ShqipEnglishDeutsch

Home » Lajme, PVD, Vendore » Halimi: Kryetari i APN-së ndërtoi rrjetin e tij politik në formë manipulative me burime finansiare enigmatike dhe jotransparente

Halimi: Kryetari i APN-së ndërtoi rrjetin e tij politik në formë manipulative me burime finansiare enigmatike dhe jotransparente

Në emisionin e mbrëmshëm “Studio e hapur” RTV “Presheva” degradoi në nivelin më të ultë në historinë e saj 16 vjeçare të veprimtarisë së saj me rëndësi të posaçme për komunën e Preshevës.
Duke e keqpërdorur paaftësinë e gazetarit, kryetari i APN – së e ashpërsoi egërsisht retorikën denigruese dhe shpifëse prezente në portalet tona që nga paraqitja e APN – së në skenën politike preshevare.
Parcializimi i tepërt i spektrit politik në Luginë të Preshevës ishte rregullisht pengesë e madhe për unifikimin e veprimit të tij në mbrojtjen efikase të interesave vitale të Shqiptarëve në këtë rajon. Mirëpo, këto interesa në kohë të fundit po rrezikohen më shumë se asnjëherë më parë me intensifikimin e radikalizimit ideologjik, që po personifikohet me kryetarin e APN – së, i cili e ndërtoi rrjetin e tij politik duke u mbështetur në formë manipulative në aktivitetin humanitar me burime finansiare enigmatike dhe krejtësisht jotransparente.
Me këtë aktivitet politik retrograd është vënë një shënjestër në radhë të parë organizimi i pavarur politik i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë socio – ekonomike të Shqiptarëve në Preshevë, që padyshim është pasojë e diskriminimit shtetërorë, kryetari i APN – së, që mga paraqitjet e para politike filloi të trumbetoj se fajtori kryesor i kësaj gjendje të vështirë janë partitë politike shqiptare që sipad tij nuk kanë ditur të bashkëpunojnë gjer më tani me qeverinë serbe. Në këtë bazë manipuluese gjatë tërë kohës është duke e promovuar veten si shpëtimtar të Preshevës.
Në vend se të ofroj sqarime në pyetjet e gazetarit kryetari i APN – së me kontra pyetje bajate dhe ofenduese nuk dha asnjë përgjigje për prezencën e korrupsionit tipik në prokurimet që i udhëhoqi pa komision përkatës të caktuar nga Këshilli komunal. Gjithashtu duke i përdorur metodat tipike të rrugaçërisë politike, i papenguar fare nga gazetari arriti që ta ndotë dhe helmoj tërë skenën politike preshevare.
Metodat e linçit të njohura nga sistemet më të egra totalitare në historinë e njerëzimit, të cilat u përdorën në “Studion e hapur” të TV Preshevës kundër veprimtarëve të Partisë për Veprim Demokratik janë të denueshme kudo në botën demokratike, mirëpo kontaminuesi i Preshevës pretendon se është i vaksinuar nga çfarëdo përgjegjësie në misionin e tij të mbrapshtë.
Andaj edhe ky matrapaz politik nuk heziton fare për të paraqitur manipulime dhe trillime edhe për grupin e nxënësve të denuar në vitin 1982, si dezinformon ai për kinse shkruarjen e shkronjave “K.R” në shkollë. Mirëpo, opinioni i jonë e din mirë se denimet drastike me burg shumëvjeçar për grupin e nxënësve të Qendrës Arsimore “Skenderbeu” u shqiptuan nga organet gjyqësore të motivuara nga politika antishqiptare për shkak të veprimtarisë patriotike të shprehur me anë të parullave të shkruara dhe afisheve të shpërndara në rrugët dhe objektet e qytetit. Gjithashtu është e njohur se asnjë organ i Qendrës Arsimore “Skenderbeu” nuk kishte ndërmarrë atëherë asnjë masë ndëshkuese lidhur me këtë grup të nxënësve dhe kjo dezinformatë e pamoralshme ishte kulminacioni i fjalorit helmues të kryetarit të shkarkuar të komunës, Shqiprim Arifi.
Në deklaratat e tija ky sharlatan pa asnjë argument, pa asnjë adresim konkret shfryu vrerë dhe fyerje të vrazhda edhe për afaristët, që siç thot ai e kanë ndihmuar fushatën e PVD – së. Është absurd i llojit të vet, kur ai vet deklaron se këta afarist nuk kanë marrë asnjë tender prej Ragmi Mustafës dhe nëse edhe në kohën kur ai i ndante tenderët pa pyet askend gjithashtu nuk ishin pjesë e monopoleve të tij, atëherë nuk është e qartë cilin problem e ka ai me këta afarist dhe pse pa asnjë arsye i ofendon dhe shantazhon.
Edhe në emisionin e RTV “Presheva” Shqiprim Arifi vazhdoi pa asnjë fije turpi të manipuloj me rezultatet e zgjedhjeve të fundit ashtuqë edhe pas dy orë të “Reality show – it” të mbrëmshëm nuk arriti t’a sqaroj, edhe përskaj të aftësive të tij të pakontestueshme ekzibicioniste, se si është e mundur që 21 votat me të cilat ishte zgjedhur në vitin e kaluar ai kryetar të jenë sipas tij më të “forta” se 22 votat pro zgjedhjes së znj. Ardita Sinani kryetare e re e komunës së Preshevës!
Në fund kur i kemi parasysh krekosjet për aftësitë e tij prej afaristi në Gjermani, do të ishte normale që ish kryetari i komunës së paku tash me anë të dokumentacioneve zyrtare t’ia bëjë me dije opinionit se çfarë biznesi ka udhëhequr, sa punëtorë i ka pas biznesi i tij dhe çfarë qarkullimi vjetor ka pas biznesi i tij në tri vitet e fundit të funksionimit.
Kryetari i PVD – së

Riza HALIMI

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore – Portal Informativ · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress