Home » Lajme, Vendore » Fotografi që kapërceu kufijtë me imagjinatë

Fotografi që kapërceu kufijtë me imagjinatë

Prishtinë, 3 shtator – Ai do të ishte një i ri i zakonshëm në Preshevë që përballet me provime në shkollë, por imagjinata i ka nxjerrë punë. Idetë e tij e kanë shtyrë të bëjë diçka që kureshtja botërore nuk ka mundur të rezistojë pa e vlerësuar.Tash, Adrian Limani është edhe më shumë i zënë.

Emri i 21 – vjeçarit është përmendur shumë javën që shkoi. Ai preku vëmendjen e mediave ndërkombëtare e ato shqiptare për tri ditë. Media ndërkombëtare si “Daily Mail” e ka cilësuar atë “një fotograf imagjinata e të cilit kapërcen konceptin e deritanishëm të fotografisë”. Ani pse në vrullin e shumë intervistave Limani duket se e bën këtë punë me shumë qejf. Thotë se nuk ka bërë fotografi që të jetë i famshëm, por nuk është që kjo famë nuk po i pëlqen.

”Natyrisht kur dëgjon se një gazetë e njohur publikon një artikull për punën time, është një kënaqësi e papërshkrueshme”, thotë ai.

Por rrugëtimi i tij deri këtu nuk është se ka nisur brenda një kohe të shkurtër. Adriani kishte nisur të merrej me fotografi kur kishte qenë 17 vjeç. Nga shumë të rinj që sot kanë një fotoaparat e i publikojnë fotografitë e bëra në rrjete sociale, ai arriti përtej të qenit vetëm një i ri që ka fotografi. Punët e tij janë një bashkim i imagjinatës dhe reales që formojmë një botë në miniaturë që fillimisht i ka hyrë në punë vetëm Adrianit. Por tash fotografitë e tij po bëjnë xhiro nëpër botë.

Adriani fotografon diçka të vogël. Për shembull, në një seri të tij të fotografive ai fokuson poçin. Por kjo është e pamjaftueshme për të. Imagjinata e tij kërkon diçka tjetër. Në ndihmë i del interneti. Nga aty ai “udhëton” në Paris, ku “merr” Kullën e Eiffelit, më pas në Itali “grabit” Kullën e Pizzes.

Udhëtimi i tij imagjinar është edhe përtej botës, por ngelet edhe shumë njerëzor. Brenda atij poçit Limani fut ca ujë e mbi të një anije. Duket sikur anija sillet në të njëjtin rreth. Adrinani kap edhe ca re që duken sikur zemër e në të fut një ombrellë. Ai di të bëhet edhe romantik kur brenda një poçi vendos një hënë nën të cilën një djalosh i propozon martesë një vajze. Adriani në po atë poç fut edhe një zog të bardhë e gjithashtu edhe një pemë. Ka edhe plot fotografi të tjera të cilat largohen nga koncepti i poçit, sikurse ato që i bën në vende të hapura. Nga fotografitë e tij shihet se Adriani është i dhënë pas natyrës, por që edhe intervenon në të. Krejt procesin e tij të punës, Limani e definon si diçka që thjesht i vjen ta bëjë.

”Si gjithë artistët e tjerë që përjetimet, mendimet dhe ndjenjat e tyre i shprehin në mënyra të ndryshme si muzika, arti e piktura, unë e kam fotografinë si formë të shprehjes”, thotë Limani. Nga kjo ai del se nuk është i kënaqur me atë çfarë fotografon, pa efekte. Adriani thotë se kësisoj ai mundohet ta përfaqësojë atë se si e qysh e sheh botën e tij.

”Në një mënyrë puna që e bëj përfaqëson të brendshmen time. Imagjinatën”, thotë Limani.

I vetëdijshëm se puna e tij prej fotografi po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht, nga ajo që ai flet duket se ka filluar ta definojë veten si fotograf. Ani pse fotografitë e tij me poçe kanë marrë dhenë nëpër internet, Adriani ka qejf të tregojë se seritë e fotografive të tij nuk janë vetëm me poçin si objekt.

“Kam edhe shumë punime të tjera”, thotë ai.

Në sajtin e tij zyrtar ai ka edhe kategori të tjera të fotografisë përpos atyre që ai i quan “art i bukur”. Kur fotografon natyrë ai fokusohet në detaje të ndonjë bime apo në hapësira të gjera.

Ani e pse nuk është tip fotografi që për fotografitë e tij ofron një përshkrim mbi fotografinë, Adriani nuk është as fotograf që e bën “gazep” punën e tij. Ai thotë se i realizon ato shumë lehtë. E zë si shumë të rëndësishme për realizimin e një fotografie vetëm idenë. Kur e ka idenë, Adriani thotë se gjithçka realizohet shpejt dhe mirë. Puna e tij është e lidhur gjithashtu ngushtë edhe me internetin. Sikurse që e përdor atë për të gjetur objekte, ai përdor aplikacione të internetit për t’i bashkuar ato.

“Përdor më së shumti Photoshop”, thotë ai.

Fotografia e tij ka edhe një kategori që titullohet “gjërat”. Aty Limani kthehet përsëri në stilin e tij, klasik. Fotografon një veturë të vogël, lodër, por që në fotografi duket sikur veturë e madhe. Kjo tregon pak a shumë edhe profilin e tij prej fotografi.

“Më parë kam bërë vetëm fotografi të shumë gjësendeve e po ashtu edhe të poçeve. Pa pritur më ka lindur ideja që të provoj futjen e objekteve dhe figurave brenda një poçi”, thotë Limani.

Kësisoj, ai kthehet përsëri tek poçi. Kur tregon përse e përdor këtë objekt, e kupton edhe idenë e botës së tij.

“Poçin elektrik e përdor, sepse kam dëshirë ta shoh botën plot energji”, thotë ai. Me këtë kuptohet edhe ideja e fotografive të shumta që Adriani i bën me njerëzit në lëvizje. Me këtë lloj fotografie Limani thotë se e determinon veten si artist.

Është pak e sikletshme për të që të flasë nëse është një artist tamam apo jo. Por në fillimet e tij të karrierës, ajo çfarë po i ndodh Adrianit, është një sukses. Paraqitja e tij e parë ndërkombëtare ka qenë kur revista e njohur angleze për fotografi, “Photography Monthly Magazine”, kishte bërë një shkrim për punën e tij e bashkë me të Adriani kishte dhënë një intervistë. Kjo ka ndodhur pak kohë më parë. Ndonëse tani për tani është në kohën kur ende po përballet me të qenit një person që duhet t’u kthejë përgjigje shumë njerëzve për punën e tij, Adriani duket se ka plane të cilat do t’i japin atij statusin e një artisti të fotografisë. Ai ende nuk ka pasur mundësi të hapë një ekspozitë personale. “Por do ta bëj”, thotë ai

Adrian Limani: ”Në një mënyrë puna që e bëj përfaqëson të brendshmen time. Imagjinatën” /Koha NET/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch