Home » Lajme, Opinione » Humbjen dërrmuese të PD të Shqipërisë e kishte paralajmëruar Skënder Kapiti që me 10 Dhjetor 2013

Humbjen dërrmuese të PD të Shqipërisë e kishte paralajmëruar Skënder Kapiti që me 10 Dhjetor 2013

Nga av. Ilir Malindi, Durrës

Me 25 Qershor 2017 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Ajo e cila ishte e pabesueshme për opinionin ishte humbja e thellë dhe e paparishikueshme e opozites se Partisë Demokratike, si humbja më e thellë e saj në historinë e pluralizmit shqiptar.

Mirëpo opinionisti, analisti dhe studiuesi i politikës  Skënder KAPITI e ka paralajmëruar këtë humbje të PD-së me 10 Dhjetor  2013 në një shkrimin e tij të botuar në gazetën “bulevard”. Në këtë shkrim ai paraqet shkaqet dhe autorët që e rrënuan Partinë Demokratik të cilat e cuan atë në humbjen e vitit 2013, por që e parashikoi se edhe në të ardhmen Partia Demokratike nuk do të jetë në gjëndje për t’u ringritur por që do të humbiste edhe më thellë, gjë e cila edhe realisht ndodhi.

Ja dhe shkrimi i tij botuar  me 10 Dhjetor 2013, ku analisti Kapiti e paralajmëronte një gjë të tillë , në shkrimin me titull”

“Mashtrimi, tradhëtia dhe korrupsioni ishin “virtytet” e këtij tranzicioni” ( dominuar nga Partia Demokratike, 10 Djetor 2013, gaz. “bulevard”.)

Pas rënies së komunizmit shpresuam se rruga për në demokraci ishte e lehtë , po në fakt ky tranzicion na ka zhgënjyer shumë se nga ato me të cilat po përballet shoqëria jonë deri më sot më shumë tregojnë se ne kaluam nga sketerra komuniste në një farë “ barbarie”demokratike.

Ndoshta kjo fjala barbari do të duket jo e përshtatshme duke pasur parasysh atë se çfarë kuptimi ka ajo si terminologji klasike, po atëhere çfarë mund t’i themi ne demokracisë spekulative e keqfunksionale të këtij tranzicioni që na ka dhënë një produkt të një shteti të rrënuar dhe një shoqëri të korruptuar.

Kësaj, a edhe mund dhe t’i thuhet një barbari moderne teknologjike, një civilizim i përciptë dhe i përshpejtuar që më shumë po na kërcënon, konflikton dhe po na mjeron.

Dhe çfarë mund të themi kur “përzgjedhja” demokratike na vë në krye të punëve si një ishkryeministër, në drejtim të parlamentit, në drejtim të elitave pluro- gjithfarëshe, në administratë, polici, gjyqësor, mësimdhënie etj; pra në drejtim , ku të na qeverisin injoranca, ruralokultura,  mendësia krahino- kanunore, nepotizmo-klientelizmi dhe ryshfeto-korrupsioni.

Këto pasoja që po i  citoj më poshtë si: korrupsioni, papërgjegjshmëria, vjedhja, tradhëtia e interesave kombëtare dhe xhambazllëku me to dhe me pasuritë kombëtare, pandjesia humane, rrënimi i vlerave e monumenteve historiko kombëtare, degradimi dhe rrënimi i territorit  dhe ndotja e tokës ,pyjeve , ujrave etj.; betonizimi i pasurive dhe plazheve e zonave turistike dhe të bukurive natyrore, degradimi i arsimit dhe shëndetësisë etj.

Po ajo çfarë do të ishte mjaftueshëm si argument është fakti se në aspektin më të ndjeshëm dhe me të dhimshëm , në atë të humbjeve të jetëve njërëzore për shkaqe të emigrimit për një jetë më të mirë, të humbjeve njerëzore në ngjarjet e vitit 1997, për shkaqe hakmarrjeje e vetëgjyqësie, për motive pronësie, aksidenteve automobilistike e te tjera, bilanci i tranzicionit është më negativ se sa ai i dënimeve dhe ekzekutimeve të komunizmit , duke të krijuar pa egzagjerim  imazhin e bilancit të një lufte civile.

A nuk përbëjnë këto  dhe a nuk janë këto pasoja barbarie që kanë për shkaktarë  politikën dhe keqpushtetin barbar  të papërgjegjshëm dhe të pandëshkuar të këtij tranzicioni.

Dhe prandaj dhe ndëshkimi i merituar dhe i rëndë i PD-së, tregoi se vota popullore pati domethënien e një përmbysje të vërtetë demokratike,  gjë që ndodh atëhere kur zullumi, padrejtësia, korrupsioni e tradhëtia  kombëtare, varfëria, papunësia, krimi etj.,  pushtojnë pushtetin e diktaturës dhe ato të regjimeve partiake siç ndodhi me regjimin diktatorial komunist  e po ashtu dhe me regjimin partiak pd-ist.

Ky ndëshkimi i ashpër me votë të lirë i PD-së tani në 2013-ën vertetoi se dhe herën e parë në vitet 1997 rënia e regjimit Berisha 1 me revoltë të armatosur popullore  pothuaj po për këto arsye e justifikon atë revoltë dhe se edhe ajo paska ardhur si meritë për një pushtet autokratik e të korruptuar të atëhershëm e që u përsërit dhe nuk u korigjua as herën e dytë në qeverisje, po vetëm sa e përkeqësoi dhe më tepër akoma vëndin dhe shoqërinë, po që nuk shpëtoi pa u degraduar  rëndë dhe vetë Partia Demokratike.

Në demokraci është korrupsioni kryesisht ai ndaj të cilit  vota popullore ndëshkon pushtetin, pasi dhe në  vitin 2005 ishte shkalla e lartë e korrupsionit për të cilën u ndëshkua keqqeverisja e majtë e F. Nanos Kryeministër.

PD si forcë politike e ekspozuar si demokratike,  me 23 qershor 2013 ju hoq kjo maskë si dhe mashtrimi si e djathtë, pasi si me vetëveten e saj (me anëtarësinë e vet) dhe me tërë shoqërinë pati marrëdhënie djallëzie dhe të pasinqerta si një parti me demokraci pseudodemokratike dhe spekulative që tradhëtonte si interesin publik e atë kombëtar, e që montoi një sistem korruptivo-autokrat, klientelist, krahino-farefisnor, antisocial e kundërcivilo-intelektual .

Për pasojë nga ky sistem erdhi krijimi i një realiteti të rëndë e të zymtë që korruptoi demokracinë, drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë e që në mënyrë të pashmangshme çoi në rënien e tij, në vetëkonsumimin dhe dështimin politik të PD-së, gjë e cila se sa ashpër u ndëshkua ishte e çuditshme dhe e pabesueshme vetëm për elitën e papërgjegjshme dhe hajdutokrate të  ish-pushtetit pd-ist që nxori në ankand  edhe vlerat e pasuritë kombëtare per “një euro”.

Me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe me vendosjen e sistemit pluro-partiak u duk se pas persekutimit gjysmëshekullor do të fillojë të rilindë e Djathta Shqiptare, gjë të cilën e mori përsipër si e tillë Partia Demokratike.

Por koha tregoi se lidershipi i saj, ishkomunisti i zellshëm ,Berisha, pasi e uzurpoi dhe e pronësoi  të djathtën e përdori  hipokrizinë antikomuniste të tij  si maskë mashtrimi për të siguruar votat dhe pushtetin e madje edhe duke mashtruar dhe ndërkombëtarët se PD-ja mbante dhe flamurin e demokratizimit të vëndit dhe të integrimit.

Keqpushteti, PD-në e diskreditoi si parti të djathtë pasi vetëm e tillë nuk ishte dhe nuk kishte as filozofinë dhe as prakticizmin e të Djathtës  në lidhje me vlera të tilla si: trashëgiminë dhe traditën , me konstitucionalizmin, me pronën, me “lirinë nën ligj”, me barazinë në votë, as në tolerancën kundër konfliktit, as me përparimin intelektual, as me debatin dhe as me personalitetin kundër pengesave të individit për të arrirë talentin dhe të mirën etj.

Si filozofi dhe praktikë lidershipi apo elita politike e PD-së tregoi se kishte marrjen e pushtetit me çdo mjet për të siguruar sundim , autoritet , pasuri e para . Për ditë po faktohet se ishLidershipi i PD-së dhe shpura drejtuese politike e saj dhe e pushtetit të saj paskan punuar si një skalion e detashment kriminal e korruptiv i pashëmbullt ku si lubrifikant i funksionimit të shtetit dhe shoqërisë paska qënë korrupsioni, grabitja e vjedhja e parasë publike dhe e pasurive private e kombëtare, mosfunksionimi i drejtësisë dhe i shoqërisë dhe ndërtimi i një sistemi mirëfunksional  piramidal korrupsioni, evazioni fiskal, vjedhje, bixhozi etj.

Partia Demokratike ka funsionuar si një strukturë partiake regjimi ku së pari vigjëlohej e survejoheshin antarët e saj dhe zbulimi i elementëve të dyshimtë po që ishin potencialisht të papranueshëm dhe të dëmshëm për liderin e PD-së që vuante nga deliri i madhështisë dhe kompleksi i inferioritetit.

Mashtrimi i të djathtës dhe korrupsioni në pushtet e ka kunsumuar së tepërmi PD-në sa që pa ndonjë ndërmarrje për një transformim të thellë , rrenjesor dhe total nuk mund të bindë më se ajo mund të prodhojë alternativë bindëse , dhe se zbatimi prej saj i Platformës Katovica  i ka hipotekuar politikës dhe pushtetit të PD-se deri edhe autorësinë e tradhëtisë ndaj desidencës antikomuniste dhe ndaj të djathtës, dhe fakti se në zgjedhjet për kryetar Bashkie në Korçë e thelloi humbjen në krahasim me ato parlamentare të 4 muajve më parë do të thotë se  tatëpjeta e saj vetëm sapo rritet.

Për antarësinë e PD-së tashmë është bërë e qartë loja dhe spekullimi që kanë bërë sëra hajdutokratike e qeveritarëve të saj dhe xhambazllëku politik me vullnetin e votuesve të saj, pasi nuk ka se si të  lexohen ndryshe akrobacirat e pandershme politike të liderit të saj, Sali Berisa, që herë i dëbonte e më pas i afronte dhe joshte me poste ministrash e me të tjera, individë të tillë si me A.Imamin e N. Cekën, me  G. Pollon, F.Xhaferrin e Selamin, me Shehi-Shehun  Dashamir e Tritan që janë plakur politikisht e të lodhur nga ecejaket politike sa poshtë –lart herë majtas e herë djathtas siç bënte dikur Mao Ce Duni me të “riedukuarit “ e me “pishmantarët”.

Nuk mund të lexohet ndryshe dhe kualicioni me vetmitarin republikan Fatmir Mediu të tragjedisë së Gërdecit dhe me LSI- në, thjesht vetëm për interesa pushteti dhe më pas vjen amoraliteti se dëgjon nga goja e ishministrave të PD-së se: i humbëm zgjedhjet nga korrupsioni i LSI- së  me të cilën bashkëqeverisën , dhe kulmi i asaj që verteton se lideri i PD-së e  ka parë dhe konsideruar PD si pronë private të tij ashtu si dhe shtetin, për faktin se ai u dha tre mandate nga të PD-së tre ishdeputetëve socialistë vetëm për faktin se vota e tyre e mbajti atë në pushtet edhe dy muaj.

Dhe merre me mend se çfarë tjetër është luajtur me votën dhe me vullnetin e antarëve, simpatizanëve dhe votuesve të PD.

Tani është bërë e qartë se dhe i ashtuquajturi KOP (Komiteti i Orientimit te Politikave)u fabrikua vetëm për të promovuar Bashën dhe miqtë e tij dhe të familjes së tij kryeministri, duke rekrutuar  njerëz pa kontribute në parti vetëm e vetëm për t’ua lënë atyre  trashëgim  partinë.

Dhe kjo ndodhi pas ngjitjes galopante të Bashës në qeverisje dhe në Parti ,  dhe PD  ra në dorë të tij, pavarësisht, se tek njërëzit e vetë  PD-së e kanë perceptuar si të dyshimtë mënyrën se si u promovua dhe u katapultua ai në funksionet me të larta të pushtetit e të politikës në PD, ky Luli i padëgjuar e i vogël dhe i lehte politikisht.

Mirëpo pas humbjes së thellë të PD-së ne Qershor 2013 skalionistët halabakë dhe hajdutokratë , ishservilë e puthadorë të liderit “historik” të tyre filluan të “trimërohen” e të hedhin valle si minjtë kur largohet macja.

Basha nuk ka autoritetin së bashku me të tijët  dhe as vizionin, talentin dhe as mbështetjen për një rilindje të së djathtës , po  nuk e kanë një gjë të tillë as anti-Bashët  me kompani,  sepse të dy palët janë tejet të diskredituar e të ndëshkuar nga populli, ata jane edhe autoret e humbjes katastrofike të vitit 2013 e qe prej tyre vetëm sa do të degradojë e të shkërmoqet edhe me shumë PD-ja në të ardhmen.

Edhe ata që sot i kundërvihen Bashes tregojnë amoralitetin e tyre politik  tani  sepse dikur, në qeverisje, ata ishin dakord me të ,edhe  pse e dinin dhe që tinëzisht punonin  thashatheme po që më së shumti dhe  të vërtetat që përhapnin që Luli edhe publikisht të  perceptohej si  manipulator, falsifikator  dhe fabrikues i dosjeve të luftëtarëve të UÇK, e dinin për korrupsionin me rrugën e kombit, e dinin për marrëveshjen me Greqinë për ujrat territoriale, e dinin dhe  ata ishin bashkëpunëtorë për vjedhjen e mandatit të Bashkisë për Tiranën, e dinin dhe për dhunën dhe vrasjet e protestuesve paqësorë të 21 Janarit 2011, edhe  e dinin dhe ishin edhe dakord për korrupsionin tragjik  shtetëror të ishministrit republikan Mediu;  dhe kjo tregon se ata janë po si ai, e ndoshta dhe më të diskredituar dhe më hipokritë se ai, dhe se të dy palët rivale në PD janë po ai bulmet i përgatitur në të njëjtin stan e që keqqeverisën së bashku.

Edhe ta zëmë se ato me të cilat i adresohen Bashës si akuza të mos ishin të verteta të bëra jo vetëm nga kundërshtari politik ,po dhe nga opinioni qytetar, media etj., minimalisht as që duhet jo vetëm që Basha të zgjidhej kryetar i PD po ai nuk duhej ta pranonte kandidimin e tij duke qenë tepër i perceptuar negativisht në opinion  publik dhe më gjërë, e që i ka shtuar imazhin e keq PD .

Kjo erdhi si pasojë e moskompetëcës politike , e mosegzistencës së lirisë demokratike në PD, si dhe të determinimit antidemokratik, autokratik të një hierarkie korrupsioni në keqfunksionimin jasht statutor të një partie pseudemokratike që e ka çuar PD në një apati  letargjike politike të gjatë.

Të dy grupet “rivale” kanë si të përbashkët trashëgiminë servile të bindjes deri në nënshtrim ndaj ish kryetarit të tyre, të korrupsionit e të spiunimit për njeri tjetrin tek kryetari,  që këto kryesisht përbënin dhe meritokracinë politike, morale dhe intelektuale të tyre pa harruar atë më të madhen, korrupsionin , dhe  po pa harruar dhe tjetrën se humbjen e thellë po ja faturojnë “tradhëtisë “,  e ” blerjes” së votave nga  LSI, dyshes së bashkëkryetarëve të PS-së me LSI , po që natyrshëm vjen çudia se sa shpejt harruan dyshen e bashkëqeverisjen e bashkëkryetarëve të PD me LSI vetëm para një viti ; humbjen e zgjedhjeve mundohen që  t’ja faturojnë popullit mosmirënjohës dhe shteteve të demokracive perëndimore.

Këtyre dy grupeve rivale u është grisur dhe karta morale dhe janë politikisht amoralë dhe hijena krimi, korrupsioni e tradhëtie kombëtare, janë pasberishistë dhe asgjë më shumë, ashtu siç ishin pas ramizaliistë Nano e Berisha  dhe të gjithë pothuajse kryetarët e pluripartitizmit , siç ishin aliistët pas hoxhistë , gligorovët e millosheviçët pas titistë, brezhnjevistët pas stalinistë ,lionilieskët pas çausheskistë, tenhsiaopinët pas maoistë dhe pasuesit komunisto-dinastiste paskubano-fidelkastristë dhe verioro-koreanët komunistë.

Ashtu si këto dy grupe grindavece po ashtu dhe të “rikthyerit” e pishmanuar,  kryetarët  e partizave satelite e derivate të PD-së që ju lëpinë ishpersekutorit të tyre për të fituar ndonjë llokmë pushteti e deputeti në prag  të agonisë politike të tyre.

Këto e të tjera  nuk bindin më askënd për ndonjë alternativë pasi ata janë diskredituar dhe të konsumuar aq shumë sa nuk mund të fabrikojnë më as alibira dhe as mashtrime e gënjeshtra.

Aktualisht e ndërsa PD ka degraduar, po partitë e djathta tradicionale si  “ Balli Kombëtar”e “ Legaliteti” janë inegzistente ose identifikohen vetëm me kryetarët vulëmbajtës bashkë me ca kryetarë manipulatorë shumëshoqatash të të persekutuarve politikë dhe të atyre të partive patriotiko- emocionale momentale  thjesht sa për garnityrë kualicioni me qëllimin e vetëm që vulëmbajtësit kryetarë të sigurojnë ndonjë mandat deputeti apo dhe ndonjë vëndstrehim te pushteti për të vjedhur e grabitur dicka edhe ata.

Të gjithë këto që përmënda më lart janë njëlloj dhe në qëndrimin hipokrit e djallëzor me SHBA, për të cilën deklarojnë dashuri, respekt e mirënjohje false po që alibia e tyre me rrezikun kimik për demontimin e armëve të regjimit të Asadit të Sirisë ua grisi atyre edhe maskën  e proamerikanizmit . (bulevard, 10 12 2013)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch