Home » Opinione » In memoriam (Lapidarit)

In memoriam (Lapidarit)

Shkruan: Nehat Hyseni

Para një viti, pikërisht  në mëngjezin e hershëm të 20 janarit 2013, u hoq në mënyrë spektakulare nga forca të shumta të  xhandarmerisë së Serbisë, të armatosur deri në dhëmbë me armatimin dhe pajisjet  më moderne, Lapidari i UÇPMB-së nga platoja në qendër të qytetit, përballë Kuvendit komunal të Preshevës.

Ky Lapidar i dëshmorëve  të UÇPMB-së ishte vendosur në fund të nëntorit të vitit 2012 nga kryetari i Kuvendit komunal të Preshevës, z. Ragmi Mustafa, pa bërë mundimin e administrates komunale të cilën ai e udhëheq, që të siguroj dokumentacionin përkatës dhe sigurimin e lejes, që ishte në kompetence të saj. Përkundrazi, kjo punë ishte bërë thuajse në ilegalitet të plotë. Madje, pa i njoftuar fare as partite politike shqiptare të Preshevës dhe Bujanocit e Medvegjes.

Mbajtja në “konfidence” të plotë të kësaj pune ishte bërë, siç u konstatua më vonë, me qëllim që të mos ndahej “nami” me të tjerët, por të kapitalizohej vetëm nga kreu i komunës z. Mustafa.

Por, meqë më vonë puna shkoi keq me pushtetarët e Serbisë,  kryeministri Daçiq dhe zëvendëskryeministri Vuçiq, të cilët bënin gara midis veti, si rivalë politikë që janë, se cili prej tyre do të jetë më i ashpër dhe më “trim” në kërcnimet dhe kanosjen për heqjen e Lapidarit.

I zënë “pisk” nga trysnia e egër e pushtetit serb, z. Mustafa ishte mbështetur “për muri” dhe kuptoi se rreziqet nga veprimi i pamenduar dhe hileqarë i tij, ishin më të mëdha se sa poenat e lirë politikë në të cilët ai llogariste.

Prandaj, deshti nuk deshti, ai iu drejtua partive dhe subjekteve të tjera politike shqiptare të Luginës për mbështetje dhe ndihmë “vëllazërore”.

Rëndësia e madhe e Lapidarit dhe simbolika  e tij i bënë të gjitha partite politike shqiptare të bashkoheshin dhe të bëhen unikë, duke ia falur (përkohësisht) hiletë dhe pretendimet aspak të sinqerta të tij.

Dhe sa më tepër që shtoheshin kërcënimet e Daçiqit dhe Vuçiqit, të cilët bënin garë të paskrupulltë antishqiptare, aq më tepër forcohej uniteti i brendshëm i shqiptarve të Luginës, si dhe ngritej tensioni politik dhe mediatik me hapa galopant.

Opinioni mbarëshqiptarë ishte fokusuar në përcjelljen e situatës me preokupim dhe brengosje të thellë. Prishtina dhe Tirana zyrtare gjithashtu ishin pozicionuar në mbrojtje të vendosur dhe të hapur të tij.

Por, ajo që biente në sy ishte “vendosmëria” e liderëve të Preshevës në mbrojtje “me çdo kusht” të Lapidarit, madje z. Mustafa në delirium të transit “patriotik” të tij, para publikut televiziv të Kosovës dhe Luginës kishte deklaruar me këmbëngulje, duke e përsëritur disa herë kërcnimnin e tij se poqese Serbia e heq me dhunë Lapidarin, atëherë “do të shkëputeshin të gjitha marëdhëniet e administratës komunale të komunës së Preshevës me Serbinë, kurse ai dhe administrata komunale do të jepnin të gjithë “dorëheqje të parevokueshme”.

Por, mjerisht, xhandarmeria serbe, para ores 7;00 të së dieles së 20 janarit, e gjeti Lapidarin plotësisht të pambrojtur mnga askush! As nga “komandantët” që kërcnoheshin se “do të derdhet gjak”, e as nga kuvendarët e zgjedhur komunalë me votën e popullit, e as liderët politikë.

Aty, pranë Lapidarit xhandarmeria serbe pa se  ishin vetëm gazetarët e shumtë dhe reporterët e kameramanët, të cilët kishin kujdestaruar me durim për çdo natë të ftohët dimri, në pritje të aktit të heqjes së Lapidarit dhe që të mos u mbes pa u regjistruar dhe shenuar.

Duhet theksuar se puna e Lapidarit ka mbetur si një enigma e madhe, e mbuluar me shumë të panjohura.  Askush nuk mund ta sqaroj jologjikshmërinë dhe papërgjegjësinë arrogante të disa liderëve të Luginës. Deri më sot nuk u dol në publik me informatat dhe përgjigjet se:

  1. Pse nuk u mbështetë Lapidari nga diplomacia dhe kancelaritë ndërkombëtare, në rend të pare nga ambasadat e shteteve të dëshmuara si mike të shqiptarve: ambasadës së SHBA-së, Britranisë së madhe, Gjermanisë, Turqisë, etj.? Pra, pse nuk mbështeti askush përveç ambasadës së Shqipërisë në Beograd?
  2. Pse nuk u organizua kujdestari e rregulltë nga mazhoranca qeverisëse dhe nga administrata komunale, kreu i së cilës e kishte vendosur aty Lapidarin, që në mënyrë paqësore dhe qytetare të qëndronin aty duke dëshmuar vullnetin dhe vendosmërinë pës ruajtjen e tij, si dhe  duke i prirë organizimit të të gjitha subjekteve politike shqiptare të Luginës?
  3. Pse u pengua dhe nuk u realizua diskutimi demokratik dhe shqyrtimi I opcionit për zhvendosjen e Lapidarit diku tjetër. Sidomos ishte e logjikëshme dhe racionale ideja për zhvendosje në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, ku do të qëndronte dinjitoz edhe sot e kësaj dite dhe nuk do të përfundonte në podrumet apo plehërat dikund në Serbi?
  4. Pse nuk u tregua asnjë interesim për fatin e Lapidarit, por u heshtë sikur të mos ekzistonte fare?
  5. Cilat ishin pasojat e papërgjegjësisë ekstreme të lidershipit shqiptar të Luginës, e sidomos të akterëve të Lapidarit  në krye me z. Mustafa? Ose, a ekziston lidhshmëri me Memorialin gjigant të Serbisë mbi Lluçan, që filloi paralelisht me Lapidarin?
  6. Po Memoriali në Rahovicë çka u bë? A e pësoi nga papërgjegjësia dhe joserioziteti ekstrem lidhur me Lapidarin?
  7. Mbi të gjitha, pse nuk u realizua premtimi për dorëheqjet e z. Mustafa dhe komplet këshilltarëve komunal dhe administratës, siç ishte premtuar më parë? Etj.

Pra, ka një mori “pse-shë”, që kanë mbetur pa përgjigje deri më sot dhe askush as që e merr mundimin të merret me to. Përkundrazi, gjithçka vazhdon sikur mos të ketë ndodhur asgjë. Kurse, kolonat e të shpërngulurve u shtuan radikalisht si pasojë e zhgënjimit me papërgjegjësinë dhe mosllogaridhënien e liderëve shqiptarë ndaj popullit të vet.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch