Home » Lajme, Ndërkombëtare » Franklin Munishi: CVP dhe shqiptarët kanë të përbashkët përkushtimin për familjen

Franklin Munishi: CVP dhe shqiptarët kanë të përbashkët përkushtimin për familjen

Ka vetëm 32 vjet ndërsa cv-ja e tij është aq e dendur sa do të mjaftonte për një njeri me karrierë të përmbyllur. Franklin Munishi, jeton në Bronschofen të kantonit St. Gallen dhe është me prejardhje nga komuna e Vitisë. Deri më tash ka provuar veten në një numër të madh vendesh pune, ka mbaruar studimet për ekonomi të ndërmarrjes si dhe një sërë kualifikimesh e trajnimesh profesionale.

 

Nga viti i kaluar punon në fondin (arkën) e papunësisë në Cyrih, në kuadrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe punës të Kantonit të Cyrihut, ku, nga ky shtator është bërë edhe udhëheqës sektori. Para kësaj, për tri vite në po këtë ministri ka mbajtur funksionin e udhëheqësit të ekipit të kontabilitetit, e akoma para kësaj, në Entin kantonal për të papunët në St. Gallen, ka qenë po ashtu shef i personelit administrativ… Për të vazhduar kështu numërimin nga mbrapa deri në vitet 1996-7, kur Franklini 17-18 vjeçar krahas shkollimit, punonte në firmën që është në pronësi të familjes së tij.

 

E gjithë kjo përvojë e realizuar në një moshë shumë të re, ka krijuar te ai besimin e mjaftueshëm në vete për të nisur angazhimin politik.

 

“Në politikë jam aktiv tash tri vite me radhë. Jam angazhuar në kryesinë e CVP-së së komunës Bronschhofen, ku mbaj funksionin e arkëtarit”, thotë Munishi. Ndërsa ai sqaron se ka zgjedhur pikërisht CVP-në sepse e ka tërhequr mendimi i lirë që praktikon kjo parti “dhe jo imponimet, siç ndodh si në partitë e majta ashtu dhe në të djathtat”, thotë ai. Në partitë tjera, sipas Franklinit, “shumica e të huajve angazhohen për karrierë personale”.

 

Arsye tjetër që e ka orientuar atë nga CVP-ja është edhe përkushtimi i madh për familje, që e ka në program kjo parti. Fundja, dedikimin e tij për familjen, kandidati shqiptar e tregon edhe me “shembullin personal”: ai ka 4 fëmijë!

 

Për Franklinin ajo që e lidhë CVP-në me të huajt dhe me shqiptarët është fakti se kjo parti “ka vlera të larta familjare, ashtu siç jemi edhe ne shqiptarët”. Ndërsa, për të potencuar edhe më shumë faktin se kjo parti e ka familjen në fokus, bashkëbiseduesi ynë na e përkujton: “Në dy iniciativat më aktuale CVP mundohet që shtesat e fëmijëve (“Kinderzulagen”) të lirohen nga tatimet dhe që personat e martuar të mos paguajnë më shumë tatim se të pamartuarit. Besoj se këto iniciativa janë shumë interesante për shqiptarët”, shton ai.

 

Munishi jeton në komunën Bronschofen ndërsa kandidon për parlamentin e qytetit Wil. Përse? “Në vitin e ardhshëm komuna e Bronschhofen-it fuzionohet me qytetin Wil. Në këtë mënyrë Wil do të bëhet një qytet me peshë të madhe në kantonin St.Gallen”, përgjigjet ai.

 

Partia në të cilën aderon Franklin Munishi është më e përfaqësuara në parlamentin e qytetit të Wilit. “Aktualisht në këtë qytet partia ime ka 13 nga gjithsej 40 deputetët e parlamentit, dhe është më e pranishme se të gjitha partitë tjera veç e veç”.

Franklini, me gjithë përvojat shumta dhe të larmishme të tij jetësore, si kandidat për deputet po e provon veten për herë të parë këtë vit. Ndërkaq, i pyetur nëse në një të ardhme planifikon të angazhohet profesionalisht në politikë, ai thotë: “Besoj se vitet e ardhshme, politika do të vazhdojë të jetë vetëm angazhim imi dytësor, pasi e kam profesionin tim shumë të mirë, punoj në Ministrinë e Punës dhe të Ekonomisë të Kantonit të Zürichut.

 

Por, i pyetur konkretisht për ambiciet e tij politike ai e lë përgjigjen hapur, duke thënë: “Patjetër, jam prej natyre me shumë ambicie, në punë, mësime, familje etj”.

 

“Të gjithë banorët e komunës kanë pranuar javën qe lamë pas flyer nga ne – shpresoj që janë kthyer të gjithë nga pushimet dhe kanë hapur postën:-) “, thotë ai lidhur me atë se sa janë të njohur shqiptarët e Wilit për kandidaturën e tij. Ndërsa mesazhi i tij drejtuar shqiptarëve të këtij qyteti është i thjeshtë dhe tipik për vlerat që kultivon CVP: “Lus të gjithë ata shqiptarë që kanë nënshtetësinë zvicerane dhe kanë të drejtë vote, të votojnë për një të ri me shumë potencial, i cili do të bëjë çmos që familjet tona të kenë një të ardhme të sigurt dhe të mirë”.

 

Nga ana tjetër, Munishi e pranon se te zviceranët është ndoshta më shumë i njohur se sa te shqiptarët. Kjo edhe për faktin se, siç thotë ai, ka një familje të madhe shumë të angazhuar, në jetën ekonomike dhe shoqërore të regjionit.

 

Ata që duan ta votojnë Franklin Munishin, do ta gjejnë lehtë emrin e tij: “Jam në listën e dytë dhe numri im është 06”./albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch