Home » Lajme » Grafika: Sa është pasuria e kandidatëve për kryeministër

Grafika: Sa është pasuria e kandidatëve për kryeministër

Zgjedhjet e 6 tetorit do të vendosin kryeministrin/en e Kosovës. Në një kohë kur vendi është në pritje dhe tashmë kandidatët janë zyrtarizuar, në qendër të vëmendjes është risjellë pasuria e secilit prej tyre.

Muaj më parë, pretendentët për kryeministër rrëfyen pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Nisur nga deklarata e gjithsecilit, rezulton se Albin Kurti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, zotëron një apartament prej 67 metrave katrorë në vlerë prej 400 mijë eurove, i cili është në pronësi të bashkëshortes së tij në Norvegji. Kurti nuk ka deklaruar asnjë pronë të paluajtshme në pronësi të veten. Lideri i VV-së ka deklaruar se paga që merr si deputet i Kuvendit të Kosovës ka vlerë vjetore prej 19,189 euro, kurse bashkëshortja e tij 42, 240 euro, të cilat i merr nga Instituti Norvegjez i Çështjeve Ndërkombëtare (NUPI), transmeton TCH.

Nga ana tjetër, Fatmir Limaj, nga Nisma-AKR ka deklaruar se në pronësi ka një banesë në vlerë prej 70 mijë euro, një truall në vlerë prej 500 mijë eurosh si dhe një shtëpi në vlerë të 250 mijë eurove. Limaj posedon një veturë të tipit BMW në vlerë 10 mijë euro, ndërsa para të kursyera ka 6,985 euro. Si zëvendëskryeministër i qeverisë në largim, Limaj deklaroi se merr pagën mujore prej pagën 2,687 euro, ndërsa bashkëshortja e tij merr 5.400 euro pagë vjetore.

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, në formularin e deklarimit të pasurisë, kishte deklaruar se ka një banesë prej vitit 2001 në emër të bashkëshortes së tij, në vlerë prej 97.000, një lokal afarist me sipërfaqe prej 270 metra katrorë, vlerën e të cilit nuk e ka deklaruar, posedimin e një shtëpie prej 350 metra katrorë e trashëguar nga prindërit e tij, si dhe tokë në mal prej 10 hektarë po ashtu e trashëguar. Si kryetar i Kuvendit, Veseli pati deklaruar se merr pagën prej 33 mijë e 870 eurove. Gruaja e tij Violeta merr pagë vjetore prej 3.420 euro si profesoreshë në Gjimnazin “Sami Frashëri” dhe 17 mijë e 640 euro nga Kobit PC. Veseli po ashtu ka deklaruar një veturë Jeep në vlerë 16 mijë e 300 euro dhe para të kursyera në dy banka së bashku me gruan e tij në vlerë prej mbi 6 mijë euro.

Ish-kryeministri, njëherësh kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK- PSD, Ramush Haradinaj, në Antikorrupsion ka deklaruar se ka një shtëpi banimi të lëshuar me qira, shtëpi familjare-kullë, tokë kodrinore, tokë-truall, shtëpi banimi dhe një banesë. Haradinaj në deklarimin e pasurisë ka treguar se ka para të gatshme në vlerë 71.720 euro, të cilat i mban në njërën nga bankat në Kosovë, por gjithashtu ka edhe detyrime financiare siç është kredia në vlerë 133.931 euro.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në listën e pasurive të paluajtshme ka treguar se ka një banesë, vlera e së cilës në euro është 40 mijë euro, po ashtu një garazhe e cila ende është e papërfunduar, por që kap shifrën 2 mijë e 500 euro. Osmani zotëron edhe një parcelë toke, vlera e së cilës arrin në 38 mijë euro. Osmani ka rreth 48 mijë euro para të gatshme në institucionet financiare. Gjithashtu deputetja ka deklaruar se ka edhe një detyrim financiar ndaj personave juridik dhe fizik, detyrim financiar prej 10 mijë eurosh.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch