Home » Kulturë » In memoriam: Alexandru Tocilescu – REGJIZOR I FAMSHËM RUMUN ME PREJARDHJE SHQIPTARE

In memoriam: Alexandru Tocilescu – REGJIZOR I FAMSHËM RUMUN ME PREJARDHJE SHQIPTARE

U nda nga jeta regjisori i madh rumun, me origjinë shqiptare Alexandru Tocilescu. Vdekja e tij arriti në dhjetëra gazeta botërore, ndër të cilat “The Washington Post”, “The New York Times”, Boston.com, “Seattle Intelligencer” dhe “Forbes”. Regjisori që mburrej se përmes gjyshes së tij në damarët e tij qarkullon edhe gjaku shqiptar, pati një karierë pothuajse 40 vjeçare. Alexandru Tocilescu, mbante si medaljon gjatë gjithë kohës, një medaljon të shoqërisë shqiptare të “Bukureshtit”, me të cilën mburrej sa herë kishte rastin të jepte shpjegime para shtypit dhe gazetarëve televizivë kureshtarë.

 Vdiq pas një ataku kardiak, në spitalin Floreasca të Bukureshtit, deklaruan mjekët. Toçilesku ishte ai që “e kishte kuptuar teatrin si një vokacion të përditshmërisë, si një formë të privilegjuar të dialogut me jetën dhe me problemet e historisë”, ka theksuar presidenti i Rumanisë Traian Basescu në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes së këtij regjisori të shquar të teatrit modern rumun dhe europian.

“Ishte një flakë e gjallë që u dogj për teatrin”, shkruan Washington Post, duke cituar cotidianul.ro.  Kam patur fatin ta njoh para 15 vitesh në oborrin e shtëpisë së zonjës Sofika Milkani (tashmë 90 vjeçare), e cila flet shqip dhe e mban mend Asdrenin, të cilin e ftonte për drekë në shtëpinë e saj, para 70 vitesh, kur ishte nuse e re 20 vjeçare, bashkëshortja e tregtarit patriot, Teodor Milkani, me origjinë drenovare. “Së paku me artistë rumunë kemi një shëmbëlltyrë të mirë në botë”, thekson një gazetar rumun, në kohën kur shtypi shqiptar dhe Televizioni i Tiranës i ka qitur në harresë bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, disa që kanë vdekur dhe disa që janë gjallë, siç janë Dr. Xhelku Maksuti, Dr. Nicolae Anastasiu (nip i sekretarit të Shoqatave Drita, Shpresa dhe Bashkimi, Rafail Anastasiu), apo një mik tjetër i madh i shqiptarëve, albanologun Grigore Brënkush (rum. Grigore Brâncuş).

Duket se diplomatët e demoduar, me formim komunist, i kanë zëvendësuar interesat nacionale me interesa personale. Meqë jemi duke e qëndisur një nekrologji, do të duhet të gjejmë tjetër herë kohë për t’u marrë seriozisht me ata.  Dua të përmend ambasadorin Fran Çukaj apo ministër-këshilltarin e Ambasadës sot, Dr. Luan Topçiu, një personalitet kulturor, që digjeshin e digjen për shqiptarët dhe Shqipërinë. Aleksandër Toçilesku kishte gjak, karakter, mentalitet, fisnikëri dhe prejardhje rumuno-shqiptare, siç kishte edhe aktori i madh Niku Konstantin, poeti Çezar Ivanescu e shumë të tjerë. Komuniteti shqiptar në Rumani është dalluar gjatë gjithë historisë së këtij komunitet intelektualësh dhe njerëz të kulturës.

Gjatë karrierës së tij ka vënë në skenë dhjetëra produkcione në Tatrin e famshëm Bulandra të Bukureshtit, në Operën Rumune dhe teatro të tjera. UNITER-i i ka akorduar tre çmime të rëndësishme për aktivitetin e tij. Përveç veprave të shkruara nga dramaturgu më i madh klasik i këtij vendi, Ion Luca Caragiale (Jon Luka Karaxhiale, edhe ky me origjinë shqiptare), Aleksandër Toçilesku ka qenë i njohur për produkcionin e tij me Hamletin, në Londër dhe Dublin, më 1990, një vit pas revolucionit antikomunist të Rumanisë. Spektakli i tij i fundit ka qenë “Mbarimi i lojës”, të Samuel Beckett-it në Bukuresht, më 2009. Me largimin e Alexandru Toçilescu-t nga jeta, teatri rumun dhe ai europian humbën një artist të përmasave të mëdha, një provokator të risive artistike, një talent të befasive të mëdha.

Regjisori Alexandru Tocilescu ka lënë pas tij një djalë, shkrimtarin Alex Tocilescu, autor i një reportazhi të mirë për Kosovën, të cilën e ka vizituar dhe për të cilën ka shkruar me admirim, duke ua përkujtuar rumunëve se Kosova është një vend që përparon dhe shkon nga drita drejt dritës. (Baki Ymeri)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch