Home » Lajme » INSTITUTI I INTEGRIMIT TË KULTURËS SHQIPTARE (I.I.K.SH.): N J O F T I M

INSTITUTI I INTEGRIMIT TË KULTURËS SHQIPTARE (I.I.K.SH.): N J O F T I M

INSTITUTI I INTEGRIMIT TË                   Tiranë, dt. 25.09.2011

KULTURËS SHQIPTARE (I.I.K.SH.)

(Rr. “Qemal Stafa”, Pall. 31, Ap. 16, Tiranë-Albania)

Mob.: ++ 355 (0) 68 23 78 220; ++ 355 (0) 69 20 91 938;

E-mail: < >;  < >

Nr.53/11 Prot.

 

 

N  J  O  F  T  I  M

Ministrive të Arsimit e të Kulturës të Shqipërisë e Kosovës, Kryetarëve dhe anëtarëve të Komisioneve zonale dhe atij Qendror të IIKSH-së, Institucioneve studimore për çështje Kombëtare Shqiptare, Institucioneve arsimore të të gjitha trojeve shqiptare, Bashkive dhe Komunave të qyteteve të trojeve etnike shqiptare, Kryesive të Komuniteteve fetare shqiptare, drejtuesve të shkollave për mësimin plotësues në Diasporë  etj.

 

Të nderuar zonja e zotërinj,

 

Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare (IIKSH), duke Ju shprehur respekt dhe konsiderata të larta, ju njofton se:

 

IIKSH pas një pune studimore njëvjeçare të komisioneve të tij zonale, të ngritutra në Kosovë, Shqipëri zyrtare, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Çamëri dhe Mal të Zi, si dhe në diasporë – Amerikë dhe Europë, lidhur me temën:“Studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë”, në datat 17-18 shtator 2011, organizoi në Tiranë “KONFERENCËN E PARË MBARËKOMBËTARE”, me tematikën e lartpërmendur. Një Konferencë e tillë organizohet për herë të parë në historinë e shkollës shqipe. Në këtë kuvendim të madh Mbarëshqiptar, u shtruan probleme të rëndësishme lidhur me programet e tekstet mësimore në trojet e ndryshme shqiptare, ku vihen në dukje ndryshimet dhe të përbashkëtat e tyre.

 

Për më gjerë lidhur me këtë Konferencë, lutemi lexoni materialin e bashkëngjitur në vazhdim.

 

Tiranë, 25 shtator 12011

Kryetari i Bordit drejtues të IIKSH

Dr. Ibrahim Gashi

INSTITUTI i INTEGRIMIT TË KULTURËS SHQIPTARE

 

Raport lidhur me

PUNIMET E KONFERENCËS SË PARË MBARËKOMBËTARE

 

me temë: “Studimi i mundësive të përafrimit, deri në njësim, të plan-programeve dhe teksteve mësimore, në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë”.

 

Tiranë, 17 – 18 shtator 2011

 

Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare (IIKSH), pas një pune studimore njëvjeçare të komisioneve të tij zonale, të ngritutra në Kosovë, Shqipëri zyrtare, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Çamëri dhe Mal të Zi, si dhe në diasporë – Amerikë dhe Europë, lidhur me temën:“Studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë”, në datat 17-18 shtator 2011, organizoi në Tiranë KONFERENCËN E PARË MBARËKOMBËTARE”, me tematikën e lartpërmendur. Një Konferencë e tillë organizohet për herë të parë në historinë e shkollës shqipe. Në këtë kuvendim të madh Mbarëshqiptar, u shtruan probleme të rëndësishme lidhur me programet e tekstet mësimore në trojet e ndryshme shqiptare, ku vihen në dukje ndryshimet dhe të përbashkëtat e tyre.

Morën pjesë në këtë konferencë shumë të ftuar nga të gjitha zonat e trojeve shqiptare, si dhe studiues të mirëfilltë të çështjeve arsimore, nga arsimtarë të thjeshtë e deri në profesorë e doktorë shkencash, mësimdhënës në arsimin parauniversitar e në universitetet tona shqiptare në Tiranë, Tetovë e Prishtinë. Tematika qe e larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke filluar nga cikli i ulët i shkollës 8-vjeçare e deri në klasën e fundit të shkollës së mesme. Sa i takon numrit të punimeve të paraqitura në Konferencë ato ishin 29: 6 nga Lugina e Preshevës, 3 nga Maqedonia, 4 nga Kosova, 4 nga Mali i Zi, 11 nga Shqipëria (4 prej të cilave për gjendjen e arsimit shqip në Çamëri dhe 2 për shkollat fetare), si dhe një nga Diapora shqiptare (Suedia). Përgatitja arsimore e profesionale e referuesve qe e kënaqshme. Ndër ta pati specialistë të lëndëve të veçanta, autorë tekstesh, profesorë e doktorë shkencash (13), poetë e shkrimtarë (2) etj.

 

Duhet të theksojmë se suksesi i kësaj Konference qëndron në faktin se veprimtaria e saj ishte vazhdimësi e veprimtarisë njëvjeçare të komisioneve zonale në të gjitha trojet shqiptare dhe atij qëndror të ngritura nga IIKSH, menjëherë pas pranimit nga ana e Ministrisë së Arsimit e të Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për bashkëpunim me këtë Institut.

Me kete rast gjejmë mundësinë për të shprehur përgëzime për komisionet zonale, lidhur me punën e tyre për tematikën në fjalë, sidomos për komisionet e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, përkatësisht për kryetarët e këtyre komisioneve, z. Prof. Alixhemal Salihu, z. Prof. Skender Asani (më vonë z. Prof. Nuhi Dardhishta) dhe Dr. Nail Draga, si dhe anëtarëve të këtyre komisioneve, të cilët vullnetarisht, ndihmuan në nxjerrjen në pah të zhvillimeve dhe të metave të programeve dhe teksteve mësimore për shkollat në shqip në këto zona. Nër ta përmendim edhe z. Xhemaledin Salihu, i cili përveç punimeve studimore, ai bëri edhe punën e gazetarit, duke shkruar artikuj njohës në mediat elektronike dhe gazeta.

Falënderime dhe përgëzime shprehim edhe për drejtuesit e pushteteve lokale të cilët qenë përkrahës të aktiviteteve të zhvilluara, madje, komunat e Çairit dhe të Preshevës, përkatësisht me kryetarët z.Izet Mexhiti dhe z.Ragmi Mustafa, kontribuan edhe materialisht për pritjen e përcjelljen e grupeve të punës nga Shqipëria. Në qytetet e Prishtinës dhe të Ulqinit, këtë ndihmesë e dhanë biznesmenë të tyre.

 

Përgëzime për Prof. Dr. Murat Gecaj, i cili punën e Institutit e pasqyroi në mediat e shkruara dhe në internet. Ai, veç tjerash, botoi edhe librin e tij “RRAHIN ZEMRAT ARBËRORE”, në të cilin janë pasqyruar arikujt e tij të  shumtë për aktivitetet njëvjeçare të IIKSH-së.

 

Por, njeriu i cili qe i pranishëm që në çastet e para të krijimit të këtij Instituti dhe që nuk u shkëput asnjë çast nga veprimtaritë e tij, duke dhënë ndihmesën e tij të pakursyer në arritjet e sukseseve, është Prof. Dr. Hulusi Hako. Ai mori pjesë në takimet e para që bëri Instituti ynë në shkollën e Krajës, të Malit të Zi, në Skenderaj të Drenicës kur u bë promovimi i librit “Mësuesi Rrahim Gashi me brezat në trojet Arbërore”, në organizimin që bëri ky Institut, së bashku me Qendrën Kullturore “Pjetër Arbnori”, të 100 vjetorit të Kongresit të  Dytë të Manastirit në Manastir të Maqedonisë, në vizitat e punës në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin etj. Nga ana tjetër, ai, ndonëse në moshën 82 vjeçare, gjatë një viti studioi tekstet dhe programet mësimore të lëndëve shoqërore që jepen në trojet etnike shqiptare dhe rezultatet e këtyre studimeve i pasqyroi në tri broshura të botuara nga IIKSH. E përgëzojmë Prof. Dr. Hulusiun, këtë atdhetar të flaktë, autor të dhjetra veprave shkencore e artikujve për çështjen e Kombit, duke i uruar jetë të gjatë e shëndet.

 

Para se të nxjerrim disa përfundime nga zhvillimet e punimeve të kësaj Konference, është e nevojshme të paraqesim parimet e punës së Institutit tonë, si dhe të Komisioneve zonale, e njëkohësisht të bëjmë të qartë se çfarë nënkuptojmë ne me përafrim deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë?

 

Kujtojmë me këtë rast se INSTITUTI I INTEGRIMIT TË KULTURËS SHQIPTARE (organizatë jo qeveritare – OJQ) i themeluar në shkurt të vitit 2009, me inisiativën e juristit dhe ekonomistit z.Rezart Gashi, i cili sot është drejtor i tij, u bë me qëllim të aktivizimit të njerëzve të shquar të Kulturës dhe të Shkencës shqiptare, për të promovuar arritjet tona në këto fusha, si brenda vendbanimeve të trojeve etnike shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Çamëri, Luginë të Preshevës, Mal të Zi) po kështu edhe në diasporën shqiptare. Dhe jo vetëm kaq: ndër qëllimet e këtij Instituti është edhe bashkëpunimi me institucione të njohura botërore, të cilat kanë punime të ngjashme me ato të Qendrës sonë, në të njëjtën kohë edhe me ato fqinje.

