Home » Lajme, Opinione » In memorium – Babai i luftës Bacë Hilmi Haradinaj

In memorium – Babai i luftës Bacë Hilmi Haradinaj

Mijra vetë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Diasporës erdhën me një frymë te kullat legjendare të Haradinajve për t`i dhanë lamtumirën e fundit të zotit të kësaj shtëpie që e ktheu atë në kala qëndrese, Hilmi Haradinaj.
Burrat e mëdhenj i kanë dy jetë.
Njërën toksore e tjetrën në panteonin e lavdisë së Kombit, atje ku prehen përjetësisht dhe e gdhendin emrin e vet me gërma të arta në historinë kombtare.
Një fat të tillë pati kreshniku i Dukagjinit, Kosovës dhe shqiptarisë Bacë Hilmiu.
Ndërroj jetë në vitin Jubilar të Heroit Kombtar Gjergj Kastrioti ( Skënderbeu), 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në virgjilje të Fiter Bajramit.
3000 vjet më parë profeti Abraham bëri besëlidhje me Zotin.
Ai ia çoi Krijuesit të gjithësisë për flijim të birin e tij të vetëm Ismailin.

Në mijëvjeçarin e tretë të historisë sonë Hilmi Haradinaj bëri besëlidhje me Atdheun dhe flamurin me bekimin e Zotit.
Kur e thirri Atdheu ai zbriti si matador në fushëbetejë me bajlozët e zi të Serbisë së bashku me djemt e tij trima.
“Ju ishit themeluesi i UÇK-së, bërthama e saj” iu drejtua Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi në ceremoninë mortore para mijra vetëve

Bacës Hilmi mbështjellë me flamurin kombtar për të cilin kanë luftuar brez pas brezi Haradinajt.

Bacë Hilmiu i lëshoi kushtrimin Gllogjanit, e Dukagjinit për t`u ngritur në këmbë pë lirinë, Flamurin Kombtar, nderin dhe dinjitetin e një populli të kërcënuar me vetë ekzistencën e tij nga spastrimi etnik, vrasjet, dhuna dhe genocidi i kasapit të Ballkanit, Millosheviçit.
Liria e Atdheut ishte feja në cilën ai besonte me fanatizëm.
Flamuri Kombtar tempulli para të cilit përkulej me një nderim profetik.
Patriotizmi ishte ideologjia e vetme e rrënjosur brez pas brezi nga burrat e shquar që nxorri kjo derë fisnike.

Baca Hilmi së bashku me veprimtarin e madh të çështjes Kombtare Zmajl Haradinaj janë mentorët e përcjelljes tek Luanët e Haradinajve të patriotizmit, nacionalizmit, evokimit të historisë së lavdishme, luftërave të përgjakshme për liri e pavarsi, si dhe pregatitjes psikologjike e ndërgjegjësimin e vazhdimit të misionit të mbetur përgjysmë.

6 shekuj me parë stergjyshërit e tij i përcollën Prijësit e tyre Pjetër Shpanin me tre djemtë dhe Lek Dukagjinin për në Kuvendin e madh të Lezhës ku fisnikët shqiptarë u besëlidhën me arkitektin e nëntorit

të parë dhe themeluesin e Shtetit të Përqëndruar Arbëror Gjergj Kastriotin.

Ata luftuan përkrah Heroit tonë Kombtar Gjergj Kastrioti në Epopenë e ndritur të Arbërit, i cili vrau kuçedrën aziatike dhe triumfoi ashtu si Shën Gjergji emrin e të cilit mban.
Ashtu si Moisiu me shkopin magjik ndau detin e udhëhoqi hebrejtë drejt tokës së premtuar edhe Gjergji ynë me shpatën e tij çliroi popullin e vet nga vargonjtë e kuçedrës aziatike dhe u bë urë lidhëse me Përëndimin.
Ishte ky kushtrim i të parëve, vetë thirrja e Atdheut që i ngriti si Ante në këmbë Hilmiun- Ramushin, Shkëlzenin-Luanin- Enverin-

Dautin- Nasimin , deri tek Frashëri e Hima, dëshmori 14 vjeçarë. 

Në këmbë u ngritën djemt e Atdheut nga mbarë hapsira shqiptare me devizën:
” Një Komb një qëndrim”
Me betimin:
” Për Kosovën jap dy jetë
Vdekjen time e vras vetë”
Në kembë u ngritën djemt e rritur në kullat legjendare të Kosovës, të Jasharajve, Shabani- Hamza, Komandanti legjendar Adem Jashari , Femih Lladrovci, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Bedri Shala, Bekim

Berisha, Agim Ramadani, Mujdin Aliu, Muj Krasniqi, Adrian 

Krasniqi,vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani, Njazi Azemi, e mijra djem e vajza që kishin vendosur për të dhënë jetën për misionin e madh, çlirimin e Kosovës.

Këto beteja ngjasonin me luftën e Davidit me Goliatin, si Leonidha kundër persëve të Kserksit, beteja të pabarabarta, epike e heroike deri në fitore.
Trimëria dhe fisnikëria ishin binomi që udhëhoqi Bacën Hilmi këtë burrë fisnik e patriot të pashoq.
Pushka e trimit e ndera e bujarit nuk ndalen thuhet në anët tona.

Bujaria, bukëdhënia e mikpritja janë vyrtyte biblike dhe dekoratat 

më të larta që burrat e mëdhenj i marrin në jetën tokësore.

Në Iliadën e famshme të Homerit trevat tona të lashta Iliro- epiriote janë skalitur me gërma të arta këto cilësi të rralla të racës njerëzore.
Sofra e Haradinajve ashtu si e Jasharajve, Boletinëve, Zogollëve nuk janë ngritur kurrë.
Qindra e mijra shqiptar luftëtar të lirisë kanë patur nderin të jenë miq në Kullën zëmadhe të Haradinajve.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut thuhet në Kanunin e Lek Dukagjinit”, të cilin Baca Hilmi e njihte dhe praktikonte mrekullisht.

Nderimi për të vdekurin është njëri ndër kodet më të lashta e fisnike të racës tonë.

Në rastin e Hilmi Haradinajt e të burrave të përmasave të tij nderimi e dhembja shndërrohen vetëvetiu në një moment reflektimi, në një besëlidhje të heshtur për të ecur në gjurmët e tyre, si një peng nderimi për veprën e tyre të shquar.
“Burrit të madh kurrë nuk i humb zani” thotë një varg i kengës

kushtuar Rilindasit Europian, shpirtndriturit Pjetër Bogdani.

Miku ynë i madh e fisnik Hilmi Haradinaj ka ndërruar jetë, ose më saktë ka kaluar në përjetësi.

Ai nuk do të harrohet kurrë sepse e paharruar dhe e pavdekshme

është Epopeja e Luftës Çlirimtare të Kosovës ku ai dhe djemt e tij luajtën një rol të dorës së parë.

Kjo familje dëshmorësh e gjeneralësh ka humbur prijësin fisnik, zemër madh e të urtë të saj që sfidoi vdekjen disa herë.
Kjo familje ka humbur burrin që siç thotë kënga e Boletinit:
” Ka dhanë prova ku jep burri”.

Baca Hilmi ishte luftëtar i pamposhtur, qëndrestar i paepur.

Ai përballoi me stoicizëm rënien heroike të Luanit, Shkëlzenit, Enverit, plagosjet e Ramushit e Dautit.

Rënien e Himes 14 vjeçarë.

Humbjen e Shqipdonit të vogël, humbjen e veprimtarit të madh Zmajl Haradinajt.
Burgosjet e padrejta e të gjata të Ramushit e Dautit të cilët triumfuan me të drejtën Hyjnore duke çertifikuar kauzën e drejtë të UÇK-së së lavdishme për çlirimin e Kosovës.

Pa u shëruar akoma nga plagët e vjetra djemt e Bacës Hilmi detyroheshin ti shtrëngonin ato e të dilnin në fushëbetejë përballë bajlozëve të makinerisë ushtarake serbe si dikur Gjergj Elez Alia përballë bajlozëve të detit. 

Bacë Hilmiu ishte energjia frymëzuese e qëndresës për finalizimin e kauzës.

Dita e vdekjes për luanët e maleve është e veçantë sepse tregon përmasat e vërteta e madhështore të veprës të tyre.

Shkrimtari i madh Viktor Hygo thotë në një maksimë:
“Dua të bëj një vepër në shërbim të Atdheut pastaj le të vdes”.

Udhëheqësi i operacionit overlot që zbarkoi në Normandi me një milion ushtarë dhe ndryshoi fatet e Luftës së Dytë Botërore, 

Presidenti i SHBA-së Ajzehauer, kur po ndahej nga kjo botë tha:

” Mjaft punova për Amerikën, tani po më thërret Zoti”.
Ju bëtë një vepër të pavdekshme në shërbim të Atdheut Baca Hilmi, prandaj mijra shqiptar nga mbarë hapsira etnike kanë ardhë për të nderuar si Krushk të parë të lirisë.

Ata solidarizohen në heshtje me fjalën e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha tek të drejtohet:
“Mos rri shtrirë Baca Hilmi

Çohu priju fisnikëve në Odën e madhe të miqve siç u ke pri gjithmonë në kohë të mira e të vështira, në morte e gëzime”.
Lëvizja nga era e flamurit që kishte mbështjellë trupin tënd na kujton lisin e Dodonës që fliste nëpërmjet gjetheve.
Edhe ju nëpërmjet palëve të flamurit sikur na përcillni mesazhin e vazhdimit të misionit për realizimin e ëndrrës, finalizimit të shtetit komb të shqiptarëve.
E kishte të vështirë ta mbys dhimbjen Ali Ahmeti në fjalën e tij për të thënë lamtumirë, por e gjen forcën sepse krenaria për veprën

tënde eshtë më e madhe se dhembja. 

Faik Doda rrënqethi turmat e njerëzve tek fliste me patetizëm për veprën tuaj dhe familjes tënde.
Bashkim Ramosajt i dridhet zëri se nuk e beson se po na thua lamtumirë.
Nuk të sheh dot të shtrirë.
Rifat Jashari dridhet i tëri nga dhembja tek përshëndetet me ty.
Nuk të thotë dot lamtumirë.
Simboli i farkëtuar në në kudhrën e qëndresës Ramush Haradinaj tha me dhembje dhe emocionoi numrin e madh të njerëzve të cilët përloten.
“Gjithmonë luftove me vdekjen plak dhe e vrave atë.
Kurrë nuk na u ndave në beteja kurse sot na duhet të ndahemi”
Turma e stërmadhe e njerëzve të shëmbëllen me një kurorë gjigande në mes të cilës qëndronte arkivoli që mbante trupin e këtij burri vigan të Kombit.
Përtej në horizont janë kurorat e majamaleve të Alpeve madhështore të Dukagjinit të cilat mbajnë zi për birin e tyre, i cili ju doli zot në sa e sa beteja.
Të gjithë pjesëmarrësit përkulen me nderim para jush në nderim të veprës tuaj në shërbim të Atdheut.
Ju u nisët në rrugën pakthim e të përjetshme të lavdisë.
Me jetën tuaj të dytë do ti shërbesh Atdheut dhe Kombit Shqiptar sepse je shndërruar në simbol dhe emblemë të patriotit dhe atdhetarit të madh.
Simbolet janë të shenjta dhe të pavdekshme, të gjithëpranuara dhe udhërrëfyese në rrugtimin historik të kombeve.
Lamtumirë miku ynë i madh.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosoës.
Pushofsh në paqe dhe amshim.

Nga Azgan Haklaj

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch