Home » Lajme, Opinione » Integrim i suksesshëm i shqiptarëve në shoqërinë suedeze

Integrim i suksesshëm i shqiptarëve në shoqërinë suedeze

Disa fjalë rreth filmit dokumentar “ Me shqiptarët në Suedi” i autorit Murat Koci. Ky film është i përkthyer edhe në gjuhën angleze, që e bënë më të pëlqyer dhe më të shikuar nga të gjitha etnitetet që jetojnë në këtë vend skandinav

Nga  XHAVIT ÇITAKU

Në festivalin e poezisë “ Sofra poetike” që u mbajt këto ditë në Boros të Suedisë u shfaq edhe filimi dokumentar “ Me shqiptarët në Suedi” i autorit Murat Koci, i cili punon e jeton në këtë vend një kohë të gjatë. Përmes pjesëmarrësve të të dy gjinive dhe shtresave të ndryshme autori në mënyrë profesionale arrinë  që të paraqet para publikut shkakun e braktisjes së vendlindjes, vështirësitë me të cilat protagonistët e këtij filmi u ballafaquan kur erdhën në këtë vend të largët, si dhe ngecjet e sukseset që komuniteti shqiptar i ka arritur në shumë fusha të punës e jetës. Ishte shumë emocionuese tregimi i tyre kur u ndanë nga të afërmit  dhe nuk dinin se ku po shkojnë e çfarë fati në të vërtetë i priste ata në një vend që as ëndërr nuk e kanë parë. Në disa momente nga lotët e mallëngjimit që ndienin për vendin ku kanë lë, për prindër, vëllezër, motra, të afërm e farefis, nuk mund të vazhdonin tregimin e historisë së tyre, histori kjo e mbushur me plot vuajtje, vetmi e dëshirë të madhe që jetën ku me dit edhe sa vjet  përsëri ta bëjnë në Kosovën nënë, e cila tashmë gëzon pavarësinë.

Aksionet ndëshkuese serbe shkas për braktisjen e vendlindjes

Shkas i vetëm për të ikur në mërgim, sipas tyre, ishin aksionet ndëshkuese të soldateskës serbe, të cilat pa mëshirë vranë e dogjën mijëra shqiptarë duke përfshirë fëmijë, pleq, gra dhe qytetarë të pafajshëm. Viktima të këtij regjimi ishin edhe të afërmit e pjesëmarrësve të këtij filmi dokumentar. Njëra  syresh me lot në sy tregoj vrasjen e babait të saj para dyerve të shtëpisë nga policia serbe pa e bërë asnjë faj, apo siç tha ajo, vetëm pse ishte shqiptar. Edhe të tjerët hedhen në dritë situata e ngjarje të dhimbshme. Më pas ata u përqendruan kryesisht nga periudha kur kanë arritur në tokën suedeze e deri në ditët e sotme. Secili tregim ishte i veçantë dhe mjaft emocionues. Në rend të parë, në fillim vështirësi patën për të nisur një jetë të re në një ambient i cili dallonte shumë nga vendi prej nga ishin ardhur. Çdo gjë ju dukej disi e mbrapshtë dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të paramendonin se do të mund të vazhdojnë jetën më së shumti tre muaj e lëre më përgjithmonë . Mirëpo dalëngadalë duke vazhduar shkollimin e punësimin filloi të luhatët edhe bindja e mëhershme se kur Kosova do të çlirohet ata do të jenë të parët që do të kthehen në vendlindjet e tyre. Në të vërtetë, disa prej këtyre protagonistëve treguan sinqeritetin që kanë në këto momente duke thënë se tash për tash nuk e kanë ndërmend të kthehen dhe se aq sa e duan Kosovën në të njëjtën masë dashuri ndiejnë edhe për Suedinë, e cila në momentet më të vështira u doli në ndihmë dhe i shpëtoj jetën nga regjimi i Kasapit të Ballkanit, Milosheviqi. Suedia ka bërë shumë jo vetëm për shqiptarët që kanë fituar qëndrim të përhershëm këtu, por edhe ka ndihmuar në masë të madhe edhe Kosovën në të gjitha proceset. Mirëpo, pati edhe të tillë të cilët theksuan se edhe pak kohë ju ka mbet që të kthehen përgjithmonë në Kosovë. Bëhet fjalë për ata që janë para pensionimit, të cilët dëshirojnë që pjesën e mbetur të jetës ta bëjnë në vendin që për ta është më i bukuri në botë.

Dallohen si punëtorë, studentë e profesionist në shumë fusha

Shqiptarët me kohë e kuptuan se e vetmja mundësi për të ecur suksesshëm në të gjitha proceset në të cilat po kalon ky vend , është integrimi i plotë i shqiptarëve në jetën shoqërore suedeze. Jo vetëm shembulli i folësve në këtë dokumentar dhe i kolegëve të tyre suedez, por vërtetë shqiptarët me punë arritën që të jenë shembull i mirë se si duhet  me sukses të japë kontributin në të gjitha fushat e jetës e punës. Në të gjitha ambientet e punës, studimit e punës profesionale shqiptarët përmenden për të mirë nga kolegët e tyre.

Të pranishmit përfundimin e këtij filmi dokumentar e përshëndetën me duartrokitje frenetike, ndërsa autorin Murat Koci e uruan për një profesionalizëm të treguar në këtë zhanër filmik.  Fjalë miradije për këtë punë të dobishme kanë shprehur në të gjitha mjediset ku është shfaqur  filmi dokumentar “ Me shqiptarët në Suedi”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch