Home » Lajme, Opinione » Festa e Flamurit: 28 apo 29 Nëntori?

Festa e Flamurit: 28 apo 29 Nëntori?

Shkruan: Nehat Hyseni
Festa e Flamurit, 28 Nëntori festohet në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, si dhe nga diaspora shqiptare gjithandej në botë.
Mirëpo, kjo festë është shtetërore vetëm në Shqipëri. Sepse, edhepse kjo festë kremtohet ndoshta shumë më tepër në Kosovë se sa në Shqipëri, megjithatë Kosova akoma nuk e ka miratuar atë formalisht dhe me ligj, si festë shtetërore.
Kurse, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, zyrtarisht nuk festohet fare dhe është ditë pune, si çdo ditë tjetër e rëndomtë. Atë e festojnë shqiptarët jozyrtarisht, por me shumë emocione e dashuri, që për nga përjetimi dhe entuziazmi, ia kalon ndoshta edhe Shqipërisë dhe Kosovës.
Prandaj, kjo është një dëshmi e pakontestueshme se shqiptarët janë unik dhe të bashkuar shpirtërisht e emocionalisht gjithënjë e më shumë dhe frymojnë kombëtarisht fuqishëm si një trup i vetëm, edhepse aktualisht jetojnë në pesë shtete të ndryshme në nënqiellin e Ballkanit.
Bashkimi i tyre shpirtërorë paraqet parakusht dhe shpresë se një ditë do të ndodhë edhe bashkimi shtetëror i tyre.
Mirëpo, është shqetësues fakti se në Shqipëri ka filluar të kremtohet nga Qeveria e Edi Ramës 29 Nëntori, si ditë e “çlirimit” të Shqipërisë, duke e sfiduar dhe duke e lënë në hije Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin. Kështu, Shqipëria sot është e ndarë edhe në kremtim!
Qeveria e të majtëve, Partisë Socialiste i trishton të gjithë shqiptarët kudo që janë me shijen e keqe që krijon me ndërlidhjen e kremtimit të ditës së njejtë me Jugosllavinë e Titos dhe përvojës së hidhur që kanë përjetuar shqiptarët nga terrori gjenocidal i SPS të Serbisë dhe Sllobodan Millosheviqit në Serbi dhe ditëlindjes së Jugosllavisë së AVNOJ-it, të krijuar më 29 Nëntor 1943 në Jajcë, që ishte kreaturë monstruoze e antishqiptare.
Qeveria e Shqipërisë duke dashur t’i ritheksoj meritat e komunistëve dhe të Enver Hoxhës, pasues të të cilëve janë e majta shqiptare që aktualisht qeverisë Shqipërinë, për çlirimin e Shqipërisë nën petkun e antifashizmit, pretendon që të djathtën dhe nacionistët shqiptarë t’i diskualifikoj e diskreditoj para botës si bashkëpuntorë të fashizmit.
Kjo kontradiktë makabre, që pretendohet t’i imponohet Shqipërisë dhe shqiptarve nga Edi Rama sot, është e dëmshme dhe ogurzezë!
Sepse, jo vetëm që i ndanë shqiptarët brenda Shqipërisë në “çlirimtarë” dhe ballistë, ashtu si bënin komunistët serbo-jugosllavë me shqiptarët në ish Jugosllavi, të njejtën gjë dhe të njejtën porosi po e imponon Qeveria Rama sot në Shqipëri, duke i përçarë thellë shqiptarët jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në tërë Ballkanin.
Natyrisht se nga e majta mund të ketë përfituar vetë Shqipëria e babait ideologjik të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, Enver Hoxha.
Se çfarë fitore ishte ajo, sot e dijmë të gjithë.
Prandaj, të gjithë shqiptarët kudo aë janë, e urrejnë tmerrësisht datën 29 Nëntor, që aq shumë të këqia u solli atyre, si këndej, posshtu edhe a dej kufirit.
Derisa data 28 Nëntor paraqet Festën më të madhe gjithëshqiptare, që simbolizon kthimin e Skënderbeut në Krujë më 28 Nëntor 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, nga Ismail Qemali, 29 Nëntori u solli vetëm tmerr, terror, vuajtje dhe përvoja të hidhura shqiptarve.
Ky është një ogur i keq i pretendimit antishqiptar të Qeverisë Rama që pretendon t’i ndaj majtistët shqiptarë sot, si pasues të komunistëve famëkeq, nga shqiptarët kudo që jetojnë dhe nga historia e tyre e shumëvuajtur, por e lavdishme kombëtare.
Andaj, të gjithë shqiptarve kudo që janë, i uroj Ditën e Flamurit, këtë festë madhështore gjjthëkombëtare dhe uroj ta harrojmë sa më parë 29 Nëntorin, këtë satë të kobëshme antishqiptare, që u solli shumë të këqia, vuajtje e persekutime të tmerrëshme shqiptarve gjithandej në Ballkan.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch