e okupacionit Italian.

Pyetje:Okupacioni Italian ku të gjeti, e bëre detyrën si oficer, sa e vazhdove luftën?

Përgjigje:Para se të hynin trupat italiane në Shqipëri neve na ka ardhur urdhëni për me shkue e me luftue kundër italianëve në Vlonë. Na erdhëm maqinat, u nisëm kemi shkue në Berat kemi marë dhe disa rezerva që kish grumbulluar Qarku i Beratit e u nisëm për në Vlorë. Kur kemi mbrit nga dy ose tre sahat larg prej Vlore, jemi përpjek në rrugë me disa civila që iknin prej Vlore duke qarë nga friga e ushtrisë italiane, të cilët na ndalën në rrugë e na thanë ku shkoni? Neve ju thamë duam me shkue në Vlorë për me luftue kundër italianëve, ata na thanë se Italianët hynë në Vlonë s‘kini pse shkoni tash. Mbasi muarrëm vesht kështu, zbritëm prej maqinave e ishim rreth katërqind pesëqind vetësh nën Komandën e ish Kapiten Neshat Kolonjës e kemi zanë pozicionet në vendin e quajtur Pestrovë, ku kemi luftuar kundër Italianëve gjithë atë mbas dreke, mandej në mbramje na ka ardhur një urdhër telegrafik prej ish Komandantit Qarkut Gjindarmërisë Berat emnin nuk ja dij i cili na thosh se tërhjekuni e mos u dëmtoni me kot me Ushtrinë Italiane, pse Italianët kanë hyrë në Tiranë, Zogu iku dhe asht formue qeveria e re me Xhafer Ypin e tjerë. Prandej kthehemi për në Fier e mos u vritni kot. Atëherë me një herë neve u kthyem, disa shkuan me maqina në Berat dhe unë me ndonjë qind vetë jam kthyer në kambë ne Fier, atje me urdhër të N/Prefektit dhe të Rreth Komandantit të at‘hershëm kemi dorzuar armët dhe u shpërndamë ata që ishin nga rrethet e Fierit e Beratit shkuan secili në shtëpitë e veta, ata që ishin këtej nga ana e Veriut i kam mbajt unë në bashkëpunim me N/prefektin e Komandantin e rrethit të Fierit, në lokalin e paraushtarakëve të çarmatusun deri sa ja mbrini ushtria Italiane në Fier.

Pyetje: Prej Fierit ku shkove muarët maqina italiane?

Përgjigje: Para se të mbrinte ushtria italiane në Fier unë u bashkova me ish N/Prefektin

Komandantin e Rrethit të Fierit e të tjerë nënpunës civil të N/Prefekturës Fierit dhe mbasi mbrriti nji Kolonel i Ushtrisë Italiane. N/Prefekti i Fierit shkoi e u takua me të pse ashtu kishin bisedue ma parë dhe ay na paraqiti neve si autoritetet e vendit me Kolonelin. Mbasi u prezantuam me Kolonelin Italian unë i kërkova një maqinë te shkoja në Elbasan bashkë me gjithë ushtarët nga ana e Veriut që ishin ndalun në Fier pse atje kishim komandën mvarse. Me të nesermen mora maqinën dhe bashkë me ushtarët që kishnja u nisëm për në Elbasan. Kur vajta në Elbasan u takova me Komandantin e Grupit që kishim ma parë N/Kolonel Brahim Mandiqin prej Shkodre dhe mbas pak ditësh u mblodhëm të gjithë ushtarët e grupit që ishim shpërndarë dhe mbasi u grumbulluam të gjithë ushtarët që ishin në Efektivën e Grupit, Grupi u transferue në nji Batalion me emrin Bataloni Kaptina. Mbasi u organizue batalioni, kam ndenjur deri në muajin Korrik të vjetit 1939, mandej jam trasferue për në qarkun e Korçës në katundin Borsh ku kemi ndenjun deri në muajin Gusht 1939 e mandej jam trasferue për në Ersekë krejt Batalioni Kaptina. Në Kolonjë kam shërbyer deri në muajin Mars 1940 si togë Komandant me gradën Toger dhe mandej jam transferuar për në Shëngjin në kompaninë Presidjale si roje post. Në Shëngjin kam shërbyer deri në mujin Nandor të vjetit 1940. Në mbarim të muajit Nëndor jam trasferue për në Shijak në Batalionin Kaptina ku ishnja dhe më parë. Në Shijak kam shërbyer deri në muajin Fryer të vjetit 1941 dhe mandej jam transferuar me gjithë Batalionin për në Pllanë të N/Prefekturës Lezhës, ku kemi ndenjun ndonjë muej dhe mandej përsëri me gjithë batalionin na kanë transferue në N/Prefekturën e Koplikut. Këtu kam shërbyer deri në muajin Shtator ose Tetor të vjetit 1941 kohë në të cilën përsëri me gjithë batalion na kanë transferue për në Elbasan

Pyetje:Okupacionin Italian si e prite?

Përgjigje: Ardhjen e okupacionit nuk e kemi prit dhe aq mirë. Në ushtrinë shqiptare

axhitacioni për Italinë e paraqitnin me arsyen për nevoja ushtarake për të pasun në dispozicion të saj detin dhe vëndet strategjike për të kryer luftën që kanë fillue dhe nuk kanë ardhun për të shtyp popullin dhe ushtrinë Shqiptare.

Pyetje: Në luftën Italo-Greke ke marrë pjesë, në ç‘vënde ke qenë? A ke bërë

axhitacion në ushtar për të luftuar kundra popujve

Përgjigje: Në luftën Italo-Greke nuk kam marë pjesë pse në atë kohë kam qenë me

shërbim në Shëngjin, por që axhitacion kemi bërë në ushtri i kemi inkurajuar ushtarët për të marë pjesë në luftë Italo-Greke duke ju thanë se grekërit kanë zaptue tokat tona, mundojnë vllaznit tanë në Çamëri, prandaj sot që kemi rastin bashkë me ushtrinë Italiane duhet të luftojmë kundër Grekërve për të çliruar Çamërinë.

Pyetje:A qëndrove në radhët e ushtrisë Fashiste deri kur qëndrove dhe në ç’vënde ke

qenë?

Përgjigje: Në Elbasan kam shërbyer gati nji vjet prej Shtatorit ose Tetorit të vjetit 1941 dhe deri në mbarim të dhjetorit të vjetit 1942 kohë në të cilën jemi transferue me gjithë Regjiment për në Ulqin, dhe Batalioni që baja pjesë unë ka qëndrue në Beçuric. Gjatë kohës që kam shërbyer në Elbasan në Gushtin e 1942 jam rregjistruar në Partinë fashiste dhe me njiherë jam gradue Kapiten (komandant kompanie). Në Peçuric kam ardhë i graduem kapiten dhe kam shërbyer për tre muej mandej përsëri në muajin Prill asht transferue batalioni për në N/prefekturën e Lezhit dhe unë me gjithë Kompani kam ndenjun me qëndër në Shëngjin. Në Shëngjin kam shërbyer deri në mbarim të muajit Korrik të vjetit 1943, dhe mandej me gjithë batalion jemi arratis, e jemi nisë për në drejtim të Martaneshit.

Pyetje: Kur je arratisur nga ushtria Fashiste, ç‘qëllim kishje ku ke shkuar?

Përgjigje:Neve jemi arratis me gjithë batalion, për arsye se natën na erdhi një urdhër prej Komandës së regjimentit, që të gjithë ushtarët të liroheshin nëpër shtëpijat e tyre me leje bujqësije dhe tu mbahej krejt materiali luftarak i gazermimit, oficerat të rrijnë nëpër vende deri sa të vijnë Komanda e regjimentit për të marrë në dorëzim materialin. Mbasi na erdhi ky urdhën jemi grumbullue të gjithë oficerat e batalionit, dhe kemi quejt urdhërin tamam çarmatim, kështu që vendosëm për ti mos dorzue armët dhe të bashkoheshim me çetat partizane. Mbasi morëm këtë vendim me nji herë mblodhëm ushtrinë, ju komunikuam urdhërin që kishim marrë dhe me gjithë batalionin të organizuem jemi arratis  në drejtim të Malësisë së Leshës e pastaj kemi arritur në Mat. Kur mbrritëm në mjesditë dikush na paditi dhe na ka gjuejt per ndonji çerek ore Artileria italiane, kështu që nga kjo ne u shpërndamë dhe na u këputën një sasi shokësh dhe nuk dihesh se ku shkuan. Mbasi dështoj arratisja jemi grumbulluar në një katund të Matit, ndonji qind vetë kemi fjetun atje  dhe me të nesermen Komandanti i Batalionit N/Kolonel Brahim Mandiqi me dy komandant kompanish Kapiten Bajram Memën prej Lume dhe me kapiten Adem Bajrami u ndamë e shkuem për në Lumë, unë bashkë me ushtarë jam nisë e kam shkue në drejtim të Korçës për të përcjellë shokët që ishin prej asaj ane të shkonin në shtëpijat e veta. Kur kemi shkue në Martanesh, kemi fjetë në Martanesh nji natë dhe me të nesermen kemi shkue në një katund tjetër ku kemi takue Baba Fajen me disa partizan. Baba Faja na vuni në dijeni dhe na këndoj një komunikatë mbi Konferencën e Pezës dhe na ftoj që të bashkoheshim me çetin e tij partizane mirpo ushtarët nuk na ndigjuen, kështu që u shpërndamë secili në drejtim të shtëpijave të veta. Unë atëhere u këtheva për në drejtim të Tiranës për të ardhë në shtëpinë teme në Shkodër. Jam përcjellë katund në katund prej ushtarëve vendas deri në Tiranë, kam shkuar bashkë me nji shoq që kishnja Xhemal Guga prej Tiranë e kam ardhun pranë familjes seme në Shkodër.

Pyetje:Përse nuk qëndruat te Baba Faja kur ju kishit vendosur se do të bashkoheshit me partizanët?

Përgjigje: Une nuk ndenja me çetën partizane të baba Fajës në Martanesh për arsyen se donja të vinja në Shkodër dhe kisha ndërmënd të bashkohesha me çetat partizane të Qarkut Shkodër, pse kishnja marrë vesh që egzistonin çeta partizane në Malsitë e Shkodrës, se pse natë kohë dhe kishin luftue çetat partizane kundra Italianëve në Reç të N/Prefekturës Koplik.

Pyetje:Përse nuk shkove nga Shkodra në çetat partizane?

Përgjigje: Unë kur erdha në Shkodër ndenja për nji kohë pranë familjes seme dhe nuk shkova në çetën partizane, për arsye se në atë kohë erdhën gjermanët dhe u formua qeveria kuislinge në Tiranë, e cila shpalli se të gjithë oficerat që kanë qenë në shërbim të kthehen përsëri në detyrë për tu futun në kuadrin e ushtrisë at‘hershme duke thanë se Shqipnija ndodhet në rrezik kështu që qëndrova në Shkodër dhe me një herë u mora në shërbim Komandant Kompanije me gradën që kishnja kapiten me shërbim në Kosovë (Prishtinë). Ku kam shërbyer prej muajit Shtator 1943 deri në 15 Qershor të vjetit 1944, kohë të cilit jam arratis prej Kosove e kam ardhë në Shkodër me një veturë.

Pyetje: Kë mësoje, ushtarët SS për të luftuar kundra popullit?

Përgjigje: Gjatë kohës që kam shërbyer në Kosovë kam qenë instruktor në nji kompanie rezervistash, se pse natë kohë u mobilizuan mjaft rrezerva në Kosovë të cilët stërviteshin dhe pregaditeshin nga ana ushtarake, për ti hedhur në luftë kundra partizanëve Jugosllav. Si në ushtri dhe në popullin e Kosovës natë kohë propogandohej për të ngjallë urrejtje kundër partizanëve Jugosllav nën parullën që mobilizohemi të gjithë ç‘ka jemi shqiptar, ku ta mbajmë Kosovën që të mos shkelet prej Jugosllavëve. Unë (Zefi) kam propaganduar në ushtrinë dhe rezervat e thirrun nën armë në Kosovë kundra partizanëve Jugosllavë.

Pyetje:Pse u arratise, apo pse gjermanët arrestuan komandantin e batalionit, d.m.th. nga frika dhe jo pse ti kishe kuptua tradhëtinë?

Përgjigje: Nga Kosova kam ikur pse nga mesi i muajit Qershor të vjetit 1944 gjermanët arrestuen Komandantin e Batalionit Major Sulejman Manaj prej Tepelene, për arsyen se ay ju mbajti nji konferencë ushtarëve e u tha që keni mëndjen asnjë të mos shkruhet S.S. pse ju marrin gjermanët ju fusin në kuadrin e ushtrisë së vet dhe kushedi se ku ju çojnë, mirë po kjo fjalë ju ra në vesh gjermanëve dhe e arrestuan komandantin e batalionit. Këtë bisedë e kishnja ba dhe unë me ushtarët, dhe mbasi u arrestue Majori kishnja frigë se më arrestonin dhe mue. Kam ik prej Kosove deri në Kukës në kambë, mandej për të mos ranë në sy të gjermanëve kam shkue e kam ndenjun  ndo një muaj e gjysëm tek një i quajtun Zef Kola prej Berishe (Pukë) të cilin e kam kushëri (nanat motra). Prej andej jam largue në fillim të muajit Gusht të vjetit 1944 kam lajmërue familjen, bashkë me të cilën kam ndenjun deri në çlirimin e Shqipnisë në Razëm të Vrithit (Koplik) mandej jam ulun te shtëpija e jeme. Mbas ndonji jave që kam ardhun te shtepia eme në Shkodër, jam mëshefun dhe kam ndenjur ilegal deri me datën 26/11/1946 kohë të cilën jam dorzue në lidhje me amnestinë.

Pyetje: Mbas çlirimit të Shqipërisë pse u arratise dhe ku ke ndenj i fshehur, kush të ka strehue dhe furnizue?

Përgjigje:Unë jam arratis pse mbasi erdha prej Razmës së Vrithit në shtëpi, kam qenë nja dy muaj i sëmurë në dyshek prej ramatizmës e nuk dilnja asnji herë jashtë, nga kjo u hap fjala se Zef Ashta asht arratis, kështu që unë u tremba nga nji anë thoshin se u arratis Zefi dhe nga ana tjetër pse ishnja gjatë kohës së okupacionit Oficer në shërbim të okupatorit, dhe kur u mobilizuan oficerat e tjerë mbas shlirimit në ushtri unë nuk shkova pse s‘më lajmëroj njeri dhe mendonja se smund të kishnja ndonji përgjegjësi për këtë

Pyetje: Ç’shpresë kishje që qëndroje n’arrati, prisje ndonji luftë tjetër dhe nga kush?

Përgjigje: Unë e kishnja ndigjue dhe e dinja mirë që me shlirimin e Shqipnisë ata njerëz që skishin ba krime gjatë kohës së okupacionit nuk u kërkojnë llogari as që kishin ndonji ndëshkim prej pushtetit popullor, por që friga e fjalëve të popullit që thoshin Zefi u arratis më banë që unë të rrij në arrati për dy vjet rresht.

Pyetje:Kush të ka mbajtur kur ke qenë në arrati? A të jepnin informata?

Përgjigje: Gjatë kohës që kam ndenjur i mshehun në familjen teme dhe jam fornizue prej saj pa e ditur kërkush se unë jam mshehur në shtëpi, veç familjes. Për sa kohë që kam qenë në ilegalitet kam marë gazetën Bashkimi për çdo dhjetë ditë, të cilën herë pas here ma sillte tezja eme Palina Temali dhe Motra Ashta.

Pyetje: Ku ke ndenjë i mëshehur, kush të ka strehue?

Përgjigje: Asnji vend të posaçëm nuk kam pasun në shtëpinë teme për tu mëshehun, veçse rrinja herë në nji dhomë herë në nji tjetër, që sikur të ish kontrollue ndonjiherë shtëpia e jeme mund të më gjenin fare lehtë pse nuk kishnja se ku të futesha. Gjatë kohës që kam ndenjun i mëshehun në shtëpi nuk kam pasun me kërkend lidhje prej qytetit as prej katundeve, pse kam pasun frigë se dekonspirohej puna e më kapnin qeveria. Gjatë legalitetit që kam ba në shtëpinë teme më ka dit dhe jam takue në mjaft raste Tonin Kurtin prej Shkodre, tash mësues (Vorfë Postribë) të cilin  e kam  burrin i motrës. Sa herë që jam takuar me Tonin Kurtin, ay më vinte në dijeni mbi punën që bante me nxansit, mbi rreformën Agrare etj. e më thoshte se populli janë të kënaqun veç atyne që janë prekur prej reformës agrare. Tonin Kurti nuk më pat folë ndonji herë keq për pushtetin.

Pyetje: Pse u arratise?

Përgjigje: Qëllimi jem qi u arratisa ka qenë që të mos i nënshtrohesha burgut që unë të dorzohesha si kundër u dorzova me 24/11/1946 në lidhje me amnistinë që shpalli Kuvendi Popullor. Tjetër gja skam ç’ka të them as shtue për sa thaç ma nalt janë të gjitha thanjet e mija të vërteta dhe mbasi mu këndue me za të naltë i vertetoj me firmën time pa ndoj shtërngim

 

I pandehuri                                                                               Oficeri pyetës

(Zef Ashta)                                                                          (N/Toger Bilo Bregu)

 

 

 

 

 

P R O K U R O R i A

 

 

 

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                              VDEKJE FASHIZMIT

USHTRIA KOMBËTARE SHQIPTARE                                            LIRI POPULLIT

Gjykata ushtarake Shkodër

Nr. Akteve 212

Nr. Vendimi

 

 

Proces Verbal

 

Prokuroria ushtarake e Zonës Ushtarake Shkodër me akt-akuzën e saj Nr 201 dt. 6/6/1947 i solli këtij gjyqi aktet hetimore të rjedhura kundra të pandehurit Zef Ashta nga Shkodra, për shkak se: Gjatë okupacioneve Italian e Gjerman ka qenë Oficer në formacionet ushtarake mercenare dhe ka shërbyer atje deri në çlirim me gradën kapiten. Ka qenë antar i partisë Fashiste dhe i ka shërbyer interesave të Fashizmit me vetëdije.

Ka qenë antar aktiv i Organizatës tradhëtare Balli Kombëtar dhe është inkuadruar me batalionet mercenare q’organizonte Balli në Kosovë, dhe atje ka shërbyer për stërvitjen e bashibozukëve për të luftuar kundër partiznëve Jugsllav dhe popullit të Kosovës. Ka frymëzuar ata me urrejtje të tërbuar kundër lëvizjes së popullit.

Ka qëndruar i arratisur që nga çlirimi e deri në fund të vjetit 1946 duke u munduar të pregadisë rrëzimin e Pushtetit me forcë dhe duke shpresuar në një intervecion të huaj. Faje këto të parashikuara prej nenit 3 paragrafi 3,4 dhe 7 të ligjës 372. Këto akte mbasi u rregjistruan nën Nr 212 të rregjistrit Themelor për ditë Gjyqi u caktua data 11/6/1947 ditën e mërkurë ora 9 para dreke

 

 

 

Shkodër, me 6/6/1947

 

Ditën dhe orën e sipërme Trupi gjykues u formua si vijon:

 

Kryetar Kapiten I-rë Misto Bllaci

Anëtar Kapiteni II-të Pertef Alizoti

Anëtar  Toger             Pandi Fshati

Duke qenë gati Prokurori Kapiten Namik Qemali dhe Sekretar Shaban Qamil Dautaj

 

U soll i pandehuri nga burgu.

U pyet idenditetin e tij dhe tha se quhet:

  • Zef Cin Ashta, i biri i Cinit dhe i Lules, vjeç 31, i pa martuar, i pa dënuar, me gjëndje

ekonomike të varfër, me shkollë akademi Ushtarake, ish oficer, nga Shkodra, i rreshtuar me datë 26/XI/1946  dhe i përfaqësuar prej avukat Ferdi Kombaros

U këndua akt-Akuza e prokurorisë përmbajtaja e së cilës është përshkruar në parathënjen e këtij proçesi

 

Prokurori përsëriti akt –akuzën.

 

U pyet i pandehuri e tha: Akuza nuk është e vërtetë. Unë kam qenë oficer i Ushtrisë

Shqiptare dhe jo i Fashizmit, por Shqipëria at-here ishte e okupuar nga Fashizmi, dhe unë  i kam shërbyer okupatorit, kam ba keq që kam shërbyer por në luftë nuk kam marë pjesë, kështu që akuza pjesërisht është e vërtetë e pjesërisht jo.

Unë nuk kam bërë tradhëti. Kam bërë katër klasë gjimnaz, Kolegjin Ushtarak dhe Akademinë Ushtarake. Si student kam qenë deri në vjetin 1931 në shkollën Franceskane të Shkodrës. Profesor kemi pasur shqiptar dhe dy Italian, dhe këtu bënim mësime shkollore por nuk mësonim doktrinën Fashiste. Pastaj kam shkuar në Napoli dhe kam bërë tre vjet lice. Kur ishim në shkollë të Dielën e kishim si të detyruar për të shkuar në kishë, por unë herë kam shkuar e herë nuk kam shkuar.

Në shkollë jashtë shtetit kam shkuar me bursë të qeverisë me ndërmjetësimin e Pader Gjergj Fishtës dhe kam ba Akademinë Ushtarake. Pader Anton Arapin e kam pasë drejtor shkolle. Ne mësonim vetëm edukatë ushtarake por na ka takuar që të bëjmë dhe doktrinën Fashiste, por si formalitet. Këtu nuk flisnim për fashizmin. Italishten e kemi mësuar në të pestin gjimnaz dhe ish gjuhë e detyruar.

N’Itali kam qëndruar 6 vjet dhe me 1937 kam dalë me gradën N/Toger, pastaj kam ardhë në Shqipëri dhe jam dërguar në Elbasan me shërbim dhe mbas dy vjetësh erdhi Italia fashiste. Mua okupacioni nuk më ka pëlqyer por e kam urryer dhe kam luftue sa kam mundur nja tetë orë në Vlorë dhe pastaj u ktheva në repartin t’ime në Elbasan. mbas ardhjes së Italisë batalioni im u organizua përsëri dhe mua më mbajtën në shërbim.

Unë qëndrova nën okupacion por më shtërnguan arsyet familjare. Në kohën e Zogut isha i betuar për deri sa qëndroj Zogu i qëndrova besë por ay pastaj iku. N’ushti nuk është e vërtetë që unë të kem bërë axhitacion për fashizmin. Konferencë e propogandë ushtrisë u bëja për nevoja ushtarake dhe u thoshja se Italianët kanë ardhur jo si okupatorë dhe të jeni të bindur dhe të disiplinuar dhe t’ishin të pregaditur për ç‘ do kohë.

Unë e kam luftuar okupatorin gjerman e fashist por jo me luftë se nuk më takoj rasti.

Shoqërinë Antoniane nuk e di se kush e ka organizuar por thoshin se kish qëllim fetar, por unë nuk kam qenë pjestarë i sajë, as antar i partisë Fashiste.

Ushtria fashiste luftoj kundra popullit Grek e Jugosllav me qëllim okupimi dhe unë në kët kohë kam qenë në Shëngjin për ngarkim  e shkarkim dhe nuk kam marë pjesë në Frontin Grek e Jugosllav dhe pastaj na dërguan në Shijak. Nuk është e vërtetë që unë të kemë qenë në frontin Italo-Grek.

Luftën e popullit Shqiptar e kijsha marrë vesh dhe më pëlqente se Fashizmi e urreja por nuk

mora pjesë n’asnjë parti por ndenja për nevoja familjare në shërbim.Operacione të ndryeshme janë ba nga ana e Jugut për të shtyp Nacionalizmën nga ana e bashkëpuntorëve me tradhëtarët.

Unë e kishja marrë vesh thirrjen e Frontit Nacional Çlirimatar për t’u larguar nga radhët e

okupatorit por nuk munda. Unë para se të kapitollonte Italia jam arratis nga Ushtria mbasi nuk na la gjë pa bërë dhe më në fund desh të ma merrte dhe armët, dhe unë për tu mos dorzuar armët u arratisa me gjithë ushtarët. Neve oficerët kemi qenë shkaktarët që të mos i dorzonim armët për t’i pasë populli në dorë për të luftuar okupatorin, si shkak qe kjo. Ushtarët kishin dezertuar më parë nga vende të ndryeshme, dhe neve kur kemi dalë në male shkuam në Malsinë e Leshës, Mirditë dhe pastaj në Martanesh.

Në Mat kemi hasë me 8 partizanë dhe këtu mbasi na diktuan italianët na qëlluan me bateri dhe u shpërndamë. Në Martanesh kam arrijtë me 100 vetë. Atje kam gjetë dhe Baba Faje Martaneshin i cili na këndoi një trakt që kish dalë nga Konferenca e Pezës dhe më pëlqeu mjaft dhe disa qëndruan nëpër ceta dhe unë u nisa për në Shkodër me qëllim që të hyja në cetat e këtueshme mbasi mora vesh se në Reç ish bërë një përpjekje. Kur kam ardhë afër Tiranës mora vesh se Italia kishte kapitulluar dhe unë erdha në Shkodër. Kur erdha këtu nuk kishte qeveri dhe mbas ndonjë jave erdhën gjermanët. Ky ishte okupator i keq dhe duhesh luftuar.

Mbasi u formua në Tiranë Qeveria bënë thirrje të gjithëve të ktheheshin në detyrë tue thënë se Gjermani s’ak interes okupimi. At-here u formua rregjenca me në krye Pater Anton Arapin, Mehdi Frashërin dhe Lef Nosin, dhe thoshin se kjo është dëshira e popullit, por ma vonë mora vesh se e kish formuar gjermani. Gjermania kishte nevojë strategjike se neve s’kishim forca të mjaftueshme, se populli është vërtetë forcë por jo e mjaftë se s’kish mjete moderne. Mua lufta nacional Çlirimtare më pëlqeu. Qeveria në bashkëpunim me gjermanët luftonte partizanët.

Neve besonim dhe mendonim se partizanët do të bashkoheshin me qeverinë por ma gjatë nuk e mendova. Tradhëtinë e kuptova kur gjermanët ndërhynë në punët t’ona të brëndëshme. Gjermania ishte fashisti ma i keq dhe ka treguar t’mere ku do por neve nuk kujtuam se do të na bënte keq se ishim një popull i vogël dhe nuk do të na dëmtonte, por megjithë atë i kisha ndie barbarizmat.

Qysh nga nëtori 1943 deri në Qershor 1944 kam qenë me shërbim në Prishtinë, komandant kompanie rekrutësh të cilët i stërvitja për të mbrojtë të drejtat prej ç’do armiku, por at-here s’kishte armik dhe kjo ushtri nuk bashkëpunonte me gjermanët, por gjermani i shifte që kjo organizohej. Armiku do të ishte i huaji që do të mësyente. Kundra partizanëve nuk kemi luftuar por të tjerët ndofta kanë luftuar. Ndofta neve kemi qenë krahu i djathtë i okupatorit. Në Jugosllavi i luftonin gjermanët, partizanët po lufta bëhej larg. Unë kam ik në Qershor të 44-tës se gjermanët donin të na bënin SS, por unë nuk pranova dhe ika. Ata i donin për të luftuar kundra partizanëve.

Nga Kosova në Kukës kam ardhë në kambë dhe pastaj kam ardhë me veturë. Në Bërdicë nuk kam luftuar me partizanët. Mbasi erdha në në Shkodër shkova e qëndrova në Bërdicë tek  një kushëri për tju meshehur gjermanëve. Kur u çlirua Shkodra kam ardhur në Shkodër dhe kam qenë i sëmurë.

Nuk kam qenë antarë i Ballit Kombëtar dhe Jup Kazazin nuk e njoh. Dom Zef Shestanin e njof si prift por lidhje nuk kam pasur me të. Në Malësi kam ndenj tre katër muaj dhe mbas katër ditë të çlirimit të Shkodrës kam ardhur këtu i sëmurë nga rematizma. Mua nuk më kanë kërkuar kurrë me gjithë atë unë në shtëpi kam qenë dhe kur kam ardhë në shtëpi më kanë marë teshat ushtarake dhe armatimin.

Mbas dy muajve mbasi nuk më kishin pa, kishin hap fjalë se Zefi ashtë artatis dhe nga kjo fjalë unë u friksova dhe ndenja i fshehur se kijsha frikën e burgut por jo se kisha bërë keq se unë s’isha fajtor. Fjalës arrati i jam trembur. Në shtëpi nuk e dinte njeri për veç familjes dhe fisit t’em. Mbasi ndenja brënda e bëra gabim ngela tue prit faljen. Nuk kam hellë parulla as kam pasë lidhje me njeri.

Nuk kam shpresuar në ndonjë zbarkim të huaj. Gazetat m’i binte motra. Kunati im Tonin Kurti që ishte mësues në Breg të Matës e dinte se ishnja i mshehur dhe më thosh pse rrin brenda e nuk dorzohesh por unë prisnja faljen dhe kam ndenjë gati dy vjet i mëshefur. Vepra ime është e keqe dhe jam penduar. Dhe kjo at-here nuk ka qenë tradhëti në vet vete por sot është tradhëti por unë se kam menduar si tradhëti dhe jam penduar me kohë. Puna që bën populli Shqiptar mbas çlirimit më ka pëlqyer shumë.

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISQË                                                   VDEKJE FASHIZMIT

USHTRIA KOMBËTARE SHQIPTARE                                         LIRI POPULLI

Prokuroria Ushtarake e Z.U. Shkodër

Nr. Akt-akuzës:201                                                                          Shkodër; me 6/6/1947

 

 

 

 

A K T – A K U Z Ë

GJYKATËS USHTARAKE

Këtu

 

Sikurse do të konstatohet dhe nga proçes-verbalet e mbajtura prej Zyrës Seksionit

Sigurimit Shtetit të Shkodrës që bashkëngjitur paraqiten, i pandehuri Zef Ashta, i biri i Cinit dhe i Lules, vjeç 33, nga Shkodra Lagja Lekaj, rruga Gurazezëve, i arrestuar me datën 27/XI/1946, akuzohet se:

 

I pandehuri Zef Ashta gjat okupacionit Italo Gjerman ka qenë oficer në formacionet ushtarake mercenare dhe ka shërbyer atje deri me çlirimin me gradën Kapiten.

Ka qenë antar i Partisë Fashiste dhe ka shërbyer interesave të Fashizmit me vetë dije.

Ka qenë anëtar aktiv i organizatës tradhëtare të Ballit Kombëtar dhe asht inkuadruar në batalionet mercenare q’organizonte Balli në Kosovë. Atje ka shërbyer për stërvitjen e bashibazukëve për të luftuar kundër partizanëve Jugosllav dhe popullit të Kosovës, ka frymëzuar ata me urrejtje të tërbuar kundër lëvizjes së popullit.

Ka qëndruar i arratisur që nga çlirimi e deri në fund të vjetit 1946, duke u munduar që të përgatis rrëzimin e Pushtetit me forcë dhe duke shpresuar në një intervecion të huaj

Prandaj për të gjitha këto kërkoj që i pandehuri të gjykohet si mbas nenit 3 paragrafi 3,4 dhe 7 të Ligjës mbi fajet kundra Shtetit dhe Popullit dhe mbasi të vërtetohet fajsia e tij të dënohet si mbas nenit 4 të ligjës sipërme.

 

Prokurori Ushtarak i Z. U. Shkodër

Kapiten

(Namik Qemali)

 

 

 

V E N D i M

N’emër të Popullit Shqiptar

Gjykata Ushtarake e Zonës Ushtarake e Shkodrës e përbërë prej:

 

Kryetar kapiten I-rë Misto Bllaci

Anëtarë Kapiten. II Pertef Bllaci

Anëtarë Toger  Pandi Fshati

 

Duke qenë gati Prokurori Kapiten Namik Qemali dhe Sekretar Shaban Qamil Dautaj në udiencë publike me datën 23/6/1947, ka dhënë këtë:

 

V E N D i M

 

Në çështjen penale të rregjistruar nën nr 213 të radhorit themeltar për vjetin 1947 kundra:

Zef Cin Ashta, i biri i Cinit dhe i Lules, vjeç 33, i pa martuar, i pa dënuar, në gjëndje ekonomike ntë varfër, me shkollë Akademi Ushtarake, oficer nga Shkodra, i rreshtuar me datë 26/XI/ 1946 dhe i përfaqësuar prej avukat Ferdi Kumbaros.

I Akuzuari me akt-akuzën e Prokurorisë Nr 201 datë 6/6/1947 për fajin se: Gjat okupacionit Italo-Gjerman ka qenë oficer në formacionet ushtarake mercenare dhe ka shërbyer atje deri në çlirimin me gradën Kapiten. Ka qenë antar i partisë Fashiste dhe ka shërbyer interesave të Fashizmit me vetë dije. Ka qenë anëtar aktiv i Organizatës tradhëtare Balli Kombëtar dhe është inkuadruar në batalionet mercenare q’organizonte Balli në Kosovë, dhe atje ka shërbyer për stërvitjen e bashibazykëve për të luftuar kundër partizanëve Jugosllav dhe popullit të Kosovës. Ka frymëzuar ata me urrejtje të tërbuar kundra lëvizjes së popullit.

Ka qëndruar i arratisur që nga çlirimi deri në vjetin 1946 duke u munduar të përgatisë rrëzimin e pushtetit me forcë dhe duke shpresuar në një intervecion të huaj. Faje këto të parashikuar prej nenit 3 paragrafi 4 dhe 7 të Ligjës Nr 372.

Në procedimin e zhvilluar faqe të pandehurit, të përfaqësuar prej Avukat Z. Ferdi Kumbaros.

Prokurori Ushtarak ka kërkuar që i pandehuri të cilësohet fajtor në bazë të nenit 3 paragrafi 4 dhe 7 të Ligjës Nr 372 dhe në bazë të nenit 4 po të kësaj ligje të dënohet me 20 vjet privim lirie.

Mbai ndigjoj mbrojtjen e Avukatit dhe fjalën e fundit të të pandehurit.

Gjykata mbasi shqyrtoj aktet dhe bisedoj çështjen konstaton se:

I pandehuri Zef Ashta gjat okupacatorëve Italo-Gjerman ka qenë Oficer kuisling në formacionet Ushtarake mercenare dhe ka shërbyer deri në fund duke patur njëkohësisht për merita pune gradën Kapiten. Ka marë pjesë në përpjekje të ndryeshme që bënin forcat Fashiste kundër lëvizjes N.Çlirimtare. Ka qenë antarë i partis Fashiste dhe i ka qëndruar besnik interesave të saj. Në kohën e okupatorit Gjerman ka qenë antar i Organizatës Balli Kombëtar i inkuadruar në batalonet mercenare që organizonte Balli në Kosovë, ku atje ka shërbyer për stërvitjen e bashibuzukëve ka ngjallur urrejtje kundër luftëtarëve të lirisë. Si oficer kuisling i pandehuri ka qëndruar deri sa u shkatarrua okupatori dhe tradhëtarët dhe Shqipëria u çlirua nga forcat N.Çl. i pandehuri i ka qëndruar besnik tradhëtisë së tijë deri në fund dhe kur vendi u çlirua ky u aratis duke qëndruar kështu për shumë kohë në arrati dhe gjat kësaj kohe është munduar për rrëzimin e Pushtetit popullor duke shpresuar gjithnjë për një intervecion të huaj.

Fajsia dhe tradhëtija në dëm t’interesave të popullit shqiptar dhe të luftës q’ay bënte për liri u provua plotësisht gjat zhvillimit të Gjyqit, nga apollogjia e vet të pandehurit dhe që vetë me gojën e tij pohoj se aktiviteti dhe veprimtaria e tij gjat okupatorëve ishte tradhëti, nga I gjithë rjedhimi i gjykimit dhe nga vetë opinion popullit.

Fajsia e të pandehurit si tradhëti kundra shtetit dhe popullit parashikohet prej neneve 3 paragrafi 4 dhe 7 të Ligjës Nr 372 prandaj për këto arsye Gjykata bashkërisht tue pëlqyer pjesërisht dhe kërkimet e Prrokurorisë të pandehurin e cilëson fajtorë për fajet e sipërme dhe në bazë të nenit 4 po të kësaj Ligje e dënon me 10 vjet privim lirie e punë të detyruar.

Por duke marë parasysh se i pandehuri i sipërshënuar ashtë dorëzuar brënda afatit të shpallur me Dekret Ligjën Nr 335 datë 12/9/1946 të presidumit të Kuvendit Popullor mbi faljen e të aratisurve të akuzuar për faje penale sipas nenit 1 të kësaj Dekret Ligje….prandaj gjykata në bazë të Dekret Ligjës nr 335, dorzimin e të pandehurit brënda afatit të caktuar me Ligj e cilëson si shkak lehtësonjës me shumë rëndësi, dhe dënimin e cilësuar me nalt ja ndryshon tue ja zbritur në 5 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave civile e politike për nji vjet kohë.

Konfiskimin e pasurisë së tundëshme e të patundëshme.

Të dënuarit i ngarkohen 6 franga shpenzime gjyqi dhe shpërblimin avukator si mbas ligjës përkatëse në favor të Avukat Z. Ferdi Kumbaro.

Kundër këtij vëndimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën e Naltë Ushtarake brenda tetë ditëve nga data 23/6/1947 q’u u shpall ky vendim.

Shkodër, më 23/6/1947

 

 

Sekretar                               Anëtar                                  Anëtar                     Kryetar

Shaban Dautaj                    Pertef Ballaci                         Pandi Fshati            Misto Bllaci

(firma Aj)                            (firma Aj)                              (firma Aj)                (firma Aj)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Pos Mortum

Maj 2018

ZEF ASHTA

 

Nga ora 10 e mëngjezit shoh Tanush Mulletin me Islam Spahinë të ulur te Kafja 1 Maji që po diskutonin me pasion. Me kënaqësi lidha biҁikletën time sportive të vjetër e të rëndë dhe që s’don me u prish. Tanushi, sa më pa, më tha: O sa mirë, qe ku e kemi Islamin e ai do të flasë për Zef Ashtën.

Islami, ky kuksian fisnik syshkruar më vërejti dhe më tha : Jegen kena fol gjatë bashkë , Tanushi e ndërpreu Islamin : Jo, tha, ky nuk është Orhan por Astrit Jegeni, e ke takuar te shpija eme. Islami e ndeji pak vështrimin e tij e befas u çel në fytyrë e tha : Po më kujtohesh, ti shkruen për histori, ke punu te Arkivi. Biseda u soll rreth të njohurëve të përbashkët e Islami, megjithse në moshë, ishe tejet i kulluar nga memorja. I tregova se kam qenë në internim me një kushërinën tande që kishte po këtë ngjyrë të syve, e martume te Hoxhët. Ja kishin pushkatuar burrin. Po, tha Islami, e kam kushërinë të dytë. Folëm goxha për të njohurit tanë që s‘rrojnë e rrojnë. E pyeta për Zefin se ç’burrë ishte: A, Zefi Ashta a ?! Sytë bojëqielli u shndrritën tejet mase e një trishtim i fisëm ja mbuloi fytyrën e kandëshme të Islamit. Mbasi ndenji pak, tha: Çfar burrnie e fisme buronte nga pamje e tij tejet e vyshkun nën vuejtjet e pafund të burgut. E kishin ridënuar tri herë. Zefi me mustakët e tij alla italiane, të holla e të zbardhyme nga mosha, i jipnin këtij ish ushtaraku një hije të kandëshme. E kam shkrujt kujtimin tem për Zefin, po ta sjell ta lexosh. E falenderova e biseda vazhdoi rreth burgut të Islamit, Zefit e historitë e burgut që s‘mbarojnë kurrë në Shqipni. Mbas dy ditësh, Tanushi ma solli historinë e shkrueme nga Islami. E lexova me nji fryme. Po jua jap e ju ta lexoni këtë histori, që filloi qysh në krye të herës të vitit 1946

 

Kish qënë oficer me gradën kapiten gjatë okupacionit. Kish mbaruar akademinë ushtarake në (Itali). Ishtë në Vlorë, në krye të një batalioni që në në çastin e pushtimit italian: e priti me armë atë, me insiativën e tij. Me ardhjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, nuk i kish ecur fati si shumë patriotëve të tjerë. Kishte rënë në burg që në orët e para. Tani është në kampin e Spaçit, pasi është dënuar për të tretën herë. Më parë kishte qenë në atë të Maliqit, në punë të detyruar për të tharë kënetën. “Në krahasim me atë, do të thoshte ai një herë -” Spaçi duket si një shtëpi pushimi” dhe tregonte episode ngjethëse .

Kur njëherë tjetër ra fjala për rolin e fuqive të mëdha në historinë e Shqipërisë, ai u nxeh dhe i skuqur flakë tha ” lëre, more Anglinë! Ajo është shkaktarja e të gjitha të këqiave të këtij vendi! „- e sytë sikur iu mbushën me lot e iu frynë tëmthat. Nuk më harrohet ajo fytyrë thatime me mustaqe të prera “spic „ (all’italiana); ish i thinjur krejt. Mund të përftyrohej si do të kish qënë kur ish i ri. (ai tashmë ishte afër të shtatëdhjetave). Sigurisht, dikur do të kish parë ndonjë ditë të bardhë. Tani i duhej të përballonte fatin me stoicizëm, me krenarinë e një fisniku dhe me disiplinën e një ushtaraku.

Meqënëse ish i vjetër, ai nuk punonte; rronte me ushqimin e mjerë të papunësisë, me “gjashtëqindëshin„  siç quhej racioni i bukës në zhargonin e burgut. Nuk e di pse, ai nuk kishte asnjë ndihmë nga jashtë. Ndodhesha njëherë në menxë kur ajo qe bosh (pasi kish mbaruar dreka). Aty, në një qoshe pashë Zefin të vonuar, që po hante si me zor supën e mjerë të kampit.

Pas pak hyri një i burgosur me një thes të madh në krah; kishte ushqimet që sapo ja kishin sjellur nga shtëpia. Ky qe një çoban korçar. I hapi ushqimet nëpër tavolina duke krijuar një vitrinë gatimesh nga më të ndryshmet: mishra të pjekur, byrekë, bylmetra e gjer te bakllavatë e revanitë. Ah! Ata që nuk e kanë provuar nuk mund ta kuptojnë torturën e urisë kur ajo ngacmohet. Zefi këtë e pa me qetësi, duke ngrënë ngadalë, kokulur. I zoti i mallit iu afrua atij me një copë bukë në dorë e i tha: ” Na!… merre!”. Ish një racion burgu i tharë ç’prej kushedi sa ditëve. Mirëpo Zefi i shkretë, pa i ngritur sytë, iu përgjigj me zë të këputur: “Jo…nuk e dua!”.- Atëherë mua nuk m’u durua pa i shfryrë atij ordineri: “Mor ti!… po a qen është ai qi i flet në atë mënyrë? Pastaj, meqenëse po na shitesh si bujar, pse nuk i jep një gjë nga ato ushqime me të cilat ke zënë tërë menxën? Burrëri është kjo?”-

Nuk mbaj mend se ç’më tha: di që më shau sa mundi si harbut që ish, me arsyetimin “ç’të duhet ty?…” Raste si ky më  kanë ndodhur shumë aty. Zefi, si shkodran, kish edhe humorin e tij. I kish dalë nami së dinte të shihte filxhanet e kafesë. Një ditë po pinte kafe në një qoshe të kampit me Ndokë Gjeloshin, një burrë shumë të ndershëm nga Gurezi. Këtij të fundit i vinte e shoqja në takim një herë në muaj. Atë ditë ndodhi që nuk erdhi si zakonisht e ai ish bërë merak. Pasi i pinë kafet, Ndoka i lutet që t’ia shohë filxhanin e Zefi, pasi e pa me kujdes, i tha: “Në të vërtetë, sipas filxhanit , sot ty nuk të vjen në takim njeri; po ti mos u mërzit. “Në të njëjtën kohë tellalli po thërriste me zë të lartë në të katër anët e kampit për të lajmëruar Ndokën se i kishte ardhur e shoqja, kurse ky , i strukur në një qoshe po e dëgjonte profecitë prej orakulli të Zefit. Kur e mora vesh këtë, kam qesh me lot e shpesh e përmendja me shaka sa herë më binte rasti të flisja me Ndokën, të cilin e doja shumë.

Njëherë e pyeta Zefin në mirëbesim: “Pashë Zotin, me të vërtetë beson në fallin e filxhanave?”- “Jo, mor mik, unë e bëj për të qeshur, sa për të kaluar kohën edhe… Por për çudi, kur qëllon që del ajo që -unë ja këpus më kot, habitem vetë më shumë se ata që më besojnë!” Qeshnim me shpirt. Charli Chaplin ka thënë që humori buron nga një zemër plot trishtim”.

Një ditë prej ditësh përjetova fundin e tij. Vdiq papritmas në VC-të që ishin në fund të oborrit të kampit nga infarkti në zemër. U muar vesh menjëherë dhe gjithë kampi u vu në lëvizje. Asistova në “funeral”; po, po, një funeral madhështor, më madhështor se ata që organizohen zakonisht. Ai u improvizua aty për aty.

E morën bashkëvuajtësit në një batanie që dukej si arkivol. Batanija që e mbulonte më dukej si flamuri kombëtar; kish marrë ato ngjyra në sytë e mi; ai qe nacionalist i flaktë dhe e meritonte atë nder. U mblodh sakaq gjithë kampi (fundja aty ndodheshin të gjithë). U formua një koridor prej dy rrjeshtash për t’i bërë homazhet e fundit. Të burgosurit qëndronin si të ngrirë, kokëzbuluar, në heshtje të përzishme ndërsa kalonte kufoma.

Sesi vura re rojen e brendshme : Çudi! Jo vetëm që nuk bëzajti, nuk kundërshtoi siç bënte zakonisht: ( ai ishte i prapë, kam pasur një përplasje me të). Por kësaj here, përkundrazi qëndroi gatitu, thuajse i nxirë në fytyrë, në një skaj të atij kortezhi, mortor. E kështu kaloi Zefi për të fundit herë, para syve tanë duke na dhënë lamtumirën pa folur, në atë heshtje të zymtë ku merrte fund tashmë kalvari i tij.

Nuk e di, a i është gjetur varri apo i ka humbur si shumë të tjerëve që vdiqën në atë vend. Nuk e di a pat të afërm; di që ishte i pamartuar. Nuk di për të tjerët që u ndodhën aty, veç unë këtë nuk munda ta harroj kurrë.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch