Home » Lajme, Ndërkombëtare, Vendore » Fillon takimi në Bruksel

Fillon takimi në Bruksel

Në Bruksel kanë filluar takimet e ndara të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme Ketrin Eshton.
Baronesha Eshton fillimisht ka takuar delegacionin e Beogradit, ndërkohë në këto çaste është duke e zhvilluar takimin me delegacionin e Prishtinës.
Thaçi shpreson që Serbia ta pranojë sot marrëveshjen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka thënë sot gazetarëve në Bruksel se shpreson që raundi i dhjetë i bisedimeve të jetë përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke hyrë në ndërtesën e Bashkimit Evropian ku edhe mbahet takimi me kryeministrin serb Ivica Daciq, Thaçi tha se shpreson se edhe Serbia ka reflektuar dhe do ta pranojë sot marrëveshjen.

Ai tha se sistemi i policisë dhe drejtësisë do të jenë një sistem unik, sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa Asociacioni i komunave serbe s’do të ketë rol legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.
Vazhdon edhe sot takimi Thaçi-Daçiq

Në mesditë sërish pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq. Ky takim po vazhdon me ftesën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
Delegacioni i Kosovës është kthyer në Bruksel nga Aeroporti i Lubjanës. Kurse pas konsultimeve delegacioni i Beogradit ka udhëtuar për të marrë pjesë në vazhdimin e dialogut me delegacionin e Kosovës, në Bruksel.

Në raundin e nëntë të bisedimeve Kosovë – Serbi, i cili zgjati mbrëmë deri pas mesnate, nuk u arrit marrëveshja e pritur dhe propozuar nga BE.

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi pas takimit se pala kosovare e kishte pranuar në tërësi propozimin e Ashton por atë e kishte kundërshtuar ashtu si edhe herën e kaluar, kryeministri serb Daçiq.

Një ndër 15 pikat e marrëveshjes ishte edhe ajo ku thuhet se te dy vendet nuk duhet të pengonin njëra – tjetrën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo tha Daçiq do të nënkuptonte pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë e cila nuk do të ndodhte.

Sekretari i përgjithshëm i NATOs-s, Anders Fogh Rasmussen, ka komentuar sot dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se mirëpret të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike.
Në një takim me gazetarët në Bruksel, Rasmussen ka thënë se trupat e aleancës veriatlantike janë të gatshme për të zbatuar rolin që kanë, nëse mund të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch