Home » Histori, Lajme, Vendore » HEDHJA E BOMBAVE DHE MASAKRA NË XHAMINË E POSHTME TË PRESHEVËS MË 15 SHTATOR 1943

HEDHJA E BOMBAVE DHE MASAKRA NË XHAMINË E POSHTME TË PRESHEVËS MË 15 SHTATOR 1943

/Ndodhinë e kishte paralajmëruar banorja lokale serbe, baba/plaka/ Qipra Dejanoviq e Preshevës/.

 

/Me rastin e 75 vjetorit të kësaj ngjarjeje makabre/

 

Shkruan: Xhemaledin SALIHU, profesor

 

Më 15 shtator të vitit 1943, në Xhaminë e Poshtme të Preshevës, Natën e Ramazanit,Natën e Madhe të Kadrit, të 27 me radhë, thotë dëshmitari okular, Qazim Abdyli i Mëhallës së Hamishëve,[1] kur Xhemati shkonte për të fal Namazin e Teravive, ndodhi një masakër e madhe, kontraçetnikët serbë hodhën bomba në Xhaminë e Poshtme të Preshevës. Edhepse ishte kohë lufte, Lufta e Dytë Botërore, kur Presheva ishte e okupuar nga Bullgaria fashiste, Preshevarët në Xhaminë e Poshtme gjatë faljes së Namazit nuk venin roje për rreth Xhamisë. Këtë e dinin forcat e kontraçetës serbe me pushtetarët bullgarë, të cilët sëbashku vendosën të hedhin bomba në Xhaminë e Poshtme, e cila më pak ishte e mbrojtur, se sa Xhamia e Ibrahim Pashës, në qendër të Preshevës.

Xhamia e Poshtme në Preshevë

Masakra ishte planifikuar në Kafenë e Tozës Popoviqëve, në qendër të Preshevës, ku kishin biseduar kontraçetnikët për hedhjen e bombave dhe masakrën ta bëjnë në të dytë xhamitë. Mirëpo kishte mbizotëruar mendimi se Xhamia e Vjetër, në qendër është më e mbrojtur dhe mund të merret vesh për masakrën, vendosën të hedhin bombat në Xhaminë e Poshtme.

Kështu gjatë faljes së Namazit të Teravijave, Kontraçetnikët serbë e mbyllën derën kryesore të Xhamisë së Poshtme, mbyllën dritaret dhe dyertë e Xhamisë me tela, që askush mos të dalë nga masakra dhe i hodhën bombat për dritare, kah oborri i xhamisë. Disa prej sulmuesve ishin vendosur në shtëpitë e afërta serbe për t’i gjuajtur ata që dalin të gjallë nga xhamia.Mirëpo me dëgjimin e shpërthimeve dhe qitjeve me armë, dalin banorët shqiptarë dhe fillojnë të gjuajnë, në drejtim të kontraçetnikëve serbë dhe kah shtëpia e Stanimir Nikoliqit, prej nga vinin plumbat e kontraçetnikëve. Njëri prej tyre ishte edhe Zymber Kurbalia, i cili me pushkë në dorë hapi zjarr në kontraçetnikët.
Preshevarët thonë se i pari e hodhi bombën Sazda i Preshevës. Një prej bombave të hedhura e kapi me dorë Ramiz Agushi i Mëhallës së Dodajve të Preshevës, të cilën deshti ta kthejë tek sulmuesit, mirëpo ajo i shpërtheu në dorë, kështu gishtat dhe copat e bombës  mbeten të ngjitura për tavan të Xhamisë. Plani i sulmit nga ana e Kontraçetës ishte që të vritet i gjithë xhemati në xhami.

Sipas idesë së Ministrit të Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Gabrovskit, në organizim të Asen Bogdanovit, drejtor i policisë në Qarkun e Shkupit, me qëllim të luftës vëllavërasëse në Preshevë, në fillim të vitit 1942,  u formua Kontraçeta e përbërë prej Serbëve dhe Shqiptarëve. Udhëheqësi i Kontraçetës ishte Jagosh Gjuroviqi, i cili me shokë më 15 shtator të vitit 1943, hodhi bomba në Xhaminë e Poshtme të Preshevës, përplotë me xhemat. Pastaj Jagoshi i ndihmuar nga Shqiptarët e një Mëhalle të Preshevës, ashtu thuhet dhe ashtu pëshpëritet me të madhe në Preshevë, i veshur me tesha të grave, e largojnë nga Presheva. Jagosh  ik në Bullgari, në qytetin Ruse dhe nga atje iu bashkangjitet çetnikëve të Drazha Mihajlloviqit.

“Kontraçeta në realitet ishte njësi e policisë bullgare, e cila ishte më e paguar se policët bullgarë”[2], thotë Aleksandër Trajkoviqi.

Kështu më 15 shtator 1943 në Preshevë, sipas urdhëresës së policisë bullgare, për të shkaktuar urrejtje ndërnacionale dhe luftë ndërmjet popullit shqiptar dhe serb, Jagosh Gjuroviqi me 2 serbë kontraçetë, gjatë kohës së faljes së namazit, kur xhamia ishte perplotë me xhemat i hodhi bombat në xhami. Nga eksplodimi i bombave vdiqën 4, ndërsa u plagosën 18 shqiptarë. Këtë natë u vranë: 1.Lutfi Mehmeti, 2. Ramiz Mehmeti, 3. Rifat Kamberi dhe 4. Rexhep Kamberi.

“Më 16 shtator 1943 në Preshevë, policia bullgare, Shqiptarët, pjesëmarrës të kontraçetës i lejoi që në kohë prej një ore munden të hakmirren ndaj Serbëve. Kontraçeta shqiptare shfrytëzoi lejen e pushtetit okupator dhe vrau 4 serbë.” thotë Aleksandër Trajkoviqi.[3]

Shumë autorë ngjarjen e hedhjes se bombave në Xhaminë e Poshtme dhe masakrën që ndodhi aty e marrin si shkas të ndarjes së kontraçetës serbe dhe shqiptare. Por ka edhe mendime të tjera.

“Me fillimin e LDB, përkatësisht me bombardimin e Jugosllavisë nga fashistët, shumica e të burgosurve arrijnë të arratisen nga burgjet. Edhe Ali Syla kthehet në vendlindjen e tij në Stanec dhe që këtu fillon aktivitetin e tij luftarak në mbrojtje të vatrës shqiptare. Së pari përgatit familjen e tij, tek e cila gjen përkrahje të madhe. Hyn në formacionin ushtarak të quajtur Kontraçeta, i cili luftonte serboçetnikët dhe komunistët. Ky njësit i formuar nga bullgarët, udhëhiqej nga malazezi Jagosh Janjeviq, me të cilin Aliu shumë shpejte bie në konflikt.

Me këtë rast po vlersojmë se është e nevojshme të përmendim edhe shkakun e këtij konflikti. Një luftëtarit shqiptar, Jagoshi i kishte dhënë urdhër për të vrarë disa shqiptarë në Gjilan, i cili asokohe administrohej nga italianët. Por, luftëtari shqiptar nuk e kryen këtë detyrë të fëlliqur që i kishte dhënë udhëheqësi i Kontraçetës, Jagoshi, i cili për mos kryerjen e detyrës nga shqiptari, urdhëron të gjithë ushtarët që ta pështyejnë. Për çudi , të gjithë fillojnë të pështyejnë në luftëtarin, mirëpo kur erdhi radha te Ali Syla, ai nuk e bëri këtë. Nga ky moment shpërthen konflikti mes Aliut dhe Jagoshit.

Ali Sylë Stanëci u bën thirrje gjithë luftëtarëve shqiptarë ta braktisin këtë formacion dhe vendos ta formoj Kontraçetën shqiptare, komandant i së cilës zgjidhet ai vetë. Në këtë mënyrë do ta vazhdoj luftën për mbrojtjen e popullatës shqiptare nga maltretimet serbo-bullgare”, shkruan Sevdail Demiri.[4]

Sami Qerimi e vendos ngjarjen e hedhjes së bombave në Xhaminë e Poshtme, më 17 shtator të vitit 1943 dhe kështu shkruan në faqen nr.58: ”Këto formacione kontraçetnikësh, të udhëhequr nga Jagosh Gjuroviqi, një kolonist nga Mal i Zi, me banim në Rekë të Tërrnavës, më 17 shtator të vitit 1943, një natë Ramazani, derisa besimtarët po falnin namazin e teravive, në Xhaminë e Poshtme hodhën bomba dhe me atë rast vranë katër burra, besimtarë dhe plagosën 28 të tjerë. Kjo masakër tronditi thellë ndjenjat e qytetarëve dhe shkaktoi shqetësim dhe mosbesim të madh.

Në shenjë hakmarrjeje qenë vrarë edhe disa serbë të pafajshëm. Pra, ishte ndezur konflikti ndëretnik lokal i inicuar nga okupatori bullgar.”[5]

“ Në kohën e luftës  Presheva qe okupue prej bullgarëve. Serbët gati pa përjashtim qenë deklarue bullgarë dhe ankoheshin se në kohën e Jugosllavisë kanë qenë objekt zullumi i shqiptarëve. Tue mos pasë në ke me bazue politikën e tyne, bullgarët lejojshin të gënjehen dhe për t’ua ba qejfin “bullgarëve të ri”, ja patën shtue zullumin shqiptarëve. Shumë shqiptarë të Preshevës dhe të Karadakut qenë ba viktima të pafajshme të këtij zullumi/është fjala për zullumin e bullgarëve fashistë-autori/ dhe ma në fund natën e 27 të Ramazanit të vjetit 1943, serbët i hodhën katër bomba në xhami dhe vranë 6 e plaguen 39 veta.” shkruan Ibrahim Kelmendi.[6] Edhe Tefik Jahiu nga Kumanova ngjarjen, hedhjen e bombave, masakrën në Xhaminë e Poshtme e vendos dhe shkruan se ka ndodhur më 15 shtator 1943.

”Më 15 shtator 1943, në Xhaminë e Poshtme në Preshevë u bë një masakër e madhe. Atë e organizuan serbët dhe bullgarët, me popin bullgar që kishte ardhur me shërbim në Preshevë, në krye me Jagosh Jovanoviqin e Rekës së Tërnavës. Ata vendosën që masakrën ta bënin te kjo xhami dhe jo në Xhaminë e Çarshisë, sepse në të parën kishte shumë njerëz, prandaj do të kishte më shumë viktima. Sa kohë që shqiptarët faleshin në Xhaminë e Poshtme, serbët i mbyllën dyert e xhamisë dhe i mbërthyen me tela që të mos dilte kush dhe nga dritaret, hodhën bomba dhe gjuajten me armë të tjera. Qytetarët e Preshevës thonë se bombën e parë e hodhi Sazda i Preshevës.”[7]

Për ndodhinë, hedhjen e bombave dhe masakrën në Xhaminë e Poshtme e kishin marrë vesh dhe ditur disa nga banorët lokalë serbë, qysh ditën. Kështu më vonë disa deshmitarë okularë, pjesëmarrës në Xhami rrëfehen se kanë pasur paralajmërime nga baba/plaka/ Qipra Dejanoviq, nëna e Aleksandër Dejanoviqit, e cila familje jetonte në Mëhallën e Kamberëve, në rrugën  Preshevë-Rahovicë, sigurisht banore serbe e rrugës së sotme, “Ramiz Sadiku” në Preshevë, në të cilën rrugë është e ndërtuar edhe xhamia.
Kështu rrëfen Halit Ramadani nga fshati Sllupçan i Kumanovës, i cili më 1943 ishte 13 vjeçar dhe kishte ardhur te daja Hajredin Limani/Totorllozi/, si e quanin Agën Dini, në rrugën R.Sadiku të Preshevës.
Atë natë nisen për të shkuar në Xhami dhe në rrugë i del fqinja baba/plaka/ Qipra, e cila i drejtohet kojshijës, Agës Dini/Hajredin/ , duke i thënë pse po e merr në xhami këtë djal të ri?. Këta të dy nuk ia vejnë veshin dhe vazhdojnë në xhami, ku hidhen bombat. Ngjarjen e tregoi Halit Ramadani më 1996, i cili edhe ishte plagosur në xhami.[8]

Baba/plaka/ Qipra nuk ndejti rehat, ajo duke e parë kojshin e vet Shukri Eminin e Hamishëve të Preshevës, i drejtohet po me të njëjtat fjalë pse e ka marrë për xhami edhe nipin e tij Qazim Abdylin/Emini/ i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës. Atëherë Qazimi ishte fëmijë prej 7 vjetëve, i lindur më 1936, të cilit në bisedë i kujtohen fjalët e plakës Qipros, e cila iu drejtua Shukri Eminit, axhës së Qazimit, pse bash sonte po e merr këtë fëmijë në xhami. Qazimi rrefehet se e vazhduan rrugën për xhami, por thotë axha Shukri ndërroj mendje dhe në vend se të shkojmë për të falur namazin e Teravive, shkuam te Halla Lutfije, në shtëpinë e Agës Nazmi Sahitit të Mëhallës së Derrajve, e cila gjendej karshi xhamisë. Posa u ulëm dhe i nduan kafet, ia filloi muhabeti në mes të Axhës Shukri, Ejupit të Derrajve, të Agës Tafë, po të njëjtës mëhallë, të cilët nuk kishin shkuar në xhami, në teravija dhe ende pa i pirë kafët u ndi pëlcitja e bombave, krismat e pushkëve, zhurmë e madhe, piskamë dhe kërcitën dyert e shtëpisë së Nazmisë, ku filluan të hyjnë xhemati i namazit të teravisë, duke ikur nëpër këtë shtëpi dhe të tjera për të shpëtuar nga vdekja. Pastaj thotë morëm vesh se u vranë katër veta, përsëriti rrëfimin për heroizmin e Ramiz Dodës, i cili e kapi bombën me dorë, për të shpëtuar xhematin, por ajo i shpërtheu në dorë. Në përcjellje dhe në varrim të vdekurve në varrezat e qytetit të Preshevës pati pak njerëz, sepse ishin të friksuar  dhe prap u ndëgjuan të shtëna në qytet.

Poashtu, Qazim Abdyli,[9] në bisedë me te dëshmon se kishte ndëgjuar dhe bëhej muhabeti ndër burra se Jagoshi me qëllime kishte larguar nga Presheva Ali Sylë Stanecin, që të planifikoj në rehati me kontraçetnikët serbë e policinë bullgare hedhjen e bombave dhe masakrën në xhami. Bile pas ndodhisë filluan të përshpërisin burrat se u kthye Ali Staneci në Preshevë. Sipas deklaratës së Qazim Abdylit në hakmarrjen ndaj serbëve ishte vrar vetëm Vasa, polaku i fushës së Preshevës e jo qysh vërteton Aleksandër Trajkoviqi, se nga forcat shqiptare u vranë katër serbë.

Masakrën në Xhaminë e Poshtme, sipas të dhënave gojore dhe të shumë studiuesve e organizuan:
1.Jagosh Gjuroviqi, kryesori me moshë 45 vjeçare,
2.Zafir Tërrnava, ndihmës i Jagoshit, të dytë nga Reka e Tërrnavës,

3.Sazda i Preshevës, 40 vjeçar,
4.Stanimir Nikoliqi, gërnçari i Preshevës, në shtëpinë e tij përballë Xhamisë ishin vendos shumë kontraçetnikë serbë, për të vrarë shqiptarë të Xhamisë dhe

5.Dushan Presheva, 39 vjeçar.
Në këtë masakër humbën jetën :
1.Rexhep Sherifi , me moshë 50 vjeçare, i Mëhallës së Derrajve të Preshevës,
2.Rifat Kamberi, 42 vjeçar,i Mëhallës së Kamberëve të Preshevës,
3.Ramiz Agushi Doda, me moshë 30 vjeçare, i Mëhallës së Dodajve të Preshevës/vdiq në spitalin e Kumanovës, ka thënë Rexhep Salihu Hoxha, i cili vet e çoi Ramizin në spital/dhe
4.Lutfi Mehmeti, i njohur si Lutë Tuxhari, 49 vjeçar/vdiq në spitalin e Kumanovës/.
Në Xhaminë e Poshtme u plagosën 28 veta, por shënime kemi për këta:
1.Idriz Saliu, 40 vjeç,
2.Mahmut Kurtishi, 32 vjeç,
3.Ibrahim Kamberi, 38 vjeç,
4.Arif Rushiti, 26 vjeç,
5.Jonuz Aliu, 54 vjeç,
6.Qamil Kurtishi, 44 vjeç,
7.Shefqet Agushi, 23 vjeç,
8.Beqir Ahmeti, 54 vjeç,
9.Jahja Veliu, 27 vjeç,
10.Mehmet Boshnjaku, 25 vjeç,
11.Hamdi Jonuzi, 34 vjeç,
12.Alisahit Sadiku, 41 vjeç dhe
13.Halit Ramadani, 13 vjeç
14.Një i familjes së Sahitajve, i Mëhallës së Derrajve.
Për ngjarjen, hedhjen e bombave, masakrën në Xhaminë e Poshtme, studiuesit kryesisht pajtohen se ka ndodhur më 15 shtator të vitit 1943, të gjithë pajtohen se grupi i lartëpërmendur prej 5 kontraçetnikëve, në krye me Jagosh Gjuroviqin e kryen këtë masakër në xhematin e Xhamisë, si dhe të gjithë studiuesit pajtohen se gjatë masakrës u vranë 4 veta, mirëpo kemi një laramani dhe një mospërputhje kur është fjala për të plagosurit.

Duke u nisur nga version i dytë i Këngës së Xhamisë së Poshtme, të cilën e këndon rapsodi popullor, konkludojmë se hedhjen e bombave në xhami e organizuan bullgarët fashistë me kontraçetën serbe, në krye me Jagosh Gjuroviqin dhe se më saktë janë të vrarë në masakër 4 veta dhe 28 të plagosur.

 

Kënga e Xhamisë-versioni I

Ishin mbledhë o, shtat tet shkie
Kishin marr pes litra rakie
N`kafe Tozës jan ul me pi
Kshyr çka thot Jagoshi i zi`e
Ngoni shok e ngoni vllaznie
N`xhami t`eperm na s`guxojm me hie
Aty kan lon disa devrie
N`xhamie të poshtme na me shkue

N`katër on xhamin o, me rrethue
Nga dy bomba more m`i lishue
Njo për t`gjall mos me lon me pshtue
Se çashtu shkit kan veprue
N`xhamie t`poshtme jan drejtue
N`katër on e kan rrethue
Nga dy bomba i kan lshue
Ramiz Doda djal i ri
Deshti bombën me ja kthye
Bomba n`dorë djalit m`i krisi
Të pes gishtat n`tavan ja nxhiti
Kënga e Xhamisë-versioni II

Terri i zi na ka ra,
n’ ket Presheve e n’ ket kaza.
Disa bugar’ me do shki,
n’ kafe t’ Tozes kishin hi.
Tu pi ven’ , tu pi raki,
bajshin llaf per shiptari,
çysh m’ i myt’ t’ ton’ n’ xhami,
kush paj pa e kush paj ni.
– Ngoni kha, ju zapti,
po ju thot Jagoshi i zi.
N’ kater on’ me ndu devri.
Kur t’ vin’ shiptart’ ne’ jaci,
mloni ftyrat me shami,
çitni bombat ne xhami,
Kur u nisen taravit’ ,
ju afrun xhamis’ devrit’ .
Disa bumba i lishun,
me mashinka i ndihmun.
Aty u vrane’ kater vet’ .
U plagosen nizet e tet’.

Në Preshevë “Këngën e Xhamisë së Poshtme”, versionin e parë e këndoi  Shukri Emini i Mëhallës së Hamishëve të Preshevës.
Këngën e Xhamisë, versionin e tretë aktuale për atë kohë dhe shumë të njohur e këndoi edhe Selver Ramadani i Mëhallës së Kajallarëve të Preshevës.
Teksti i “Këngës së Xhamisë së Poshtme”, versioni i III, shënuar nga djali i Selverit, Sylejman Ramadani-Sylki :

Hej, se në Preshevë, çka ka bo vaki,
Ishin mbledh dy tri shki të zi,
Në kafe të Tozës paskanë hi,
Në kafe Tozës paskanë bisedue,

Hej xhamisë poshtme me i mshue,
Se xhamisë së epërme s’po guxojmë me i ra,
se shqiptarët po bojnë devri,
Ky Jagoshi foli, xhamisë së poshtme me i ra,
Se në këtë xhami nuk ka devri,
Po ju thot Jagoshi i zi,
N’katër anët me ndu devri,
Kur t’vin shiptart në jaci,
Hudhni bombat në xhami,
Mloni ftyrat me shami,
Shiptart duhet krejt faru,
Hi e pluhun mej maru.
156.Bisedë me Qazin Abdylin në Preshevë, ndërsa me kamerë e regjistroi Agim Kadriu, më 11 shtator 2015

  1. ALeksandar Trajkovic, Tako su ih ucili, Vranjski okrug u NOB 1941-1945, Zlocini okupatora, Beograd, 1980, f. 17
  2. Po aty, f.35
  1. Sevdail Demiri, Flakadani i rezistencës karadakiane, Kumanovë, 2006, f.65,66

160.Sami Qerimi, Koha e ngritjes, e krenarisë dhe e dhimbjes, Prishtinë, 2011, f.58

161.Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006, f. 92

162.Tefik Jahiu,Gjenocidi serbosllav-maqedonas ndaj Shqiptarëve të Karadakut, Shkup, 2000,

  1. 268

163.Bisedë e Edmond Kamberit me Halit Ramadanin dhe Qazim Abdylin, më 2015

164.Bisedë me Qazin Abdylin në Preshevë, ndërsa me kamerë e regjistroi Agim Kadriu, më 11 shtator 2015

 

 

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch