Home » Opinione » Inferioriteti ndaj Serbisë, si “europianizëm”?

Inferioriteti ndaj Serbisë, si “europianizëm”?

Shkruan: Nehat Hyseni

Udhëheqësia aktuale e Republikës së Kosovës, inferioritetin e saj me Qeverinë e Serbisë, si dhe midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarve të Luginës,  mundohet ta plasojë në opinion si “europianizëm”, sjellje “demokratike” etj., duke u munduar që ta bindë opinioni, se kjo është rruga e duhur dhe e pa alternativë. Duhet ta ngrisim lartë zërin për vëllezërit tanë shqiptarë, kudo që janë, me krenari dhe pa u ndrojtur, ashtu si veprojnë edhe kombet e përparuara dhe demokratike europiane, gjermanët, francezët, italianët, pse jo edhe serbët, etj. me bashkëkombësit e tyre kudo që janë, duke e konsideruar këtë si obligim shtetërorë, moral e civilizues.



Takimi i liderëve politikë të shqiptarve të Luginës së Preshevës më 10 tetor 2013 në Beograd me Kryeministrin e Serbisë  Ivica Daçiq, nuk dha përgjigje lidhur me çështjet kyçe që e ngarkojnë situatën politike dhe gjendjen e rëndë  ne arsimin shqip, gjendjen katastrofale ekonomike, për Lapidarin e UÇPMB-së etj.
Fitohet përshtypja se gjërat u kapën “nga bishti”, duke përcaktuar takimin e parë të ardhshëm me ministren e shëndetësisë, e cila, edhepse është e rëndë dhe me probleme, ajo nuk figuronte në agjendën e prioriteteve të partive politike shqiptare të Luginës.
Ndërkaq, Daçiqi në mënyrë ultimative, në stlin “merre ose leje”!  (uzmi ili ostavi!), u tha atyre troç, pa i “lëvizur qerpiku” se cilat të drejta është e gatëshme Serbia t’ua lejoj shqiptarve të Luginës, si dhe cilat do t’i shtypë me anë të makinerisë represive të shtetit serb.

Pikërisht ashtu veproi Daçiqi edhe me Hashim Thaçin në takimin e 7 tetorit 2013 në Bruksel, ku e vuri para aktit të kryer Thaçin: “ose do të hyjë e dal në Kosovë sa herë të dëshiroj, ose do t’i ndërprej bisedimet në Bruksel”!
Epilogu dihet. Si gjithmonë, Hashim Thaçi është ai që lëshon pe, si edhe shumë e shumë herë më parë, duke e “lëpirë” atë që pak ditë më parë e kishte “pështyrë”.

Pra, edhepse  z.Thaçi kishte deklaruar se liderët e Serbisë nuk mund të hyjnë në shtetin e Republikës së Kosovës për të bërë fushatë politike për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ashtu si Kosova nuk bënë fushatë në zgjedhjet e Serbisë. Madje, Hashim Thaçi as që guxon, apo ndoshta nuk don(?), që t”i vizitoj vëllezërit e tij shqiptarë në Luginë të Preshevës, ashtu si vepron Daçiqi dhe liderët serbë në Kosovë, duke i vizituar vëllezërit e vet serbë në çdo skutë të Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj nuk janë të aftë, apo nuk kanë vullnet të mjaftueshëm politik(?) që ta realizojnë parimin e reciprocitetit midis qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë, si dhe të kryeministrave të tyre, duke pranuar rolin e inferioritetit dhe nënshtrimit. Andaj edhe ka pamundësuar realizimin e deklaruar dhe të proklamuar si pretendim nga të gjitha partitë politike të shqiptarve të Luginës së Preshevës për vendosjen e reciprocitetit të plotë midis tyre dhe serbëve të Kosovës, sipas parimit” “as më pak, e as më shumë se ata”.
Këtë inferioritet, udhëheqësia aktuale e Republikës së Kosovës mundohet ta plasojë në opinion si “europianizëm”, sjellje ” demokratike” etj., duke u munduar që ta bindë opinionin e gjërë, e në rend të parë atë kosovarë dhe mbarëshqiptarë, se kjo është rruga e duhur dhe e pa alternativë.

Sa duket, i vetmi “europianizëm” qeveritarve kosovarë është inferioriteti ndaj Serbisë dhe serbëve të Kosovës, si dhe mosinteresimi ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë në Luginë. Kurse, shkeljet e Ligjit, korrupsionin, krimin e organizuar, trafikimet me njerëz dhe substanca narkotike dhe dukuritë e tjera negative që shënojnë rritje të vazhdueshme, nuk i përmendin fare.
Pra, ne do të jemi më pranë Europës jo duke ia kthyer bërrylin vëllezërve tanë dhe në anën tjetër duke mos e luftuar krimin. Përkundrazi, përkujdesja ndaj vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe e një flamuri është obligim dhe virtyt që çmohet në të gjitha nivelet e opinionit demokratik në Europë dhe në botë, ashtu si dënohet në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar  krimi dhe mospërfillja e rendit dhe Ligjit.
Pra, poqese vërtetë e dëshirojmë dhe synojmë sinqerisht Unionin Europian, që edhe Kosova të bëhet anëtare s familjes së madhe të demokracisë europiane e botërore, nuk duhet të turpërohemi që jemi shqiptarë, me përkatësi fetare e civilizuese që realisht kemi, duke u krenuar me vlerat tona kombëtare, si kontribut vlerave dhe civilizimit europian e botërorë, si dhe duke u kujdesur me përkushtim dhe mburrje që t’i avancojmë ato, si dhe duke i luftuar dukuritë negative në mjedisin tonë.

Por, mbi të gjitha, duhet ta ngrisim zërin lartë për vëllezërit tanë shqiptarë, kudo që janë, me krenari dhe pa u ndrojtur, ashtu si veprojnë edhe kombet e përparuara dhe demokratike europiane e botërore, gjermanët, francezët, italianët, pse jo edhe serbët, etj. me bashkëkombësit e tyre kudo që janë, duke e konsideruar këtë si obligim shtetërorë, moral e civilizues.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch