Home » Lajme » HUMANIZMI NË ADN-në E DOD DOÇIT TË LURËS

HUMANIZMI NË ADN-në E DOD DOÇIT TË LURËS

1.
Presidenti i Republikës e nderoi me Urdhrin “Nënë Tereza” i Artë ing. Dod Doçin e  Lurës; një humanist i shquar ndërvite; senator i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë (ACABS); në top-listën “100 biznesmenët e mëdhenj të Shqipërisë” (2015); ndërtues me fondet e veta i Kishës së moçme “Shën Maria” në Lurë; një ndër përfaqësuesit simbolik në gene breznish familjare e vetjake i bashkëjetesës e tolerancës fetare në Shqipëri;  ndërtimtar e sipërmarrës në kantiere e hidrocentrale- veprat e dritës dhe në objekte urbane e turistike; veprimtar i njohur atdhetar e kulturor, i mjedisit natyror; i turizmit  malor e bregdetar, i komunitetit katolik në Shqipëri; i proçeseve demokratike e integrimeve eur-atlantike.  Ai ka një jetë – Mision, në Kohën Tonë – Misionar. Vjen nga një Kullë e fisme – Derë e parë në Lurë. Njeri fisnik, shpirtmirë, i kudogjendur. I zgjuar, i ditur. I zoti i fjalës e i punës në udhë e lartësi të kohënave. Gjeneron e rrezaton energji pozitive vizionare praktike për veten e të tjerët. Kjo, siç e cilësoi Presidenti i Republikës Bujar Nishani në ceremoninë e dekorimit, është “AND e tij, e familjes së tij, e komunitetit të tij, e krahinës së tij…”.
 
2.
Dod Doçi e meriton Urdhrin “Nënë Tereza” edhe sikur t’i jetë dhënë vetëm për ndërtimin e Kishës Katolike “Shën Maria” në Lurë, një nga më të bukurat e të veçantat në Shqipëri e gadishullin Ballkanik për nga arkitektura e saj, për nga harmonizimi i kulturave mesjetare e të sotme fetare, për nga mjedisi i kishës dhe i peizazhit natyror alpin turistik rreth saj, etj. Kjo kishë daton kah 1418, por edhe në kushte të ateizmit komunist, ndonëse e mbetur veç në rrënoja, ishte një “vend i shenjtë”për kryerje pelegrinazhi fshehurazi nga besimtarë lurjanë e të viseve përrreth.
Kjo kishë katolike e rindërtuar nga themelet, që mban emrin e Nanës së Krishtit, është rast unikal në historinë panshqiptare, sepse biznesmeni humanist ing. Dod Doçi, si askush tjetër e askund tjetër, e kreu gjithçka vet në sipërmarrjen e tij të veçantë: e bleu tokën (me oborr, fushë, rrugë, për varrezën, etj.); e mori lejen e duhurtek Dioqeza e Rrëshenit e në Seli Metropolite – Kryedioqeza Tiranë-Durrës; ia bani projektin e ndërtimit në Studion e Projekteve të kompanisë së tij “Lura”; e ngriti Kishën e re duke ia ruajtur brenda saj themelet e Kishës së vjetër; punuan aty specialistë të firmës “Lura” e të ndërtimit të kishave; i solli gurët e skalitshëm nga Rubiku i Mirditës, kumonën e madhe të Kishës nga Milano (Itali), etj.; i kreu vet gjithçka iu takonte ceremonive të fillimit përurimit të saj (4 tetor 2014). E caktoi aty kujdestar për Kishën Katolike, me pagesë të kryeme për dhjetë vjet, kushëririn  e tij, muslimanin Sali Doçi.
Në 12 dritaret e Kishës katolike “Shën Maria” në Lurë, e propozuar zyrtarisht për t’u shpall dhe “Monument Kulture”, Dod Doçi  i ka vnue portretet e 12 Apostujve të Krishtit, si dhe brenda saj portrete formatmadh të Papa Klementit XI–Albani, të Papa Gjon Pali II, të  Shenjtores shqiptare Nanë Tereza dhe të Papa Françeskut të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Sistemi ndriçues i Kishës iu jep një bukuri të rrallë gjatë natës. Kjo kishë u përurue në atmosferën e shkëlqyer të Udhëtimit Apastolik të Papa Franceskut në Shqipëri, u përcoll me jehonë në masmedia shqiptare e deri në “Zëri i Amerikës” në Uashington D.C., pati vlerësime të larta nga krerë të fesë katolike e të shtetit shqiptar.
 
 
3.
Dod Doçi e meriton këtë Urdhrin “Nënë Tereza” qoftë dhe vetëm për kontributet e tij sakrificë e sfidë në veprat e mëdha të dritës, në kantieret ndërtimtare në kaskadat e Drinit e të Devollit, në hidrocentralet e mëdha në Fierzë, Koman e Banjë. Ai u rrit në to, me to, për to. Në katër dekada. Ndaj, ai, prejce në rininë e hershme, udhëto me urimin e lashtë: “Rruga t’u baftë dritë”…
Ia ka nisë nga punëtor i thjeshtë në hidrocentralin e Fierzës. Aty e kreu shkollën e mesme pa shkëputje nga puna për teknik ndërtimi. E pata njoft Dod Doçin, herët, nja katërdhjetë vjet ma herët. Kur ai punonte teknik në Kantierin e Prodhimit nr. 2, djalosh mbi 20-vjeçar, mbante detyrën e përgjegjësit të Lavatriçes në Gri. I kishte mbi 400 punëtorë me tre turne, si të thuash një “ndërmarrje më veti”, ku prodhohej rëra për ndërtimin e Digës së Hidrocentralit të Fierzës, një nga digat ma të mëdha në Europë. E gjente kohën për të gjitha: edhe për punën, për shkollën, për t’u marrë me rininë e me veprimtari kulturore e sportive. Ai ishte njeri i energjive e i mundësive, aktiv gjithkund e në lëvizje përherë, në rritje e lartësim. Dod Doçit i erdhi koha të shkonte ushtar në xhenjo (1980-’82) e, aty, të punonte teknik ndërtimi përgjatë ndërtimit të pistave për avionët luftarakë në Aeroportin e Rinasit. U rikthye prapë në veprat e dritës (1980-’85). Kësaj here në ndërtimin e hidrocentralit të Komanit. Ishte në një tjetër sektor të rëndësishëm: teknik ndërtimi tek Laboratori i Betoneve, tek kontrolli i cilësisë së punimeve të Digës së Komanit. Përgjegjësia ishte e madhe, kërkonte përkushtim e ndërgjegje të lartë, e la të shkruar për mirë emrin edhe në këtë vepër të dritës. Prej këtu vazhdoi rrugëtimin e ëndrrës së tij të vjetër për shkollën e lartë. Jeta i mori edhe një tjetër lartësi të re: në auditoret e Universitetit Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Ndërtimit, dega për inxhinier hidroteknik (1985-’90). Ing. Dod Doçi, pas Universitetit, shkoi në Hidrocentralin e Banjës, në Kaskadën e Devollit, në një front tjetër të vështirë e të randësishëm: përgjegjës i Sektorit të Tuneleve të Shkarkimit. 
Pas tri hidrocentraleve Fierzë, Koman e Banjë, në vitin 1992 e ngriti firmën “Lura” Sh.p.k. e, me fuqizimin e saj të gjithanshëm e specializimet e saj disadegëshe, lartësimi  në “Lura Group”, Dod Doçi – ai punëtori i thjeshtë në Fierzë, tekniku i mesëm në Fierzë e në Koman, inxhinier në Banjë, tashti i drejtoi njëkohësisht si pronar e ing. ndërtimin e tre hidrocentraleve lokalë në vendlindjen e tij, në Lurë (Lura 1, 2, 3). Në historinë shqiptare të ndërtimit të veprave të dritës në kohën e djehit e të sodit nuk di asnjë rast tjetër ecurie, lartësimi e shembullimi të tillë, si ky i biznesmenit të sotëm e humanistit të prejkohshëm, Dod Doçi i Lurës.
 
4.
Dod Doçi është një ndër personalitetet shqiptare që e ka vlerësuar lartësisht, shpirtërisht e praktikisht, me besnikëri e kontribute të tij, Shënjtoren e nobelisten shqiptare Nënë Tereza, Qytetare e Botës, e Popujve, e Feve, e Qytetërimeve.
Dod Doçi ishte pjesmarrës në Ditën e Lumturimit të Nanë Terezës nga Papa Gjon Pali II në Selinë e Shenjtë në Vatikan, më 19 tetor 2003, sëbashku me familjen e tij dhe me 50 punonjës të kompanisë së tij “Lura”. E veçantë e mrekullueshme ishte takimi i besimtyarit e humanistit Dod Doçi me Shenjtërinë e Tij Papa Gjon Pali II, që portretin e tij e ka vnue ballor tek Kisha “Shën Maria” në Lurë.
Dod Doçi ishte dhe në eventin tjetër madhor, të mrekullueshëm, në Ditën e Bekuar të 4 shtatorit 2016 kur Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan dekretoi në mënyrë solemne e festive Shenjtërimin e Nënë Terezës, Shpalljen e Saj Shenjtore e Krishtërimit.
Më 26 prill 2016 Shenjtëria e Tij, Papa Francesku priti në audiencën e Tij në Selinë e Shenjtë në Vatikan Dod Doçin, shqiptarin atdhetar nga Lura, biznesmenin bajemirë të kompanisë “Lura” në Tiranë, veprimtarin kombëtar panshqiptar. Në shtatorin 2014, kur Papa Francesku ishte për Vizitë në Shqipëri Dod Doçi ishte pjesmarrës i vlerësuar, elitar, në ceremonitë protokollare në Tiranë.
 
 
5.
Trungu familjar i Dod Doçit, i njohur në shekuj si Dera e Parë e Lurës, me atdhetarë të shquar përkrah Skënderbeut e në të gjitha etapat e luftërat historike kombëtare, i kanë dhënë botës një shembull të lartë të bashkëjetesës e tolerancës fetare.
Lura shquhet me shembullin e saj, ku nën një kulm e në breznitë e tyre bashkëjetojnë katolikë e muslimanë.
Këtë fakt e pohojnë albanologë, politikanë e studiues shqiptarë si Edith Durham, At Loro Mihaçeviq, Nikollë Kaçorri, Fan Noli, akademik Mark Tirtja, dr. Nikollë Loka, etj.
 
6.
Me humanizmin e tij bajemirë biznesmeni filantrop Dod Doçi ka ndihmuar në mbi 1.000 raste njerëz në nevojë për shpenzime spitalore, për studime, për nevoja bamirësie të ndryshme, nga të cilat mbi 400 raste përbëjnë ndihmat me bazë materiale ndërtimore e fonde për ndërtim të shtëpijave, kryesisht të lurjanëve në Lurë, në Durrës, Tiranë, etj.
Gjithashtu, Dod Doçi ka dhënë kontribute financiare në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare në Tiranë, për veprimtari me karakter lokal në Tiranë, Lurë, Dibër, Durrës, Lezhë, Shkodër, etj., në botimin e librave me interes kombëtar, etj.
 
 
7.
Presidenti i “Lura Group”, Dod Doçi ka dhënë kontribute me veprat e bukura urbane e ato të turizmit malor e bregdetar. Ai është një ndër investitorët e mëdhenj privat në Gjirin e Lalëzit duke ngritur aty Fshatin turistik “Lura 1, 2, 3…”, një fshat model, elitar, i rrallë. Gjithnjë e ma i bukur po bahet për vizitorë, pushues e banorët e tij. Një pasuri kombëtare turistike. Vilat gjithfarëshe e gjelbrimi i pishave të krijojnë imazh sikur Lura e tij malore turistike ka ardhë në bregdetin turistik të Durrësit. Ai ka kryer investime të tjera në zona turistike, si Dy Kullat në qytetin e Lezhës, rezidencë pesëkatëshe banimi e biznesi në Linzë– njësia administrative e Dajtit malor në Tiranë; Dy kullat tek “Komuna e Parisit” në Tiranë, pallat tek Sheshi “Willson” në Tiranë, etj.
Dod Doçi ka dhënë kontribute të mira për mjedisin natyror, duke ndihmuar mbi dyqind aktivistë të shoqërinë civile nga Tirana etj. në pyllëzimet në Parkun Kombëtar të Lurës, në qershor 2016, ku dhe vet mori pjesë familjarisht duke mbjellë pemë.
 
8.
Dod Doçi është vlerësuar edhe nga vendlindja e tij, si një nder figurat emblematike të Lurës, si njeri i humanizmit.  Më 24 maj 2015, në Ditën e Festës të Shën Kollit, iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Lurës, i krahinës, ish-komunës të Lurës. Ai, nga ACAFS,  është nderuar edhe me Çmimin “Pjetër Bogdani”.
Para një viti, në korrik 2016, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, një nga bashkitë ma të mëdha në Shqipëri, i dha titullin “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”. “Një shembull i njeriut të sukseshëm në një shoqëri të nismës së lirë; që u ka mbijetuar ndryshimeve në vite; tek i cili janë bashkuar besimi në fuqinë e konkurencës; zotësia për të projektuar ide afatgjata dhe solidariteti humanist ndaj njerëzve në lidhje të drejtpërdrejtë dhe ndaj bashkësive ku vepron”.
Sivjet, këto ditë, dekorimi i tij nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nënë Tereza” i Artë është një nga ngjarjet e arta të jetës të Dod Doçit. I nderuari të nderon dhe Dod Doçi është një nga humanistët që e meriton këtë dekoratë të lartë.
Kjo dekoratë e lartë që iu dha ing. Dod Doçit vjen e katërta, pas atyne: Urdhri “Flamuri Kombëtar”, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” e “Nderi i Kombit”. Jepet rrallë e në raste të veçanta meritore, si për shqiptarët e për të huajt, për individë e instuticione. Vjet u ndanë dhjetë dekorata “Nënë Tereza”, sivjet – në këta gjashtë muaj – tre të tilla. Dod Doçi meriton secilën nga dekoratat, urdhra e tituj që ndan Presidenti i Shqipërisë, po ky Urdhër me emrin e Shenjtores e Nobelistes Nënë Tereza është më i gjeturi, i shkon fort për shtat, i rrinë krejt mirë. Sigurisht, kryeherit, para dy dekadash, kjo dekoratë nuk u krijue enkas për ing. Dod Doçin, por duket sikur Dod Doçi ka lindur për ta marrë me meritë e krenari edhe një dekoratë të tillë, që të lartëson e të frymëzon, me një peshë të madhe lavdie e përgjegjësie.
Ramiz LUSHAJ
Nikollë LOKA

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch