Home » Kulturë » FRYTE TË PUNËS SË DOBISHME PËR ATDHEUN, NË MJEDISIN MIQËSOR SUEDEZ

FRYTE TË PUNËS SË DOBISHME PËR ATDHEUN, NË MJEDISIN MIQËSOR SUEDEZ

(Bisedë me znj. Qibrije Hoxha, veprimtare e njohur për çështjen shqiptare)

1.Lutem, më flisni diçka, shkurt, për jetëshkrimin tuaj…

Jam e lindur në Shkup dhe shkollën fillore e të mesme i kreva në vendlindje. Ndërsa studimet e larta i mbarova në Prishtinë, ku krijuam familje me Reshatin. Jetojmë në Stokholm të Suedisë dhe kemi dy fëmijë: Kaltrinën, 29-vjecare dhe Shpatin, 25 vjeçar.

Me profesionin inxhinjerë të diplomuar të teknologjisë, unë dhe bashkëshorti u punësuam: Reshati në repartin e flotacionit, në  Kombinatin xehtaro-metalurgjik-kimik Trepça, kurse unë në Laboratorin për shqyrtimin e betonit dhe materialeve ndërtimore, në Kombinatin Ndërtimor Industrial ״Ramiz Sadiku״,  të Prishtinës.

Të detyruar nga rrethanat, në nëntor të vitit 1989, u larguam nga Kosova dhe u vendosëm në Suedi. Nga ajo kohë, jeta jonë mori një kahje tjetër, të cilën nuk e kishim marrë me mend dhe as që e kishim dëshiruar ndonjëherë, deri kur studionim dhe palnifikonim karrierën dhe jetën tonë të re.

Këtu, në Suedi, menjëherë iu  nënshtruam procedurave të parapara për refugjatët, si:  mësimi i gjuhës suedeze, njohja me kulturën dhe traditën e këtij vendi, këto në forma të ndryshme. Kaltrina dhe Shpati, poashtu,  sipas moshës së tyre hynë në kopsht e shkollë. Kështu, filloi një jetë e re për gjithë familjen tonë…

Ishte ajo kohë e vështirë për Kosovën tonë, me pushtim, dhunë, vrasje e dëbime masive. Megjithëse larg Kosovës së martirizuar,  vendit të ëndrrave tona dhe të dashurisë sonë, alternativa e vetme ishte që t’i përvisheshim punës dhe t’i përkushtoheshim asaj, me të gjitha forcat, në çdo kohë dhe me tëra format e mundshme. Kështu, së pari, me informimin e opinjonit suedez për situatën e rëndë në Kosovë, filluam qysh në kampin e refugjatëve.

Në vitin 1991, u kyçëm në formimin e shoqatës ’’Iliria’’, në Stokholm dhe në formimin e Nëndegës së LDK-së, po aty. Në vitin 1994 mora pjesë në këshillin nismëtar për formimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, i cili përfshinte 35 shoqata kulturore shqiptare. Aty u zgjodha kryetare e USHSHS-së dhe me këtë obligim e ushtrova detyrën, deri në vitin 2000.

Në vitin 1997, përveç rolit të kryetares së asaj organizate shoqërore, kryeja detyrën e udhëheqëses së Komisionit për Informim, të Degës së LDK-së për Suedinë, që e vijova deri në vitin 2000.

Nga viti 1994 e deri më 1997, isha korespondente e TVSH-së, në Suedi, nga reportova rregullisht për veprimtaritë e bashkatdhetarëve tanë, në këtë vend skandinav, për t’i ndihmuar Kosovës. Po kështu, jepja dëshmi të qarta për ndihmesën e miqëve tanë suedezëë dhe institucioneve suedeze, për tejkalimin e situatës së rëndë dhe për lirinë e Kosovës. Njëkohësisht, në atë kohë, isha edhe korespondente e QIK-ut, ”Bota Sot”, revistës ”Teuta” dhe gazetave të tjera.

Gjatë veprimtarisë sime vullnetare, në format e ndryshme të organizimit për t’i ndihmuar Kosovën dhe bashkatdhetarët në Suedi, kam pas obligim që të jem e punësuar, për të siguruar ekzistencën. Prandaj, kam shërbyer me kënëqësi arsimtare e gjuhës amtare, në përbërje të shkollës suedeze, nga viti 1994 e deri më 1997. Në dy vitet vazhduese, kam punuar gazetare e redaksisë së gjuhës shqipe, në Radio-Suedia.

Ndërsa detyrën e përkthyeses e kam ushtruar gjatë tërë kohës, duke punuar në institucione shëndetësore, në Radion dhe TV-në e Suedisë. Po kështu,  kam qenë përkthyese për delegacione të personaliteteve të ardhura nga Kosova, në vizita zyrtare. Ato janë zhvilluar në institucione të ndryshme të Suedisë, përfshirë këtu Parlamentin dhe Qeverinë Suedeze. Kam pasë nderin të jem përkthyese e Presidentit Historik, dr.Ibrahim Rugova, gjatë vizitave të tij në Suedi.  E mbaj në kujtesë të paharrueshme vizitën e  Tij këtu, në vitin 2002; takimet e  frytshme me ish-ministren e ndjerë të Punëve të Jashtme të Suedisë, znj.Anna Lind dhe me disa liderë të partive politike suedeze, si dhe vizitën në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme.

Për mua, ka qenë nder dhe privilegj, njëkohësisht, që të jem zëdhënëse e Degës së LDK-së, Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil dhe, mbi të gjitha, zëdhënëse dhe bashkëpunëtore e Presidentit Ibrahim Rugova.

 

2. Si u kanë mbështetur qeveritarët vendës dhe miqtë suedezë, ju emigrantëve shqiptarë, për  zhvillimin e veprimtarive  dhe ruajtjen e traditave tona kombëtare?

Siç është e njohur, Suedia është vend me demokraci të zhvilluar ose, siç thuhet, vend me me traditë të lashtë demokratike. Shoqëria këtu është e organizuar në të gjitha nivelet, në forma të ndryshme të asociacioneve. Së këtejmi, edhe të huajt ose emigrantët, janë të organizuar në këto forma, siç janë shoqatat e ndryshme.

Organizimi i të huajve në shoqata është pothuajse i domosdoshëm, në mënyrë që të mund të paraqiten para vendësve dhe të mbrohen interesat e tyre. Pra, shoqatat janë formë e grupimeve, nëpërmes të cilave shtrohen kërkesat e anëtarëve të tyre dhe, natyrisht, pstaj zhvillohen edhe veprimtari të ndryshme, sipas intersit të tyre. Duhet të theksohet se këto forma të organizimit të mërgatës shqiptare, në fillim të viteve ’90-të të shekullit të kaluar, kanë qenë shumë të rëndësishëme, duke marrë parasysh se ishim një komunitet i ri, në këtë vend mikpritës skandinav. Ne nuk e kishim përvojën e nevojshme të demokracisë, sepse vinim nga një sistem monist, ku na ishin mohuar të drejtat fillestare njerëzore.

Institucionet përkatëse suedeze, të cilat merren me mbështetjen e organizatave dhe shoqatave të ndryshme,  na kanë ofruar ndihmë të jashtëzakonshme. Kjo nuk pasqyrohej vetëm në anën financiare. Por, ajo që ishte më e rëndësishmja, për ne si komunitet i ri këtu në Suedi, morëm mësime e përvojë se si të organizoheshim në shoqata. Mund të ju them se organizimi në shoqata për ne, në atë kohë, kishte rëndësi të veçantë, sepse filluam të mësonim A-në dhe ZH-në e funksionimit demokratik të një shoqate, me të gjitha procedurat e nevojshme. Kjo sepse ato janë të domosdoshme për një bashkëpunim të mirë, p.sh., ndërmjet anëtarëve dhe krysesisë qendrore të USHSHS-së.

E them me plot përgjegjësi se, Komuniteti ynë Shqiptar në Suedi, falë kësaj përvoje të mirë të funksionimit të demokracisë në këtë vend demokratik skandinav dhe, së këtejmi, të marrëdhënieve ndërnjerëzore në mes të komunitetit tonë, që nga jugu e deri në pjesën më veriore të Suedisë, ishte një nga komunitet më të organizuara në Diasporën Shqiptare. Për këtë, e kemi për detyrë t’i falenderojmë nga zemra miqtë tanë suedezë, për këtë mundësi të mrekullueshme të krijuar. Pra, duhet theksuar se ne, si komunitet, përvojat e para të demokracisë i morëm këtu, falë organizimit nëpër shoqatat tona. Kjo gjë e lehtësoi dukshëm integrimin e bashkatdhetarëve dhe familjeve të tyre, në jetën e këtij vendi të bukur verior të Europës.

Natyrisht, kjo përvojë e marrë nga ky shtet, ka domethënie të madhe për ne, sepse na mundëson që këtë ta përcjellim si model të mirë për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet tona etnike.  Kënaqëqasi e madhe për ne, emigrantët shqiptarë në Suedi, është se këtu po  e gjemë veten gjithnjë e më mirë dhe po vazhdojmë të integrohemi natyrshëm, në jetën e përditëshme suedeze.

 

3. Kryesisht, jetoni në Suedi… Si i mbani lidhjet me Kosovën?

Unë, kontaktin fizik me Kosovën e kisha të shkëputur gjatë dhjetë viteve këtu në Suedi, pra që nga nëntori i vitit 1989 e deri në fund të qershorit 1999. Pra, për shkak të veprimtarive të mia, nuk shkova dot atje. Kosova, për mua, u shndërrua në një ëndërr. Malli shtohej përditë dhe mendoj se ia arrita që këtë mall ta kthej në energji pozitive, e cila u konkretizua në punë dhe veprimtari të dobishme, të cilat i kryeja me përgjegjësi dhe me kënaqësi të jashtëzakonshme. Pra, në atë periudhë, lidhja ime me Kosovën ishte shpirtërore, e pandarë, e përditëshme.

Pas vitit 1999 e deri më 2008, kohën më të madhe kam qëndruar në Kosovë, se sa në Suedi. Fillimisht, u ktheva në vendin tim të punës, në laboratorin qendror të KNI ’’Ramiz Sadiku’’. Pastaj, nga viti 2004 e deri më 2007, isha deputete e Kuvendit të Kosovës. Kështuqë, sot e kësaj dite, për shkak të familjes sime, e cila gjindet në Suedi, jetoj në dy vende, në Kosovë dhe në Suedi. Pra, siç e kuptoni, më takon të udhëtoj shpesh, se kjo është zgedhja e jetës sime. Se ky është detyrimi im i madh e i përhershëm ndaj atij trualli të stërlashtë shqiptar.

 

4. A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri dhe, nëqoftëse po, për çfarë arsyeje? Sa dhe si e njihni atë?

Gjatë kohës, kur punoja gazetare pranë Radio-Suedisë, pata rastin të udhëtoja për në Tiranë, sepse në Kosovë nuk mund të shkoja. Aty bëra disa intervista me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe me personalitete të ndryshme të kohës.

Kjo, njëherit, ishte vizita ime e parë  në Tiranë, pra në qershor të vitit 1994. Më pyesnin, se si m’u duk kryeqyteti. Unë përgjigjesha: ”Më duket, sikur kam lindë dhe kam jetuar gjithmonë në Tiranë, kështu e përjetoj”. Ishin fillet e demokracisë dhe ishte kënaqesi e jashtëzakonshme, që mund të hyja lirisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe në ministri të ndryshme, për të bërë intervista. Sepse më dukej diçka joreale, që mund të ishte vetëm dëshirë e çdo shqiptari. Pra, për mua ishte thjeshtë realizim i një ëndrre, të gjatë dhe shumë të bukur. Sigurisht, njeriu ndjehet sikur ecë  mbi re edhe pse jorrallë të zgjon shija e njelmët e lotit të gëzimit…

Pas kësaj vizite, kam qenë edhe disa herë me familjen për pushime, në Shqipëri. Hera e fundit ishte ajo në vitin e kaluar, kur qëndruam për pushimet verore në Sarandë. Siç dihet, është qytet bregdetar, mrekullinë dhe ngrohtësinë e të cilit, tani nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë.

 

5. Po në Suedi, çfarë lidhjesh mbani me Komunitetin Shqiptar?

Meqenëse  lëvizi shpesh dhe nuk jam në vazhdimësi, në Suedi, jam pak e shkëputur nga lidhjet e mëparshme, që kisha me Komunitetin Shqiptar këtu. Por kam privilegjin dhe ndjehem shumë e lumtur, sepse kam bashkëpunim edhe me dy miq të mi të mrekullueshëm. Ata janë Sokol Demaku dhe poeti i mirënjohur Remzi Basha, të cilët i kam miq të mirë. I pari, më ka ofruar bashkëpunim dhe këtë gjë e kemi filluar me përkthimin e librit për fëmijët ”Eh, more Bubulino!”, të shkrimtarit tonë të njohur, Viron Kona. Sokoli më ka ftuar në veprimtari të ndryshme dhe të bukura, të cilat organizohen në kuadër të Qendrës Kulturore Shqiptare ’’Migjeni’’, në Boras, për çka i jam shumë mirënjohëse.

Ndërsa me Remzi Bashën bashkëpunojmë dhe jemi veprimtarë të ”Lidhjes Shqiptare në Botë”. Poashtu, ne jemi miq qysh nga vitet e ’90-të, të shekullit të kaluar, në kuadër të veprimtarive në Degën e LDK-së në Suedi, në ato të Fondit 3% po këtu, si dhe nga veprimtaritë e ”Lidhjes së Shqiptarëve në Botë”, ku unë kam qenë anëtare e Kryesisë së Degës, kurse R.Basha kryetar i asaj Lidhjeje. Ne ishim të ftuar bashkë, në një manifestim të organizuar në Kopenhagë, nga institucionet shtetërore të Danimarkës. Unë pata nderin të jem e ftuar si veprimtare shumëvjeçare, me rastin e manifestimit, që mbahet në çdo fundviti, me përfaqsues të komuniteteve të ndryshme në Skandinavi dhe të institucioneve të Kopenhagës, si dhe me përfaqësues të ambasadave aty.

Gjjithashtu, kam kontakte edhe me veprimtarë të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Suedi, me të cilët kemi bashkëpunuar një dhjetëvjeçar. Tani, kohët e fundit, kam raporte të mira bashkëpunimi edhe me Shoqatën e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krjuesve Shqiptarë në Suedi, ’’Papa Klementi XI-Albani’’, me kryetar Hysen Ibrahimin.

Përndryshe, udhëtimet e mia të shpeshta dhe qëndrimi im i shkurtër te familja në Suedi, nuk më kanë  lejuar që këtu t’i përkushtohem ndonjë veprimtarie të veçantë.

 

6. Siç e përmendët më lart, keni përkthyer në suedisht një libër  për fëmijë, “Ah, more Bubulino!”, të shkrimtarit Viron Kona…Sa ka ndikuar kjo gjë, në lidhjet tuaja me Tiranën?

Përvec kënaqësisë, që pata me përkthimin e librit për fëmijë, ’’Eh, more Bubulino!’’, të shkrimtarit Viron Kona, kjo punë mua më mundësoi që të mbaj lidhje miqësie me Tiranën, me kontaktet e mia, që krijova si me atë, por dhe me Ju, i nderuar Profesor Murati, me znj. Kozeta Hoxha e znj.Kadrije Gurmani dhe me gazetarë, arsimtarë dhe shkrimtarë të tjerë nga Shqipëria, të cilët e kanë vizituar  QKSH ’’Migjeni’’, në Borås.

 

7. Në Boras, më 14 prill 2012, u organizua manifestimi i 5-vjetorit të QKSH “Migjeni”, ku ishte i ftuar dhe një grup i vogël nga Shqipëria…Cilat janë mbresat tuaja nga ajo veprimtari, sigurisht dhe në takimet me ata?

Veprimtaria në Boras, me rastin e 5-vjetorit të QKSH ’’Migjeni’’e të revistës ”Dituria” dhe 4-vjetorit të emisionit të parë shqip në Radion-Lokale, po me këtë emër, ishte një manifestim i bukur dhe mbresëlënës. Aty u takova përzemërsisht me shumë miq e të njohur tjerë, me të cilët kemi bashkëvepruar për shumë vite radhazi. Por takimi me miqtë nga Tirana, me z.Viron Kona, Prof.Murat Gecajn, znj. Kozeta Hoxha dhe znj.Kadrije Gurmani, me lanë mbresa të veçanta dhe shumë emocione. Me Vironin, kisha patur rastin të takoheshim edhe më herët në Boras, një vit më parë, me rastin e përurimit të librit të tij në suedisht, ’’Eh more Bubulino!’’. Nuk mund t’i fshehësh emocionet edhe pse takohesh për herë të parë, kur njihesh me njerëz të përzemërt nga trualli-amë, si V. Kona, M.Gecaj, K. Hoxha dhe K.Gurmani. Mallin e mërgimtarit, nga gëzimi, kur takon njerëzit e gjakut, e ndan një fije mëndafshi dhe që, në të shumtën e rasteve, përcillet me lotin mbi qepallë. Kështu ndodhi edhe në takimin e sivjetëm, më 14 prill 2012. S’ka se si të mos emocionohesh nga fjala e ëmbël, e thënë me shumë dashuri, me rastin e falënderimeve dhe ndarjes së ”Mirënjohjeve”, lëshuar nga shteti ynë amë-Shqipëria; fjalë të ëmbla falënderimi për punën, që kemi bërë ne, të cilët fati i jetës deshti të na çojë në Suedi, në këtë vend me shumë bardhësi. Shkëmbimi i mendimeve, për punë të përbashkëta dhe këshillat për punë tjera të mbara, për mua dhe besoj edhe për mërgimtarët tjerë shqiptarë këtu, ishin me shumë vlera, sepse na motivojnë që të punojmë pandërprerje e të shpresojmë edhe për takime të tjera, vëllazërore e të frytshme.

 

8. Si i  mendoni lidhjet e ardhshme, me Tiranën e Shqipërinë? Kur do të bëni këtu një vizitë të pritshme?

Po, vizitë private do të bëj, gjithësesi dhe sigurisht që edhe për pushime, në muajin korrik, do të jem në Shqipëri. Doemos, do të shfrytëzoj rastin që të takoj edhe miqtë e mi, Viron Konën, Prof. Murat Gecaj, Kozeta Hoxhën Kadrije Gurmanin dhe miq të tjerë, në Tiranë. Natyrisht, se kam dëshirë të takoj edhe nga farefisi im, të cilët banojnë në kryeqytet.

Kam pasë rastin që të marr pjesë në një manifestim, para dy vitesh dhe do kisha shumë dëshirë që të merrja pjesë në ndonjë manifestim tjetër në kryeqytet, gjatë këtij viti. Kjo, sepse është një vit i rëndësishëm dhe i veçantë për Kombin Shqiptar, 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe, një përjetim i tillë, do të më bënte shumë të lumtur. Por, le të presim dhe të shpresojmë…

 

9.Çfarë planesh keni,  tani dhe në të ardhmen, me përkushtimin tuaj për Kosovën e Shqipërinë?

Ashtu siç e theksova edhe më lart, që nga viti 1989, unë iu kam përkushtuar veprimtarisë sime për Kosovën. Ndërsa edhe tani, pas 22 vitesh, nuk kam ndonjë marrëdhënie pune të rregullt. Megjithatë, natyrisht, jam e gatshme të vazhdoj t’u përkushtohem me të gjitha forcat e mia mendore e fizike, si Kosovës dhe Shqipërisë.

 

10. Kisha një pyetje, e cila ndoshta lidhet me një ”sekret” tuajin…A keni ndërmend, që t’i shkruani e publikoni, në një libër të veçantë, përvojën e pasur jetësore dhe veprimtaritë e dobishme, që keni zhvilluar, deri tani dhe planifikoni për të ardhmen, në shërbim të Atdheut?

 

Po, po ua zbuloj ‘’sekretin’’ tim. Jam në fazën fillestare të sistemimit të materialit, i cili e dëshmon veprimtarinë time.

Mendoj se është e dobishme që opinjoni shqiptar të njoftohet, se si është dukur dhe si ka qenë jeta e një mërgimtari, në përgjithësi, që ka punuar për Lirinë e Atdheut të vet, gjatë viteve ’90-të, të shekullit të kaluar. Në veçanti mendoj, dhe kësaj rradhe e them pa modesti, se është mirë të dihet që edhe femrat në Diasporë e kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar për Kosovën, në forma të ndryshme të organizimit. Ato, edhe sot e kësaj dite, mund të jenë shembull për ndihmesën, të cilën secili prej nesh ia ka borxh Atdheut.

 

11. A dëshironi  të shtoni  ndonjë gjë tjetër?

Po, dëshiroj të them se ne jemi me fat, sepse historia vonoi, por nuk na harroi. Edhe një guralec, po ta kemi lëkundur, qoftë për Lirinë e Kosovës ose për Demokracinë e Shqipërisë,  ia ka vlejtur.

S’ka lumturi më të madhe, se sa fëmijëve t’ua trasosh rrugën e lirisë, drejt demokracive të përparuara. E bukura është se, në këtë rrugë, duhet punuar gjithmonë, ashtu siç bëjnë popujt e kombeve, të cilët e duan aq shumë jetën.

Këtë gjë, na e mundësuan sakrificat e shumë brezave dhe ndihma e miqëve tanë të mirë. Prandaj, po përjtojmë ëndrrën e shumë brezave, për të jetuar të lirë, të lumtur dhe në paqe.

-Faleminderit për përgjigjet tuaja, gjatë kësaj bisede intersante! Ju uroj nga zemra: Shëndet të plotë, arritje në punë e veprimtari të dobishme dhe lumturi në familjen tuaj të nderuar!

Tiranë-Stokholm, 3 maj 2012

.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch