Home » Kulturë » FJALIMET NGA KONFERENCA SHKENCORE PRESHEVA, BUJANOCI DHE MEDVEGJA, DJE, SOT DHE NESER

FJALIMET NGA KONFERENCA SHKENCORE PRESHEVA, BUJANOCI DHE MEDVEGJA, DJE, SOT DHE NESER

FJALA E HAPJES NË EKSPOZITËN ME FOTOGRAFI NGA PRESHEVA, BUJANOCI DHE MEDVEGJA

 

Zonja dhe zotërinjë të nderuar,

 

Të nderuar miq, studiues, kolegë, pjesëmarrës e të ftuar,

 

Gëzoj nderin e madh, kam kënaqësinë dhe ndihem krenar të hapjes së Ekspozitës me fotografi e fjalë të Trashëgimisë kulturore e natyrore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë.

Përshëndetje për të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës dhe Ekspozitës, studiuesit, të ftuarit në emër të drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Z. Hysen Matoshi dhe në emrin tim personal, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë u themelua me 16.10.2010 dhe qëllimi themelor i saj është ruajtja dhe mbrojta e Trashëgimisë kulturore dhe natyrore si dhe kultivimi i vlerave të mirëfillta të krijimtarisë kulturore.

Që nga themelimi i saj, Shoqata për Trashëgimi pati veprimtari dhe aktivitete të shumta,duke filluar nga organizimi i Ekspozitës “Lugina e Preshevës dhe Trashëgimia e saj” me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 nëntor 2010, pastaj në vitin 2010 mbajti Tribunën shkencore me temë bosht: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” ku morën pjesë shumë studiues të trojeve shqiptare, ndërsa

në vitin 2011 e botoi librin me kumtesat e tribunës shkencore, po me të njëjtin titull,

më 17 shkurt të vitit 2011, sëbashku me Komisionin Zonal të Luginës së Preshevës organizoi Tribunën Shkencore : “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”, ndërsa më vonë 6 studiues nga Lugina e Preshevës morën pjesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare  në Tiranë me temën: “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”

Në vitin 2011 Shoqata organizoi  Tribunën shkencore : “Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot”, ku morën pjesë shumë studiues nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Lugina e Preshevës, ndërsa në vitin 2012 botuam librin po me të njëjtin titull.

Në fund të vitit 2012 organizuam me shumë sukses Simpoziumin shkencor: “ Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë” ku morën pjesë 26 studiues nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Lugina e Preshevës. Të gjitha kumtesat i mblodhëm dhe i botuam në libër me të njëjtin titull që doli në tetor të vitit 2013.

Shoqata për Trashëgimi kulturore në Preshevë  gjatë vitit 2012/13 realizoi projektin: “Trashëgimia jonë është pasuria e jonë” dhe me një grup të rinjësh dhe ekspertësh bëmë hulumtimin, identifikimin dhe evidentimin e vlerave të Trashëgimisë kulturore dhe natyrore në komunën e Preshevës. Po të njëjtin projekt jemi duke e realizuar edhe për trashëgiminë kulturore dhe natyrore në komunën e Bujanocit.

Gjatë vitit 2010, 2011, 2012 dhe 2013 patëm edhe disa aktivitete të tjera, duke organizuar Akademi Përkujtimore e Solemne, promovime dhe evenimente të tjera kulturore, shkencore në mbrojtjen dhe ruajtjen e Trashëgimisë kulturore e natyrore të Luginës së Preshevës, të cilat i tejkaluam duke kërkuar hua mjete financiare nga buxhetet komunale, sponsorë, donatorë.

 

Zonja dhe zotërinjë të nderuar,

Të nderuar të pranishëm,

 

Ekspozita në fjalë përmban më se 100 fotografi me fjalë nga Trashëgimia kulturore dhe natyrore e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe disa fotografi nga Lufta e Lavdishme e UCPMB-së. Në realitet janë ekspozuar fotografi nga gjetjet, nga lokalitetet dhe objektet arkeologjike, nga objektet sakrale fetare: kisha, manastire, xhami, teqe, tyrbe, varreza, nga objektet ndërtimore: shtëpi të vjetra, shtëpi kulla, oda, nga objektet publike: hane, çajtore, mullinjë, çezme, nga përmendore, lapidar, pllaka përkujtimore, buste si dhe nga trashëgimia natyrore:shpella, lisa, kroje, të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Qëllimi i Ekspozitës është njohja e publikut prishtinas e më gjërë me vlerat e mirëfillta të Trashëgimisë kulturore e natyrore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe me Luftën e Lavdishme të UCPMB-së, duke filluar që nga koha parahistorike deri më sot. Vështirë është të jepet ndonjë gjykim i vërtetë për vlerat e fotografive të kësaj Ekspozite, sepse ato vet ndriçojne, reflektojnë tek vizitori me atë bukuri trashëguese të këtij rajoni.

Fotografitë e kësaj Ekspozite tek vizitori lënë tragje pozitive emocionale për të kaluarën, por edhe për të sotmen e tyre.

Ato flasin, ndriçojnë dhe dokumentojnë të kaluarën iliro-dardane-shqiptare të kësaj popullate si dhe vazhdimësinë integruese, territoriale, etnike, kulturore, gjuhësore, ekonomike, të lidhjeve familjare, e lidhjeve të tjera me trungun e përbashkët familjar autokton me trojet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Andaj, këto fotografi kur vizitohen dhe shikohen japin ndjenjën e ngjarjes së veçantë dhe emocionuese.

Vizitori që nga fillimi deri në mbarim të shikimit të fotografive ndihet dhe vlerëson se ka qenë shumë i mangët në njohjen e të kaluarës, të sotmes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Besojë thellë se secili prej vizitorëve në fotografitë e kësaj Ekspozite do të gjejë ndonjë vlerë të kohës dhe vetes. Andaj edhe ai e ndjenë Ekspozitën të veten, individuale, por edhe kolektive e kombëtare.

Më lejoni që në emër të Institutit Albanologjik dhe të Shoqatës për Trashëgimi kulturore ta shpalli Ekspozitën të hapur.

 

 

Kalofshit mirë dhe me shëndet,

 

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI

KULTURORE PRESHEVË

 

 

Prishtinë, më 20 nëntor 2013

Xhemaledin Salihu, kryetar

Fjala e hapjes e Konferencës Shkencore Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër

 

 

Të nderuar të pranishëm,

 

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë përbërëse të hapësirës etnike shqiptare, të cilat, si rezultat i zhvillimeve historike në Ballkan, që rezultuan me tkurrjen e tokave shqiptare gjatë dy shekujve të fundit, mbetën nën sovranitetin e shtetit serb. Këto treva gjithnjë kanë qenë pjesë përbërëse dhe e rëndësishme shoqërore, kulturore e historike e botës shqiptare. Ato u përkasin trevave të veçanta krahinore në planin etnokulturor me një vijimësi të qartë e të pashkëputshme me tokat shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovë. Edhe e kaluara e tyre është e lidhur ngushtë me pjesën tjetër të trungut etnik shqiptar. Madje, duke bërë pjesë në akset e rëndësishme rrugore dhe strategjike ushtarake, mund të thuhet se kontributi i tyre për zhvillime të caktuara ka qenë i rëndësisë mbarëkombëtare dhe gjithsesi përtej kapaciteteve etnike si trevë. Shqiptarët e këtyre komunave kanë dëshmuar gatishmërinë për të mbrojtur qenien e tyre të rrezikuar kombëtare, për të ruajtur e për të zhvilluar kulturën dhe veçantitë e tjera identitare, që jo rrallë u vunë në sprova të vështira. Përtej mbijetesës, ata i kanë dhënë kombit tonë vlera historike, shoqërore, arsimore e kulturore. Ndryshimet shoqërore në hartën e Ballkanit, perëndimi i perandorisë jugosllave, tok me rënien e komunizmit, që mundësoi pushtimin e hapësirave të reja të lirisë për kombe të shtypura gjithandej, nuk solli pothuajse asnjë të mirë esenciale për shqiptarët e këtyre trevave. Mbetën pakicë e shtypur shumëfish dhe e izoluar nga kontaktet me pjesët shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë dhe me Shqipërinë si shtet amë i të gjithë shqiptarëve. Ndonëse çlirimi i Kosovës ka qenë një moment i rëndësishëm edhe për shqiptarët e këtyre trevave, ata vazhdimisht e theksojnë fuqishëm se çështja shqiptare, sa kohë që statusi i tyre nuk ka një zgjidhje të duhur e të bazuar në standarde evropiane për të drejtat e kombeve pakicë, nuk mund të quhet e zgjidhur drejt dhe aq më pak në përputhje me përmasën reale të etnisë shqiptare.

Tani kur janë dy shtete shqiptare në Ballkan, bashkëkombësit tanë, të mbetur nën Serbinë, sikundër edhe ata të mbetur nën Maqedoni e Mal të Zi, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë mbështetje për realizimin e të drejtave të tyre, ndërsa ruajtja e identitetit dhe zhvillimi i tij në bashkëveprim me hapësirën e mbarëshqiptare është një e drejtë elementare.

Kjo konferencë synon të vërë në pah rolin historik të këtyre trevave për historinë tonë kombëtare, trashëgiminë e tyre si pjesë e pandashme e kulturës shqiptare, gjendjen aktuale, duke e vënë theksin te të gjitha çështjet jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe perspektivën e tyre të gjithëmbarshme.

Nisur nga ky fakt, mirëpresim kontributet në këtë Konferencë shumëdisiplinare, duke mëtuar të japim përgjigje shkencore për shumicën e çështjeve të së kaluarës, të së tashmes,  por edhe vizionin për të ardhmen e saj.

Ideja për ta organizuar një aktivitet shkencor për këtë pjesë të botës shqiptare, për kontekstin e vështirë të gjëllimit të saj, për zhbërjen që i kanoset, ka mbetur pjesë e preokupimeve të vazhdueshme të Institutit Albanologjik. Këto vise sot të skajshme të etnisë sonë, të cilat jo moti nuk ishin të tilla, kujtojmë se si hapësira në të cilën mbizotëronin shqiptarët ishte përtej tyre, janë karakterizuar me vlera të rëndësishme përfaqësuese të kulturës sonë, veçmas të asaj tradicionale, me ngjarje e personalitete historike të denja për faqe të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Nisur nga  ky fakt, si objektiv i parë yni imponohet pikërisht njohja shkencore e të kaluarës dhe e vlerave kulturore kombëtare shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke hedhur dritë mbi fakte, ngjarje, personalitete, që kanë shënuar zhvillimet historike në këtë hapësirë etnike shqiptare, që nga periudhat më të hershme e deri në ditët e sotme, por edhe duke e mbledhur ruajtur, botuar e studiuar trashëgiminë e pasur të kulturës materiale e shpirtërore të këtyre trevave. Në këtë kontekst të së kaluarës së afërt do të përmend vetëm kontributin e madh që shqiptarët e këtyre trevave e dhanë për shpëtimin e jetëve të bashkëkombësve të tyre të përfshirë nga eksodi masiv si rezultat i dhunës shfarosëse serbe, me ç’rast bujanovcasit dhe preshevarët shpëtuan edhe shumë jetë ushtarësh të plagosur të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe sidomos do të theksoja luftën heroike të Ushtrisë çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, e cila për një kohë të shkurtër e aktualizoi çështjen shqiptare në këtë hapësirë dhe i bëri bashkëkombësit tanë palë në negocimin e paqes.

Objektivi i dytë i Konferencës ndërlidhet me trajtimin e aspekteve më kryesore të gjendjes aktuale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në shumicën e dimensioneve jetësore që i preokupojnë shqiptarët e atjeshëm, sikundër janë: statusi politik i këtyre hapësirave, arsimi, kultura, ekonomia, informimi, shëndetësia etj. Është fakt i pamohueshëm se në të gjitha këto drejtime trevat shqiptare janë në vendin e fundit sa i përket nivelit zhvillimor në Republikën e Serbisë. Vetëm kur bëhet fjalë për represionin policor e ushtarak këto treva dalin në krye të listës. Dënimet politike, në të cilat të rinj shqiptarë të këtyre anëve pas arrestimeve spektakolare dhe proceseve të montuara si “grupe armiqësore” dënohen me shekuj burgim, dhe si në farsë lirohen të pafajshëm pasi kanë kaluar dhjetëra mija ditë e net në qelitë serbe, janë dëshmi se si sot kjo pjesë e kombit shqiptar detyrohet të mbajë mbi supe gjithë racionin e represionit të politikës shtetërore serbe të përgatitur enkas për shqiptarët. Sot në Evropë nuk mund të gjendet një shembull i dytë ku pjesëtarëve të një kombi u mohohet e drejta që të kenë një lapidar si shenjë për të nderuar të rënët e tyre, të cilët për ta nuk janë tjetër veçse heronj të lirisë, sot nuk mund të gjendet një shembull i dytë i veprimit inkuizitor të ndalimit të librit, apo thënë më mirë ndalimit të kryelibrit, mëmës së librave të secilit komb, abetares. Çfarë mund të pritet nga një pushtet që fton për bisedime përfaqësuesit e shqiptarëve, me qëllim që ata të shfaqin brengat e popullit të tyre, dhe në vend të qasjes konstruktive i kërcënon me arrestim duke dashur që t’i dekurajojë në misionin e tyre. Në rrethana të këtilla, kur nuk është siguruar as minimumi i ekzistencës njerëzore e kombëtare, kur krijohet përshtypja e përgjithshme se të jesh shqiptar në Republikën e Serbisë është diçka vetvetiu e paligjshme, është vështirë të mendohet për një prosperitet dhe të ardhme që garanton hapërim krahas pjesëtarëve të tjerë të

kombit dhe aq më pak mund të pretendohet një ecje përkrah kombeve të tjera, të cilat këto trajta të dhunës i ndeshin vetëm në arkiva dhe në dokumente të shekujve të largët. Ekspeditat ndëshkimore të viteve të fundit dhe sidomos militarizimi jashtë çdo kriteri i trevave shqiptare përgjatë kufirit me Kosovën janë tregues se kjo qasje nuk do të ndryshojë së shpejti. Nëse Bashkimi Evropian ka krijuar standarde për të drejtat e kombeve pakicë dhe ato kërkon të zbatohen në secilin dimension të jetës, kur është fjala për serbët në Kosovë, është koha e fundit që me një qasje të ngjashme të kthejë kokën edhe nga shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Kuptohet faktori politik shqiptar, institucionet shtetërore të Shqipërisë e të Kosovës është e nevojshme që gjithnjë e më shumë të marrin barrën e interesimit sa më të gjithanshëm për këtë pjesë të botës shqiptare.

Ndërkaq, ne si institucione shkencore, them se e kemi obligim profesional, pse jo edhe kombëtar, që të japim ndihmesën për trajtim objektiv e në dritën e së vërtetës shkencore lidhur me djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve të këtyre hapësirave, duke përfshirë të gjitha sferat e jetës së tyre. Ndryshe fatkeqësia demografike e Medvegjës mund të bëhet fatum edhe i Bujanocit dhe i Preshevës.

Pjesa më e vështirë e një projekti shkencor ka të bëjë me raportin që dija krijon ndaj të ardhmes. Përshkrimi kronologjik dhe vlerësimi i të kaluarës dhe të tashmes, sintezat që bëhen lidhur me to, janë një bazë e mirë për të projektuar një të ardhme, e cila, ndonëse kërcënohet nga të papriturat, duhet të disenjohet mbi mundësitë objektive, duke marrë parasysh edhe kontekstin aktual dhe atë të pritshëm si jo fort të favorshëm. Besojmë se shumë nga idetë e kësaj konference do të shërbejnë për ruajtjen dhe zhvillimin e strukturës kombëtare dhe të identitetit shqiptar të këtyre viseve, sikundër edhe për koherencën me pjesën tjetër të kombit shqiptar dhe zhvillimin e tyre gjithëmbarshëm.

Identifikimi i zgjidhjeve të qëndrueshme për shqiptarët e këtyre komunave, i zgjidhjeve praktike e funksionale në planin e afatshkurtër, në të gjitha sferat e jetës, dhe i zgjidhjes strategjike si dhe përcaktimi i mekanizmave të zbatimit të saj në planin afatgjatë, do të jenë garanci e mbijetesës kombëtare të shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë.

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të them se kjo Konferencë është fryt i përpjekjeve të pareshtura të një qarku të rëndësishëm kulturor që vepron në terrenin e objektit tonë studimor. Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës gjatë viteve ka bërë një punë të admirueshme për kulturën dhe historinë e kësaj treve. Aktivitetet e shumta kulturore e shkencore tashmë janë bërë pjesë e literaturës studimore, ndonëse ka vepruar dhe vijon të veprojë në kushte tejet të vështira. Kemi pasur kënaqësinë që për muaj të tërë të punojmë bashkërisht me Shoqatën dhe veçmas me kryetarin e saj, z. Xhemaledin Salihu, pa kontributin e të cilit kjo konferencë nuk do të mund të organizohej. Meritorë për këtë aktivitet jeni edhe ju, autorë të nderuar, që me kontributet tuaja shfaqët gatishmërinë të bëheni pjesë e tij. Krahas kësaj, dua të falënderoj edhe shumë individë, asociacione e institucione që e kanë përkrahur moralisht këtë nismë tonën. Mbështetje tjetër nuk kemi kërkuar, ngase, për shpenzimet më të domosdoshme të kësaj konference, e kemi pasur përkrahjen e duhur brenda buxhetit të miratuar nga Ministria e Shkencës, ndërsa prania e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës është dëshmi e ndërveprimit të kapaciteteve të përgjithshme shkencore, shoqërore e shtetërore për një qëllim të përbashkët, përmirësimin e gjendjes aktuale dhe krijimin e perspektivës për popullsinë shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Nga ana tjetër, me tellallin e instruktuar për ta zhvlerësuar Konferencën, i cili u shfaq në disa medie pak ditë para mbajtjes së saj, me pretendimin se vetëm ai e paska të drejtën e autoriale të studimit të Luginës së Preshevës, për arsye kohe e higjiene, nuk do të merremi me këtë rast. Megjithatë, duke e ruajtur etikën e komunikimit, do t’ia kujtoj thënien lapidare të Sami Frashërit, i cili, të konceptuar në pak fjalë, la njërin ndër amanetet filozofike më të dobishme për ata që nuk janë të vetëdijshëm për përmasën e tyre reale: “Një kokërr gruri nuk e mbush dot hambarin, por ndihmon kokrrat e tjera që e kanë mbushur”.

Të nderuar kolegë,

Kjo është Konferenca e parë për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën në të cilën Instituti Albanologjik shfaqet si bashkorganizator, por sigurisht se nuk do të jetë e fundit. Materia studimore është aq e gjerë, aq e pashtershme, e në shumë pika jemi veçse në fillim të punës. Hëpërhë disa projekte tona ndërlidhen pikërisht me këto treva, ndërsa njëri prej tyre e ka në fokus vetëm Luginën e Preshevës. Sidoqoftë, kjo nuk është e mjaftueshme, ndaj do të bëjmë përpjekje që gjatë vitit vijues të organizojmë terren njëjavor në Preshevë e Bujanoc me rrethina për të faktuar sa më shumë dëshmi të kulturës sonë tradicionale dhe të historisë së kësaj hapësire etnike shqiptare.

Në këtë pikëpamje tepër i domosdoshëm për ne do të ishte bashkëpunimi me institucionet e qeverisjes lokale, pa e anashkaluar edhe Shoqatën si partner yni dhe të gjithë faktorët e tjerë, të cilët duan dhe mund të kontribuojnë në këtë drejtim.

Me urimin që rezultatet e kësaj konference, të cilat do të botohen fillimisht në shqip dhe më vonë edhe në anglisht, të shërbejnë për njohjen sa më të plotë të vlerave, të çështjeve e të problematikave që preokupojnë shqiptarët e këtyre trevave, pastaj se do të jenë në funksion të përmirësimit të përgjithshëm të aspekteve të mbijetesës dhe të zhvillimit të shqiptarëve në vatrat e tyre stërgjyshore, i shpall të hapura punimet e Konferencës shkencore Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër.

 

Ju faleminderit.

Prishtinë, më 20 nëntor 2013

Prof. dr. Hysen Matoshi

Fjala e mbylljes e Konferencës shkencore Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër

 

 

Të nderuar kolegë,

 

 

Pas tri seancash pune, pas paraqitjes së më se 40 kumtesave, dorëzimit të pesë prej tyre për botim pa u lexuar dhe diskutimeve të sotme, ndodhemi në pikën e përmbylljes së Konferencës shkencore Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër. Gjatë kësaj kohe patëm rastin të dëgjojmë kumtime me vlerë nga studiues të disiplinave të ndryshme shkencore dhe pothuajse të mbarë hapësirës sonë etnike. Kontributet e shpalosura synonin përfshirjen e gjithëmbarshme, si në planin e çështjeve që lidhen me këto treva, ashtu edhe në planin kohor. Ideja për një konceptim të këtillë është në funksion të hapjes së debatit dhe të inkurajimit të potencialeve tona shkencore që të merren me materie të ndryshme që kanë të bëjnë me këto treva shqiptare, me të kaluarën, të tashmen, por edhe me kontribute që mund të jenë ndihmesë e madhe për të ardhmen e tyre.

Ndonëse një vlerësim më i plotë i prurjeve të Konferencës do të mund të bëhet vetëm pas botimit të materialeve të saj, mund të konstatojmë se objektivat tanë si organizatorë (Instituti Albanologjik dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës) u përmbushën në pjesën e tyre më të madhe. Këto treva disi të lëna jashtë vëmendjes kundruall proceseve dinamike me të cilat përballen Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, e para me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa e dyta me procesin e ndërtimit të shtetit dhe të njohjes së tij në arenën ndërkombëtare, për dy ditë ishin në qendër të vëmendjes të studiuesve të fushave të ndryshme. Kështu, u trajtuan tema që kanë të bëjnë me statusin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me pozitën e tyre gjeostrategjike, me të drejtat e nëpërkëmbura njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të këtyre trevave, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe faktorizimin e shqiptarëve, me kontekstin e ndarjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nga pjesa tjetër e hapësirës shqiptare dhe përfshirjen e mbetjen e tyre në sovranitetin serb, për të vijuar me tema që merrnin në shqyrtim kulturën tradicionale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si pjesë me përbërëse e me interes e kulturës shqiptare, me historinë e tyre parë në rrafshe të ndryshme zhvillimore, ku një vend të rëndësishëm e zinin të dhënat, ngjarjet dhe personalitetet e kohëve të ndryshme, ndërsa kishte kumtesa edhe lidhur me arsimin shqip të parë në kontekste kronologjike dhe lidhur me vështirësitë aktuale në realizimin e tij në frymë kombëtare e pa imponime të kulturës e të historiografisë sllave, me veçoritë gjuhësore dhe veçoritë onomastike, me vepra letrare e autorë të këtyre hapësirave, me trendet shqetësuese demografike, pa harruar edhe kontributet të veçanta që lidheshin me informimin, ekonominë, shëndetësinë, turizmin, raportet e këtyre trevave me pjesët e tjera të hapësirës shqiptare etj.

Disa nga konstatimet e përgjithshme të Konferencës do të mund të ishin edhe këto:

  1. Çështja kombëtare e shqiptarëve të këtyre hapësirave nuk është zgjidhur dhe ajo si gjendje ekzistuese as është në përputhje me vullnetin e tyre dhe as është në përputhje me standardet e proklamuara të botës së përparuar.
  2. Gjendja aktuale e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nën sovranitetin serb, është e pafavorshme dhe madje padurueshme pothuajse në të gjitha sferat e jetës, ndaj si rrjedhojë ruajtja e identitetit të veçantë kombëtar dhe mbijetesa e tyre në këtë hapësirë po bëhet gjithnjë e më vështirë.
  3. Kërkohet edhe më shumë mbështetje institucionale e Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, qoftë edhe duke ndjekur modelet reciproke që Serbia zbaton kundruall serbëve në Kosovë, qoftë duke punuar më shumë me faktorë vendimmarrës të politikës evropiane e botërore në këtë drejtim.

 

Të nderuar kolegë, është i qartë fakti se për të gjitha çështjet aktuale jetike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kërkohet një veprim i shpejtë, sepse në rast se vonohemi, vonesa do ta ofrojë zgjidhjen e saj. Zhbërja etnike e hapësirave shqiptare, sikundër është dëshmuar deri tani, është edhe zhbërje e përgjithshme, duke përfshirë edhe zhbërjen e hapësirës sonë kulturore. Ndaj, kjo Konferencë është në funksion të saktësimit shkencor të së kaluarës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, bazuar mbi dokumente që dëshmojnë vijimësinë e tyre etike shqiptare, të përshkrimit të saktë të gjendjes aktuale dhe të ofrimit të modaliteteve për një të ardhme më të mirë e më të sigurt të bashkëkombësve tanë në tokat e tyre.

Një konferencë dhe një veprimtari është e pamjaftueshme, nëse nuk pasohet edhe nga hapa të tjerë, në të cilët gjithkush mund të japë ndihmesën e tij. Nuk na mbetet tjetër veçse të punojmë që këto materie të rëndësisë kombëtare të bëhen preokupim yni i vazhdueshëm profesional.

Duke ju falënderuar juve, kumtues të nderuar, për kontributin dhënë konferencës, dhe sidomos juve të dashur vëllezër preshevarë, bujanovcas e medvegjas për pjesëmarrjen dhe interesimin që shfaqët për këtë konferencë, i shpall të mbyllura punimet e Konferencës shkencore Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër me urimin që të mbesin krenarë me të kaluarën, të punojmë shumë për të sotmen dhe të sigurojmë të ardhmen e tyre shqiptare.

 

Prishtinë, 21.11.2013

 

Prof. dr. Hysen Matoshi

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch