Home » Kulturë, Lajme » HAVZI NELA- PROMETEU I FJALËS SË LIRË

HAVZI NELA- PROMETEU I FJALËS SË LIRË

Nga Azgan HAKLAJ*

Jemi në Vitin Jubilar të Heroit tonë Kombtar të Gjergjit të madh, arkitektit të Nëntorit të parë të Shqiptarëve, themeluesit të Shtetit të Përqendruar Arbëror, i cili mbushi 550 vjetorin e kalimit të tij në amshim. Në 140-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ndonëse e largët në kohë ripërtëriu Epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Shqiptarët startuan për herë të parë me platformë të qartë politike, për bashkimin e katër vilajeteve në një shtet të vetëm të pavarur nga Perandoria Otomane.

Mendja me fektiu tek Pashko Vasë Shkodrani me veprën e tij: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët…”, që u bë platformë e Lidhjes së Prizrenit dhe tek Lidhja e Pejës e Haxhi Zekës, me “Besa-besë”, që frymëzoi Rilindasin e madh Sami Frashërin për të shkruar veprën e tij: “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Krejt natyrshëm gjatë këtij meditimi u ndala tek qëndrestarët e mëdhenj. Ata burra sypatrembur për të cilët Atdheu- Flamuri Kombtar, liria e kujtimi i veprës së ndritur të Kryetrimit Shqiptar, e i Rilindasve tanë ishte lejtmotivi i jetës së tyre.

Një nga këta burra heroik eshtë poeti Havzi Nela.

Ai ishte disidenti, heretiku antikonformist, martiri rebel, kauza e të cilit ishte Liria- barazia-drejtësia.

Diktatura komuniste e ekzekutoi barbarisht më 10 gusht të vitit 1988.

Havzi Nela ishte poeti i fundit i ekzekutuar nga Perandoria Komuniste.

U ekzekutua pasi kaloi nje kalvar të gjatë në burgjet komuniste, Elbasan, Vlorë, Spaç, Rrëshen, Burrel, Ballsh, Qafë Bari, i dënuar dy herë 15 vjet në vitin 1967 pasi kishte kundërshtuar Kolektivizimin dhe ndalimin e Besimit Fetar dhe ishte larguar nga Shqipëria dhe 8 vjet ridënohet si elemet i rrezikshëm në vitin 1975.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1986, internohet në fshatin Arrën në vitin 1987.

Më dt. 10 gusht, ora 03, Havzi Nela thotë fjalën e fundit: Varet në qendër të Kukësit dhe lihet ashtu i varur deri në orën 11 për të terrorizuar qytetarët tek ish agjensia e udhëtarëve.

Më 11 gusht, ora 01, futet në njě gropë në vend të një shtylle vertikalisht.

Para tij Neroni shqiptar kishte pushkatuar poetët, Villsom Blloshmi e Genc Leka, si armiq të popullit. Sabotatorë e agjent të imperializmit. Ekspertja e aktakuzës së tyre Diana Çuli gëzoi privilegjet e diktaturës si gardiane e saj. U zgjodh deputete në vitet e demokracisë, madje guxuan ta propozojnë edhe për Çmimin “Nobel” në letërsi.

Ekzekutimi i Havzi Nelës është rast i pashembullt në histori për nga egërsia e simbolika e krimit.

Ai u var në litar pikërisht në vendin ku nuk guxuan të dislokoheshin as armatat e tmerrshme të Hitlerit.

Urrejtja patologjike e Ramiz Alisë, Kristaq Ramës, Nexhmie Hoxhës, Fehmi Abdiut dhe talebanëve të diktaturës ndaj Havzi Nelës nuk njihte kufi, duke thyer të gjitha kodet zakonore e morale të shqiptarëve, duke sfiduar dhe ligjet e diktaturës.

Ata guxuan që me kufomën e viktimës së tyre të terrorizonin një qytet të tërë.
Terrori me të vdekurin apo nekroterrori është karakteristikë e hordhive barbare pushtuese e otomanëve, mongolëve e serbëve. A nuk vepruan njësoj otomanët me luftëtarët e patriotët e shquar Sefë Kosharja, Avdullah Hoxha e Shaban Binaku.

3000 vjet më parë Akili i ktheu kufoměn e Hektorit mbretit Priam dhe madje e përcolli me nderime nga kampi i tij. 2000 vjet më parë Ponc Pilati i lejoi dishepujt e Krishtit ta zbrisnin nga kryqi dhe ta varrosnin.

Kur Kristaq Rama hodhi firmën pa ju dridhur dora për ekzekutimin e Havzi Nelës, nuk mund ta imagjinonte se pak kohë më pas do të përballej në gjyq, i akuzuar për një krim ordiner nga i biri sot kryeminister i Shqipërisë Edi Sulltan Rama.

Havzi Nelën guxuan ta vrasin për fjalën e lirë ata që ligji u njihte të drejtën e faljes dhe të amnistisë.

Klika e frikshme staliniste nuk guxoi ta dënonte apo ta ekzekutonte publikisht Eseninin i cili kishte akuzuar regjimin bolshevik dhe e kishte quajtur Revolucionin e Tetorit 1917 që vetë e kishte mbështetur: “Tetor i egër e mashtrues”. Sigurisht e zhduku në fshehtësi KGB-ja, eksperte e punëve të pista, dhe e propagandoi si vetëvrasje.

Sovjeti Suprem i Moskës e dënoi duke e dërguar në gulag disidentin e madh Aleksandër Solzhenitsin, por nuk guxoi ta vriste.

Kur falangat fanatike frankiste vranë Garsia Lorkën e madh, gjenerali fashist Franko i gjykoj me ashpërsi.

Para pak ditësh u nda nga jeta Saharovi Shqiptar Adem Demaçi i identifikuar si armiku me i madh ideologjik i Jugosllavisë Titiste. Kaloi 28 vjet në burgjet serbe, por as UDB-ja e as Rankoviçi nuk guxuan ta ekzekutojnë.

E theksova që në fillim të shkrimit jo pa qëllim Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), sepse krahas veprave të tjera të ndritshme i parapriu Qytetërimit Europian me një Kryevepër: “Heqjen e dënimit me vdekje”. Ju deshën 500 vjet Evropës së Helmut Kolit, Shirakut e Andreotit të ratifikonin me ligj idenë gjeniale të Prijësit Shqiptar.

Havzi Nela u vra nga egërsia bizantine e kupolës komuniste, e cila poetët shkrimtarët e intelektualët i donte skllevër e sherbëtorë të ideologjisë së saj.

Të njëjtën strategji ndjek sot Qeveria bandite e kalifatit të Sulltan Ramës e kodifikuar me emrin Rilindja.

Nëse babai, daja dhe etërit komunistë të Ramës e vranë Havzi Nelën në emër të ideologjisë staliniste, Xhonturku Rama po i rivret disidentët dhe po shkatrron institucionet e shtetit e ato të kulturës në emër të një ideologjie neo-otomane që rrezikon zhbërjen jo vetëm kulturore, por dhe etnike dhe territoriale. Për interesat e tij utilitare Rama shiti Kauzën Çame, shiti Detin, ua dha Aeroportin e Vlorës së Ismail Qemalit shpurës së Erdoganit.

Rama ka rënë në rrjetën e trekëndëshit Moskë- Ankara- Athinë.

Së bashku me sivllaun e tij Vuçiq ishte krushk i kurorëzimit të Erdoganit si Sulltan i Ri e Despot i Turqisë. Tufa me lule e Erdoganit tek Mustafa Qemal Ataturku ishte mesazhi i fundit të Republikes Demokratike Turke dhe instalimi i pushtetit absolut të tij.

Politika antikombëtare dhe antiperëndimore e Ramës. Shkatërrimi i sovranitetit të organeve kushtetuese. Kapja e prokurorisë, shkatrrimi i sistemit gjyqësorë. Shpallja e Opozitës esadiste, kur në fakt ai dhe banda e tij të kujtojnë Haxhi Qamilin. Të gjitha këto janë imitim i filozofisë sunduese të babait të tij shpirtëror Erdoganit, i cili i shpalli 2.000 gjeneralë dhe guljenistët “armiq të popullit” dhe po kthen denimin me vdekje.

Shpallja e tij vasal i binomit Putin- Erdogan tregoi se pikërisht në vitin Jubilar të Heroit Kombëtar të Gjergjit të madh, ai ka si qëllim të vërtetë jo nderimin e kësaj figure të ndritur, por zhbërjen e veprës së tij dhe të Rilindasëve të vërtetë të Kombit shqiptar. Aq shumë e urren sa në një aktivitet benjamini i tij Erion Veliaj ia mbuloi me sofrabez të zi (ferxhe) shtatoren në Sheshin “Skënderbej”.

Ky Don Kishot i politikës me atlete Adidas dhe me pature, është nxënës i keq i historisë.
Ëndrra e tij e çmendur për të shembur Panteonin e Kulturës, Teatrin Kombëtar, për të ndërtuar kulla e për të grabitur pronën publike, duhet të ndalet nga Sovrani Popull.
Rama në shenjë hakmarrjeje për bunkierin që e shkatërruan të Persekutuarit e Opozita e Bashkuar, si simbol komunist, kërcënon se do shembë Simbolin Kombëtar, ku janë luajtur “Epoka para gjyqit” e Kryeveprat e Dramaturgjisë Shqiptare.
Ai po luan aktin e fundit të dramës së tij përpara se të bjerë në humnerën e thellë që ka gatuar në të gjithë këto vite të pushtetit të tij. Ende ka aktivistë të opozitës në proçese gjyqsore që shkatërruan bunkierin e ndertuar pa leje si simbol të diktaturës.

Ende ka të burgosur politikë nga Kukësi i Havzi Nelës, të cilët shembën traun e ndërtuar pa leje në Rrugën e Kombit, ndërsa “Kmerët e Ramës” duan të shembin Koloseun tonë, Teatrin Kombëtar, duke e grabitur pronën publike dhe shembur simbolin e kujtesës historike.

Në prag të 30 vjetorit të varjes së disidentit Havzi Nela nga familja biologjike dhe politike e Sulltan Raměs, po i perifrazoj disa vargje që ai i krijoi me mend, pa patur laps e letër, duke rimuar me anë të gishtave, botimin e të cilave e bëri të mundur shkrimtari Petrit Palushi:

“Në qelitë e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret m’janë terrue sytë.
Po dirgjem i mjerë, mbrohem rroj me shpresë,
Jeta m’u rendue deshirë nuk kam të vdes

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kabare,
Ma sfiliten trupin, zemra s’ndihet fare.
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu, në vatrat tona, futi gaz dhe shpresë,
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do të vdesë.

Këto janë disa nga letrat e tij që ka nxjerrë nga burgu.

Kjo tregon sa shumë e donte poeti jetën, por më shumë donte Lirinë. Ai shprehet solemnisht: “Vdekja për Lirinë nuk më tremb aspak”

Havzi Nela, i merzitur kur ikën nga Shqipëria shkruan në një copë letër dhe e vendos në një lis:”Lamtumirë Atdhe i dashur /Po të lë me zemër plasun”/.

Me guximin e tij sfidoi regjimin gjakatar të etërve të Edi Ramës, ndërsa sot me veprën e tij sfidon vetë Edi Ramën dhe pushtetin e tij kleptokratik.

Në përkujtim të 75 vjetorit të lindjes së tij, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, deklaron: “Poeti Havzi Nela është kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e degjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”

Novosejanët e quanin Havziun lisin qëndrestar me rrënjët e të cilit mbrohet “Lëndina e Luleve”.

Poeti amerikan Uitman na ka lanë një postulat: Nuk kam çfarë t’i jap Kombit tim përveçse fjalës.
Havzi Nela na la testament fjalën e bukur poetike, për të cilën bëri sakrificën sublime. Për fjalën e lirë u martirizua. Dha gjënë më të shtenjtë jetën. Diktatura komuniste e ekzekutoi 30 vjet më parë në mënyrën më makabre. Me fjalën e lirë sfidoi diktaturën më të egër ně Europë.

Jeta e tij ishte mjaft e shkurtër se u këput nga litari i diktaturës, nga gijotina komuniste, por i mjaftoi për ta shkruar emrin në panteonin e historisë kombëtare.  Vepra e tij sot sfidon regjimin Despotik të pinjollit të diktaturës komuniste Edi Ramës. Ajo është apel i ndërgjegjes kombëtare. Është aktakuza me e rëndë, verdiktin për të cilën duhet ta japë shpejt Sovrani Popull, kur t’i bëjë gjyqin epokës kriminale të Sulltan Ramës dhe krimeve të diktaturës komuniste.

_____

Mjeshtër i Madh. President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH).

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch