Home » Lajme, Rajonale » “IDEOLOGU I PUTINIT” DHE FILOZOFI MË I RREZIKSHËM NË BOTË: Kush është Aleksandar Dugin dhe ç`kërkon në Maqedoni?

“IDEOLOGU I PUTINIT” DHE FILOZOFI MË I RREZIKSHËM NË BOTË: Kush është Aleksandar Dugin dhe ç`kërkon në Maqedoni?

“Ideologu i Putinit”, “truri i Putinit”, “Rasputini i ri”, për filozofin Aleksandar Dugin flitet se ai thotë atë që Putin e mendon. Për të theksuar ndikimin e tij në politikën e jashtme të Rusisë, e quajnë edhe njeriu që sundon nën hije.

Dugin është nacionalist ekstrem rus dhe teoricien i konspiracionit të imperializmit rus, një kritik i ashpër i liberalizmit. Profesor i sociologjisë në universitetin shtetëror me renome të Moskës Lomonosov, shkrimtar i njohur, këshilltar i figurave kyçe politike dhe ushtarake të Rusisë dhe zëdhënës i filozofisë nacionaliste të Kremlinit.

Ndër pikëpamjet e tij kundërthënëse janë edhe qëndrimet antishkencore, shpesh bën thirrje që të ndalohen investimet në shkencë, fizikë dhe kimi, gjithashtu mendon se duhet të ndalohet edhe interneti. Për të shkruajnë se është filozofi më i rrezikshëm në botë.

Dugin mendon se liberalizmit po i vjen fundi. Sipas tij, SHBA-të janë udhëheqëse të liberalizmit dhe ofrojnë liri individuale dhe konkurrencë në treg, por beson se liberalizmi po përjeton krizë fatale. Ai shkon një hap më tej dhe thotë se liberalizmi është sjellë në një fazë ku tenton që t`i lirojë organet e tjera të trupit nga truri, duke aluduar në qëndrimin e vendeve të lira ndaj komunitetit LGBT.

“Liberalizmi insiston në lirimin nga të gjitha format e identitetit kolektiv. Ky është thelbi i tij. Liberalët kanë çliruar njeriun nga identiteti nacional, identiteti fetar dhe kështu me radhë. Lloji i fundit i identitetit është përkatësia gjinore”, mendon ai.

Dugin angazhohet për një parti të re hyjnore. Sipas tij Putin është absolut dhe i pazëvendësueshëm.

Gjatë fillimit të konfliktit ruso-ukrainas në vitin 2014, Dugin propagandoi aneksimin e gjithë territorit ukrainas, që më parë ishte pjesë e Perandorisë Ruse, madje bëri thirrje për gjenocid në Ukrainë. Për këtë arsye atij i është ndaluar hyrja në SHBA.
Ai është një mbështetës i presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fitoren e Donald Trump e priti me entuziazëm.

“Edhe pse është i vështirë dhe i vrazhdë, Donald Trump e thotë atë që mendon, ai është zhgënjyes, emocional dhe padyshim i sinqertë. Fakti që ai është një miliarder nuk do të thotë asgjë. Ai është ndryshe. Ky është një amerikan jashtëzakonisht i suksesshëm dhe i zakonshëm. Për ne fitorja e tij është gëzim, është fat. Duhet ta kuptoni se Trump e konsiderojmë si një Putin amerikan”, ka deklaruar Dugin për gazetën amerikane The Wall Street Journal.

Aleksandar Dugin themeloi Lëvizjen Euroaziatike Ndërkombëtare në vitin 2001. Është një organizatë që promovon bashkimin e ish-territoreve sovjetike në një tërësi të vetme kulturore dhe civilizuese.

“Euroazia është territori i Perandorisë së vjetër Ruse ose Bashkimit Sovjetik. Ne mund ta quajmë edhe Rusia e Madhe”, thotë Dugin.

Në Lëvizjen Euroaziatike Ndërkombëtare i është bashkuar edhe Leonid Savin, të cilin sot e ka bashkëpunëtor të ngushtë.

Dugin dhe Leonid Savin gjatë ditëve të kaluara ishin në Serbi, ku shpesh janë të pranishëm. Atje ata mbajtën disa leksione dhe promovuan librin e tyre “Luftërat e rrjetit”, ku shkruajnë për metodat e reja të luftës, pa përplasje të armatosura.

Shpesh ata paralajmërojnë se Kisha Ortodokse Serbe është e rrezikuar, kurse kësaj radhe ata paralajmëruan se Amerika është duke zhvilluar luftë rrjeti. Lufta e rrjetit, sipas tyre, përfshin ndikimin në sistemin e vlerave, shkaktimin e krizave dhe destabilizimin e shteteve. Sipas tyre, rolin kryesor në këtë luftë e kanë rrjetet sociale.

Çka i lidh ata me “Maqedoninë e bashkuar”? Kjo është një parti që në fillim të vitit u ripozicionua në një opozitë proruse, sipas shembullit të “Rusia e bashkuar” të Putinit. Më herët quhej “Lëvizja Popullore për Maqedoninë. Kryetari i saj vazhdon të jetë Janko Baçev. Deri në vitin 2012 ajo mori pjesë në zgjedhjet parlamentare në koalicion me VMRO-DPMNE-në, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, pas 12 vjet pjesëmarrjeje në koalicion, doli e pavarur.

“Maqedonia e bashkuar” („Единствена Македонија“ ) në muajt e fundit me anë të njoftimeve për publikun i bëri apel qeverisë që t`i ndërpres negociatat për emrin dhe të riorientohet nga NATO dhe BE në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik. Partia gjithashtu paraqiti kërkesë në Kuvend për tërheqjen e akteve të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Prania e Dugin dhe Savin në Maqedoni mund të kuptohet si qëllim i Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në vend./Përgatiti Tetova News

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch