Home » Lajme, Vendore » Haradinaj: Ushtria e Kosovës si çdo ushtri e botës

Haradinaj: Ushtria e Kosovës si çdo ushtri e botës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ushtria e Kosovës nuk e ka asnjë element më të vogël në mandat se sa ushtritë e vendeve në botë dhe është mbrojtëse.

Haradinaj gjatë takimit me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Obiliq, tha se janë duke punuar intensivisht që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti.

Ai përmendi edhe Ligjin për Paga, për të cilin tha se ka një kosto prej 80 milionë eurosh. Kurse, sa i përket Ushtrisë së Kosovës, Haradinaj tha se kjo ushtri nuk ka asnjë element që i mungon nga ushtritë e vendeve të tjera.

Haradinaj: Ushtri si çdo ushtri e botës, asgjë ‘mangu’ nuk ka

“Iu siguroj, Ushtria e Kosovës nuk e ka asnjë element ma të vogël në mandat se sa ushtria e Kinës, e Amerikës e Gjermanisë e kujt të doni. Asgjë në mandat mangu nuk ka. Në cilindo vend të botës, në ushtrinë e atij vendi, kurrë një mandat më pak nuk e ka, kurrë një element në mandate. Është mirë që shprehen se është ushtri mbrojtëse, se popujt që kanë ambicie agresive e sulmuese, ata nuk i bëjnë mirë vetes, por është ushtri si çdo ushtri e botës. Për çdo pëllëmbë të Kosovës, është ushtri e Kosovës, çdo pëllëmbë, a kenë veri, jug a lindje a perëndim dhe kjo është e vërteta e saj dhe jo vetëm kaq, e kemi bekimin e aleatëve kryesorë të vendit tonë, e aleatëve më të fuqishëm në sigurinë në botë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, ushtria ka deklaratë financiare, buxhet të paraparë dhe dinamiken e vet.

Kryeministri Haradinaj po ashtu u zotua para anëtarëve të AAK-së se asnjëherë nuk do ta dëmtojnë vendin për interesa të partisë.

Haradinaj: Nuk do ta dëmtojmë vendin për interesa tona

“Nuk i bëjmë dëmë vendit ose të këqija për interesat tona, të partisë, kurrë s’do ta bëjmë këtë, po do t’i bëjmë shumë të mira vendit, qoftë edhe duke mos menduar në vetvete në parti. Kjo është e rëndësishme, se me kalimin e kohës qytetari ynë do ta identifikojë, do ta vërejë këtë. Unë bëj 20 vjet në politikë dhe nuk mendoj që i kam ba të këqija vendit për interes të Aleancës”, ka thënë Haradinaj.

I pranishëm ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se shteti nuk mund të zhvillohet pa infrastrukturë të zhvilluar dhe njoftoi se vetëm këtë vit janë investuar afro 3 milionë e gjysmë euro në infrastrukturën e komunës së Obiliqit. Ai përmendi edhe disa nga investimet që ka bërë ministria që ai drejton.

Kurse, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se me pesë milionët që do të fitojë nga Ligji i Obiliqit, katër milionë prej tyre do të shkojnë në projekte kapitale, kurse pjesa tjetër për subvencione, mallra e shërbime.

Ndër të tjerash, Gashi tha se prej tetë bursash sa ofronte kjo komunë për studentët, tani ka arritur në 169.

Prej tyre, 2 bursa do të ndahen për doktoraturë, 6 për mastër, 100 për studentë, 60 për nxënës të shkollave të mesme, si dhe çmimi “Adem Preniqi” për studentin më të mirë të kësaj komune.

Gashi: Fokus e kemi ambientin

“Do të fokusohemi shumë te ambienti, kemi tri projekte madhore në ambient, laboratorin për matjen e ndotjes së ambientit që të raportojmë te qytetarët çdo 24 orë për gjendjen faktike, pastaj kemi rreth 600 mijë euro për parqe, drunj, e kemi edhe projektin për nxemje qendrore që shpresoj se në fillim do të jetë 530 mijë euro e kështu me radhë”, ka thënë Gashi.

Përndryshe, gjatë ditës së sotme Haradinaj ka marrë pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të sheshit “Adem Preniqi” në Obiliq.

Ky shesh, me një hapësirë prej 10600 metrash katrorë ka një buxhet afro 1 milionë e 200 mijë euro.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch