Home » Lajme » Haradinaj: Taksa do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia

Haradinaj: Taksa do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia

Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës ka qenë temë që është diskutuar edhe në Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Në konventën e parë, prodhuesit kërkuan financimin e eksportit, ndërsa kryeministri Haradinaj tha se taksa do të mbetet gjatë në fuqi.

Taksa ndaj prodhimeve serbe do të mbetet në fuqi deri atëherë kur të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia dhe se askush nuk duhet të kalkulojë ndryshe. Kështu është shprehur kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj në paraqitjen e tij në Konventën e parë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

“Le të shërbejë kjo taksë si porosi për të gjithë, po jemi zgjuar, po jemi të vetëdijshëm, po jemi vetvetja dhe është vendim sovran. Planifikoni që mund të mbetet shumë gjatë, aq gjatë sa nuk do të ndodh njohja e Kosovës nga Serbia, aq gjatë sa nuk do të vendoset një marrëveshje përmbledhëse, që i ka të gjitha edhe njohjen edhe anëtarësimin në OKB edhe borxhet, pensionet, të pagjeturit po edhe heqjen e taksës” ka thënë Hardinaj.

Haradinaj tha se Qeveria kërkoi nga prodhuesit të mos e keqpërdorin taksën.

“Shfrytëzojeni, e keni para vetës, po ashtu mos e keqpërdorni. Çka nënkupton mos e keqpërdorni, mos i rritni çmimet pa nevojë. Nëse nuk janë mbushur mend deri sot që duhet me iu dhënë përparësi nëpër rafte prodhimeve të vendit besoj që gabojnë. Tani është koha reale e iu dhënë përparësi këtyre produkteve” tha ai.

Drejtori ekzekutiv i këtij Klubi, Astrit Panxha, i kërkoi Qeverisë ta financojë eksportin.

“Ne kemi probleme të depërtojmë në tregjet e Kosovës dhe këto probleme janë evidente. Duhet të fillojmë nga problemi i blerjeve publike, që 19 vite Qeveri pas Qeverie nuk është dorëzuar asnjëherë sinjali i qartë në të gjitha nivelet institucionale që t’i jepet përkrahje blerjes së produkteve vendore” tha Panxha.

Ministri i Tregtisë dhe ai i Financave ftuan prodhuesit të rrisin cilësinë.

“MTI është angazhuar shumë që të jetë krah i prodhuesit vendor, duke punuar bashkërisht që Kosovën ta bëjmë një model për zhvillim. Po punojmë shumë që të kemi një ekonomi bazuar te nxitja e investimeve prodhuese dhe te një vizion i ri për mënyrën se si Kosova mund të shfrytëzojë potencialet që ka. Konsumatori ynë, partnerët tanë tregtarë, nuk duhet ta kenë asnjë dilemë sa i përket cilësisë së produkteve tona. Prandaj, unë kërkoj nga ju ta rrisni cilësinë, e cila ka shumë rëndësi sot, por po ashtu bëj apel te qytetarët që të konsumojnë produkte vendore” ka thënë Shala.

“Jemi vendi me normën më të ulët të TVSh-së, ofrojmë bartje të humbjeve për gjashtë vjet dhe kemi normën më të ulët efektive në të tatimin e të hyrave personale, kjo, sepse, mbrojtjen sociale e financojmë nga tatimet, e jo nga kontributet e larta shoqërore siç ndodhë në vendet tjera të rajonit. Ashtu siç jemi zotuar në programin tonë të qeverisë, ne kemi vendosur që asnjë tatim të ri nuk do të ketë për bizneset”tha Hamza.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka paraqitur një raport rreth marrëdhënieve më CEFTA-n, vlerësim i cili tregon se për 10 vjet Kosova nuk ka pasur bilanc pozitiv nga kjo organizatë. /RTK/

Autor: Visar Krasniqi

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.