Ky Institut promovon trashёgiminё kulturore shqiptare, me synimin e njësimit të qёndrimeve tё pёrbashkёta lidhur me çёshtje madhore tё zhvillimit kombёtar, sidomos nё zhvillimin dhe konsolidimin e gjuhёs dhe tё arsimit tё njësuar gjithёshqiptar. Pёr kёtё qёllim, gjatё kёtyre dy viteve tё jetёs tё kёtij Instituti, janё zhvilluar shumё aktivitete, siç janё: botim i tetë librave nga fusha e edukimit patriotik ose që lidhen me çështje të historisë sonë arsimore e më gjerë, promovimi dhe pasqyrimi i pёrmbajtjes sё tyre nё shtypin e pёrditshёm, takime dhe vizita nё shkolla tё ndryshme tё trojeve shqiptare (nё Skenderaj tё Drenicёs, nё Krajё të Malit tё Zi), organizimi nё Manastir tё Maqedonisё tё festimit tё 100/vjetorit tё Kongresit tё dytё  tё Manastirit pёr alfabetin shqip, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Arbënori etj.

Nxitja e punës kërkimore-shkencore, në rradhë të parë tek talentet e reja, me qëllim të çuarjes përpara të shkencave shqiptare, ku në themel të tyre janë çështjet kombëtare, të trajtuara shkencërisht e të pranuara në mënyrë unanime, është qëllim i veçantë i punës së këtij Instituti. Në këtë aspekt, studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha shkollat e trojeve arbërore dhe në diasporë u bë gjatë këtij viti (shtator 2010-shtator 2011) lajtmotivi i gjithë punës sonë studimore, pasi këtu e shikojmë themelin edhe të integrimit mbarëshqiptar dhe atë europian.

 I gjithë ky studim krahasues përmban kërkesën kryesore të nxjerrjes në pah të ndryshimeve dhe të të përbashkëtave të këtyre plan-programeve dhe teksteve mësimore, sa i takon tematikës së tyre, saktësisë së trajtimit të fakteve, përfshirjes të çështjeve themelore të lëndës, të domosdoshme për paraqitjen e saj në mënyrë sa më komplete e të kuptueshme, terminologjinë etj.

Mesazhi ynë është:

Le të punojmë të gjithë për këtë qëllim, të jemi më të bashkuar, të jemi më të kthjellët e më syçelë në të menduar e në të vepruar, të kërkojmë të drejtat tona njerëzore dhe kombëtare dhe të luftojmë për to, duke shfrytëzuar e respektuar normat dhe parimet ndërkombëtare për këto të drejta.

 

Këto ishin disa parime udhëzuese për të gjithë studiuesit, të cilat u patën parasysh edhe në përgatitjen e temave të paraqitura në këtë konferencë.

 

 

2. Çështje të trajtuara në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare të IIKSH-së, organizuar në Tiranë dt. 17-18 shtator 2011?

 

Ritheksojmë edhe një herë se në këtë Konferencë të organiozuar nga IIKSH në Tiranë, morën pjesë shumë të ftuar nga të gjitha zonat e trojeve shqiptare, në mes tyre studiues të mirëfilltë të çështjeve arsimore, profesorë e doktorë shkencash etj. Temat e paraqitura përfshinë një gamë të gjerë të çështjeve të përmbajtjes së programeve e teksteve mësimore, të para këto nën këndvështrimin se sa janë të njësuara me programet dhe tekstet mësimore të shtetit amë. Duke bërë një statistikë të përafërt, del se nga 29 temat e paraqitura në këtë konferencë, 7 janë të karakterit të përgjithshëm, ku trajtohen parime të mundësisë së njësimit të programeve e teksteve mësimore në të gjitha tojet shqiptare. Nxirren në pah ndryshimet e mëdha që janë sot ndërmjet tyre, po kështu pengesat të natyrave politike, shovenisto-dashakeqe etj., për mundësinë e përafrimit deri në njësim. Këto tema përmbajnë edhe çështje konkrete të lëndëve të veçanta, për të cila sillen fakte të një qëndrimi aspak miqësor të qeverive të shteteve fqinje ndaj programeve e teksteve mësimore të shkollave në shqip. Këtu mjafton të përmendim faktin se, shumica e teksteve për shkollat shqipe përkthehen nga tekstet me autorë serb, maqedonas apo malazezë, pa pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë. Në këto tekste çështjet shqiptare trajtohen të shtrëmbëruara e të përçmuara.

Për gjuhën dhe letërsinë shqipe janë gjithsej 6 tema. Në to trajtohet edhe njëfarë historiku i disa ndryshimeve në lejimin e përdorimit të teksteve të ardhura nga Shqipëria. Megjithatë, mbetet problem trajtimi më i thelluar i disa çështjeve kombëtare.

Për programet dhe tekstet mësimore të historisë, gjeografisë, të edukatës qytetare, filozofisë, trashëgimisë kulturore u paraqitën tri tema, në të cilat shtrohen çshtje të rëndësishme të cënimit të identitetit kombëtar shqiptar, shtrëmbërim të fakteve historike deri në falsifikim, sidomos kur flitet për vendet ilire, kalatë e tyre, le më për luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve të ndryshëm, përfshirë këtu edhe luftën e Parë Botërore dhe të Dytë. Të meta të mëdha kanë tekstet e trashëgimisë kulturore, të edukimit qytetar etj. Këto tekste mësimore dhe programet përkatëse janë trajtuar edhe në temat e përgjithshme.

Për shkollat fetare, ku në qendër të vëmendjes ishte pasqyrimi i çështjeve kombëtare në programet dhe tekstete tyre, u paraqitën dy tema dhe këto për shkollat fetare islame. Këtu duhet të theksojmë se në bisedimet e bëra me titullarët e tri feve, Janullatosi qe i vetmi, i cili në mënyrë të prerë, madje në një formë arrogante, nëpërmjet zëdhënësit dhe zëvendësit të tij, Andon Merdanit, nuk pranoi të bashkëpunonte me IIKSH për çështje të tilla, pavarësisht se në bisedën e parë që zhvilluam me z. Merdani, na u duk se gjithçka ishte në rregull. Mendojmë se shqyrtimi i çështjeve kombëtare në programet dhe tekstet mësimore të shkollave fetare të të gjitha feve (islame, ortodokse, katolike etj.), si për lëndët laike ashtu edhe për ato fetare mbetet një domosdoshmëri për vitin në vijim.

Po kështu, mbetet problem shqyrtimi i programeve dhe teksteve mësimore të shkollave minoritare dhe të huaja të hapura në Shqipëri dhe Kosovë, pasi programet dhe tekstet mësimore që përdoren në to nuk janë gjithnjë të kontrolluara, le pastaj aktivitetet tjera jashtëmësimore.

Mjaft interesante qenë 4 temat për Çamërinë, në të cilat, duke ndjekur boshtin kryesor të programeve e teksteve mësimore, u fol edhe për historikun e shkollës shqipe në këtë vend, ku çështja kombëtare shqiptare është nëpërkëmbëbur deri në zhdukjen përfundimtare të saj. U trajtuan edhe gjurmët e para të arsimit shqip në Çamëri, ku u nxorën në pah figura të shquara të arsimit shqip në këto anë, po kështu u fol gjerësisht për genocidin e paparë grek mbi popullatën shqiptare, deri në dëbimin përfundimtar të saj nga trojet etnike të Çamërisë shqiptare.

Shkencat e natyrës dhe ato teknike, në këtë Konferencë të Parë Mbarëkombëtare, në tri temat e paraqitura, u shqyrtuan vetëm në aspektin e terminologjisë, sigurisht faktor ky me rëndësi në njësiminn e programeve dhe të teksteve të tyre përkatëse.

Të veçanta qenë temat për gjuhët e huaja dhe për muzikën (për sejcilën nga një temë), ku programet dhe tekstet mësimore të tyre në vendet fqinje ndrysojnë shumë nga programet dhe tekstet mësimore të shteti amë. Është për të ardhur keq që në programin e këngës e të muzikës të një klase të shkollës tetëvjeçare në Mal të Zi, nxënësit shqiptarë janë të detyruar të mësojnë gjatë vitit 8 këngë malaziase dhe vetëm dy këngë shqipe.

Në këtë konferencë pati vetëm një temë nga diaspora, ndonëse çështjet që lidheshin me të u trajtuan pjesërisht edhe në dy tema të tjera. Tema e diaspores shtronte çështjen e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve tanë në orë të veçanta të mësimit plotësues, që sot organizohet gati në gjithë botën ku jetojnë shqiptarët, por njëkohësisht shtrohet edhe çështja e punës që duhet të bëjnë prindërit e shoqëria për ta ruajtur e përdorur si tipar themelor i Kombit.

Për mësimin plotësues shqip në diasporë u shtrua edhe problemi i programeve e teksteve mësimore, të cilat janë bërë të veçanta nga Kosova dhe Shqipëria, gjë që nuk përputhet as me orientimet e dy qeverive shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, e aq më pak do të jenë të pranueshme nga shkollat e diasporës sonë. Mendojmë se bërja e dy programeve të ndryshme, që do të kenë rrjedhojë edhe bërjen e teksteve të ndryshme, nuk i shërben as simbolikës së njësimit dhe të afrimit të aspiratave kombëtare, e le më mësimdhënies praktike, kur dihet se në të njëjtat shkolla mësojnë fëmijët si nga Shqipëria e po kështu edhe nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonpa e Mali i Zi.

Në këtë Konferencë, ne nuk e shtjelluam plotësisht problemin e programeve e teksteve mësimore të Diasporës, pasi para dy muajsh, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, u organizua një seminar 3 ditor me mësuesit e diasporës. Megjithatë, ne shtruam problemin e mësipërm të pasjes të një programi unik, si dhe të rishqyrtimit të programit që parashikon zhvillimin e mësimeve në cikle trevjeçare, gjë që rrezikon vazhdimësinë e dhënies së njohurive për këta fëmijë.

 

 

 

3. PËRFUNDIME NGA KONFERENCA E PARË MBARËKOMBËTARE

Me temë: “Studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë“,

Mbajtur në Tiranë, dt. 17-18 shtator 2011

 

Nisur nga ato që u thanë më sipër, lidhur me ecurinë e Konferencës, si dhe vlerësimeve të shprehura me gojë e me shkrim nga pjesëmarrësit, qoftë për përmbajtjen, qoftë për formën e organizimit të saj, në veçanti duke pasur parasysh propozimet e shprehura nga kryetarët dhe anëtarët e komisioneve zonale, nxjerrim këto përfundime:

1.Konferenca e Parë Mbarëkombëtare për njësimin e programeve dhe teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë, zhvilloi punimet e saj në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar, ambient me kushtet optimale për një aktivitet të tillë, me një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish (rreth 150 veta), me prezencën edhe të mediave

 

2.Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga Kosova, Shqipëria zyrtare, Maqedonia, Lugina e Preshevës, përfaqësues të Çamërisë dhe nga Mali i Zi, një përfaqësim i kënaqshëm për një aktivitet të tillë.

 

3.Konferenca i zhvilloi punimet në katër seanca. U paraqitën 29 tema: 7 të karakterit të përgjithshëm, 6 për gjuhën e letërsinë shqipe, 3 për lëndët shoqërore (histori, gjeografi, filozofi, trashhëgimi kulturore, edukimit qytetar etj.), nga një temë për muzikën dhe gjuhët e huaja, 3 për terminologjinë, 1 për shkencat e natyrës, 4 tema për arsimin shqip në Çamëri dhe genocidin e egër grek.

 

4.Morën pjesë edhe mjaft të ftuar, intelektual kryesisht të profesioneve arsimore. Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre:

-Këshilltari i Ministrit të Arsimit e të Shkencës të Republikës së Shqipërisë,  z. Jovan Kristiqi;

-Drejtori i sektorit të programeve e teksteve mësimore pranë Ministrisë së Arsimit e të  Shkencës të R.Sh., z. Besnik Rama;

-Kryetarja e Shoqatës  së Arsimtarëve të Shqipërisë, znj. Yllka Beçi, si dhe disa përfaqësues organizatash e shoqatash arsimore e atdhetare.

 

5.Na nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe zv/shefi i Ambasadës së Republikës të Malit të Zi, në Tiranë, z.Met Gjoni, i cili gjatë gjithë vitit ka qenë i angazhuar për të na ndihmuar për krijimin dhe funksionimin e komisionit zonal të Malit të Zi.

 

6.Tematika e çështjeve të shtruara qe e larmishme dhe gjithëpërfshirëse. U trajtuan probleme të programeve e teksteve mësimore si të lëndëve të shkencave shoqërore-humane, po kështu edhe të shkencave të natyrës, ku për këto të fundi, kishte vend për t’u trajtuar më gjerësisht. Nga ana tjetër, u pasqyruan në këto studime lëndët kryesore të të gjitha niveleve të  arsimit parauniversitar, duke nxjerrë në pah sipas zonave, ndryshimet dhe të përbashkëtat e tyre në krahasim me  ato të shtetit amë.

 

7.Gjatë këtij viti, Komisioni  për shkollat fetare, të huaja dhe të minoriteteve arriti të bëjë studimin vetëm për shkollat fetare islame, pasi patëm pengesa e mosmirëkuptim bashkëpunimi me disa institucione, siç  ishte Kisha Ortodokse e drejtuar nga Janullatosi. Ky i fundit, jo vetëm që nuk pranoi të bashkëpunonte, por nuk denjoi as të përgjigjet zyrtarisht, duke u mjaftuar me një përgjigje gojore në telefon (tre muaj pasi ishte bërë kërkesa për bashkëpunim dhe telefonatave tona të vazhdueshme për marrje përgjigje), nëpërmjet zëdhënësit të tij, ku refuzonte të merreshin varësit e tij me një punë të tillë.

 

8.Theksojmë se kjo Konferencë pati rëndësinë e vet edhe në afrimin, njohjen dhe ballafaqimin e mendimeve ndërmjet studiuesve të ardhur nga zona të ndryshme shqiptare, duke krijuar lidhje të reja komunikimi e bashkëpunimi ndërmjet personave, pse jo edhe institucioneve nga ata vinë me interes për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie. Duhet të vëmë në dukje edhe faktin se pati shumë kërkesa të tjera nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe nga Diaspora për të marrë pjesë në këtë Konferencë, por për arsye financiare nuk patëm mundësi të miratojmë ardhjen e tyre.

 

9.Në këtë Konferencë u rivu në dukje dhe u ripohua edhe një herë se përafrimi deri në njësim, i planprogrameve dhe i teksteve mësimore, në të gjitha trojet shqiptare tanimë është një domosdoshmëri.

Nga ana tjetër  u theksua se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm nëse  edhe politikat shtetërore (Shqipëri – Kosovë) do të jenë të njësuara dhe qeveritë përkatëse do të marrin përsipër detyrat që u takojnë në këtë drejtim, ku ndër të tjera kërkohet edhe ndërhyrja e tyre pranë qeverive të shteteve fqinje ku jetojnë shqiptarët.

Mendojmë se në bisdedimet dhe marrëveshjet që bën Shqipëria me Kossovën, duhet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të  Zi dhe të Luginës së Preshevës.

 

10.Sigurimi i financimit për zhvillimin e Konferencës, qe problem i vështirë për t’u zgjidhur, madje rrezikoi mosmbajtjen e saj. Megjithatë, ajo u përballua, ndonëse me vështirësi. Kontribuan:

-Drejtoria e Muzeut Historik Kombëtar, me drejtor Prof. Dr. Luan Malltezi, që vunë në dispozicion sallën e madhe të Muzeut, me pajisjet përkatëse të qendrës së zërit dhe personelin e mirëmbajtjes.

-Komuna e Preshevës, me kryetar z. Ragmi Mustafa, që siguruan udhëtimin, fjetjen dhe ushqimin për dy ditë, për tetë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.

-Biznesmeni i Tiranës, z. Kadri Morina, i cili siguroi drekën solemne të së shtunës (dt. 17.09.2011) për të gjithë referuesit pjesëmarrës (30 veta);

-Shkrimtari atdhetar, z. Sabri Maxhuni-Novosella financoi botimin e dy librave të autorit Dr. Ibrahim Gashi: “Kronololgjia Iliro-Shqiptare ndër shekuj” dhe “Kronologjia Shqiptare dhe kalendarët Arabo-Osmanë” të cila u promovuan ditën e Konferencës dhe iu dhanë pjesëmarrësve.

-Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), me drejtor Dr. Ramiz Zekaj, i cili financoi botimin e librit “Rrahin zemrat Arbërore”, me autor Prof. Dr.Murat Gecaj, në të cilin përshkruhen aktivitetet e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (IIKSH) gjatë gjithë vitit;

-Kurse financimin për ushqim e fjetje për dy ditë të delegatëve të ardhur nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, e bënë personalisht Dr. Ibrahim Rr. Gashi me të birin Rezart Gashi. Këta të dy mbuluan edhe shpenzimet për përgatitjen e materialeve kancelarike të nevojshme për Konferencë, ftesa, fletat e programit, pllakati i madh në plastikë për Konferencën, kafeja e pushimit etj.

Shprehim keqardhje, që nuk arritëm të sigurojmë ndonjë shpërblim sado të vogël për referuesit e as për drejtuesit e komisioneve zonale. Shtojmë se nuk patëm asnjëherë ndihmë materiale as nga ministria e arsimit dhe as nga ajo e Kulturës.

Kjo mangësi financiare na vuri gjithë kohën në vështirësi për realizimin e aktiviteteve të planifikuara.

 

11.Duke qenë se Instituti ynë bën vetëm studimin e mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore, si ndihmës dhe krahu i djathtë i ministrive të Arsimit, e nuk ka atribute dhe as mundësi të merret me hartimin e tyre, e aq më pak të bëjë marrëveshje me të tjerët për një gjë të tillë, u drejtohet Ministrisë së Arsimit e të Shkemcës të Shqipërisë, si dhe Ministrisë të Arsimit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Kosovës, që të bëjnë marrëveshje dhe të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët me ministritë e Arsimit te Maqedonisë, te Malit të Zi dhe të Serbisë për këto çështje:

 

I.Për njësimin e plan-programeve dhe teksteve shkollore shqipe, ku do të përcaktohen dhe harmonizohen:

 

a.Mënyra e hartimit të plan-programve sipas shteteve përkatëse

b.Përfshirja sipas përqindjes së kulturës, gjuhës dhe historisë shqipe në Maqedoni,  Mal të Zi dhe Serbi,

c.Lejimi i konkurimit të autorëve shqiptarë në shtete të ndryshme.

 

II.Themelimi i SAKSH (Standarte në Arsimin Kombëtar Shqiptar)

Formimi i një grupi ekspertësh që do të hartojë rregulla për Standartin e Arsimit kombëtar Shqiptar (SAKSH), i cili do të përkujdeset për:

a.Njësimin e  plan-programeve në të gjitha lëndët dhe gjithe shtetet;

b.Njësimi i terminologjisë gjuhësore në të gjitha lëndët mësimore;

c.Vlerësimi i teksteve në nivel mbarëkombëtar.

d.Përckatimi i recensentëve për lendët përkatëse, pa marrë parasysh shtetin.

 

III.Hapja e nje Web-faqeje për këto çështje, ku do të kujdeset për të dhënat dhe rregullat e:

 

a.Të gjitha ministrive nga shtetet përkatëse;

b.Informata më të shpejta për të gjithë mësimdhënësit;

c.Njoftime për botimet e librave dhe revistave nga kjo fushë

d.Forume të ndryshme etj.

 

Mendojmë se në të gjitha këto organizma mund dhe duhet të aktivizohen edhe anëtarët e grupeve të punës, të ngritura nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare në mbarë trojet shqiptare (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Lugina e Preshevës, Mal të Zi dhe Çamëri), pasi ata i njohin më mirë se kushdo tjetër problemet e mësipërme.

 

12.Në Konferencë u shpërndanë edhe disa libra dhe broshura, të botuara nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare (8 tituj), me autorë anëtarë të këtij Instituti, me përmbajtje të drejtpërdrejtë me tematikat kombëtare që promovon ky Institut.

Autorët: Prof. Dr. Hulusi Hako 3 libra, Prof. Dr. Murat Gecaj një libër, Dr. Ibrahim Gashi  3 libra (njëra me bashkautor), Fazli Hajrizi një libër (si bashkautor). Theksojmë se të gjithë këta janë autorë të shumë librave të tjerë.

Është detyrë e IIKSH-së, që të gjejë donatorë për botimin në një libër të veçantë të gjitha temat e Konferencës (29), brenda një afati sa më të shkurtër.

Instituti, edhe në të ardhmen do të bëjë botime që kanë lidhje me veprimtaritë e tij.

 

 

 

13.Ndër mbajtësit e temave pati mjaft edhe profesorë e doktorë shkencash, punonjës universitar e institucionesh të tjera. Megjithatë mendojmë se duhej të kishim punuar më shumë për angazhimin me tema edhe punonjës të tjerë nga Institutet kërkimore-shkencore dhe nga Akademitë, si të Shqipërisë e të Kosovës dhe me gjerë. Në këtë drejtim kërkojmë edhe ndihmën e përkrahjen e ministrive të Kulturës e po kështu edhe të Arsimit.

 

 

 

14.Kërkojmë nga Ministritë e Arsimit e të Kulturës, si dhe nga të gjitha organizmat e tjera qeveritare dhe joqeveritare, të Shqipërisë e Kosovës dhe më gjerë, që për çdo lloj vendimi, apo bisede për çështje të ndryshme që kanë lidhje me popullatën shqiptare, të  cilitdo skaj të trojeve etnike shqiptare, medoemos të merret paraprakisht miratimi nga këto bashkësi njerëzish, mundësisht të jenë prezentë kur bëhen biseda apo merren vendime të tilla, pasi vetëm ata kanë të drejtë të vendosin për fatin e vet, qoftë edhe për përdorim programesh e tekstesh të caktuara mësimore.

 

 

 

15.Aktiviteti u pasqyrua në mediat elektronike dhe të shkruara. U dhanë edhe dy intervista.

 

 

16.Në të ardhmen:

17.Që të mund të realizohen disa nga kërkesat e shtruara në Konferencë, është e nevojshme të krijohen disa komisione, të cilat, në bashkëpunim me Ministritë dhe institucionet qeveritare përkatëse, të përgatisin materiale në shërbim të njësimit të programeve dhe teksteve mësimore:

 

-Komisioni për gjuhën e letërsinë shqipe dhe gjuhët e huaja;

 

-Komisioni për lëndët shoqërore: histori, gjeografi, trashëgimi kulturore, filozofi, edukim qytetar etj.;

 

-Komisioni për lëndët e shkencave matematiko-natyrore: matematikë, fizikë, bio-kimi etj.;

 

-Komisioni për lëndët e klasave I – V;

 

-Komisioni për shkollat e diasporës.

 

 

 

18.Si në Tryezën e Rrumbullakët në Ulqin (dt. 26 qershor 2011), po kështu edhe në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare (dt. 17-18 shtator 2011), u diskutua shumë lidhur me një mundësi të ligjëruar, të pa shrytëzuar nga shqiptarët, shtetas të Serbisë dhe të Malit të Zi, sipas së cilës, ata kanë të drejtë, që në lëndë të caktuara, ku flitet për historinë e tyre kombëtare dhe për trashëgiminë kulturore, të fusin njohuri për kombin e vet. Deri tani kjo mundësi nuk është shfrytëzuar ashtu si duhet.

 

19.Nisur nga fjala përshëndetëse e Drejtorit të Institutit, z. Rezart Gashi, në fillim të kësaj Konfrence, Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, këtë vit do ta fillojë veprimtarinë e vet me 1 Nëntor 2011 me vazhdimësi deri me 30 Nëntor 2012, duke e quajtur këtë interval kohor “VITI I PUNËS TË 100 VJETORIT TË PAVARËSISË”, kurse tematika e punës së këtij viti do të jetë përafërsisht kjo: “Në 100 vjetorin e Pavarësisë – Drejt njësimit të programeve e teksteve mësimore dhe integrimit të kulturës sonë Kombëtare, në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë”. Siç del edhe nga vetë titulli i tematikës, gjatë kësaj kohe Instituti, përveç vazhdimit të punë së bërë deri tani, do të merret edhe me çështjet kulturore, kryesisht nëpër shkolat e trojeve shqiptare:

 

-Aktivitete kulturore, siç janë organizim i festivaleve me dhënie programesh artistikke, qoftë edhe me konkurim ndërmjet shkollave të trojeve tona etnike;

 

-Konkurse të talenteve të reja krijuese dhe recituesish ndërmjet shkollave të zonave të ndryshme;

 

-Organizim takimesh me njerëz të shquar të kulturës e arsimit shqiptarë, me poetë e shkrimtarë të njohur, me shkencëtarë e krijues në fusha të ndryshme të dijes.

 

-Takime fiskulturore e sportive të llojeve të ndryshme.

 

E gjithë kjo punë mund të realizohet vetëm duke pasur ndihmën e përkrahjen e Ministrive të Arsimit e të Kulturës të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe pushteteve lokale të vendeve ku do të zhvillohen këto aktivitete.

 

 

 

20.Aktivitete të veçanta, në formë tryezash të rrumbullakta, do të jenë edhe ato për njohjen e qyteteve të ndryshme. Me interes janë sidomos studimet njohëse për qytetet që janë jashtë Shqipërisë zyrtare, si p.sh. Presheva, Ulqini, Shkupi, Manastiri, Tivari, Janina, Medvegja etj. Në këto aktivitete, në kuadrin e bashkëpunimit edhe me nacionalitete të tjera, mund të ftohen për të marrë pjesë edhe studiues serbë, maqedonas apo malazias, ku mund të ballafaqohen teori e fakte konkrete për çështje të caktuara të qyteteve përkatëse.

 

 

 

21.Nga Konferencë u shtrua edhe çështa e zgjerimit territorial të studimeve të Institutit:

 

-Është e domosdoshme që në studimet për arsimin shqip të përfshihet edhe një pjesë e mirë e Sanxhakut, zonë kjo  mbetur nën Serbi dhe Mal të Zi, e cila ka patur dhe ka një popullatë shiptare, me vendbanim në Pazarin e Ri (Jeni Pazar – Novi Pazar) dhe në disa fshattra. Fatkeqësisht, kjo popullatë sot trajtohet si boshnjake, pasi nën trysninë dhe keqtrajtimin serbo-malazez, ata u detyruan të përdorin zyrtarisht, nëpër shkolla, një pjesë edhe në shtëpi gjuhën serbe.

22.Tematikë e veçantë në studimet e Institutit tonë gjatë kësaj periudhe kohore (Nëntor 2011 – Nëntor 2012), do të jetë edhe “Shkolla shqipe dhe integrimi në Europë”, ku do të kihen parasysh zhvillimet në  arsimin tonë Kombëtar në përputhje me parimet e arsimit europian e botëror.

 

 

 

23.Në Konferencë u rekomandua, që përfundimet e saj t’u bëhen me dije ministrive të Arsimit e të Kulturës të Shqipërisë e të Kosovës, institucioneve shkencore studimore të të  gjitha trojeve shqiptare, përfshirë këtu akademitë, institutet albanologjike-historike dhe ato të trahëgimisë kulturore, qendrave e shoqatave të ndryshme, që kanë si bosht studimi çështjet kombëtare, shoqatave të  arsimtarëve, e po kështu qendrave arsimore pranë komunave e bashkive të qyteteve të ndryshme të trojeve etnike shqiptare.

 

 

 

Ky Raport lidhur me PUNIMET E KONFERENCËS SË PARË MBARËKOMBËTARE, me temë: “Studimi i mundësive të përafrimit, deri në njësim, të plan-programeve dhe teksteve mësimore, në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë”, u përpilua mbi bazën e propozimeve të pjesëmarrësve në Konferencë, si dhe mbi përfundimet e nxjerra nga përvoja njëvjeçare, e fituar gjatë veprimtarisë së Institutit nga bashkëpunimet me veprimtarë të komisioneve zonale në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, si dhe u miratua nga drejtori i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (IIKSH), z. Rezart Gashi. 

 

 

 

Tiranë, 25.09.1011

Përpiluesi i raportit:

                                                                    Dr. Ibrahim Gashi

                                                             Kryetar i Bordit Drejtues të IIKSH &

                        Kryetar i Komisionit Qendror për çështje të Arsimit të IIKSH

                                                                      MIRATOI:

                                                                      Drejtori i IIKSH

                                                                      Rezart Gashi, ekon. &  jurist

Parents subscribe to receive an email http://www.essaydragon.com/ alert anytime mr

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch