Home » Politikë » Fjalimi i Albin Kurtit i mbajtur në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet lokale, më 1 nëntor 2013

Fjalimi i Albin Kurtit i mbajtur në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet lokale, më 1 nëntor 2013

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të dashur banorë të Prishtinës,

I nderuar kryetari i ardhshëm i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti,

Të nderuar kryetar të ardhshëm të komunave anekënd Kosovës nga radhët e VETËVENDOSJES!-s,

Të nderuar asambleistë të VETËVENDOSJES! në kuvendet komunale gjithandej nëpër Kosovë,

Gjatë muajit tetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur 2,066 tubime me qytetarë nëpër fshatra dhe lagje të qyteteve të Kosovës. Gjithashtu kemi bërë edhe 103 vizita të grupeve të ndryshme shoqërore si pensionistët, zejtarët, artistët, sportistët etj. Janë afruar edhe qindra vullnetarë që kanë ndihmuar në organizimin e aktiviteteve të ndryshme të Lëvizjes sonë.

Qendrat dhe aktivistët e VETËVENDOSJE!-s gjatë muajve të fundit kanë hartuar

29 Alternativa qeverisëse lokale për secilën nga Komunat në të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr pjesë me kandidatët e saj. Ndërlidhjen organike të Shtetit të së Drejtës, Shtetit Zhvillimor dhe Shtetit Social e kemi përkthyer e zbërthyer në zgjidhje konkrete për problemet komunale gjithnjë në bashkëpunim e diskutim me qytetarët gjithandej komunave të Kosovës.

 

Të dashur qytetarë,

 

Ne e kemi ndërtuar fitoren tonë dhe këtë fitore do ta mbrojmë me mbi 7.500 persona nëpër Kosovës që do të kujdesen për mbrojtjen e votës tuaj, për të mbrojtur votën e të gjithë juve dhe votën e secilit prej jush. Në secilin vendvotim, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka nga një komisioner dhe dy vëzhgues të trajnuar profesionalisht. Më 3 nëntor ne duam zgjedhje të ndershme dhe demokratike sepse duam të fitojnë njerëzit e ndershëm dhe Kosova të bëhet përfundimisht demokratike. Ne do të garojmë me gjithsej 909 kandidatë në 32 komuna të Kosovës. Kudo që garojmë duam të fitojmë dhe fitorja jonë e madhe do të jehojë në krejt Kosovën dhe në mbarë shqiptarinë.


 

Lëvizja VETËVENDOSJE! garon për herë të parë në zgjedhjet lokale. Ajo është e reja kaq pranë jush dhe kaq e mbërritshme pas 14 vjetësh ashtu siç është afër edhe fitorja jonë nga e cila na ndajnë vetëm edhe dy ditë.  Bashkë me kandidatët tanë për kryetarë të cilët janë kryetarët e ardhshëm të komunave të Kosovës edhe kandidatët tanë për asambleistë përbëjnë komunitetin e aktivistëve politikë që ashtu siç do ta bëjnë qeverisjen e mirë, njësojë do ta transformojnë çdo Kuvendet Komunale duke i bërë ato tribuna demokratike të qytetarëve dhe të politikës.

Regjimi në fuqi në Kosovë është shkombëtarizues për shqiptarët prandaj emancipimi duhet të jetë kombëtar. Ky regjim është edhe shpronësues për publikun dhe shoqërinë, prandaj emancipimi duhet të jetë shoqëror e publik.

Ju e patë se sa shpesh Shpend Ahmeti e përdori fjalën barazi. Politikanët e tjerë të partive të tjera politike flasin për barazi vetëm kur shkojnë te myftiu Naim Tërrnava për urime të Bajramit. E, Lëvizja VETËVENDOSJE! nocionin e konceptin e barazisë e ka të elaboruar gjere e gjatë, e ka të shkruar e të shpjeguar hollësisht në Shtetin Social si shtyllë themelore e Alternativës tonë qeverisëse.

Kosova është një vend ku përballen interesat e pakicës dhe të drejtat e shumicës. Shteti e komuna duhet t’iu merren prej duarve pakicës.  Sepse qytetarët janë punëdhënësi që i punëson politikanët për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve.

Pushtetet jodemokratike në Kosovë i mbajnë politikanët mbi ligjin dhe e ndajnë si me thikë shoqërinë në ata që janë të pambrojtur dhe në ata që janë të paprekshëm. Ajo që i bën të barabartë dhe i bën bashkë qytetarët e Kosovës është sundimi mbi ta. Prandaj, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të barabartë jo në shtypjen që e përjetojmë por në vullnetin që e animojmë. Në vullnetin për të qenë bashkë dhe për t’u bërë të barabartë, për t’u zhvilluar e për të përparuar, të gjithë dhe secili, pa privilegje e pa diskriminim.

Njerëzit e varfër janë të varfër jo pse kështu ka thënë zoti apo pse kështu e ka kushtëzuar natyra. Njerëzit e varfër janë të varfër për shkak të disa njerëzve të tjerë që me pushtetin e tyre i varfërojnë të tjerët dhe pasurohen për veten e tyre. Pasurimi i politikanëve nuk është dukuri natyrore por është padrejtësi politike.

Nga gjithë këta të korruptuar, asnjeri nuk ndalet vetë. Të korruptuarit duhet t’i ndalim ne, ne që u nisëm dhe s’ka kush që na ndalë. Pasuria e qytetarëve është bërë pasuri e pushtetarëve, por me qeverisjen e VETËVENDOSJES!, pasuria e paligjshme e pushtetarëve do të konfiskohet dhe do të ribëhet pasuri e qytetarëve.

Në Kosovën e pasluftës, politikanët vijnë në pushtet me para dhe për para. Shpend Ahmeti nuk vjen në pushtet me para, por me organizim; dhe, Shpend Ahmeti nuk vjen në pushtet për para, por për qeverisje të mirë.

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Isa Mustafa nuk ka nevojë edhe për një shans tjetër por për një vend tjetër pune. Ose, më saktë, ai ka nevojë për një vend më pak pune, nga disa sosh që tashmë i ka. Nuk e di se si po i kryen ai punët e tjera në vendet e tjera të punës, por punën a mospunën e tij në komunë e jetojmë secili prej nesh si realitet të hidhur e të përditshëm.

Përderisa Prishtina mbetet një qytet e një komunë ku politikanët pasurohen e qytetarët varfërohen, demokraci në Prishtinë e në Kosovë do të ketë vetëm në fjalët e komunarëve dhe jo në realitetin e qytetarëve. Demokracia sipas përkufizimit është vullnet e sundim i shumicës. Mirëpo nëse në një vend shumica është duke vuajtur, atëherë kjo tashmë është një dëshmi e qartë se në atë vend nuk kemi demokraci.

Përderisa Prishtina mbetet një komunë ku politikanët pasurohen e qytetarët varfërohen atëherë është e qartë se ne duhet t’i bëjmë ndryshimet për ta përmbysur këtë gjendje e jo vetëm thjesht për ta reformuar atë.

Pas çlirimit qyteti i Prishtinës është dashur të jetë liri për komunë të zhvillimit e jo liri për komunarët e qeveritarët për uzurpimin e qytetit.

Nuk mund ta zhvillosh Prishtinën pa u ballafaquar me PDK-në që e ka kapur shtetin e uzurpuar publiken. Ne do ta ribëjmë Prishtinën komunë, ku të drejtat e shumicës janë mbi interesat e pakicës.

Isa Mustafa nuk guxon të ballafaqohet me PDK-në. Isa Mustafa i druhet PDK-së, i druhet ShIK-ut, Thaçit e Qeverisë. Mirëpo, me druajtje nuk mund ta bëjmë asnjë hap para. Prandaj ne kemi nevojë të ecim përpara dhe për këtë duhet ta ndërrojmë pushtetit, duhet ta heqim Isa Mustafën dhe ta sjellim Shpend Ahmetin. Nëse Isa Mustafa don të shitet, ai le të shitet dhe le ta blejë kush të dojë, por nuk mund të lejojmë që Isa Mustafa të na e shesë qytetin e të na e vjedhë ardhmërinë.

Me Shpendin kryetar të komunës, në Prishtinë do të sundojë vullneti i qytetarëve dhe jo dëshirat e politikanëve. Me Shpendin kryetar nuk do të kemi komunë të dobët që dorëzohet para hajnave, por komunë të fuqishme ku s’ka vend për hajna.

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

3 nëntori është dita kur do t’i tregohet Isa Mustafës se i takon të kaluarës dhe se ne nuk shohim të ardhme me të, se qytetarët e Prishtinës do të vendosin për veten e tyre dhe kundër atyre që ishin kundër qytetit dhe kundër qytetarëve.

Me Shpendin kryetar, komuna e Prishtinës nuk do të jetë më komunë e ndërtimeve pa leje, por do të bëhet komunë e zhvillimit të prodhimit. E teksa prodhimi është edhe ekonomik edhe socio-kulturor, zhvillimi i prodhimit është edhe rritje e punësimit edhe rritje e mirëqenies.

3 nëntori është dita kur duhet të ngjajë demokracia prej poshtë, e cila do t’i zbresë të korruptuarit që janë ngjitur lart. Me 3 nëntor Prishtina le të fluturojë si shpend me Shpendin e le të mos ngujohet te parkingu i PDK-së me Isa Mustafën.

Nëse nuk vendosim vetë, nëse nuk vetëvendosim atëherë nuk ia vlen të votojmë. E nëse votojmë atëherë duhet të vetëvendosim. Prandaj, të dielën e 3 nëntorit votoni për Shpend Ahmetin e për Prishtinën, votoni për VETËVENDOSJE!-n dhe numrin 61.

 

* * *

Të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,

Qytetarët e Kosovës i kanë humbur tashmë iluzionet dhe ky është një përfitim i madh. Humbja e iluzioneve është fitim. Sepse është vetëdijësim dhe emancipim.

Nuk mund të shpresojmë se i korrigjojnë gabimet këta kryetarë aktualë, sepse ata po lavdërohen me gabimet e për gabimet e veta. E kjo do të thotë që ata në të vërtetë rrallë gabonin e shpesh kishin qëllime të këqija.

Udhëheqësit e partive tjera janë bërë bashkë me njëri-tjetrin por e ndajnë e përçajnë popullin dhe anëtarësitë e tyre partiake në mënyrë që secili prej tyre të jetë kryetar. Arsyeja pse kemi kaq shumë parti politike në Kosovë është për shkak se nuk ka mundur që të bëhet secili kryetar. Prandaj secili e ka hapur pilaren e vet dhe tash i kemi këto fraksionet e së njëjtës parti. Këto parti, PDK, LDK, AAK dhe AKR, janë fraksione të së njëjtës parti. Këto parti janë më pak se parti. Kjo është e njëjta parti që mund ta quajmë PLDAAKR. Përball kësaj partie që e ka çarë dhe e ka përçarë popullin ndodhet Lëvizja VETËVENDOSJE! e cila është më shumë se parti. Për shkak se është Lëvizje, për shkak se vendos vetë dhe për shkak se dëshiron që i gjithë kombi shqiptar të lëviz, ta marrë fatin e vet në duart e veta dhe të vetëvendos.

Këta kryetarë të së njëjtës parti nuk mund ta ndryshojnë sistemin sepse ky sistem i ka ndryshuar të gjithë ata dhe secilin prej tyre, ky sistem i pazareve me Serbinë dhe i privatizimeve të egra. Pra, nga pikëpamja e tyre, ndryshimi tashmë ka ndodhur, janë ndryshuar ata vetë. Por, ne kemi nevojë t’i ndryshojmë ata, ta ndryshojmë krejt Kosovën, t’i heqim prej pushteti njëherë e mirë, t’i heqim prej pushtetin menjëherë dhe përgjithmonë. Sepse Kosova është e qytetarëve, e shqiptarëve e jo e këtyre pushtetarëve, jo e këtyre matrapazëve që hyjnë në politikë apo e këtyre politikanëve që u bënë matrapazë.

Të dashur qytetarë dhe pjesëmarrës të këtij tubimi,

Ne të pakënaqurit jemi shumica e këtij vendi dhe e secilës komunë. Ne duhet të bëhemi bashkë dhe ndryshimi bëhet.  Mos i votoni premtimet e vjetra e të rrejshme të pushtetarëve në ikje por votojeni alternativën e drejtë qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Mos i votoni këto fraksione të së njëjtës parti që e braktisën flamurin kombëtar shqiptar dhe tash i valojnë flamujt partiak por votojeni Lëvizjen VETËVENDOSJE! e cila kurrë nuk ka pasur, nuk ka, dhe kurrë nuk do të ketë flamur partiak përveç flamurit kuq e zi, përveç flamurit kombëtar shqiptar, përveç flamurit të kuq me shkabën e zezë dy krenare në mes.

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më 3 nëntor, qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës nuk do të votojnë për flamujt partiak  që na sollën flamurin me lara por do të vendosin vetë për flamurin kombëtar shqiptar.

Unë i bëj më shumë se 300 kilometra në ditë duke shkuar nga një komunë në tjetrën në tubime dhe takime jo vetëm gjatë fushatës. Por, ngado që shkoj, në asnjë vend, asnjëherë nuk e kam takuar asnjë patrollë të policisë së trafikut që e ndal ndonjë xhip të zi e të shtrenjtë me xhama të errët por vetëm ndonjë makinë golf të lodhur duke e pyetur pse nuk e ke vendosur rripin e sigurisë e pse nuk e ke trekëndëshin në bagazh. Policia në Kosovë po i frikësohet kriminelëve. Policia e trafikut nuk guxon që t’i ndal këta xhipa. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje, me fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, me fitoren e të gjithë kandidatëve të VETËVENDOSJE!-s në të gjitha komunat, me fitoren e asambleistëve tanë, nuk do t’i frikësohet më policia kriminelëve por kriminelët do t’i frikësohen policies; ashtu si nuk do t’i frikësohen qytetarët pushtetit por pushtetarët do t’i frikësohen qytetarëve.

Një ndër parullat tona të fundit e më të rëndësishme siç e dini të gjithë ju është se “Me hajna nuk ka shtet”. Prandaj, ne jemi Lëvizja e cila do t’i heq hajnat e do ta ndërtojë e zhvillojë shtetin. Një shtet Republikan, një Republikë të shumicës me komuna të shumicës në to.

Punësimi sot në Kosovë na ka kthyer në kohë të Jugosllavisë. Në kohë të Jugosllavisë nuk ka pasur vende punë nëse nuk ke pasur librezë partie. Edhe sot nëse nuk e ke librezën e partisë që qeveris me vendin ose me komunën sërish nuk ka vend pune. Por, nuk na kanë kthyer vetëm këtë dukuri të shëmtuar të kohës së Jugosllavisë. Na kanë kthyer edhe dukurinë e shëmtuar të kohës së Serbisë ku qytetarëve së pari ua kanë thirrur mbiemrin e pastaj emrin. Në Kosovë po nuk e pate mbiemrin Thaçi, Grabovci, Veseli, Mustafa, Pacolli apo mbiemra të ngjashëm nuk ka vend pune. Por, me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje, nuk do të ketë më punësim me librezë partie dhe nuk do të ketë më punësim me mbiemra por vetëm punësim me emra, punësim sipas profesionit, sipas ndershmërisë, zotësisë, profesionalizmit dhe patriotizmit. Koha e Serbisë dhe e Jugosllavisë me ato dukuri të shëmtuara do të përfundojë me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje.

Të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi,

Më 3 nëntor, dilni masivisht në zgjedhje që fitorja jonë të jetë masive. Me datën 3 nëntor, votoni vetë, votoni për veten, vendosni vetë, vendosni për veten, votoni vetëvendosjen, votoni nr. 61.

Politikanët e partive tjera janë bashkë, të ndarë prej popullit e kundër tij. Ne jemi bashkë me popullin e me qytetarët, për popullin, e për qytetarët, për Kosovën e për bashkimin kombëtar.

Politikanët e partive tjera shikojnë shikimin e ndërkombëtarëve. Ne dëgjojmë zërin e qytetarëve.

Ata bëjnë pazare. Ne bëjmë demonstrata.

Ata kanë klientë. Ne jemi qytetarë.

Ata janë pronarë. Ne jemi prodhues.

Ata janë zaptues. Ne jemi çlirues.

Ata janë imitues. Ne jemi krijues.

Ata kanë lojëra fati. Ne jemi fati që nuk luan.

Ata duan feude. Ne duam republikë.

Ata duan principatë. Ne duam komunë.

Ata duan ndarje. Ne duam bashkim.

Ata duan më shumë prona. Ne duam më shumë vende pune.

Ata duan privaten. Ne duam publiken.

Ata janë materialista. Ne jemi idealista.

Ata janë të korruptuar. Ne jemi të pakorruptueshëm.

Ata duan të sundojnë. Ne duam të qeverisim.

Ata janë sundimi pa alternativë. Ne kemi alternativë qeverisëse.

Ata e keqpërdorin buxhetin. Ne do ta rrisim buxhetin.

Ata duan ta ndajnë buxhetin. Ne duam ta ndajmë mirëqenien.

Ata shpenzojnë. Ne do të investojmë.

Ata janë përfaqësimi formal me vendimmarrje informale. Ne jemi pjesëmarrja përmbajtësore me vendimmarrje demokratike.

Ata kanë xhipa. Ne duam trotuare.

Ata kanë vëllezër e kushërinj. Ne kemi shoqe dhe shokë.

Ata kanë gurthyes. Ne kemi libra.

Ata duan heshtje. Ne jemi zëri.

Ata kanë parti që ngecin. Ne jemi lëvizja që ecën.

Ata duan të frikësojnë. Ne gjithmonë guxojmë.

Ata do të humbin. Ne do të fitojmë!

Faleminderit!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch