Home » Kulturë, Lajme » Gjuha Shqipe – Botim i Institutit Albanologjik

Gjuha Shqipe – Botim i Institutit Albanologjik

Prishtinë Nr 1-3 2015

Gjuha Shqipe - libri

Konspekte

 

 

Gjatë një vizite që bëra, në fund të nëntorit 2015, në Institutin Albanologjik të Prishtinës me drejtor z. Hysen Matoshi, ky më dhuroi bujarisht tre numrat e revistës “Gjuha Shqipe” për vitin 2015. Vetëm tani munda t’i lexoj ato, ku gjeta plot mendime inteersante sidomos lidhur me debatet që bëhen këto kohë për standardin e shqipes letrare. Janë një varg autorësh që kanë botuar artikuj. Ja disa fragmente.

 

 

Numri 1

 

 

Qemal Murati

  1. 9

Idriz Ajeti ka shkruar:

Ka, te një kategori e vogël intelektualësh, një grimë nostalgjie për faktin që, në rrethanat e reja, në një farë mënyre, kanë qenë të shtrënguar të heqin dorë nga përdorimi letrar gegë. Edhe ne dhe shumëkush e ndiejmë një mallëngjim, por vetëm kaq! Do ta ketë ndier edhe vetë shkrimtari i madh kroat Miroslav Kërlezha, për çka poezitë më të fuqishme e më të bukura i shkroi në kajkavishte. Por, ndonjë hap në drejtim të tërheqjes nga rruga e gjuhës letrare kroate as që i shkoi ndonjëherë mëndja.

 

  1. 11

Idriz Ajeti:

Drejtshkrimi i shqipes mbështetet kryesisht në fonetikën e saj, mirëpo disa të folme gegë fonetikisht qendrojnë sot mjaft larg nga ortografimi zyrtar i shqipes, gjë që na jep të drejtë të pohojmë se kosovarishtja, bie fjala, nuk mund të merret për bazë të gjuhës letrare te ne.

Duhen marrë ato të folme, fytyra fonetike e të cilave, pak a shumë, është më e pastër e më e përgjithshme.

 

f.13

Idriz Ajeti:

Të prekësh sot në themelet e gjuhës sonë kombëtare do të thotë se shqiptarët, në prag të shekullit të njëzetënjëtë, parapëlqejnë kthimin në rendin fisnor me një shumësi gjuhësh e bajraktarësh, kur në sajë të televizionit satelitor, (shqiptarët) po komunikojnë me gjithë botën shqiptare në katër anët e saj.

 

Idrizi Ajeti:

Toskërishten letrare nuk e ngriti politika komuniste në të cilën mbizotëronin folësit toskë. Epërsia e saj ndaj gegërishtes së shkruar ishte rezultat i përpjekjeve të sa e sa brezave të tërë shkencorë e kulturorë shqiptarë, të nisura këtu e më shumë se njëqind vjet.

 

f.26

Shefkije Islamaj:

Në Këshillin Ndërakademik të Gjuës Shqipe, për dhjetë vjet, janë diskutuar çështje të ndryshme gjuhësore të rrafshit fonetik, morfologjik, sintaksor dhe leksikor, gjithnjë me synimin që standardi të përmirësohet e jo të ndryshohet- mendim ky i përgjithshëm i këtij Këshilli.

Megjithatë, në mbledhjet e këtij Këshilli, janë diskutuar edhe çështje, t’i quajmë të ndjeshme, të cilat do të mund të hapnin rrugën për të prekur bazën e standardit, siç është vendosja e strukturave të caktuara morfologjike, ndër të tjera përfshirja e paskajores ‘me punue’, funksionet e të cilës në standard i mbulon lidhorja e mbarë shqipes.

 

f.30

Konstestuesit e gjuhës shpesh e quajnë gjuhën standarde gjuhë politike. Po cila gjuhë standarde nuk është gjuhë politike, përderisa krijimi i gjuhës standarde është pjesë e politikës gjuhësore të çdo shteti e të çdo shoqërie, sepse ajo është pjesë e politikës së përgjithshme kulturore, arsimore, kombëtare, është pjesë e politikës së jashtëme dhe e politikës së brëndëshme që ndjek një shtet.

Shumica e gjuhëve botërore nuk janë standardizuar në shtete e rrethana demokratike. Pse t’i kërkohet kjo gjuhës standarde shqipe?

 

f.33

Gjuha standarde nuk është gjuhë popullore. Të gjithë shenjuesit e saj dëshmojnë largesë midis saj dhe varianteve të tjerë gjuhësorë, para së gjithash, midis saj e të folmeve popullore a dialekteve. Veçoritë kryesore të gjuhës standarde janë, siç thonë teorikët e standardologjisë: qendrueshmëria elastike, shumëvlerësia funksionale, intelektualizimi, modernizimi, ndërkombëtarizimi, etj, veçori që i ka padyshim edhe shqipja standarde.

 

f.36-37

Aristotel Spiro:

Nuk mund të pritet që në të gjitha situatat ligjërimore të kemi zbatim rigoroz të normës gjuhësore, por në komunikimin publik zbatimi i normës është i domosdoshëm. Zbatimi i saj është sidomos i detyrueshëm në shkolla dhe në universitete, në administratë dhe në media.

 

Pas vitit 1990

Gjuhëtarët mund të tregojnë drejtimet e përballimit të sfidave të shprehjes së vrullshme gjuhësore: braktisja e provincës dhe mbipopullimi i kryeqytetit dhe i qyteteve të mëdha, inflacioni ligjërimor për shkak të funksionimit të shumë mediave, përdorimi i internetit dhe i mjeteve të zgjuara të komunikimit, përdorimi i anglishtes, italishtes, greqishtes dhe gjuhëve të tjera në formë sjelljesh të reja kulturore, që kërkojnë shprehjen e përshtatshme gjuhësore shqipe, përdorimi i shpeshtë i ndonjë shkronje të huaj, si psh  ‘w-ja’, që tashmë nuk duket aq e huaj, ndërgjegjësimi që dyshkronjëshat nuk janë një shkronjë etj. Ka me dhjetëra në mos me qindra përdorime të diskutueshme e të qortueshme, si psh

‘dixhital’, ‘digital’, apo digjital’, ‘maxhorancë’, ‘mazhorancë’, apo ‘shumicë’, ‘bazik’ apo ‘themelor’, ‘kompromentim’ apo ‘komprometim’, ‘koncension’ apo ‘koncesion’, etj.

 

Këtij vendi nuk i duhen rregulla të reja drejtshkrimore, as ndonjë modifikim i tyre. I duhen qytetarë që të respektojnë rregulla, folës që të respektojnë gjuhën shqipe.

 

  1. 41

Kujtim Kapllani:

Si qytetar i lirë dhe si studiues i shqipes mendoj se sot, së pari, duhet të mbrojmë shqipen nga fjalët, termat, ndërtimet dhe formulimet e huaja të panevojshme. Përse duhet të përdorim

‘anunçoj’, ‘bilanci’ ( i vrasjeve), ‘garanci’, ‘intimidoj’, ‘koordinim’, ‘testim’; ‘bëj progres’; ‘kanë qenë forcat e policisë ato që kanë bërë kapjen në flagrancë të keqbërësit’ etj;

kur bukur mirë përdorim: njoftoj, numri (vrasjeve), siguri, frikësoj, bashkërendim, provim; përparoj; forcat e policisë e kanë kapur në befasi keqbërësin, etj.

 

f.44

Idriz Metani:

Mendoj së dëshmia më e qartë e ideologjizimit të gjuhësisë shqiptare në përgjithësi e të leksikografisë shqipe në veçanti është padyshim “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), i hartuar nga një grup leksikografësh me përvojë

(Androkli Kostallari, Jani Thomai, Xhevat lloshi, Miço Samara, Josif Kole, Palok Daka, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Ferdinand Leka, Emil Lafe, Komelja Sima, Thanas Feka, Beatriçe Keta, Agim Hidi)

mbi bazën e disa parimeve themelore, të konceptuara prej kryeredaktorit të këtij fjalori, që i “detyrojnë”, si të thuash, hartuesit dhe redaktorët e tij të gjejnë mjete gjuhësore për të spërkatur këtë vepër të rëndësishme të leksikografisë njëgjuhëshe shqiptare me pak marksizëm-leninizëm.

 

f.63-65

Sandër Kola:

Fjala ‘gjej’ nuk ka vend në shqip me kuptimin ‘duket’, si përkthim fjalë për fjalë i fjalës angleze ‘find’….

‘Si e gjetët ju festivalin e parë operistik?’

mund të thuhet ‘çfarë gjetët në festival?’ ose ‘Si iu duk festivali i parë operistik?’

…Fjalët ‘relevant’ (përkatës), ‘evakuim’ (shpërngulje, zhvendosje), ‘event/eveniment’ (ngjarje) që përdorin politikanët;

fjalët turke ‘sevda’ (dashuri), ‘shyqyr’ (mirë/gëzim/hare), ‘avash’ (ngadalë) etj;

fjalët italiane ‘ciao’ (mirupafshim-sidomos në telefon), ‘bravo’ (të lumtë), ‘pedonale” (këmbësore) etj

nga goja e njerëzve të thjeshtë, të cilët mendojnë se duken më të kulturuar, por edhe nga njerëzit e arsimuar, të cilët mendojnë se duken më modernë, po përhapen në masë të gjerë, duke bërë që të harrohen fjalët shqipe. Madje edhe kur kërkohet përkthimi i këtyre fjalëve të huaja në shqip, studentët përdorin variantin joshqip.

…’Kush është libri yt më i parapëlqyer?’-

këtu fjala ‘kush’ përdoret për njerëzit, por jo për sendet.

‘A mos vallë do të na e mësojnë këtë gjë të huajt që flasin shqip?’

 

…Shpesh guxoj edhe unë të paraqes përpara publikut fjalë të padëgjuara, të krijuara mbi baza kuptimore dhe lehtësi përdorimi.

Psh ‘biznezist/e’ (bussinessman/woman), ‘frytsjellës’ (effective), ‘frytdhënës’ (efficient), ‘gjëqejf’ (hobby).

Edhe e padëgjuara bëhet familjare nëse përdoret herë pas here.

 

f.68

Monika Shoshori- Stafa

citon Kristoforidhin:

gjuha shqipe ndahet në dy dialekte, në gegërishte dhe në toskërishte, ndërsa dialektet e tjera të arvanitasve ose labërishtja dhe çamërishtja janë degëzime të toskërishtes. Ndër dy dialektet thuhet nga studiuesit, gegërishtja është më e pastër e më e pasur, ndërsa toskërishtja më e butë dhe më e rregullt. Ata pranojnë faktin se gegërishtja, duke qenë më e pasur dhe më e pastër, më origjinale, është edhe si rrjedhim, prototip i gjuhës shqipe.

Njohja e dialektit gegë është e domosdoshme për çdo shqiptar ose albanolog që do të dallojë rrënjën e fjalëve. Por dialekti toskë, sipas tyre, ka muzikalitetin e një gjuhe më të përpunuar dhe vlera e saj qendron gjithashtu dhe në pikat e takimit që ka kjo me gegërishten. Dallimet në mes tyre janë në leksik, në shqiptim, në fonetikë, morfologji dhe në ndërtim. Megjithatë duhet të shtojmë se, pavarësisht ndryshimeve, gegët dhe toskët kuptohen shumë mirë njëri me tjetrin, pavarësisht notave të humorit që përfshijnë jetën tonë të përditshme.

 

..Sipas tij, gegërishtja dhe toskërishtja, për sa i përket fonetikës, janë shumë të ndryshme. Janë shumë më të ndryshme se psh gjuhët sllave midis tyre, por kjo nuk e pengon aspak kuptimin dhe të kuptuarit midis tyre. Sipas tij, gegërishtja ka hundore, ka zanore të gjata, që toskërishtja nuk i ka.

 

  1. 94

Sejdi Gashi:

gjuha serbo-kroate, si gjuhë e parë zyrtare, kishte një privilegj të theksuar dhe ishte ‘lingua franca’ për tërë Jugosllavinë. Bazuar në këtë, mund të thuhet se shqipja, si një prej gjuhëve të ish Jugosllavisë kishte status jo afirmativ, ndoshta nga fakti që ‘rrjedha e formësimit të identiteteve politike e kulturore të popujve të Ballkanit është e cilësuar me konflikte të ndërsjella, në projektin e tyre që të sajojnë shtete, kufijtë e të cilëve do të përputheshin me banorët që do të kishin një identitet homogjen kombëtar’.

 

f.104

Senad Neziri:

Shembuj të përdorimit të gabuar dhe atij të drejtë:

Nuk duhet të shkruajmë:

Klasa e V-të është klasa më e mirë në shkollë.

Shkuan në luftë XX vullnetarë.

Në XV shekuj të kaluar ishte e pranishme varfëria.

Luigji 15 vdiq shumë i ri.

Petriti doli 2 në garat e vrapimit.

Kati 5 është kapluar nga zjarri.

 

Por duhet të shkruajmë:

Klasa V ( e 5-të) është klasa më e mirë në shkollë.

Shkuan në luftë 20 vullnetarë.

Në 15 shekuj të kaluar ishte e pranishme varfëria.

Luigji XV (i 15-ti) vdiq shumë i ri.

Petriti doli II (i 2-ti) në garat e vrapimit.

Kati V ( i 5-të) është kapluar nga zjarri.

 

f.121

Hamdi Hysuka:

Shumë fjalë të huaja përdoren lirshëm nga shqipfolësit, por pa kuptuar se, në vend të tyre, shqipja i ka fjalët e duhura, madje më tingëlluese:

 

abandonoj          braktis

abrogim               shfuqizim

absorboj              përthith

abuzim                 shpërdorim

açik                        hapur, qartë

adapt                    i përshtatshëm

adash                    njëemërsh

adio                       mirupafshim

agrar                      bujqësor

akcent                  theks

akoma                  ende

akord                    marrëveshje

aks                         bosht (rrugor)

aksham                                mbrëmje

aksion                   veprim

aktivitet               veprimtari

aktual                    i sotëm, i ditës

alet                        vegël, mjet pune

aman                     të lutem

ambient               mjedis

aneks                    shtojcë

anti                        kundër

apel                       thirrje

aplikim                  kërkesë

aproksimativ      përafërt i

aprovim               miratim

asete                     pasuri

asimilim                përvetësim

asistent                                ndihmës

aspekt                  pamje

avangardë           pararojë

avantazh              përparësi

avash                    ngadalë

berberhane        rrojtore

bilateral                dypalësh

bina                       ndërtesë, ngrehinë

birinxhi                 bukur, për bukuri

boll                         mjaft

bravo                    të lumtë

bujrum                 urdhëro

civilizim                 qytetërim

curriculum vitae                jetëshkrim

deciziv                  vendimtar

dedikoj                 përkushtoj i

definitiv               përfundimtar

demarsh              përçapje

detaj                     hollësi

elektoral              zgjedhor

eliminoj                zhduk

eveniment          ngjarje

evident                                i qartë, i dukshëm

evitoj                    mënjanoj, shmang

etj etj

 

Nr 2

 

Qemal Murati

f.6-7

 

Besim Bokshi:

Kur fillova të merresha me gjuhësi, pata lexuar për shembull Selman Rizën- një punim për nyjat e shqipes. Më pëlqeu shumë. Pas tij, shkroi për nyjat edhe Eqerem Ҫabej- nuk më pëlqeu, sepse nuk e përmëndete Selman Rizën dhe më bënte përshtypje se si një i madh i tillë mund të kundërshtojë pa ia përmëndur emrin.

 

Besim Bokshi thekson se ishin arsyetimet politike ato që bënë që gjuhëtarët e Kosovës të përcaktohen për një gjuhë unike të përbashkët me shqiptarët e Shqipërisë. “Ishte frika se mos të ndahemi në dy pjesë si kulturë, si ekzistencë. Mos po ndahemi si popull, nga se ne ishim të ndarë, por mos ndahemi si dy popuj.

Vendim tjetër në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës nuk ka pasur mundësi të merrej. Ai kujton edhe atmosferën që mbretëronte në këtë Konsultë:

Ka qenë salla plot studentë, fluturonte salla në qiell. I ndjeri Anton Ҫetta kishte vërejtje, donte të fliste për infinitivin. Por nuk guxonte të dilte aty se do ta shqyenin.

 

f.9-10

Qemal Murati:                                                                                                                                                                                 

Ismail Kadareja:

Shqipja e sotme standarde është më afër të folmes gege të Gjakovës se sa të folmes toske të Gjirokastrës. Më konkretisht, bazën e gjuhës standarde e përbën toskërishtja veriore, jo toskërishtja jugore Në se do të kish vendosë politika e asaj kohe në krijimin e shqipes të përbashkët letrare, do të ishte krejt e logjikshme që, mbi bazën e standardit, të vihej e folmja e Gjirokastrës, pra toskërishtja jugore, e kjo nuk ka ndodhur ashtu.

 

Ҫ’kuptim do të kishte ta shtrojmë çështjen e infinitivit, për integrimin e paskajores në standard, kur kjo formë gjuhësore, si e tillë, as nuk është e mbarë gegërishtes (e kanë vetëm format e gegërishtes verilindore e veriperëndimore).

 

f.17

Valter Memishaj:

Gjuhëtari Xhevat Lloshi, duke njohur nga afër procesin e huazimit të pakufi dhe numrin e madh të fjalëve që kanë hyrë nga kjo gjuhë (anglishtja), ka ngritur shqetësimin se shqipja e sotme mund të kthehet në një albanishte.

 

f.35

Ludmilla Buxheli:

Nuk nënkuptoj që letërsia artistike të mos shkruhet edhe në gegërisht. Përkundrazi variantet dialektore janë pasuri e gjuhës shqipe dhe ushqejnë edhe standardin. Nga ana tjetër edhe standardi si variant gjuhësor, nuk qendron në një vend, dhe është detyrë e gjuhëtarit të përshkruajë jo vetëm rregullat dhe ligjet mbi të cilat ai funksionon, por edhe të zbulojë prirjet dhe shmangiet nga këto rregulla në shkrim e në shqiptim.

 

  1. 49-54

Nebi Caka: Shumë turqizma, ndërkohë janë zevëndësuar me fjalë të krijuara përbrenda shqipes, por një pjesë e konsiderueshme si këto që përmenda

(çarçaf, jastëk, jorgan, sapun, peshqir, çaj, kafe, çorape, papuçe, sandale, raki, duhan, pambuk, çelik etj),

janë të pazevendësueshme.

 

Shqipja, për të emërtuar dritaren, pati huazuar fjalën ‘penxhere’ nga turqishtja, derisa nuk e kishte krijuar fjalën e vet, para njëqind e sa vjetësh (Naimi). Edhe anglezët e kanë huazuar fjalën për dritare (anglisht: window); ata këtë e kanë marrë nga norvegjishtja e vjetër, nëpërmjet danishtes, rreth vitit 1200. E sot, nga anglishtja, fjalën ‘window’, në trajtën e shumësit ‘windows’, si term në informatikë, e ka huazuar e tërë bota.

Rreth 70 % të fjalëve të anglishtes  janë prej brumit të huaj. Anglishtja edhe sot vazhdon të huazojë fjalë nga gjuhët e tjera. Në fjalorin e saj ka fjalë nga 120 gjuhë. Ndryshe si do të kishte ajo leksikun më të pasur në botë: 500 000 fjalë aktive e po kaq pasive, e vetëm disa shekuj më parë ka pasur 50 000- 60 000 fjalë?

Vërtet sot merret se vetëm 30 % e numrit të përgjithshëm të fjalëve në gjuhën angleze janë fjalë vendi, por këto fjalë formojnë korpusin e fjalëve që kanë përdorimin më të dendur në të folur e në të shkruar dhe janë polivalente e polisemantike, pra të përshtatshme për lidhjen e fjalëve në sintagma e fraza dhe për krijimin e frazeologjizmave

Sipas analizave që i kemi bërë një korpusi të ngjashëm me tekste shqipe, 10 fjalët e para për nga dënduria e përdorimit në gjuhën shqipe:

(7.17 %, 5.32 %, 2.96 %, 2.48 %, 1.46 %, 1.58%, 1.41%, 1.04 %, 0.93%)

përfshijnë rreth 27 % të të gjithë tekstit, dhe që të gjitha po ashtu, janë fjalë vendi.

 

Fjalët e marra nga anglishtja, apo anglicizmat, si:

baipas, basketboll, biftek, bilanc, bilbord, biznes, boks, buxhet, fermer, fiskal, futboll, gol, grant, draft, hobi, kolegj, kompjuter, koncern, kompani, linç, lob, marketing, menaxher, monitor, nokaut, ofset, parking, pikbik, printer, pulovër, ramstek, rekord, ring, rokenroll, sandviç, satelit, skaner, skaut, smog, printer, staf, stres, shok, tank, teleprinter, tenis, trajnim, trust, tuist, uiski, vagon, vaterpolo, vinç, volejboll, xhaz, xhentëllmen, xhinse, xhungël

dhe shumë e shumë të tjera, numri i të cilave nuk dihet saktësisht, kanë hyrë ose presin të hyjnë jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në shumicën e gjuhëve të botës.

 

f.56

Jolinda Lila: 

– Anglicizmat që hasen në emërtimet e mediave

Top Channel, Club TV, Club Fm, News 24, ABC News, Albanian Screen, Scan Tv, City Radio, Mad Radio, Tirana Observer, Standard, Living,

të cilat shkruhen sipas anglishtes dhe jo sipas shqiptimit në gjuhën shqipe.

 

– Anglicizmat në emërtimet e programeve, seksioneve apo rubrikave të ndryshme

Wake-up, Pop Channel, Dancing with the satrs, X- Factor, Big Brother, Best Song, A Song for you, Blutooth, Tonight, Top Story, Top Show, Insight, Panorama Plus, Life Style, Gossip, etj

 

– Anglicizmat në emërtimet e disa gjinive televizive

– Talk show (spektakli i fjalës), game show (spektakli i lojës), reality show (spektakli i realitetit), talent show (spektakli i talenteve), cooking show (spektakli i gatimit), show biz, soap opera (serialet televizive) etj

 

– Anglicizma në profesionet në media

reporter, opinionist, menaxher, kameraman, spiker, sponsor, showgirl, showman etj.

– Anglicizma në proceset e punës në media

produksion, spot, insert, slogan, trailer, transkript, videoklip, flesh, etj

 

– Anglicizma për mjete e mënyra që realizojnë komunikimin

mikser, projektor, cd, dvd, kamera, blog, sajt,web, server, touch screen, pronter etj etj

 

f.58

Mendim i skajshëm

i Tullio De Mauro-s që thekson domosdoshmërinë e zyrtarizimit të anglishtes  si gjuhë e përbashkët për të gjithë bashkësitë evropiane.

 

f.59

Kufiri ndarës mes “së nevojshmes” dhe “të panevojshmes” është i qartë:

aty ku anglicizmat janë domosdoshmërisht për t’u përdorur dhe kur pasurojnë rrafshin sinonimik të fjalëve të ndryshme duhet të fitojnë statusin e shpeshtësisë së përdorimit të barazvlerësve të tyre në gjuhën shqipe,

ndërsa aty ku anglicizmat e ngarkojnë shprehjen gjuhësore dhe e vështirësojnë përçimin e qartë të ideve e të mesazheve, duhet të çrrënjosen nga ligjërimi gazetaresk.

 

  1. 62

Sejdi Gashi:

Thimi Mitko theksonte

“se një komb nuk mund, me asnjë mënyrë tjetër të dalë nga barbaria, përveç se duke punuar gjuhën e vet, se shqiptarët si gjëndeshin atëhere të përçarë nga besimet fetare, do të zhduknin paditurinë vetëm duke studiuar gjuhën e tyre amtare.

 

f.65

Thimi Mitko, sa i përket shqipes së përbashkët dhe të kuptueshme nga të gjithë shqiptarët, për dallim nga më herët që ishte për formimin e dy të folmeve të mëdha, një për veriun- gegërishten dhe një për jugun- toskërishten, tani ai avancoi në mendimet e tij, duke vlerësuar se ishte koha e duhur për formimin e një gjuhe të përbashkët, me fjalë e shprehje të mbledhura nga të gjitha krahinat e vendit si dhe me pasuritë gjuhësore të ruajtura deri në ngulimet arbëreshe në Itali e gjetiu.

 

f.85

Ilir Mborja:

Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes, mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë në gjuhën tonë.

Ky parim ka të bëje më ‘ë-në’ fundore si psh në fjalët :

bukë, punë, etj.

Por zhurma më e madhe në këtë debat është pretendimi për shmangien nga standardi të formës paskajore gege (me punue) dhe të zëvëndësuar me paskajoren e toskërishtes (për të punuar) ose me format e mënyrës lidhore në raste të tjera.

 

  1. 97

Jorgaq Perika:

fjalë të huaja që mund të zëvëndësohen:

Amendim            shtesë, korrigjim

Arredim               rregullim, mobilim

Aplikim                 zbatim, ushtrim, përdorim

Aludim                  nënkuptim

Akomodim          përshtatje, strehim

Balotazh               rivotim

Bravo                    të lumtë

Ҫekap                   kontroll

Dominim              zotërim

Drastik                  i thellë

Destinacion        drejtim, vendmbërritje

Definicion            përcaktim

Eveniment          ngjarje

Ekstravagancë   teprim, sjellje e çuditshme

Elokuent              rrjedhshëm, bindës

Grata                     i dëshirueshëm

Fleksibilitet         lakueshmëri

Flash                      i shpejtë

Fansa                    adhurues

Fondamentalist                themelist

Horror                   frikë

Inspirim                frymëzim

Inovacion            risi

Impenjativ          i përkushtuar

Kompetitiv          garues

Koshient              i vetëdijshëm

Kolaps                   ngërç

Kontemporan    bashkëkohor

Kreativ                  krijues

Live                        drejtpërdrejt

Lançim                  lëshim

Monitorim          mbikqyrje

Moderator          ndërmjetësues

Navigim                lundrim

Negociata            bisedime

Online                   në linjë

Obligim                 detyrim

Okej                      në rregull

Promovim           paraqitje

Prezencë             prani

Perfekt                 i përsosur

Puntatë                                pjesë

Prezantim           paraqitje

Resurse                                burime

Reputacion         emër

Recepsion           pritje

Rikuperim           rimarrje

Suport                  mbështetje

Spostim                                zhvendosje

Sekuencë            pjesë pas

Sinjifikim              domethënie

Sensitiv                                i ndjeshëm

Shoping                                blerje

Sharm                   hijeshi

Shou                      shfaqje

Vizion                    largpamësi

Vakancë               pushim

Vakant                  i lirë

 

 

Nr 3

 

f.7

Rexhep Qosja:

Shqipëria shtetërore dhe Kosova janë shtetet e vetme kombëtare në Evropë sot, domethënë shqiptarët janë kombi i vetëm në Evropë sot, në gjirin e të cilit paraqiten intelektualë (gazetarë, gjuhëtarë, zyrtarë politikë), që gjuhën letrare kombëtare, e kritikojnë apo, madje, e mohojnë me argumente politikë e ideologjikë dhe krahinore e dialektore.

 

f.12-14

Agim Vinca:

‘Fol shlir!’- thonë studentët e mij, dmth shprehu lirisht, sikurse profesorët e tjerë. Na qortojnë kur bëjmë përpjekje të shprehemi në gjuhën letrare.

 

Silabuset na i dërgoni  me email ose “në kopje të fortë”…- thuhet në një letër të rektoratit…duke përkthyer fjalë për fjalë shprehjen në anglisht ‘hard copy’ në vend të ‘kopje e shtypur’. Ose fjalën ‘dekan’ në shumës e thonë ‘dekaj’.

Numri i njerëzve që e kontestojnë gjuhën letrare shqipe në Kosovë është shtuar shumë në kohë të fundit dhe kjo ndodh për tri arsye kryesore.

Disa mendojnë se tani që Kosova u bë shtet, edhe pse shtet jo me sovranitet të plotë, duhet të ketë edhe gjuhën e vet, ashtu siç e ka himnin dhe flamurin, dhe këta janë të ashtuquajturit ‘konstitucionalistë’;

disa të tjerë mbrojnë pikëpamjen se gjuha standarde shqipe, duke pasur për bazë dialektore toskërishten është e papërshtatshme për kosovarët, të cilët, sipas tyre, nuk mund ta përvetësojnë atë, as më se dyzetë vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit (këtu hyjnë të ashtuqiajturit ‘nostalgjikë të gegërishtes’, që nuk pranojnë kurrsesi të vdesë gjuha e tyre, si e quajnë gegërishten, duke mos bërë dallimin ndërmjet gjuhës dhe dialektit),

kurse kategoria e tretë, që janë mbase më të shumtë, nisen nga ideja se, duke e kontestuar një projekt të madh nacional, siç është gjuha standarde shqipe, mund të dalin nga anonimiteti e të bëhen të njohur dhe këta janë pasardhës të largët të Herostratit antik, i cili, po për këto motive, për t’u bërë i njohur dhe për të hyrë në histori, dogji tempullin madhështor të Artemidës, të ngritur për nder të njërës nga hyjneshat më të rëndësishme të Olimpit.

 

  1. 16-17

Problemi i gjuhës standarde s’është thjesht një çështje gjuhësore, por edhe një çështje politike, shoqërore, qytetëruese. Gjuha standarde është kod, mjet që lehtëson komunikimin mes pjesëtarëve të një bashkësie gjuhësore. rrjeshimisht gjuha letrare është një conditio sine qua non për arritjen e njësisë kombëtare.

 

Do të ishte pretendim  i madh, por edhe naivitet, të pohonim se poezia nuk mund t’u shkruaka ‘në gjuhën standarde’ dhe se ata që veprojnë ndryshe nuk krijuakan poezi të vërteta!

 

… jo vetëm bullgarët, por edhe francezët, gjermanët dhe italianët, pjesa dërrmuese e shkrimtarëve të tyre, veprat e tyre letrare, jo vetëm në prozë, por edhe në poezi, i krijojnë në gjuhën standarde.

 

f.26

Qemal Murati:

gjuhë multistandarde janë ato të cilat kanë dy ose më shumë standarde, me bazë të njëjtë gjuhësore.

Shembull të tillë të kushtëzuar gjeografiskisht kemi te standardi anglez dhe ai amerikan në gjuhën angleze.

Po ashtu të dy standardet e gjuhës rumune, të moldavishtes në Moldavi dhe të rumanishtes në Rumani.

Diçka e tillë ka qenë edhe situata dhe në gjuhën serbokroate, në të cilën të dy variantet (ose standardet) janë përdorur në rajone të ndryshme, në Kroaci dhe në Serbi, me dallimet kulturore që u krijuan për shkak të ndarjes gjeografike, politike dhe kulturore.

Edhe në Norvegji ekzistenca e dy standardeve sot kushtëzohet kryesisht mbi bazë gjeografike (‘Nynorsk’ në Norvegjinë Perëndimore), por edhe mbi bazë kulturore- historike e sociolinguistike- Nynorsk pranohet si gjuhë e vërtetë nacionale krijuar mbi bazën e dialekteve, kurse ‘Boksmal. është krijuar historikisht mbi bazën e gjuhës letrare daneze, dhe është më tepër ‘standard- urban’.

 

f.31

Nën ndikimin e serbishtes kanë ardhë shprehje të gabuara:

 

Kohëve të fundit (në kohët e fundit)

Viteve të fundit (në vitet e fundit)

Javëve të fundit (në javët e fundit)

Ditëve të fundit (në ditët e fundit)

Para dy dite, para pesë dite (para dy ditësh, para pesë ditësh)

Institucionet që janë të thirrura ta mbrojnë shqipen tonë ( institucionet që kanë detyrë ta mbrojnë shqipen tonë)

Mospajtimi vie për disa arsye (vjen)

Më vie keq (vjen)

Jemi rikthyer sërish në studio (jemi kthyer sërish në studio)

 

  1. 39

Rami Memushaj:

Rrugët që propozoheshin për kapërcimin e gjendjes kur shqipja lëvrohej në tre variante,

në variantin letrar toskë, që funksiononte si variant mbidialektor,

dhe në dy variante gege (shkodranishtja dhe elbasanishtja), ishin tri:

ngritja e njërit dialekt në lartësinë e një gjuhe shkrimi të përbashkët, shkrirja e të dy kryedialekteve në një gjuhë të përbashkët; dhe pranimi, për arsye kompromisi, i nëndialektit të Elbasanit, që shërbente edhe si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar të pasluftës.

 

Selman Riza  në vitin 1936 shkruante:

Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte..

Në atë kohë rruga e krijimit të një varianti letrar pangegë duket se ishte zgjidhja më e mirë e mundëshme atëhere.

 

f.43

Pangegërishtja hiqte dorë nga shënimi i gjatësisë së zanoreve, ajo ruante ‘ë-në’ e patheksuar në të gjitha pozicionet, duke iu afruar një gjendjeje jo të largët kur nuk kishte pasur ‘ndonjë ndryshim ndërmjet dy kryedialekteve të shqipes’. Si rrjedhim, ndryshimet kryesore mes dy varianteve letrare ishin të rrafshit fonetik: rotacizmi i toskërishtes dhe hundorësia e gegërishtes, gegizma ‘ue’ dhe toskizma ‘ua’; ‘shpërzanimi’ (shurdhimi) në toskërishte i bashkëtingijve ‘b, d, g’ etj, kur gjinden në fund fjale; gjegjësja sporadike geg, ‘o’ tosk, ‘a’ dhe ndonjë tjetër ndryshim cikërrimtar’.

Sipas Idriz Ajetit, ‘anët pozitive të pangegërishtes…duken sheshazi te elementët që e bëjnë atë shumë të afërt me koinenë jugore, në plan të drejtshkrimit, në fushën e fonetikës, të gramatikës e të fjalëformimit’.

 

f.44

Duke analizuar copëza shkrimesh të vitit 1949 dhe të fillimeve të viteve 50, R. Ismajli vëren se më 1949 përdorej një shkodranishte letrare apo si elbasanishte, asesi si kosovarishte, po më parë si një gegnishte e përgjithshme që, në punë të drejtshkrimit, afrohej shumë me toskërishten letrare: nuk ka theksa, po përdoret zanorja ‘ë’ fundore, nuk shënohen zanoret hundore etj.

Me qënë se kjo mënyrë shkrimi vërehej edhe në tekstet e redaksisë e revistës ‘Jeta e Re’ të vitit 1949, mund të mëndohet se i tillë ishte orientimi i përgjithshëm. Ky variant ishte pak a shumë ‘pangegërishtja’ e Selman Rizës.

 

Më 1955 Selman Rizën e përzunë për Shqipëri..

Në rezolutën shtetërore të 1952 thellohen dallimet me toskërishten :

“pakica kombëtare shqiptare në RFPJ flet një dialekt të gegënishtes, gjuha e shkrimit për ne nuk mund të jetë veçse gegënishtja”.

 

  1. 46

Heqja dorë nga projekti për standardizimin e gegërishtes në këto troje erdhi jo si rrjedhim i trysnisë politike të Beogradit, që ishte i interesuar për thellimin e ndarjes gjuhësore të shqiptarëve, as i ndikimit të Tiranës zyrtare, e cila nuk kishte kurrfarë mundësie të ndikonte, por për shkak të ruajtjes së njësisë kombëtare nëpërmjet gjuhës.

 

Selman Riza shkroi vetë në disa variante letrare:

deri në vitin 1944, shkroi toskërisht; pastaj, nga viti 1944  e deri në vitin 1953, përdori pangegërishten e sendërtuar prej tij për t’u rikthyer nga viti 1958 te toskërishtja letrare. Ai shkroi në gjuhën letrare edhe përpara Kongresit të Drejtshkrimit, edhe si pensionist, pas Kongresit të Drejtshkrimit, megjithëse nuk u ftua në atë kongres.

 

f.85

Shezai Rrokaj;

përditë veshët na dëgjojnë dhe sytë na shohin përçudnime të tilla si:

‘kishim mundur të fitonin duke aplikuar me emrin e firmës (duke përdorur emrin e ndërmarrjes),

çamët do të diskutohen në Athinë (çështja çame  do të diskutohet),

bëj mjekun, bëj mësuesin (jam mjek, jam mësues),

konvertoj paratë (këmbej),

bord (kryesi, këshill),

integritet (tërësi),

krucial (i qënësishëm),

kredibilitet (besueshmëri),

fazë tranzicioni (kalimtare),

takoi Bush (Bushin),

debolesë ( dobësi),

axhendë (rend dite, plan veprimesh),

demilitarizim ( çmilitarizim),

handikap (pengesë, mangësi),

konfrontimi (ballafaqimi),

Aa! (Ëë!), Aha (Ehë),

bla-bla-bla ( llaka- llaka),

dërr- dërr (gam-gam),

jeni të mirëpritur (mirëardhshi),

kontaktoni me numrat (lidhuni me ),

i avancuar (i përparuar),

divergjencë (papajtueshmëri),

konfidencë (mirëbesim),

novacion (risi), Ok! (Po!, mirë)

I dha ok ( i dha pëlqimin),

salutoj (përshëndes),

përfitoj nga rasti t’Ju shpreh komplimentat e mia (përgëzimet),

komunitet (bashkësi),

abonohem (pajtohem),

aprovoj (miratoj),

publicitet (reklamë),

gelateria (akullore),

pastiçeria (ëmbëltore),

Pizzeria (Piceri),

adoptoj (birësoj),

adaptoj (përshtas),

primar (parësor),

seleksionoj (përzgjedh),

intermediar (ndërmjetës),

përtej kësaj (pavarësisht nga kjo),

premio (çmim),

nacionale (kombëtare),

pankinë (stol),

GDP (PPB),

Shërbimi Inteligjent (Shërbimi Informativ),

komisioni bipartizan (dypartiak), etj

 

  1. 93

Ragip Mulaku:

Dhe tani shqiptarët që kanë ngelur jashtë shtetit amë, edhe po të arrinin të formonin minishtete, nuk mund të kenë identitet tjetër kombëtar e gjuhësor nga ky që kemi.

 

f.105

Hysen Matoshi:

Me sa duket, kriteri i vetëm për të përkthyer në institucionet tona është zotërimi i mirë i gjuhës nga e cila përkthehet, pra, i anglishtes, e sa i përket gjuhës në të cilën përkthehet, kjo kërkesë çuditërisht nuk shfaqet si e domosdoshme. Mjafton që përkthyesi e flet shqipen.

Bie fjala,

Trusti i Kursimeve Personale të Kosovës, i përfolur shumë në mediet tona për buxhetin e jashtëzakonshëm që kanë menaxhuesit e tij- të ardhura mujore prej disa mijëra eurosh- nuk ka pasur mundësi të angazhojë të paktën një përkthyes, i cili do të mund të bënte dallimin ndërmjet kuptimit të fjalëve ‘fond’ dhe ‘pellg’, si pasojë e karakterit homonimik të fjalës së anglishtes ‘pool’, ndaj, sipas shkresave zyrtare të këtij institucioni, në vend se në një ‘fond’ (arkë) të përbashkët thuhet se mjetet e trustit investohen në një ‘pellg’.

 

  1. 107

Begzad Baliu:

në historinë e popullit shqiptar Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe Konsulta e Prishtinës (1968), krahas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe çlirimit të Kosovës (1999), janë ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të shekullit XX, që shënojnë jetën kombëtare dhe sendërtojnë unitetin e identitetit të popullit shqiptar.

 

  1. 127

Hajdin Abazi:

Standardi i dha kombit shqiptar mjetin e përbashkët të komunikimit të shkruar, gjuhën moderne letrare shqipe, si nevojë për të përmbyllur kapitullin përbashkues të nisur nga rilindasit, për të ruajtur e kultivuar identitetin kombëtar të shqiptarëve, pavarësisht se ata ishin të ndarë midis shtetesh të huaja, si dhe për ta mbrojtur nga përpjekjet tjetërsuese me pretekst dallimin gjuhësor, bazuar në dialektet dhe për të rifutur mendësinë provinciale kundrejt asaj kombëtare.

 

  1. 129

Po qe se i shohim kombet e tjera, që e kanë krijuar standardin më herët, atëhere shihet se jo vetëm nuk janë shuar dialektet, por ato janë aq të gjalla, saqë vazhdimisht i japin lëndë gjuhës letrare, gjuhës së njësuar.

 

f.135

Duke qenë se gjuha është aset i tërë kombit, debati rreth standardit nuk duhet të ngulfatet, as të mbytet, e as të shtypet, as të fshihet, as të mohohet e as të anatemohet. Këto do të ishin veprime kundërprodhuese.

 

f.143- 145

Remzi Nesimi- Valbona Toska:

(Në maqedoni), në fushën e fonetikës bie në sy përdorimi i bashkëtingëlloreve të zëshme, përkatësisht të pazëshme te disa fjalë të huaja në mënyrën si përdoren në maqedonishte, por në kundërshtim me normën e shqipes:

univerzitet, bazen, konzervativ, çokolladë, fudball, finansa, bilans,

në vend të

universitet, basen, konservativ, çokollatë, futboll, financa, bilanc etj.

 

Një dukuri mjaft interesante paraqet përdorimi i disa emrave (kryesisht të huaj) në atë gjini që përdoren në gjuhën maqedonase e jo ashtu si përdoren në shqipen letrare:

ekipa, leksika, plazha, revolti, sindikati

në vend të

ekipi, leksiku, plazhi, revolta, sindikata.

 

Në gjuhën shqipe parafjala ‘për’ përdoret kryesisht në kuadër të rrethanorëve të ndryshëm të foljes- kallëzues (për të shprehur qëllim, shkak, kohë, vend); po kështu edhe kur i referohet një emri, zakonisht bëhet fjalë për emër prejfoljor-

dëshira për pushtet, lufta për liri.

Në Maqedoni, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të gjuhës zyrtare, është shfaqur një prirje që struktura maqedonase me parafjalën ‘za’ (për) të ‘kopjohet’ në strukturën shqipe.

Ministria për Arsim nga Ministerstvo za Obrazovanie

në vend të

Ministria e Arsimit;

Enti për Shëndetsi nga Zavod za Zdravstvo

në vend të

Enti i Shëndetsisë.

Madje, këto ndërtime janë bërë aq të zakonshme saqë përdoren edhe gjatë emërtimeve burimore:

Partia për Prosperitet Demokratik,

Instituti për Trashëgiminë Kulturore,

Bashkimi Demokratik për Integrim.

 

  1. 147

Haxhi Shabani:

Në përputhje me të drejtën e përdorimit të gjuhës  amtare, shtetet evropiane në vitin 1993 kanë miratuar “Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe Minoritare”.

Sipas saj,

‘gjuhëve të kombësive apo pakicave u jepet një prestigj më i lartë në shoqërinë demokratike dhe u caktohet një përdorim i gjerë në jetën praktike në të gjitha nivelet e saj në arsim (në të gjitha shkallët), në administratë, në gjyqësi, në masmedia, etj.

 

Mblodhi Bardhyl Selimi, 30 dhjetor 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch