Home » Lajme, Rajonale » Gaz lotsjellës kundër protestuesve shqiptarë në Shkup

Gaz lotsjellës kundër protestuesve shqiptarë në Shkup

Shkup, 2 mars – (E plotësuar)Disa mijëra shqiptarë kanë dalë të shtunën për të protestuar kundër dhunës që është ushtruar të premten ndaj fëmijëve shqiptarë, pas protestës së organizuar gjatë ditës së djeshme nga ish-forcat e sigurisë maqedonase “Dinjiteti”. Protesta që është organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ka nisur në mesditë nga Çairi i Shkupit, duke kaluar nëpër Bit Pazar për të vazhduar para Qeverisë së Maqedonisë.Por, një pjesë e protestuesve tentoi të dalë nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, me ç’rast është përleshur me forcat policore.
Protesta doli jashtë kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të dhunojnë objektet përgjatë rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Pas kësaj forcat policore kanë shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët kanë përdorur dhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit, që demolonin disa makina në Çarshinë e Shkupit.
Jozyrtarisht mësohet se policia ka arrestuar tre protestues, ndërkohë që disa pjesëtarë të sigurisë kanë kërkuar dhe ndihmë mjekësore.
Incidenti, përleshja mes protestuesve dhe forcave policore, ende është duke vazhduar në lagjen e Bitpazarit.
Ndryshe Hazret Jakupi, një nga organizatorët ka deklaruar se protesta nuk është e drejtuar kundër askujt, por shpreh dhimbjen dhe indinjatën për rrahjen e fëmijëve shqiptarë.
“Ne nuk duam incidente, duam paqe. Mjaft ishte rrahja e fëmijëve shqiptarë”, ka deklaruar Jakupi.
Ndërsa, Vullnet Veliu ka thënë se duhet t`u vijë turp politikë-bërsve që nuk janë sot me popullin, por atë e lënë të pambrojtur.
“Motrat, vëllezërit, tonë i tërheqin zvarrë, çfarë sigurie është kjo, nuk e di se deri kur do të shkojë kjo kështu?! Politikanët tonë i mbajnë kolltukët, ku janë sot? Pse nuk janë sot me ne bashkë, a janë të interesuar ata vetëm për vota, turp të gjithëve”, ka thënë Veliu.
Edhe babai i Blinit, 13 vjeç, që dje ishte rrahur nga huliganët maqedonas, tha:
“Çdo ditë na rrahin, maltretojnë, na shajnë, mbysin dhe askush asgjë nuk ndërmerr. Ne fëmijët tanë i dërgojmë në shkollë dhe nuk e dimë se si do të na kthehen. Kjo s’është as hera e parë, por siç duket nuk do të jetë as edhe fundit që na ndodhin këso gjërash”.
Paralelisht partia e udhëhequr nga kryetari i partisë Dinjiteti, që përfshin ish-forcat e sigurisë maqedonase ka protestuar kundër emërimit të Talat Xhaferit, për ministër të Mbrojtjes, me ç’rast fillon dhe mbledhja e nënshkrimeve për organizimin e referendumit për ndërrimin e Talat Xhaferit, nga funksioni i ministrit të Mbrojtjes.

Përleshje e protestuesve shqiptarë me policinë në Shkup

Shkup, 2 mars – Qindra shqiptarë të Maqedonisë po protestojnë në qendër të Shkupit, pas lëndimit të disa shqiptarëve gjatë ditës së djeshme nga një numër i madh huliganësh maqedonas, transmeton KTV.
Një pjesë e protestuesve ka tentuar të dilte nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, me ç’rast është përleshur me forcat policore.
Policia ka shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët po sprapsin protestuesit. Forcat policore kanë depërtuar në Çarshinë e Vjetër, ku dhe kanë shpërndarë një pjesë të protestuesve.
Mediet maqedonase raportojnë se shumë dyqane janë mbyllur, kurse kalimtarë të rastit po largohen në panik. Ndërkaq, një pjesë tjetër e protestuesve ka përmbysur disa makina në afërsi të Bit Pazarit. Raportohet se policia ka arrestuar katër protestues dhe po përdor edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Protestuesit gjithashtu kanë djegur edhe flamurin maqedonas si kundërpërgjigje ndaj asaj që bënë një ditë më parë maqedonasit, të cilët dogjën flamurin kombëtar shqiptar.
Njëri nga nismëtarët e protestës, Hazret Jakupi, ka deklaruar për media se protesta nuk është e drejtuar kundër askujt, por shpreh dhimbjen dhe indinjatën për rrahjen e fëmijëve shqiptarë. Tensionet në Shkup janë ngritur mbrëmë pas sulmeve nga huliganët e organizuar maqedonas ndaj shqiptarëve. Tensionimi kishte nisur kur qindra maqedonas, kryesisht grupe tifozësh, kishin dalë në protestë kundër emërimit të Talat Xhaferit në postin e ministrit të Mbrojtjes për shkak të së kaluarës së tij si komandant i UÇK-së. Protesta e thirrur nëpërmjet rrjetit social, “Facebook”, ka rezultuar me rrahjen e disa qytetarëve shqiptarë, thyerjen e xhamave të lokaleve dhe të disa veturave. Kundër dhunës ndaj shqiptarëve në Shkup kanë reaguar partitë politike shqiptare në Maqedoni.

/KOHA.net/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch