Home » Lajme, Opinione » Gjuriqi shprehet e vepron me një liri të “shfrenuar”

Gjuriqi shprehet e vepron me një liri të “shfrenuar”

XHAVIT ÇITAKUShprehja e këtij zyrtari serb jo vetëm që është nacionaliste, por ajo është përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës dhe në integritetin territorial të vendit.- Për të gjitha këto hesht BE-ja, ndërsa deklaratën e Ramës reagon dhe e “qorton” edhe SHBA-ja

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Drejtori i Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, më lirshëm flet e vepron në Kosovë se sa që këtë do të mund ta bënte në vendin e tij, në Serbi. Ky zyrtar serb aq i ka dhënë vetit liri sa që pa   iu “ trembur” fare “ syri”  merr guximin që të takoj bile edhe të organizoj takime kur të dojë e ku të dojë  me perfektet  dhe kryetarët e të ashtuquajturave organe të përkohshme në Kosovë, por edhe me përfaqësuesit legjitim të paguar nga tagrapaguesit e vendit tonë dhe t’iu thotë atyre me vendosshmëri se Mitrovica është Serbi, se Kosova është Serbi, se Serbia do të mbetët këtu.

Qeveria dhe organet tjera kompetente mjaft pasive

Ndërkaq, në anën tjetër, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente  as nuk po shohin e as nuk po dëgjojnë se çka po thuhet, se çka po përgatitet, se çka po iu sugjerohet sidomos serbëve në pjesën veriore të vendit, në të cilën pjesë Serbia ka instaluar një “ pushtet të sigurt”, pushtet ky që po i përgjigjet vetëm qeverisë së Beogradit, pavarësisht se serbët morën pjesë në zgjedhje e organizuara nga qeveria e Kosovës. Një heshtje e tillë karshi përzierjes flagrante në punët e brendshme nga një zyrtar serb është e patolerueshme dhe për më tepër është një sinjal i keq se seriozisht po vihet në pyetje integriteti territorial i vendit tonë. Në këtë situatë jashtëzakonisht të rrezikshme, qeveria e posaçërisht Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe ajo e brendshme do të duhej të reagonin ashpër ndaj sjelljes së Gjuriqit në kundërshtim me të gjitha ligjet pozitive dhe këtij njeriu t’i ndalohet hyrja në vendin tonë. Duhet një herë e mirë jo vetëm këtij zyrtari por edhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit fqinjë, Serbisë, t’iu tregohet se si duhet të sillen e të flasin kur vizitojnë Kosovën dhe të mbajnë përgjegjësi për atë që e thonë para banorëve serb,medieve dhe kudo tjetër në hapësirën shqiptare dardane. Duhet t’iu tregohet të gjithë zyrtarëve serb së zot shtëpie në Kosovë është qeveria e saj dhe se për çdo shkelje të rregullave të sjelljes do të pasojnë ndërmarrja e masave adekuat me atë që thuhet e veprohet deri të ndalimi i vizitave të tyre.

Pse po tolerohen organet paralele serbe?

Një fakt tjetër mjaft shqetësues që është i pranishëm në skenën politike të Kosovës ka të bëj me organet e përkohshme  që ka instaluar Serbia në Kosovë, të cilat praktikisht udhëheqin në komunat serbe, ndërkaq ato që paguhen nga tagrapaguesit kosovar janë vetëm sa për sy e faqe, sa për të marrë një rrogë dhe asgjë më shumë. Të gjitha programet e planet e veprimit nëpër këto komuna janë hartuar në Beograd dhe asgjë ama asgjë  nëpër këto mjedise nuk frymon në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Për këtë shembull mund të merret edhe mos aprovimi i buxhetit për këtë vit në këto komuna, ndërkaq arsyetimi se kjo ka të bëj me mosformimin e asosacionit të komunave serbe është vetëm një maskë prapa së cilës fshihen ambiciet dhe vendosmëria e Serbisë që ky organizem të këtë edhe funksione ekzekutive dhe kësisoj definitivisht, sidomos, pjesa veriore të pavarësohet, të mbetët vetëm formalisht si pjesë e Kosovës pa pasur asnjëherë qasje asnjë organ legjitim i qeverisë së Kosovës në atë pjesë. Funksionimi i organeve paralele me gjithë aparaturën që duhet ta këtë një sistem komunal i një shteti është duke vepruar në Kosovë i instaluar nga shteti serb dhe për këtë askush nuk trazohet e as nuk frikësohet për pasojat që mund të shkaktohen nga ky lloj paralelizmi të rrezikshëm. Kjo situatë e krijuar, përkatësisht kjo përzierje flagrante në punët e brendshme të Serbisë do të duhej të prek në ndërgjegjen e politikanëve tanë që udhëheqin me shtetin dhe ditë e natë të reagojnë dhe të jenë në kontakt të përditshëm me BE-në, por edhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që i lejon një shtet ligjor që këto organe serbe të ndalohen së vepruari dhe atyre “ perfektëve” t’iu tërhiqet vërejtja se këtu në këtë vend nuk kanë legjitimitet dhe urgjentisht të tërhiqen nga ajo aventurë e tyre e jashtëligjshme dhe nëse këtë nuk e bëjnë atëherë dihet se çfarë pason sipas aktit më të lartë të vendit tonë. Kjo nuk është lojë, kjo nuk është shaka. Kemi të bëjmë me cenimin e integritetit territorial të vendit.

Reagimi dyfytyrësh i BE-së

Ndaj deklaratës së Kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, se Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë në mënyrë klasike, reagoi BE-ja duke thënë se kjo nuk shpie në marrëdhënie të mira fqinjësore të shteteve të Ballkanit perëndimor. Ky reagim ishte i shpejt i cili u bë kryekëput me insistimin e Serbisë, së cilës iu ka bërë hal në sy kryeministri shqiptar, i cili vetëm sa po e shpreh një të drejt legjitime të popullit shqiptar, popull ky që u nda në aq shumë shtete vetëm e vetëm për të kënaq apetitet gllabëruese të shteteve fqinje. Ndërkaq, BE-ja, në anën tjetër nuk e thotë asnjë fjalë për organet paralele të shtetit serb që i ka instaluar në Kosovë, asnjë fjalë për përzierjen flagrante në punët e brendshme të Serbisë, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë, asnjë fjalë për deklaratat e zyrtarëve serb kur thonë se Kosova është Serbi, se Mitrovica është Serbi etj etj. Rasti më eklatant i mos reagimit me vendosshmeri është vendosja e barrikadës” tash kopshtit të paqës” mbi urën e lumit Ibër që nga pas lufta e këndej, në të cilën asnjëherë nuk u lejua qarkullimi i automjeteve. Athua në cilin shtet të BE-së do t’i lejohej një etniteti që të veproj kësisoj? Sigurisht dhe pa kurrfarë dyshimi se kjo me asnjë “ çmim” se nuk do të kishte ardhur në shprehje. BE  thekson se kjo duhet të zgjidhet me dialog, me marrëveshje. Mirëpo, kjo gjendje po zgjat që 17 vite dhe pa ndonjë rezultat. Edhe sa vite të tjera duhet të pritet që kjo gjendje të kthehet në normalitet. Nëse edhe më tej BE insiston në dialog, zgjidhja nuk do të këtë perspektiv asnjëherë. Ndikimi i shtetit serb e ka paralizuar edhe Bosnjën e Hercegovinën. Pra BE-ja është e interesuar që vetëm Serbia të mos shqetësohet e trazohet e sa për Shqipërinë e Kosovën lehtë mund të bëhet e veprohet me to. Ky reagim dyfytyrësh i këtij organizmi të rëndësishëm evropian nuk shkon në favor të një politike të drejt që duhet të udhëhiqet njësoj për të gjitha shtetet. Nuk duhet të favorizohet askush për asgjë. Për mua befasues ishte edhe reagimi i ambasadës amerikane në Tiranë ndaj deklaratës së Ramës, aq më shumë kur, dorën në zemër, viteve të fundit ky shtet i fuqishëm e mik i madh i shqiptarëve është mjaft pasiv ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Kosovë. Apo thënë më mirë SHBA-ja vetëm po përkrah e po reagon sipas asaj që po punohet e “ përgatitet” në Bruksel. Shikuar në retrospektiv shqiptarët nga ajo që u vendos në kancelaritë evropiane gjithmonë u nda e zhgënjyer. Ndoshta do këtë mundësi të kenë ndryshuar gjërat, por, mendoj, pak më ndryshe, me një diplomaci që ndoshta udhëheqësit tanë pa përvojë nuk po e” kuptojnë” se si dhe në çfarë mase mund të ndikoj në funksionimin normal të një shteti të njëmendët. Së këndejmi, mendoj se përkundër angazhimit enorm që ka SHBA-ja anëkënd botës, do të duhej të gjej  pak kohë edhe për Kosovën. Pa një vendosshmëri tjetër fare të këtij shteti të fuqishëm nuk “pritën” ditë të mira për Kosovën nga një qasje çfarë hëpërhë po bëhet nga BE. Shumë aktiv duhet të jenë edhe udhëheqësit tanë. Këtë e kanë obligim kushtetues.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch