Home » Opinione » Grabitja e lapidarit nga xhandarmeria serbe dhe (pa)përgjegjësia e lidershipit politik të Luginës, Kosovës dhe Shqipërisë

Grabitja e lapidarit nga xhandarmeria serbe dhe (pa)përgjegjësia e lidershipit politik të Luginës, Kosovës dhe Shqipërisë

 

 

 

 

 

 

Shkruan: Mr.Nehat Hyseni

Aksioni spektakular i grabitjes së Lapidarit të UÇPMB-së i „befasoi“ dhe i gjeti në gjumë vetëm politikanët dhe komandantët fjalamanë, por je edhe gazetarët, të cilët kujdestaruan natë e ditë. Ky aksion solli unifikim të sërishëm të nacionalizmit vrastarë serbë dhe synon dominimin e Daçiqit mbi rivalin nacionalist Nikoliq, kurse beteja politike e tyre është duke u zhvilluar në trollin e Luginës së Preshevës, mbi kurrizin e shqiptarëve të pambrojtur. Rrezistenca e munguar civile e qytetarëve dhe dorëheqjet e ofruara publikisht dhe të „mohuara partiakisht“ dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Luginës. Mbështetja e madhe gjithëkombëtare, sidomos në këto momente dramatike që po përjetojmë, është inkurajuese për shqiptarët e Luginës. Por, na shqetëson veprimi qyqarë i vandalëve që rrënuan varrezat serbe në Viti dhe Prizren, duke shprehur revanshizëm dhe mllef ndaj vandalizmit shtetërorë të Daçiqit në Serbi. Ky revanshizëm, sado i motivuar emocionalisht nga vlerat e rrezikuara realisht të shqiptarëve të Luginës, megjithatë paraqet akt të dëmshëm dhe qyqarë. Sepse, neve na nevoitet reciprociteti me serbët e Kosovës, që nënkupton trajtim të barabartë të shqiptarëve të Luginës, në rend të parë nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë, të cilat duhet patjetër ta caktojnë një pozicion financiar në buxhetin e tyre shtetërorë dedikuar Luginës së Preshevës. Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta heq taksën hyrëse kufitare 20 euro në javë, të cilën e paguajnë vetëm shqiptarët, kurse Qeveria e Shqipërisë duhet ta konkretizoj kërkesë tonë të kahmotëshme për hapjen e një zyre konsullore, si përfaqësi diplomatike e shtetit shqiptar për Luginën.

 
Grabitja e lapidarit shërbeu si “Redbull” për  Daçiqin, ai tani  fluturon „me krahë“

Grabitja e dhunëshme e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë nga xhandarmeria serbe, e realizuar në stilin „hollivudian“, tipik për shtetit serb të kohës së marshimit epokal të Sllobodan Millosheviqit drejtë “yjeve”, e ka dehur Daçiqin me “triumfin” që e realizoi këtë vepër qyqare me të cilën çdo shtet normal, i civilizuar dhe demokratik do të turpërohej.

Daçiqi këta poena politik ka filluar t’ ia regjistroj me kujdes vetes si “fitore” personale, edhepse vet akti formal i realizimit u bë nga Ministria e Drejtësisë me ministrin Nikolla Selakoviq, nga partia e Nikoliqit. Për fillim, Daçiqi duket se  siguroi mbështetje nga ultrashovenisti Koshtunica. Por as Nebojsha Çoviqi, i cili gjatë kohës së konfliktit të armatosur në vitin 2001, ishte Nënkryetar i Qeverisë së Serbisë dhe negocioi me përfaqësuesit e UÇPMB-së në emër të qeverisë serbe. Kurse tani shitet si më „patriot“ dhe  deklaron se ky aksion na qenka „fitore e shtetit serb“, duke mos hezituar që bashkëbiseduesit e deridjeshëm t’i quaj „terroristë“.

Ky unifikim i sërishëm i nacionalizmit vrastar të serbëve synon dominimin e Daçiqit mbi rivalin nacionalist Nikoliqin dhe Vuçiqin dhe arena apo fushëbeteja politike e tyre është duke u zhvilluar në trollin e Luginës së Preshevës, mbi kurrizin e shqiptarëve.
Si fillim të marshimit të tillë të shtetit, që për kuptimin e logjikës së mbrapshtë dhe makabre të filozofisë dhe politikës nacionalsocialiste (lexo: fashiste) serbe, sidomos në raport me shqiptarët është dhuna policore e ushtarake dhe pacifizimi i çdo përpjekje liridashëse shqipëtare.
Deklaratat e Daçiqit janë të shpeshta dhe bombastike, përplotë me dehje ultrashoviniste serbe. Ai “është bërë me krahë” ngjashëm me “supermenin” e reklamës televizive të pijes energjike “red bull”. Ky nuk heziton të deklaroj se shqiptarët janë “terrorista” me të cilët nuk mund dhe nuk duhet te bisedohet dhe „nuk ka se për çfarë të bisedohet“, duke e kopjuar me përsosmëri “babain” e vet politik, Millosheviqin.

Ashtu si Millosheviqi , edhe Daçiqi është nisur kah “destinacioni” ku përfundoi Millosheviqi, Gjykata për krime kundër njerëzimit- Hagës. Tani ai gjendet në fazën e “bashkëpunëtorit konstruktiv”si udhëheqës i bisedimeve Serbi – Kosovë, ashtu si ishte Mlosheviqi si bashkëbisedues për vendosjen e paqes me Bosnen në Dejton. Pas nënshkrimit të paqes së Dejtonit, atij nuk i mbeti shumë kohë deri në qelitë e burgut të Hagës.Edhepse nuk mund ta dijmë me saktësi se a do të shkoj edhe Daçiqi deri në fund drejtë të njejtës rrugë si të Millosheviqit, shihet qartë se tani per tani ai eshte duke bere hapa gjigant ne kete drejtim.

Derisa aksioni spektakular i arrestimit të të rinjëve shqiptarë më 4 maj 2012 gjatë heshtjes zgjedhore e devijoi votën në Serbi, duke e ngritur Daçiqin nga një parti minore, e rënduar me bagazhin e komprometuar dhe të dështuar të Millosheviqit, i cili përfundoi në Hagë, kishte 7% të votave, ky akt e ngriti atë me 250% dmth. në 18 % dhe ia siguroi vendin e kryeministrit dhe mundësinë e zgjedhjes së partnerit të koalicionit midis DS-it të Tadiqit, i cili ishte i mbuluar me „lëkurë të qengjit“ para bashkësisë ndërkombëtare, kurse i tregonte dhëmbët e ujkut para opinionit vendës. Kështu ai  „notonte“ në politikë si president i Serbisë duke u thënë ndërkombëtarëve se ai është e keqja më e vogël“ dhe prandaj duhet mbështetur nga ata. Ndërkaq, opinionit vendor ai i thoshte se e ka mbështetjen ndërkombëtare dhe se rivalët e tij politikë nuk do të mundnin kurrë të siguronin mbështetje ndërkombëtare dhe se Serbia do të „izolohej“ poqese e marrin pushtetin ata.

Impakti politik i arrestimit të 4 majit 2012 në skenën politike të Serbisë

Aksioni i arrestimit të të rinjëve të pafajshëm shqiptarë në Prewshevë i 4 majit 2012 i ndryshoi rrënjësisht gjërat në rezultatet e zgjedhjeve dhe në skenën poltike në Serbi. Tani u bë Daçiqi ai i cili vendoste pë koalicionin qeverisës midis Tadiqit, i cili nuk qe i gatshëm që t’i jep Daçiqit postin e premierit, prandaj shkoi në opozitë. Kurse, partia e SNS-it të Nikoliqit erdhi në „pozitë“, duke ia lënë në dorë Daçiqit edhe policinë, kurse për veti ruajti postet e sigurisë shtetërore dhe ushtrisë. Pra, kjo ështe skena politike që aktualisht qeverisë Serbinë, duke i falemnderuar edhe impaktit të aksionit të arrestimeve të të  rinjëve të pafajshëm shqiptarë në Luginë.

A kishte  impakt politik aksioni i arrestimit të 4 majit në skenën politike në Luginë?

Mirëpo, derisa kemi analizuar sa e sa herë deri më tani këtë impakt në skenën politike serbe, ne asnjëherë deri më tani nuk kemi bërë një analizë, qoftë edhe sipërfaqësore për impaktin e mundshëmnë zgjedhjet lokale tek shqiptarët e Luginës? A është e mundur që t’i ket lënë indiferent shqiptarët e Luginës, mbi kurrizin e të cilit u zhvillua ai? A ka mundësi që të mos ket pasur fare ndikim apo impakt politik tek votuesit shqipëtarë?

Ka shumë pyetje, të cilat tani për tani mbesin si „enigmë“. Por, një gjë dihet me siguri, se këto aksione vrastare serbe kishin shqetësuar tej mase opinionin shqipëtar të Luginës dhe impakti ishte më se vulosës për fatin e zgjedhjeve aty. Edhe sot e kësaj dite nuk u sqarua se pse iu pamundësua votuesve shqipëtarë në disa vendvotime që të votojnë, meqë ishte e pamundur që të prisnin dhe të qëndronin fizikisht në këmbë me orë të tëra. Pjesa më këmbëngulëse arriti që të qëndroj deri në orët e mesnatës për të votuar. Kjo nuk kishte ndoshur asnjëherë më parë tek ne, as në kohët më të errëta të Millosheviqit.

Gjithashtu është domethënëse edhe ngjajshmëria e koncepteve politike të një subjekti poltik shqiptar të Luginës, që tani është kryeprotagonist i aferës së Lapidarit, me ato të Daçiqit reth ndarjes së Kosovës.Pra, nuk e dijmë se a ka atyvend për „rastësi“, apo eventaulisht lidhmëri të caktuar politike që ne aktualisht nuk e dijmë?! Kjo aq më parë se Daçqi me plotë fodullëk pas largimit të lapidarit u deklaroi gazetarëve: „ju ofrova shkëmbim territoresh,  nuk e deshtët, tani çka doni“? Natyrisht, ai e kishte fjalën për „ofertën“ e tij për ndarjen e Kosovës, që më parë haptas deklarohej dhe mbështetej nga Ragmi Mustafa.

Analizat e këtilla profesionale politike janë të domosdoshme. Këtë e imponon jo vetëm aktualiteti i tanishëm politik në Luginë, e cila tani gjendet në focus të opinionit me situatën e krijuar reth Lapidarit të UÇPMB-së. Shumë enigma kanë mjegulluar shqiptarët e Luginë së Preshevës sot. Por edhe opinioni mbarëshqipëtarë ka mbetur i habitur me situatën konfuze që po mbretëron.

 

Njerëzit po pyesin se si është e mundur që me aq vetëbesim dhe pompozitet disa dolën në skenë, duke bërë gara se kush do të jep premtime e kërcnime më të mëdha se „lapidarin s’ka kush e prekë“ se bëhet nami, se „nuk lejojmë të hiqet“, se  dhe premtime e kërcnime të tjera që opinioni i din dhe nuk dua t’i përsëris tani, sepse në një rast tjetër do të kemi mundësi më të mirë për analiza të tilla.

Këmbngulja ishte aq kokëfortë dhe e dukej e vendosur, saqë kreu i pushtetit lokal dhe kryeprotagonisti i kësaj afere z.Ragmi Mustafa deklaroi publikisht në TV nacional të Kosovës se poqese hiqet lapidari, ai do të jep dorëheqje të „parevokueshme“. Bile, pastaj ia bashkëngjiti edhe „vendimin“ e kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifit se edhe ai do të jep dorëheqje.

Dhe pas gjithë kësaj, edhe ata komandantë që folën në emër të UÇPMB-së edhe kreu poltik, por edhe familjarët e dëshmorëve, meqë jepnin deklarata dhe mbanin mbledhje maratonike, sa duket, doli se menduan se „e kryen punën e tyre“, ia futën gjumë, duke e lënë Lapidarin vetëm, pa organizuar kujdestari të përherëshme që së paku të mos ia mundësonin Daçiqit kënaqësinë, kurse opinionit befasinë e pabesueshme të heqjes së Lapidarit pa kurrëfarë rrezistence civile, që së paku kamerat të kishin çka të regjistronin para ardhjes së xhandarmerisë, kurse xhandarët të detyroheshin që t’i largonin ata me dhunë. Ngjarja është aq e pabesueshme, sa që vështirë është të besohet se ishte e „rastësëshme“. Shkenca politike thotë se në politikë gjithçka mund të ket, por jo dhe rastësi!

A ishte i befasishëm intervenimi i xhandarmerisë për grabitjen e lapidarit?

Përgjigja është e shkurtër dhe e qartë se për gazetarët kjo nuk ishte befasi. Sepse, ata për dallim nga „komandantët“ dhe politikanët, të cilët flinin të „qetë“ sepse deklaronin në media se  Serbia „nuk guxon me e hjekë“ dhe ishin të sigurtë në këte. Prandaj ata flinin. Kurse gazetarët jo, ata rrinin tërë natën me kamera dhe aparate në dorë për të mos e lënë të paregjistruar heqjen eventuale të lapidarit. Si është e mundur që gazetarët, pra ishin të vetmit persona që u gjendën në ato momente pranë lapidarit? Përgjigjen në këtë pyetje, sa duket, ia kanë borxh opinionit dhe shqiptarëve në përgjithësi, e atyre të Luginës në veçanti. As kryetari i komunës Ragmi Mustafa nuk e gjeti të nevojshme që të ngujohet dhe të kujdestaroj në zyren e tij me këshilltarë e bashkëpunëtorë dhe me spektrin poltik, për të treguar se kanë me gjithë mend, e jo për hajgrae.

Shija e hidhur nga sjelljet e këtilla të pashpjegueshme, merr përmasa tmerrësuese kur të gëdhihen dhe „befasohen“ se siç u tha nga njëri nga ata se „Daçiqi i paska prerë në besë“! Vallë, a thua dikush paska pasë lidhur besë me Daçiqin, e që tani ai i paska prerë në besë?

Dorëheqjet e ofruara publikisht dhe të „mohuara partiakisht“ dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Luginës.

Dorëheqjet e ofruara publikisht dhe të mohuara partiakisht i gjasojnë atyre të ish udhëheqësve komunist Ali Shukriut dhe Rrahman Morinës, të cilët ia premtuan minatorëve atëherë dhe pastaj i mohuan, sepse nuk i lejoi partia (LKJ).Premtimi i dhënë „solemnisht“ dhe publikisht dhe  mosrealizimi i tij bëri që shumë media shqiptare por edhe disa udhëheqës të lartë politik shqiptarë e quajtën rastin e lapidarit si „manipulim“, kurse politikanët tanë si „matrapazë“.

Tubimi i qytetarëve më 21 janar 2013 ishte zhgënjyes

Asnjëherë deri më sot nuk kamë parë më tepër njerëz të jenë mbledhur në një tubim në Preshevë sa më 21 janar 2013 në orën 12:00. Dendësia e njrëzve ta zinte frymën, kurse fytyrat e të gjithëve ishin të zhgënjyera, të brengosura dhe të shqetësuara dhe pritnin me durim dhe stoicizëm që të filloj fjalimi protestues, apo që dikush t’u drejtohet atyre. Por, kot. Askush atyre nuk i drejtohej, kurse tek vendi i Lapidarit ishin vendosur hoxhallarët, sikur të dëshironin që ta devijonin flijimin e dëshmorëve dhe ta konfirmonin tezën e Daçiqit mbi Al Kaidën.

Në vend të liderëve politik, u paraqitën spikeret dhe pas leximeve të përgatitura qytetarët u shpërndanë më të indinjuar se kurrë. Po të mos ishte paraqitja e fjalimit të improvizuar të Drita Osmanit nga shoqëria civile, që e bëri të qartë se Lugina ka mbetur pa „kokë“ dhe pa udhëheqës, të cilët në tubimet parazgjedhore dijnë shumë mirë të krekosen, kurse atë ditë, thuaj se i kishte mbuluar dheu.

Zhurma shurdhuese e mllefit të qytetarëve të cilët shfrynin të zhgënjyer në heshtje, kurse aty këtu dëgjoheshin edhe të shara dhe shqetësime se sa shpejtë fati i këtij populli mund të rrezikohet për interesa grupore dhe personale të dikujt, duke përmendur edhe „korruptimin“ e këtyre ditëve të politikës tonë lokale me disa grante falas për disa firmave partiake nga Trupi Koordinues, të cilin ata „zyrtarisht nuk e pranojnë“.

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë ta konkretizojnë mbështetjen e shqiptarëve të Luginës

Mbështetja e madhe gjithëkombëtare, sidomos në këto momente dramatike që po përjetojmë, është inkurajuese për shqiptarët e Luginës. Por, na shqetëson veprimi qyqarë i vandalëve që rrënuan varrezat serbe në Viti dhe Prizren, duke shprehur revanshizëm dhe mllef ndaj vandalizmit shtetërorë të Daçiqit në Serbi. Ky revanshizëm, sado i motivuar emocionalisht me vlerat e rrezikuara realisht të shqiptarëve të Luginës, megjithatë paraqet akt të dëmshëm dhe qyqarë. Sepse, neve na nevoitet reciprociteti me serbët e Kosovës, që nënkupton trajtim të barabartë të shqiptarëve të Luginës, në rend të parë nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë, duhet patjetër ta caktojnë një pozicion financiar në buxhetin e Kosovës dedikuar Luginës së Preshevës.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta heq taksën hyrëse kufitare 20 euro në javë, të cilën e paguajnë vetëm shqiptarët, kurse Qeveria e Shqipërisë duhet ta konkretizoj kërkesë tonë të kahmotëshme për hapjen e një zyre konsullore, si përfaqësi diplomatike e shtetit shqiptar për Luginën, që do të ndihmonte nga afër shqiptarët e kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, duke i monitoriar dhe identifikuar nga afër nevojat reale të tyre. Kështu do t’i dalim zot vetes dhe do të dëshmojmë se edhe ne shqiptarët jemi popull i barabartë me serbët dhe të tjerët dhe dijmë t’i dalim zot vetes jo vetëm me fjalë boshe dhe parulla mediatike, por edhe me ndihmë konkrete dhe me mbështetje të sinqertë vëllazërore, ashtu si bën Serbia me serbët kudo që janë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch