Home » Opinione » Hiqen taksat për shqiptarët e Luginës – E MIRA ME BISHT…

Hiqen taksat për shqiptarët e Luginës – E MIRA ME BISHT…

Qeveria e Kosovës, ka hequr taksat doganore “për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që hyjnë në Kosovë nga 21 tetor 2013”.

Ky vendim vjen si rezultat i takimit të kryeministri Hashim Thaçi, më 11 tetor, të këtij viti, me liderët e Luginës së Preshevës, i cili ka thënë se “këtë e ka bërë për t’ua lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës”.

Ishte një lajm i mirë dhe i shumëpritur nga shqiptarët e Luginës, të cilët më në fund u liruan nga një haraç i papërballueshëm dhe i panevojshëm të ngrihej mes kufijve shqiptaro-shqiptar.

Fundi – fundit, pse të paguaj shqiptari taksën e sigurimeve për automjete gjatë hyrjes për në Kosovë, në Atdheun e vet, kur diçka të tillë nuk e ka pasur as gjatë kohës së komunizmit titist e as gjatë regjimit të Millosheviqit, madje në asnjë periudhë të sistemeve tona shoqërore.

Po vet fakti, se një vendim i tillë erdhi në kohën e fushatës zgjedhore në Kosovë dhe pengesave të paraqitura me rastin e zbatimit të tij, të lë përshtypjen se një vendimi të tillë i bie erë propagande elektorale. Kësaj propagande po i del boja me konstatimin se Qeveria e Kosovës, do t’ua kompensoj paratë e vjela përmes sigurimeve për automjete, por deri kur nuk dihet, pas 3 nëntorit kur përfundon raundi i parë i zgjedhjeve ose deri në fund të vitit, por jo edhe gjithmonë.

Është e vërtetë se shqiptarët e Luginës së Preshevës, aktualisht janë më keq se sa shqiptarët e tjerë etnik përreth Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk janë bërë për lëmoshë. Ata paguajnë taksa të ndryshme shtetit ku jetojnë në Serbi, pastaj taksa për Kosovën, qoftë gjatë kalimit në kufi, për studime, për shërim etj, sikur t’i kishin shtatë xhepa e nëntë shpirta! Por, atyre u dhemb shpirti e zemra, të paguajnë taksa doganore, në emër të qarkullimit të lirë edhe atë në tokat e tyre të Atdheut të cunguar?!

Po, ironia bëhet edhe më komike, kur pas heqjes së taksës, dalin “bende” të reja, nuk lirohen nga taksa e sigurimeve automjetet me autorizime. Kjo sjell më shumë dilema tek qytetarët: taksat në kufi janë vënë për persona a për makina?!

Shqiptarët e Luginës, të shumtën e rasteve ngasin makina me autorizime: baba – djalit, daja – nipit, burri – gruas, miku – mikut e kështu me radhë. E tashti për tu liruar nga kjo pengesë artificiale, ata duhet t’i bartin automjetet në emër të tyre, për të hyrë në Kosovë pa pagesë. E për t’i dalë në krye kësaj pune, ata duhet të paguajnë në Serbi mbi 100 euro për rregullimin e dokumentacioneve, në të kundërtën ata që kanë makinat me autorizim duhet të shoqërohen nga ata që i kanë blerë ose i kanë peshqesh nga të afërmit e tyre, t’i shoqërojnë deri në kufi për kalim pa pagesën e taksës kufitare.

Nga absurdi në absurd. Kur u mor vendimi për pagesën e taksave kufitare fitonte vetëm Kosova nga bashkëkombësit e tyre, e me vendimin e lirimit të tyre fiton edhe Serbia, ngase shqiptarët duhet ta rregullojnë statusin e makinave me autorizim.

Kështu e ka, kur vjen e mira me bisht! / Jehona Press/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch