Home » Opinione » Gazetaria në Luginë dhe financimi i sajë, në mjerim të skajshëm?!

Gazetaria në Luginë dhe financimi i sajë, në mjerim të skajshëm?!

Mediat në ditët e sotme konsiderohen si pushteti i katërt në shtetet demokratike, gjithashtu luajnë edhe një rol të rëndësishëm në krijimin e opinionit publik për qëllime të caktuara dhe orientimin e tij drejt proceseve pozitive në shoqëri.

Shkruan: Skender Saqipi;

Nuk thuhet kot se demokracia e një vendi mundë të matet edhe me lirinë e shtypit, dhe se mediat janë zëri  i popullit por gjithmonë duke pasur parasysh mediat e pavarura dhe të lira të cilat i përmbahen  etikës dhe profesionalizmit.

Por shtrohet pyetja se në çfarë niveli është gazetaria dhe gazetari në Luginë, besojë se përvoja mbi 10 vjeçare ka treguar se gazetaria këtu po zhvillohet vetëm për t’ia plotësuar dëshirën  pushtetarëve (të mëhallëve) në Bujanoc e Preshevë?

Zhvillimi i mediave në gjuhën shqipe në Luginë ka filluar në vitin 2001 me një projekt të mbështetur nga OSBE në Serbi, duke trajnuar gazetarë shqiptar për të ndihmuar transformimin e mediave publike me program edhe në gjuhën shqipe.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte vendosja e profesionalizimit në mediat publike,  por  gjithë pushtetarët (pa dallime) të qeverisjes lokale në Bujanoc e Preshevë shfrytëzuan mediat publike për të punësuar militant të partive dhe disa pseudo-gazetarë të cilët jo që nuk i njohin rregullat bazë të gazetarisë por nuk dinë shkrim e lexim sa duhet.

Në Preshevë ekziston një medium elektronik publik, një privat dhe disa portale informative, ndërsa edhe në Bujanoc  është e njëjta situatë, por çka është më shqetësuese se buxhetin më të madh të taksapaguesve e marrin mediat publike (amatore me përvojë dhe jo profesionalizëm) ndërsa mediat private nuk marrin as 10% të buxhetit komunal të paraparë për mediat.

Atëherë,  duke e parë përvojën e deritanishme qeverisjet lokale po keq menaxhojnë buxhetin për mediat, sepse duke financuar me pjesën më të madhe te buxhetit median publike ata po përkrahin amatorizmin dhe asnjëherë syrin kritik  dhe po krijojnë një konkurrencë jo të drejtë në mes mediave private dhe atyre publike.

Në Bujanoc ,  buxhetin vjetor (para e taksapaguesve) afro 30 milion dinarë  e shfrytëzon RTV “Bujanoci” me një staf pjesërisht amator dhe jo të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e gazetarisë, po ashtu me një shikueshmëri sa numri i punëtorëve të administratës publike të komunës së Bujanocit.

RTV “Bujanoci” si medium publik nga të gjitha qeverisjet (Arifit 2002-2008 , Kamberit –Musliut 2008-2012) po shfrytëzohet si një fole për të stacionuar militant partiak  dhe në shumë raste diletant-gazetarë të cilët nuk dinë as alfabetin  e gazetarisë e mos të flasim për etikë dhe profesionalizëm.

A duhet pushteti lokal i Bujanocit që të shkurtojë buxhetin për mediumin publik, stafi i të cilit gjithë ditën kalon kohën nëpër kafene dhe zyra të partive, përgjigja është  PO. Sepse me këtë mënyrë do të krijojë konkurrencë të mirëfillt në mes RTB-së dhe mediave private elektronike dhe online-mediave.

Për të mbështetur zhvillimin e demokracisë, transparencës dhe  ndikimin e gazetarisë në proceset pozitive të shoqërisë, buxheti për mediat nga paraja e qytetarëve të komunës së Bujanocit, duhet të ndahet në mënyrë proporcionale 70% për mediumin publik dhe 30% për mediat private nga buxheti i përgjithshëm.

Mediat lokale në Bujanoc nuk e kanë pasur mundësinë e madhe të presionit publik mbi qeverisjen lokale për të ndryshuar shpërndarjen e parasë publike për mediat. Por besojë se me një aktivizim të mirëfilltë e të vendosur të drejtuesve të mediave private do të arrihet qëllimi i përbashkët i financimit proporcional të mediave lokale private në Luginë.

Duke përkrahur zhvillimin e fjalës së lirë, syrin kritik të mediave do të përkrahen zhvillimet pozitive të shoqërisë sonë, në të kundërtën do të mbizotërojë një situatë e shkatërrimit të vlerave të mirëfillta shoqërore.

 

 

(Autori është  një nga nismëtarët e transformimeve të mediave lokale  në gjuhën shqipe në vitin 2001 dhe aktualisht drejtor menaxhues i Portalit të Pavarur Informativ “TITULLI”)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch