Home » Opinione » GËZIMI DHE ZHGËNJIMI NË KUVENDIN E KOSOVËS

GËZIMI DHE ZHGËNJIMI NË KUVENDIN E KOSOVËS

Shkruan: Nehat Hyseni

Mbledhja historike 31 majit 2013 e Parlamentit të Kosovës  kishte në rend dite çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës. Për mua personalisht, kjo ngjarje kishte një rëndësi edhe më të madhe, sepse, pikërisht pas 23 viteve të plota,që unë nuk kisha hyrë aty, ku dikur e kisha vendin e punës. Debati ishte inkurajues, vëllazërorë dhe shpresëdhënës. Megjithatë, pati edhe nga ata që na “udhëzuan” që “ t’i drejtohemi Beogradit”, e jo Prishtinës, që na zhgënjeu. Por, ajo që na hidhëroi dhe dëshproi më së tepërmi ishte mosmiratimi i Rezolutës në fund të debatit. Shpresojmë që në seancën e radhës të miratohet.

Pas 23 viteve në sallë të Kuvendit

Mundësisë për pjesëmarrje në mbledhjen e 31 majit të Kuvendit të Kosovës ku do të shqyrtohej dhe (mos)miratohej Rezoluta për mbështetje ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, iu gëzova shumë. Sepse, ishte kjo mundësia unike e përcjelljes nga afër të punës së Legjislativit Kosovar, përtej asaj që shihet në televizion.

Tani mund të them lirisht se kamerat tregojnë shumë pak nga ajo që ndodhë realisht në mbledhjet e këtij organi më të lartë të Republikës së Kosovës. Duke qenë të fikësuara, bien në sy fakti se  kamerat reagojnë tepër vonë, sepse folësit e marrin fjalën dhe kalon një kohë bukur e gjatë derisa ta fiksojnë shërbimi teknik dh eta paraqesin në ekran.

Mirëpo, për mua pjesëmarrja në vëzhgimin e punës së Kuvendit kishte një rëndësi edhe më të madhe se për pjesëmarrësit e tjerë të Luginës. Sepse, pikërisht pas 23 viteve të plota, dmth. që nga qershori 1990, unë nuk kisha hyrë aty, ku dikur e kisha vendin e punës, që nga data 2 tetor 1984 e deri në shtator të vitit 1990.

Nuk mund ta mëshefë gjendjen time emocionale që më kaploi me këtë rast. Bile, ato ishin tejet të fuqishme. Të jem i sinqertë, nuk e kisha të qartë se çka më emociononte më tepër: mundësia për të përcjellur nga afër ngjarjen historike që për herë të parë Parlamenti Kosovar kishte në rend dite çështjen tonë, pra çështjen e shqiptarve “jokosovarë”, të Luginës së Preshevës, shqiptarë të Serbisë, apo shqiptarë të Kosovës Lindore. Natyrisht, duke përfshirë edhe periudhën socialiste 45 vjeçare., asnjëherë kjo çështje  nuk ka qenë në rend dite.

Bile, meqë në Jugosllavinë socialiste Kosova dhe Prishtina ishin boshti she strumbullari i të gjithë shqiptarve të Maqdonisë, Malit të Zi dhe i neve në Luginë. Por, asnjëherë të vetme ky Parlament nuk ka debatuar në mënyrë të veçantë lidhur gjedjen dhe pozitën e tyre. Edhepse, dorën në zemër, ka pasur debate shumë të guximshme, të cilat në rathanat e atëherëshme nuk ishin pa rrezik.

Por, kjo nuk i pengonte ata që të shprehnin mbështetjen vëllazërore, sidomos në kohën e aksionit  e rrënimit spektakular të mureve rrethuese të shtëpive shqiptare, që përjetohej rëndë, si rrënim i dinjitetit kombëtarë e fetarë të tyre. Pastaj me rastin e sllavizimit të toponimeve në Maqedoni, kur insistohej psh. që Shkupit t’i thuhej “Skopje”, kurse Tetovës “Tetovo” etj.

Megjithatë, sistemi i atëhershëm njëpartiak (monist) i cili udhëhiqej nga qendra në Beograd, duke detyruar organet shtetërore me vijën partiake të të ashtuquajturit “centralizëm demokratik”, realizonte diktaturën centraliste shtetërore, që ishte thellësisht antishqiptare. Kjo u dëshmua edhe me rastin e degradimit të autonomisë së atëherëshme të Kosovës, meqë infrastruktura e politikbërëse dirigjohej nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, pra nga Partia-Shtet në Beograd.

Gjashtë vjetë

Për gjashtë vjetë të plota që kam punuar aty,  i kam përcjelluar nga afër, nga vendi im i punës në kabinën anash sallës, të gjitha mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, si dhe ato të Komisionit Kushtetues, në cilësinë e përkthyesit simultan, së bashku me kolegët e mi dhe me shefin e nderuar dhe autoritativ, të ndjerin Hikmet Gusia.

Meqë kisha të kryer Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë dhe isha student i studimeve postdiplomike në Fakultetin juridik në Novi Sad, interesimet dhe njohuritë e mia profesionale ishin më të mëdha për përcjelljen e funksionimit të sistemit politik në Kosovë atëherë. Mundësia e përcjelljes nga afër të funksionimit të organit më të lartë të pushtetit, ishte privilegj dhe mundësi e mirë studimore për mua.

E bëra këtë hyrje, ndoshta paksa të gjatë. Por, desha që sadopak ta përshkruaj atë periudhë, për të shprehur pështypjet e mia për funksionimin e tanishëm të Kuvendit. Natyrisht, shikuar nga pozita e vëzhguesit nga afër. Dhe më imponohet dëshira për të bërë krahasime, nëse atom und të bëhen fare. Por, nga aspekti teknik dhe dukja e jashtme e gjërave, le të më lejohet t’i shprehë përshtypjet e mia.

Ndryshimet

Hyrja në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës nga pjesa e “mbrapme”, edhe më pare ka qenë e rezervuar për delegatët (deputetët) e atëherëshëm. Kontrolli me detektorë bëhej vetëm gjatë kohës së seancave të Parlamentit. Dhe këtu, me përjashtim të aparatit detektues shtesë, nuk kishte ndryshime radikale. Holli i Kuvendit kishte pësuar ndryshime të mëdha.

Përballë ishte fotografia impozante e Presidentit Rugova, mu aty ku më pare ishte e vendosur fotografia e një malësori plak shqiptarë me veshje kombëtare duke u përshëndetur përzemërsisht me Titon. Bufeja në holl ishte po aty ku ka qenë edhe 23 vjet më pare, por radhitja e tavolinave mbështetëse për qëndrim në këmbë ishte radhitur ndryshe, si dhe ishte e hapur hapsira nën shkallë ku ishin vendosur kanape lëkure me tavolina, si pjesë komode e byfesë për pierje  ulur. Shkallët ishin të renovuara dhe ishin ndërruar parmakët anash, të cilët dukeshin tejet joadekuat dhe tejet jostabil, luhateshin me lehtësi, sa që fitohej përshtypja se me pak forcë mund të rrëzohen.

Neve vëzhguesit na ishin rezervuar vendet në sallën e Kuvendit,port ë ndarë me një murë të ulët, mprej nga mund shihej shkëlqyeshëm salla, e cila ishte e renovuar dhe dukshëm e ndryshuar, duke dhënë një pamje shumë më impozante. Por, atë sale e kemi pare përherë në televizor dhe e dijmë të gjithë se si duket. Ajo që më ra ë sy ishin këmbëzat e stilizuara prej druri të foltores, që dorën në zemër, më dukej aq pa shije estetike me ato mkotivet që mund t’i shihesh në produktet e lira kudo në Pazar. Dyertë e hyrjes në sale, edhepse të bukura, krijonin aq shumë zhurmë nga përplasja më e vogël, sa që krijonte zhurmë dhe bezdi.

Gjithashtu edhe dyshemeja krijonte zhurmë të madhe, sidomos nga takat e deputeteve.Pra, izolimi akustik i sallës ishte, çuditërisht, problem që pengonte dhe krijonte bezdi të paarsyeshme dhe nuk e di se pse është lënë ashtu, sidomos sot kur në treg ka material të shkëlqyeshme për izolim akustik. Kurse ulëset ishin të mira dhe mjaftë funksionale. Monitorët e vendosur lartë përballë në këndet në të dy anët, mundësonin përcjelljen perfekte të folësve.Edhe kabinat anash sallës,  nga të cilat më parë bëhej përkthimi simultan, si dhe përcjellja e séancës nga gazetarët dhe ishte i vendosur shërbimi mekanografik (inçizimi). Pra, këto ishin  gjërat që më ranë në sy në hapërimin e pare timin pas 23 vitesh në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Zhgënjimi

Këto ishin përshtypjet e mia për anën teknike dhe ndryshimet e bëra. Por, gëzimi dhe pritjet tona ishin të mëdha, meqë kishim fatin dhe privilegjin që ta përcillnim debatin në këtë mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, ku debatohej për neve shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pra, për shqiptarët që aktualisht jetojnë në Serbi.

Mbledhja filloi në orën dhjetë dhe me një pauzë dyorëshe, përfundoi në orën 18. Ishte debat i frytshëm dhe biente në sy apeli i shpeshtë pë “unitet të shqiptarve në Luginë”. Bile edhe gjatë drekës që e organizuan për ne, Kryeministri  duke na përshëndetur në shaka na tha se “duhet të jeni unikë”.

Por, pas përfundimit të debateve, shumica prej të cilëve ishin inkurajues dhe shpresëdhënës, megjithatë, pati edhe nga ata që na “udhëzuan” që “ t’i drejtohemi Beogradit”, e jo Prishtinës, që na zhgënjeu dhe dëshproi. Por, ajo që na hidhëroi dhe dëshproi më së tepërmi ishte mosmiratimi i Rezolutës në fund të debatit për shkak të mospajtimeve lidhur me pikën e parë të saj, e cila u la që “në seancën e radhës të miratohet.

Të shpresojmë që kjo të ndodhë dhe të fillojnë menjëherë aktivitetet intensive për hapjen e zyrave në Prishtinë e Gjilan, me qëllim të përmirësimit të kushteve të shqiptarve të Luginës të shpërngulur në Kosovë.

Gjithashtu urojmë që të fillojnë aktivitetet reth negociatave me Serbinë që të hapen edhe zyrat e Kosovës dhe të Shqipërisë në Luginë, që do të merreshin me ndaljen e shpërnguljes së tyre, duke i ndihmuar për mbajtjen e arsimit shqip, kulturës, lirive dhe të drejtave qytetare, si dhe me ndihmën vëllazërore për një zhvillim më të madh ekonomik dhe me punësimin e tyre.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch